top of page

Nga ditari i një ish diplomati


Alfred Papuçiu

Pjesa e IV


1991. Liviu Bota, rumun dhe këshilltar i posaçëm i Jan Martensonit, zëvëndëssekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe Drejtor i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, më takon dhe më pret me përzëmërsi në zyrën e tij. Më flet hapur për persekutimet që i ka bërë dikur Çaushesku, për vuajtjet e tij, por që vetëm presioni ndërkombëtar e detyroi të tërhiqej. Në atë kohë, Liviu Bota kishte qënë funksionari më i lartë për atë organizmin e OKB-së, për çarmatimin në Gjenevë. Edhe e shoqja është një grua e urtë dhe e sjellshme. Edhe ajo rumune dhe punon në Bibliotetkën e Kombeve të Bashkuara. Kanë vetëm një vajzë që studjon për mjekësi. Liviu ka ndikuar sëbashku me Jan Martenson për kërkesat e mija për një jurist të ri që të merrte pjesë në një seminar një mujor të OKB-së, si dhe për pjesëmarrjen 6 mujore të një diplomati shqiptar, i cili vazhdoi rrugën e tij si ambasador.

1991. Funksionari bullgar në Departamentin e Energjisë të KEE është shumë i sjellshëm dhe shpesh herë më ve në dijeni për mundësi për bursa dhe specializime për specialistët tanë të energjisë. Ata kanë përfituar disa udhëtime studimore në Gjenevë, apo edhe gjetiu nga projektet e KEE dhe PNUD-it. Edhe funksionarja turke e Departamentit të transportit është shumë dashamirëse.

Shtator 1991. Ftohem të marr pjesë në konferencën dy ditore “Sigurimi europian në vitet 90-të: problemet e Evropës Juglindore”. Konferenca zhvillohet në Rhodes të Greqisë. Ftesa m’u bë nga drejtori i UNIDIR-it, Jayantha Dhanapala. Me mua vjen dhe ambasadori bullgar, Teodor Ditcev që është një mik i imi dhe me tepër përvojë. Tashmë unë jam funksionar ndërkombëtar dhe ai vazhdon të jetë ambasador ku përfaqëson vendin e tij në Kombet e Bashkuara. Bëjmë një ndalesë në Athinë, ku na pret miku im Kastriot Robo, sekretar i parë i ambasadës. Na shëtit nëpër Athinën e bukur dhe pastaj nisemi me aeroplan për në Rhodes. Sa zbresin më bën përshtypje ai vend i bukur. Vendosemi në hotel. Papritur përpara më del ish-ambasadori ynë në Nju Jork, Abdiu. Bisedojmë miqësisht. Darka kaloi me tingujt e buzuqeve karakteristike greke dhe me mezetë e shumta. Të nesërmen filloi konferenca.

1991. Më së fundi Karta e Helsinkit u firmos edhe nga Shqipëria. Të paktën në analet e historisë të mos mbetet prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i saj që ka aspiruar prej kohësh, që nga Skënderbeu për Evropën, duke qënë gjeografikisht në Evropë, por jo de jure.

1991. Në Pallatin e Kombeve vjen ministri i jashtëm shqiptar, Alfred Serreqi, në një konsultë për Ballkanin. Bashkë me të ishte edhe një i njohuri im, Petrit Bushati, të cilin e kam takuar vite më parë kur ishte në ambasadë në Vjenë. Unë shkoja shpesh në Vjenë, pasi meqënëse nuk kishim akoma ambasadë në Bernë mbuloja edhe marrëdhëniet dypalëshe me Zvicrën. Ambasadori ynë në Vjenë ndërkohë ishte edhe ambasador pranë Bernës. Me të kisha shkuar edhe për paraqitjen e letërkredencialeve Presidentit zviceran. Më parë shkoja shpesh në Bernë dhe kisha marrëdhënie të mira sidomos me një funksionar në Departamentin e jashtëm, Nobs, i cili ishte me kulturë dhe e njihte mirë zonen e Ballkanit.

