top of page

Nga ditari i nje ish diplomati


Alfred Papuçiu

Alfred Papuçiu


Ditari është mbajtur gjatë viteve. Një miku im i mirë më bindi se sado keq që të jenë shkruar këto radhë, mund të përmbajnë një dritë të vërtetë, që brezi i ri, si fëmijët e mij, apo të shokëve të mij, mund t‘i vlerësojnë sadopak. Pra i ofrova vetes këtë luks, për t‘iu rikthyer ndoshta për herë të fundit, ecurisë së jetës dhe veprimtarisë sime modeste. Të shkruash është një mënyrë të foluri, pa të ndalur njeri kur shpresh mendimet e tua. E dua akoma profesionin tim „jo të këndshëm“ që më lidh me gjuhën dhe tokën time amtare, për të dhënë një mesazh. Ashtu, si ata marinarët që u urrejnë stuhitë dhe shtrëngatat, por vazhdojnë të lundrojnë, edhe unë do të vazhdoj në udhën time të nisur prej afro 4 dekadash.

Lexuesve po u paraqis vetëm një pjesë të vogël të këtij Ditari. Ato janë kujtime të një qytetari të thjeshtë që ka patur fatin, siç mund ta kishin edhe shumë bashkëkohas të tij, të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo në konferenca të tjera ndërkombëtare.

10 gusht. Reiz Malile më thirri në zyrë dhe më komunikoi se dëshironte që unë të merresha me ecurinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me OKB-në, si dhe me disa organizma të tjera ndërkombëtare. Deri tani jam marrë me problemet europiane, por paskëtaj gjithçka ndryshon. Do të jem edhe anëtar i delegacionit tonë në OKB, në Nju Jork. Fillova të mbaj disa shënime për temat që mund të trajtohen atje. Nuk e di, por puna me shtypin, si dhe shkrimet e shumta që kam botuar, më japin dorë. Por ndërkohë më ka lindur njëfarë frike: a do të jem në gjendje të përballoj atë ngarkesë të madhe të punës në OKB. Fillimi është i vështirë. Duhet mësuar si funksionon Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Komisionet e ndryshme, problemet që janë hasur gjatë sesioneve vjetore. Sot më thanë se do të duhet të ndjek komisionin e çarmatimit, komisionin e tretë, ku përfshihen problemet e të drejtave të njeriut, ato sociale në përgjithësi, si dhe komisionin e gjashtë, për problemet juridike. Fillova të shfletoj Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pashë edhe disa sesione të këtyre komisioneve gjatë viteve. Kam dhembje koke. Disa gjëra i kuptoj, por ka edhe të tjera që duhet të pyes sidomos Sulo Myftiun, pasi ka një përvojë të gjatë. Ai m’i spjegon pa përtuar dhe përsëri më jep kurajo. Herë pas here me ne bashkohet edhe Rako Naço, i cili për vite të tëra ka qënë në Misionin tonë në Nju Jork. Barcoletat e tij të shumta, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike sikur më japin zemër. Me mikun tim Ksenofon Krisafin konsuktohem për problemet juridike.

5 Shtator. Marr pjesë për herë të parë në seancë plenare të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Më duket diçka sublime. Kisha lexuar e dëgjuar për atë sallë të madhe të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por ndryshe kur e sheh vetë, me ato përmasa. Përpara kemi delegacionin amerikan. Me anëtarët e tij nuk kemi të drejtë të flasim. Paradoks, pasi jemi në vendin e tyre dhe kur dolëm për të shëtitur apo nëpër dyqanet e Nju Jorkut, kudo jemi përshëndetur me amerikanë. Mbi të gjitha në Amerikë ka edhe shumë të rinj me origjinë shqiptare që kanë zënë vende të larta në hierarkinë amerikane.