1992. Shkoj më shpesh tek shitësi ambulant Idriz, i cili më shërben me kulturë fruta dhe zarzavate të stinës. Është një treg i madh në Francë, tek Ville–la Grande dhe të jep kënaqësi sikur edhe të shkosh të kalosh një orë ditën e djelë. Shpesh shkoj edhe tek shitësit e katër stinëve në Gjenevë që sidomos janë turq dhe blej fruta dhe zarzavate të freskëta.

1992. Sot pashë në shtypin shqiptar disa pasazhe të një studimi tim të dikurshëm mbi marrëdhëniet me vendet e Shoqatës Europiane të Shkëmbimit të Lirë (AELE), ku bën pjesë edhe Zvicra. Ato janë rimarrë fjalë për fjalë nga një “kandidat shkencash” në ekonomi që e njoh. U çudita si ai njeri guxon të mos vërë të paktën një burim, se ku e ka marrë atë studim! Vazhdimi i studimeve të Larta Europiane në Universitetin e Gjenevës po më ndihmon për të patur një pamje më të qartë të problemeve europiane, dhe sidomos atyre që lidhen me vendin tonë. Një Universitet i dytë ku merr një formim më të plotë për problemet ekonomike, juridike, sociale, rajonale e politike të Europës. Të kësaj Europe moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike, të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane të shtyn të gërmosh më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Evropën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.

Mars 1992. I ndjek me kujdes zhvillimet e bashkëpunimit të Bashkësisë Europiane me Shqipërinë. Në Bibliotekën e Pallatit të Kombeve, e shoqja e një të njohurit tim më jep gjithmonë libra apo shkrime ku flitet për Shqipërinë. Për shembull, marr vesh se më 11 mars 1992, Parlamenti europian vendosi të miratojë bisedimet për një marrëveshje të tregtisë dhe të kooperimit midis Bashkësisë Ekonomike Europiane dhe Republikës së Shqipërisë. Parlamenti theksonte se ndihma e drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë është një domosdoshmëri absolute për t’i garantuar popullsisë një nivel minimal jetese dhe me afat të mesëm, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Bashkësisë dhe Shqipërisë, veçanërisht me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, të cilat përbënin një mjet më të përshtatshëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Demokracia e brishtë në Shqipëri ka nevojë për një ndihmë konkrete për krijimin e institucioneve demokratike, për shkëputjen e tyre nga kthetrat e njerëzve nostalgjikë të diktaturës së E.H. që e mbajtën vendin larg proceseve mirëbërëse europianoperendimore.

Korrik 1992. Me miqtë e mij funksionarë ndërkombëtarë bisedoja mbi mundësitë që mund të krijoheshin, lidhur me ndihmën që i duhej dhënë Shqipërisë në këtë periudhë tranzicioni. Mundësitë ishin të shumta, veçse duhej vepruar shpejt dhe i duhej përgjigjur sa më parë kërkesave për të dhënë njoftime për zhvillimin, si edhe ku duhej përqëndruar ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, në këtë drejtim po bëheshin hapa. Më 22-23 korrik 1992, në Tiranë organizohet mbledhja e Grupit të 24-tërve. Mbledhja u drejtua nga Frans Andriessen, zëvëndëspresident i Komisionit, të cilin e kisha takuar në Bruksel në shtator 1991.. Ajo pati si synim që të hartohej një strategji me afat të mesëm lidhur me masat e ndryshme mbështetëse për procesin e reformave politike dhe ekonomike në Shqipëri. Grupi i të 24-tërve përgëzoi qeverinë shqiptare për përparimet në demokratizimin në Shqipëri dhe ngulmoi mbi domosdoshmërinë për ndjekjen e ndihmës humanitare urgjente dhe veçanërisht që të mbuloheshin nevojat ushqimore deri në korrjet e vitit 1993. Ju dha përparësi sidomos rëndësisë për një mbështetje sektorit bujqësor ku punojnë 65 për qind e fuqisë punëtore në Shqipëri, me qëllim që vendi të ecte në rrugën e plotësimit vetiak për ushqime.

Tetor 1992. Bashkësia Europiane vendos, duke patur parasysh ashpërsimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, ta fusë këtë vend në listën e vendeve përfituese të programit ECIP (European Community Investment Partners), domethënë për të shpejtuar investimet e vendeve të Bashkësië në Shqipëri.

Nëntor 1992. Shumë biznesmenë shqiptarë që banojnë jashtë shtetit ndjekin me vëmendje të veçantë zhvillimet në Shqipëri. Disa prej tyre kanë ndërmarrë studime dhe po bëjnë investime për të krijuar baza të shëndosha sidomos në fushën e tregtisë, e në përgjithësi të ekonomisë, me vendin e tyre të origjinës. Konstatohet një veprimtari në rritje sidomos e shqiptarëve të Kosovës që banojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën e shërbimeve dhe tregtisë me pakicë. Shpesh ata kanë edhe njerëz të familjeve të tyre në Shqipëri, kështu që lidhja është më e lehtë dhe fitiprurëse për të dy palët. Në fushën ndërkombëtare shihet një rritje e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkësinë Ekonomike Europiane/ programi PHARE, me PNUD-in, UNICEF-in, OMS, Komisariatin e Lartë për Refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën etj. Duke parë numrin në rritje të partnerëve të huaj, qeveria shqiptare vendosi të krijojë në gjirin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës, një departament të ngarkuar me koordinimin e ndihmës nga jashtë. Shqipëria do të ishte e udhës që të krijonte sa më parë “zona të lira”, sepse ato do të japin mundësi për tërheqjen e kapitalit të huaj, por akoma këtë nuk e lejon konteksi politik. Megjithatë, programi i tranzicionit drejt ekonomisë së tregut– objektiv drejt të cilit shumica e kandidatëve e kishin afishuar gjatë fushatës elektorale, ishte për një privatizim të kufizuar për sektorët kryesorë të ekonomisë, tregtisë, industrisë së lehtë, asaj minerare, turizmit, transportit. Në fushën e bujqësisë, ju shpërnda toka çdo fshatari, ish anëtar koperative ose banor i fshatit me 0,1 hektarë tokë për çdo fshatar. Por doli problemi se parcelat e tokës së shpërndarë nuk jepnin mundësi për krijimin e një bujqësie të mjaftueshme për të plotësuar nevojat vetiake, si edhe për konsum.

Dhjetor 1992. Jam duke çfletuar librin e ish-profesorit tim të ekonomisë së shërbimit në Institutin Europian të Gjenevës, profesor Orio Giarinit, me titull: “Rreziqet e sigurisë”. Profesori i shquar, që ka mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Austin, jep disa mesazhe të qarta se si duhen përballuar rreziqet në një ekonomi të re shërbimi. Libri do të më vlejë shumë për studimin tim: “Shqipëria dhe Europa: perspektiva të integrimit”. Më pëlqen kur spjegon profesori, pasi i ka frazat shumë të qarta dhe jep shembuj konkretë e domethënës. Është ndër të tjera Sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes federaliste udhe anëtar i Klubit të Romës.

Dhjetor 1992. Në kohën kur shoqëria dhe morali shqiptar kalonin një periudhë tranzicioni drejt ekonomisë së tregut, në kryeqytetin Tiranë, por edhe në qytete të tjerë, dyqanet e artikujve të luksit, të importuar, afishonin me gërma të mëdha reklamat për “Koka-Kolën”, “Marlboron”, si dhe reklama për ndërmarrjet që prodhonin kostume popullore. Në gazeta shihet të flitet për linjën ajrore private “ADA AIR” të Julien Roch, me bashkëpronar Marcel Skëndon, që mbulon Tiranën – Bari – Tiranë; “Nderalb” ndërmarrje private e ndërtimit që ndërton hotele, objekte tregtare etj. Mentaliteti ka evoluar në Shqipëri. Vete shqiptarët e kanë parë nevojën e “informacionit publiçitar”. Lindi dhe një treg publiçitar që as ekzistonte më parë. Çdo ekonomi tregu ka një industri të rëndësishme reklamash. Një bashkëpunim mbi baza të shëndosha me agjencitë perendimore të reklamës do të jepte mundësi të gjenden dhe rrugë të tjera të mundëshme për të tërhequr klientelën.