1 tetor. Fillova seancën tek komisioni i çarmatimit. Ndërkohë duhet të shkoj më pas edhe tek komisioni i tretë, si dhe herë pas here tek komisioni i gjashtë. Algjerianët janë shumë të sjellshëm, të veshur bukur dhe njerëz me kulturë. Si fqinjët tanë në seancë plenare, apo edhe në Komisionet e ndryshme, na ndihmojnë pa masë. Nëse unë duhet të shkoj për shembull, në komisionin e tretë, algjeriani që është në komisionin e gjashtë, më njofton nëse dikush ka folur për Shqipërinë. Megjithatë, organizimi këtu në Nju Jork, tek Kombet e Bashkuara, është i përkryer. Shumë shpejt botohen “pasqyrat e shtypit” ku flitet për punën, si dhe për fjalimet që mbahen në çdo komision apo seance plenare. Sidoqoftë, përsëri nuk e ndjen veten të sigurt, pasi diku në një komision, dikush mund të flasë shkarazi për vendin tonë apo për një problem të rajonit. Shtetet e mëdhenj, anëtare të OKB-së kanë delegacione ku përfshihen dhjetra përfaqësues për çdo komision. Shqipëria është një vend i vogël dhe mundësitë nuk janë akoma që në delegacion të jenë shumë vetë.

3 tetor. Pas fjalimit të ministrit tonë të jashtëm, Reis Malile, u organizua një pritje ku ishin të pranishëm zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, si edhe delegacione pjesëmarrëse nga vendet anëtare të saj. Ndjehem më i çliruar. Mbi të gjitha atë mbrëmje pata rastin të njihesha edhe me shumë shqiptarë të ftuar që kishin ardhur në pritjen tonë. Flisnin me mall për vendin e tyre, si edhe për mangësinë që egzistonte si rezultat i largësisë nga Shqipëria. Shumë nga fëmijët e tyre nuk e dijnë fare shqipen. Takova dhe patriotin Hulusi Kavo, si dhe patrioten time nga Fieri, motrën e dëshmores, Liri Gero. Më fliste me mall për Fierin, për Gjanicën, për të njohurit atje, kishte njohur tim atë dhe Papuçinjtë që kanë lagjen e tyre atje, brez pas brezi.

7 tetor . Sot dolëm në Nju Jork, pas asaj jave të lodhshme në komisionet e OKB-së. Më bën përshtypje madhësia e Nju Jorkut, këtij qyteti kozmopolit. Gjithçka aty më duket e përkryer. Rrugët janë të drejta dhe numrat e tyre rriten gradualisht. Pamë edhe Rokfeler Center, një mrekulli, Broduein dhe Parkun e Nju Jorkut. Pamë nga larg edhe Statujën e Lirisë. Ky qytet me përmasa gjigande është krijuar në pikën jugore të ishullit Manhatan, ku shtrihet edhe lagja e biznesit: Uoll Strit. Nju Jorku është qendra e parë financiare në botë. Është një nga qytetet më të mëdha të botës, pas Tokios dhe Londrës. Ka rreth 10 milion banorë. Ai është i vendosur në shtetin e Nju Jorkut. Nju Jorku është ngritur në katër ishuj dhe një pjesë toke e zgjatur tek grykëderdhja e Hjustonit. Në fillim ka qënë koloni hollandeze. Në shekullin e 19-të ai u zgjerua me Bronksin, përtej lagjes së Harlemit. Pranë janë Long Ailend, lagjet e Bruklinit dhe të Kuinsit, Rishmondit, si dhe Steiten Ailend. Ka shumë grataçiela ku janë vendosur zyrat e shumta të konsorciumeve multinacionale. “Empair Steit Billding” me 102 katet e veta dhe 401 metra është një nga ndërtesat më të larta të globit. Nuk mund të lëvizim shumë jashtë perimetrit të Nju Jorkut, pasi vendi ynë nuk ka marrëdhënie diplomatike me SHBA. Megjithatë, në çdo lëvizje tonën nuk hasim asnjë pengesë, përkundrazi njerëzit janë shumë të sjellshëm kudo edhe në rrugë, edhe në dyqane, si edhe në muzetë që vizitojmë.

17 tetor. Është e djelë dhe Petro Papanikolla, një bashkëatdhetar i yni na ka propozuar të shkojmë në disa muze. Nju Jorku është një metropol kulturor, me ato universitetet madhështore, si dhe me muzetë prestigjioze. Vizituam “Metropolitan Muzeum”, një nga më të pasurit në botë për artet e bukura. Qëndruam disa orë duke soditur ato piktura aq të bukura. Edhe “Louvre” në Paris ka karakteristikat e veta, sidoqoftë këtu është një botë tjetër e veçantë dhe madhështore. Tek “Metropolitan Muzeum” gjendesh para një suprize kur të del përpara dhe një portret i Ali Pashë Tepelenës, i pikturuar nga një piktor gjerman . Ai quhej Jacob Ritter von Hartman. Piktura është në formë ovale dhe është e rrethuar me kornizë fildishi. Aliu i famshëm është pkturuar me gëzofin e lëkurës, jelekun, si dhe mjekrën e gjatë, me sy ngjyrë blu. Tek “Metropolitan Muzeum” gjejmë të ekspozuar edhe dy tablo të piktorit francez, Jean-Leon Gerome, të titulluara “Fishekbërësit” dhe “Lutjet në xhami”. Në to spikasin kostumet e bukura shqiptare, si dhe figurat e aventurierëve shqiptarë, të cilët ai pati rast t’i takojë në Egjipt.