Shkurt 1993. Sipas një sondazhi të EUROBAROMETRIT, afro një banor në dy (45 për qind) “mendon se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore të vendeve të tyre përparon shumë ngadalë; një banor në tetë (12 për qind) “mendon se ky proces po bëhet siç duhet” dhe një në pesë (15 për qind) “shumë shpejt”. Në Shqipëri, sipas një sondazhi të sipërpërmendur, 56 për qind e personave mendojne se procesi i privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore përparon shumë ngadalë, 21 për qind mendojnë se ai përparon siç duhet dhe vetëm 13 për qind mendojnë se ai përparon “shumë shpejt”. Sipas dokumentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD) “Strategy for Albania”, BERD po kryen tani veprimtari konkrete të privatizimit dhe të ristrukturimit në dy sektorë kyçe: kromin dhe turizmin që me sa duket do të luajnë një rol model për transakcionet e ardhshme në industritë kryesore. Janë vënë re disa përparime të rëndësishme në vendosjen e një kuadri ligjor për zhvillimin e sektorit privat. Janë miratuar një numër ligjesh nga ana e Parlamentit shqiptar. Fushat që mbluon legjislacioni janë: ndërmarrjet shtetërore, falimentimet, përparësia e zhvillimit ¨të zonave turistike, liberalizimi i çmimeve dhe i tarifave, investimet e huaja, ndërmarrjet private.

Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm, por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mugesa e legjislacionit përkatës, për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike. Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale të dukshme, por pranë kufinjve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në ish-Jugosllavi, gjendja është e acaruar. Topat dhe lufta në Bosnjë –Herzegovinë nuk shkatërojnë vetëm Sarajevën, por ushëtima e tyre godet edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Maj 1993. Zvicra është anëtare e Shoqatës Europiane për Shkëmbimin e Lirë (AELE). Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të përfitojë nga përvoja e këtij vendi të vogel, por me një potencial të pamasë. Krijimi i një zone të shkëmbimit të lire ka qënë dhe mbetet qëllimi i bisedimeve midis vendeve të AELE dhe Europës Lindore. Këto marrëveshje parashikojnë një liberalizim të shpejtë të shkëmbimeve. Shqipëria ka si synim të diskutojë problemin e një ndihme teknike dhe financiare të AELE, duke realizuar një program për zhvillimin e tregtisë dhe inkurajimin e eksporteve shqiptare. Duke ju përgjigjur kësaj kërkese AELE organizoi dy kurse intensive mbi ekonominë e tregut, më 19 prill 1993 dhe 17 maj 1993. Programi i edukimit të AELE përfshin edhe Shqipërinë dhe dhjetë studentë shqiptarë do të pranohen në vitin akademik 1993/94.

Qershor 1993. Rangu i partnerëve ekonomikë të Shqipërisë në 1992 ka ndryshuar në 1993. Natyrisht, Italia është furnizuesi i parë dhe klienti i parë i Shqipërisë. Si përsa i përket ndihmës humanitare, ashtu edhe në fushën dypalëshe, Italia është në krye të partnerëve perendimorë. Jo vetëm lidhjet midis dy vendeve janë të shumta dhe të vjetra, por nga ana tjetër Roma përpiqet të krijojë kushtet që të mos jetë përballë një fluksi masiv të mijra shqiptarëve. Kështu që ajo po përpiqet të bëjë një punë parandaluese, duke kontribuar sa të jetë e mundur në ngritjen e ekonomisë shqiptare. Tabela e investimeve është domethënëse: nëse investimet në projekte me afat të shkurtër dhe të mesëm në 1992 ishin 27 milion dollarë, në 1993 ato arritën në 37 milonë dollarë, sidomos në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, telekomunikacioneve, turizmit dhe sektorit energjetik.