8 Tetor .Sot u zhvillua takimi midis ministrit tonë të jashtëm, Reis Malile dhe ministrit të jashtëm grek , Karolos Papulias. Një takim shumë i ngrohtë. Papulias e njeh mirë Shqipërinë, pasi ka qënë disa herë, është njeri shumë dashamirës, me karakter, me ato thinjat e bardha të tij që i japin hijeshi dhe me sy të zgjuar. Flet me shumë aftësi për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është i predispozuar që ato të zhvillohen më tej. Ai ka mik edhe një aktor të dëgjuar nga Fieri im dhe ka letërkëmbim me të.

18 tetor. Të bën përshtypje se në çdo ndërtesë publike është i varur flamuri amerikan. Gjithashtu, nëpër dyert e shtëpive sheh të shkruar nënshkrimin: “God bless America” (Zoti e bekon Amerikën). Shpesh kur qëndrojmë natën që i kthejmë stacionet e panumërta të televizionit, deri sa të na zërë gjumi, lajmet janë sidomos për ngjarjet në Amerikë dhe shumë pak ka për Europën. Pragmatizmi amerikan është i rrënjosur kudo. Të bën përshtypje në krahasim me Europën se këtu jeta vazhdon me të vërtetë 24 orë në 24. Ke dyqane dhe supermarkete të hapura në 24 orë, për fruta, perime, mish, si dhe për të larë filmat fotografikë. Në Nju Jork ka shumë restorante që mbahen nga vëllezërit nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Mali i Zi. Ata janë shumë mikpritës. Të shkruash për Nju Jorkun dhe madhështinë e tij, duhen faqe të tëra. Sidoqoftë, brezat tanë të ardhshëm do të kenë fatin të vijnë lirisht në Amerikë, në këtë vend të lirisë dhe demokracisë së vërtetë.

20 tetor. Algjerianët janë fqinjë shumë simpatikë në komisionet e ndryshme të OKB-së. Ata flasin hapur me ne për probleme të ndryshme. Një gjë kam vënë re. Ata janë shumë më tepër në numër se delegacioni ynë. Shpesh ata i sjellin diplomatët e rinj në Nju Jork për të mësuar. OKB-ja për ta është si shkollë e diplomacisë. Dhe e vërteta kështu është. Në takimet e shumta me delegacione të ndryshme këtu mëson shumë gjëra që në shtyp shpesh nuk dalin. Gjithashtu edhe për ndjekjen e problemeve më shqetësuese të kohës. Shumë diplomatë të formuar këtu në OKB janë bërë më vonë edhe burra shteti apo ministra të jashtëm të vendeve të tyre.