Qershor 1993. Gazetari i TV Suis Romandë, Pjer Bardë na fton bashkë me Rozën në shtëpinë e tij në Zhento. Është një shtëpi e ndërtuar bukur, me stil të vjetër, në pronën e trashëguar nga të parët e tij. Aty pranë ka edhe vreshtat prej nga merr çdo vit prodhimin e një vere të mirë. Ai është i pasionuar pas letërsisë dhe sidomos pas Ismail Kadaresë, veprat e të cilit në frëngjisht zënë vendin kryesor në Bibliotekën e tij të pasur. Më flet me simpati për vizitën e tij të dikurshme në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. E shoqja, Liza, arkitekte na tregon për restaurimet e fundit të bëra në një kishë të vjetër të Gjenevës. Një nga vajzat e tij vazhdon zhirimin e filmave në Belgjikë dhe është bërë një kineaste me emër. Ndërsa tjetra është e pasionuar pas ecjes me kuaj.

Tetor 1993. E ndjek me vëmendje ecurinë e marrëdhënieve të vendit tim me organizmat ndërkombëtare. Personalisht nuk mund të ndikoj në mënyrë të veçantë, pasi nuk dua që dikush të thotë “po ndërhyn në punët tona”. Por si shqiptar e ndjej për detyrë që të jap një ndihmesë modeste. Në Organizatën Ndërkombëtare të Punës ku kam filluar të punoj, si funksionar P-4, në Drejtorinë e Edukimit Punëtor, gjej mundësi sidomos në Departamentin e Ndihmës Ekonomike dhe në atë të Europës, me Di Bernardon, italian që të stimulohet organizimi i seminareve edhe në Shqipëri, me fondet e Organizatës, apo dhe fonde të tjera të mundshme. Kam përgatitur disa materiale interesante për këto seminare, me ndihmesën e kolegëve të mij, të cilët pastaj u përmblodhën në një libër të veçantë. Gjithashtu kam përshtatur botimet bazë të OIT në shqip, të cilat dërgohen pastaj në Shqipëri për sindikatat apo punëdhënësit, lidhur me kontratat kolektive, si duhen duhen zhvilluar bisedimet e përbashkëta midis pronarëve dhe punonjësve. Tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave gjej një përkrahje të plotë nga drejtori i këtij departamenti, danezi Ivan Elsmark. Ai është një njeri me tepër horizont dhe shpesh flas me të për probleme që lidhen me botimet. Kam si udhërrëfyes në OIT dhe zotin Mishel Servé, belg, që ka një përvojë të pasur. Ka qënë këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, e tani është drejtor Departamenti dhe nxjerr revistën prestigjioze të OIT. Formimin e ka si jurist. Disa herë më ka ftuar me time shoqe në shtëpinë e tij, ku fton edhe kolegë të tjerë. Shpesh bisedojnë për udhëtimet e shumta që bëjnë jashtë. Unë dhe Roza përpiqemi të shprehim diçka me modesti, megjithëse s’para se kemi dalë shumë jashtë Zvicre, për shkak të preokupacioneve familjare. Maja e shoqja e Mishelit është profesoreshë e frëngjishtes në Kombet e Bashkuara, tepër e sjellshme dhe e thjeshtë. Në OIT kam shoqëri të mirë dhe e respektojmë njeri tjetrin. Sidomos flas edhe me çekun Zdenek Gregor, jurist i dëgjuar, i cili e njeh mirë temperamentin tonë. Atij i drejtohem kur kam ndonjë material juridik dhe që duhet dhënë në gjuhën shqipe, me terma sa më të sakta. Di Bernardo, i Departamentit të Europës është tepër serioz por dashamirës dhe shpesh më flet për ecurinë e marrëdhënieve të OIT me institucionet përkatëse në Shqipëri. Ai kërkon edhe mendimin tim personal për disa çështje që lidhen me marrëdhëniet me shqiptarët. Marrëdhënie të mira kam edhe me departamentin e meanaxhimit, ku herë pas here jap ndihmesën për hartimin e materialeve për Shqipërinë.