22 tetor . Këto ditë kam marrë pjesë në takimet e shumta të ministrit tonë të jashtëm me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kam mësuar diçka më tepër, sidomos lidhur me marrëdhëniet e vendit tonë me vendet fqinje. Diskutimet shpesh dalin jashtë kornizave të pasqyrave të shtypit. Kam fatin e mirë që gazetaria më ka ndihmuar edhe për të ndërtuar sa më me saktësi dhe vërtetësi lajmet që duhet të japim pas këtyre takimeve. E shoh se Reis Malile ka shumë më tepër besim mbi ato që hedh në letër. Mbi të gjitha ai është shumë njerëzor. Në jetë i është dashur të përballojë dhembje tepër të forta, por ka ditur t’i a dalë mbanë me ndihmën e miqve dhe shokëve të shumtë. Është tepër familjar, dhe mendon gjithmonë për të shoqen dhe vajzat e tij. Darkave, ndodh që shpesh kur mblidhemi midis nesh për të pirë ndonjë gotë, pas një lodhje ditore, ai qëndron me ne, bisedon ashtu lirshëm, tregon historira të këndshme të jetës së tij në Nju Jork, si edhe në vende të tjera ku ka qënë si përfaqësues i Shqipërisë, sidomos për Nju Jorkun, Pekinin, apo udhëtimet e tij të shumta. Unë, megjithëse më mban afër, gjatë takimeve apo edhe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbaj njëfarë distance, jo vetëm për respekt për moshën e tij, por edhe pse megjithëse është njeri tepër i thjeshtë, rangu i tij nuk më lejon të bëj shaka apo të diskutoj më tepër para tij. Natyrisht, kur më pyet për një problem, i jap përgjigje, me aq sa di. Shpesh detyrohem të lexoj, pas një bisede me të, pasi njohuritë e tij janë shumë të thella dhe unë të paktën nuk dua të mbetem prapa. Dua të motivoj besimin që ka krijuar ndaj meje qysh kur lexoi atë komentin tim, lidhur me një ngjarje në një vend të botës. Nuk dua të them se ai ishte shkaku kryesor i futjes sime në punën me Kombet e Bashkuara, por ndoshta duhej një shtytje në këtë drejtim.

22 nëntor. Sot është përvjetori i njëzetë i vrasjes së Presidentit amerikan Xhon Kenedi. Të gjitha mjetet e medias dhe TV flasin për këtë ngjarje e cila akoma ngjall diskutime lidhur me vrasësit e vërtetë të tij. Në fushën shoqërore, Kenedi u shpreh hapur për heqjen e kufizimeve raciale në ndjekjen e shkollës. Ai u propozoi amerikanëve projektin e “Kufirit të Ri”: për një drejtësi më të madhe shoqërore dhe për shkuarjen në Hënë. Në fushën e marrëdhënieve të jashtme, ai u luhat midis një afrimi me Bashkimin Sovjetik dhe një politike të ashpër ndaj regjimeve komuniste (në krizën e Berlinit më 1961), në Kubë ku ai arriti tërheqjen e raketave sovjetike dhe me Vietnamin kur përgatiti ndërhyrjen ushtarake amerikane. Qëndroi shumë pak kohë si presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, por u tregua tepër aktiv në politikën e jashtme dhe të brendshme amerikane.

Nëntor 1986. Lexoj në analet e OKB-së lidhur me Shqipërinë. Jemi pranuar si shtet anëtar në 1955. Vetë shprehja „Kombet e Bashkuara“ i detyrohet Presidentit të SHBA, Franklin Ruzvelt. Ajo u përdor për herë të parë në „Deklaratën e Kombeve të Bashkuara“, më 1 janar 1942. Karta e Kombeve të Bashkuara u hartua nga përfaqësuesit e 50 vendeve të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Organizatën Ndërkombëtare, e mbledhur në San Françisko, nga 25 prilli deri më 26 qershor 1945. OKB-ja lindi zyrtarisht më 24 tetor 1945. Sesioni i zakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme zakonisht mblidhet çdo vit në shtator dhe vazhdon deri nga mesi i dhjetorit. Bilbioteka e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është shumë e pasur dhe shpesh shkoj aty jo vetëm për të lexuar gazetat dhe revistat e huaja, por edhe dokumente të OKB-së. Ka çaste interesante, për shembull kur Xhemal Baruti, përfaqësuesi i Arabisë Saudite dhe tepër i pasur, mbronte çështjen e Shqipërisë në OKB. Mund të ketë deri diku egzagjerime, por edhe atëhere Shqipëria dhe shqiptarët, megjithë kufizimet e kohës, kishin miq e dashamirës. Diplomatë të aftë kanë ditur të shprehin edhe pikpamjet e tyre personale, pavarësisht se ato mund të binin ndesh me Tiranën zyrtare. Sidoqoftë, duke afishuar „mendimin personal“, shqiptari diplomat shprehte edhe një të vërtetë. Ndjenjat e popullit të vet për një jetë më të mirë, krahas Europës, Amerikës, apo parimeve të Kombeve të Bashkuara. Shpesh përfaqësuesit e vendeve anëtare në OKB dijnë të dallojnë popullin nga ata që e drejtojnë, qoftë edhe përkohësisht një vend të caktuar, dhe jo në rrugën që duhej të ndiqte ai vend, si edhe vendet e tjera demokratike. Në rastin e Shqipërisë, ka pasur diplomatë të zotë, gjatë viteve që përpos qëndrimeve zyrtare, dinin të flisnin me dinjitet dhe në gjuhë të huaja, për çdo problem që shqetësonte rajonin e Ballkanit, Europën apo edhe më larg. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur duhej të jepje një mendim të shpejtë për një çështje të veçantë, apo edhe të votoje, si edhe gjithë bashkësia botërore, për të dënuar një veprim të gabuar të një shteti anëtar. Sa të vinte përgjigja nga Tirana, gjithçka kishte përfunduar. Shpesh për një problem të veçantë, përveç atyre që njiheshin përgjigjet, si për incidentin e Kanalit të Korfuzit, të arit, të qëndrimit ndaj Palestinës, apo në përgjithësi për Lindjen e Mesme, të problemeve të çarmatimit, ndaj superfuqive, qëllonte që duhej votuar për një problem specifik dhe të parrahur më parë. Nuk ishte më koha kur në vitet e ecjes në një rrugë me sovjetikët, delegacioni ynë e kishte më të lehtë për qëndrimin, pasi radhitej mbas tyre, apo edhe kur u lidhëm me Kinën dhe çdo veprim ishte në përputhje, ose deri diku me atë të kinezëve. Sidoqoftë, kultura politike e përfaqësuesve të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe lidhjet që ata mbanin me vende mike europiane, apo arabe, bënin që të pleqëronin sëbashku qëndrimin që duhej të mbanim për një problem të caktuar. Gjithashtu, para se të ikte ministri i jashtëm nga Nju Jorku, dhe diheshin në përgjithësi pikat e rendit të ditës të Asamblesë së Përgjithshme dhe të Komisioneve të veçanta, ai linte udhëzimet përkatëse për delegacionin.