Nëntor 1993. Ekonomia e tregut krijon kushte të favorshme për veprimtarinë private dhe perspektivat janë të favorshme me afat të mesëm për Shqipërinë. Edhe nëse monopoli shtetëror vazhdon akoma në fushën e turizmit, janë bërë disa rregullime që nga 1991, duke përfshirë edhe format e reja të pronësisë dhe infrasktrukturës turistike, si edhe rajonet e hapura për turizmin ndërkombëtar.. Duhet thënë se deri së fundi, përveç “Albturistit”, nuk u krijua ministri turizmi, as agjenci paralele që duhej të nxisnin turizmin në Shqipëri. Përveç kësaj, për shkak të kufizimeve burokratike, si disa “zona ushtarake” dhe kushtet e vjetruara, kanë sjellë si rezultat që shumë rajone turistike janë lënë mënjanë dhe përveç shqiptarëve dhe “marksistë-leninistëve”, aty nuk mund të afrohej njeri deri vonë. Duhet zhvilluar patjetër turizmi, si në të gjitha shoqëritë moderne europiane. E ardhura për çdo frymë nga turizmi në Shqipëri është akoma 1-3 dollarë, e krahasuar me 230 dollarë në Greqi. Greqia siguron sipas Biznes Njuz-it çdo vit një përfitim neto prej 2,5 bilion dollarë, Turqia afro 2,5 bilion dollarë dhe ish-Jugosllavia siguronte në një vit 2,1 bilion dollarë. Shqipëria ka një potencial tërheqje për turistët të konsiderueshëm. Karakteri i saj me male, 472 km e bregdetit të saj, Riviera shqiptare, liqenjtë, parqet, pyjet, gërmimet arkeologjike, kultura, muzetë, mikpritja e shqiptarëve janë një shans i virgjër që duhet të tërheqë kuriozitetin e turistëve.Gjithashtu mundësitë janë të shumta me krijimin e lehtësive portuale, apo me tërheqjen e mallrave të huaja që mund të kalojnë tranzit nga porti i Durrësit, për në Maqedoni apo gjetiu. Porti i Selanikut thith pjesën më të madhe të mallrave që shkojnë në këto rajone. Mijra tonelata mall, grurë, misër, vaj, sheqer etj., mund të stokohen në Shqipëri dhe pastaj të kalojnë në destinacionet përkatëse. Ky është një problem që është ngritur por nuk mund të gjejë zgjidhje nëse ekziston skeptiçizmi apo neglizhenca.

Maj 1994. Mora vesh se paska ndruar jetë drejtori i muzeut të aparateve fotografikë në Vevei. Nuk ishte shumë i moshuar. Më kujtohet kur hapëm ekspozitën me pamje fotografike nga Shqipëria dhe erdhën shumë miq e dashamirës për ta vizituar. Ishte njeri shumë i mirë, i sjellshëm, me tepër kulturë. Kishte një « kavë » të shkëlqyer me verërat më të mira. Priste me padurim festën e bukur të vreshtarëve që organizohet zakonisht çdo 25 vjet por që nuk arriti ta shohë. Kujtonte edhe nga tregimet e paraardhësve dhe ato që kishte pare vetë “Festën e Vreshtarëve” të vitit 1889, 1905, 1927, atë të verës 1955, 1970, të cilat kishin marrë një famë botërore. Shumë spektatorë kishin ardhur nga larg për të mbushur vendet ku jepeshin shfaqjet dhe për të duartrokitur muzikantët e dëgjuar Hugo de Senger dhe Gustave Doret, poetin René Morax, piktorë si Jean Morax dhe Ernest Biéler. Të rralla janë familjet në Vevei që nuk kanë vreshtarë si anëtarë të familjes së tyre. “Shtëpia e bukur” e krijuar në shekullin e 15-të dhe e restauruar në 1733, si kala, është selia e “Vëllezërve vreshtarë”. I çoja herë pas here nga një shishe konjak « Skënderbeu » dhe kur e takoja gjithmonë më servirte nga një gotë nga vera e mirë e vreshtarëve të Veveit.


#Alfred #Papuçiu

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page