3 Dhjetor .Shpesh kur mblidhemi midis miqsh kujtojmë edhe ngjarje të jetuara apo edhe pak si të sajuara që e bëjnë mjedisin ku jetojmë më të gëzuar. Familjet shqiptare që punojnë aty, na presin si ujët e pakët, pasi ne zakonisht para se të nisemi në Nju Jork takojmë të afërmit e tyre. Ndodh që ata na pyesin përsëri për prindërit, apo fëmijët e tyre që kanë mbetur atje në Shqipëri. Tregojmë edhe ngjarje të tilla: njëherë një shoku ynë që shkonte për të ndjekur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, kishte marrë letër nga vëllai i një shoku të Misionit. Ai niset në Nju Jork, i flet shokut të vet për familjen e tij, por letër nuk i jep. Kur kthehet në Tiranë sheh se letrën e kishte marrë përsëri me vete pa e dorëzuar. Një harresë që mund të shkaktonte brenga tek ai punonjës që kishte shkuar atje larg familjes. Shpesh kujtonim atë rastin, ndoshta pak të ekzagjeruar, për humor, kur vitet e para të hapjes së Misionit, një punonjës i shërbimit kishte pasur një telefonatë natën. E kishte marrë receptorin, por gjuhën angleze akoma nuk e kuptonte se sapo kishte ardhur aty. Ai personi në telefon thërriste “Fire, fire”( zjarr, zjarr). Punonjësi pa e ditur ç’ishte fjala “fire” ishte përgjigjur thjesht me fjalën që dinte: “Call tomorrow” (merrni nesër në telefon). Mbasi zjarri kishte marrë dhenë aty afër, pasi erdhën zjarfikësat u kuptua se ç’kishte ndodhur. Një rast tjetër kishte ndodhur, me të vërtetë, në një përfaqësi diplomatike. Një gazetar i radios nacionale të atij vendi kishte telefonuar dhe kishte pyetur nëse kishte diçka të re lidhur me një ngjarje të ditës në Shqipëri. Punonjësi i pranishëm ishte shprehur: “Les bureaux sont fermés. Téléphonez demain” (Zyrat janë mbyllur, telefononi nesër). Kolegu i tij, i ndjeri Kujtim Hysenaj që e kishte dëgjuar këtë sentence në radion e veturës, kishte vënë duart në kokë dhe kur i kujtohej ajo ngjarje gjithmonë qeshte pastaj me të madhe… Shpesh Reizi shkonte për të fjetur dhe nuk e zinte gjumi, vinte bashkohej përsëri me ne, duke na treguar barcoleta të bukura. Pastaj përsëri na linte ne akoma të vazhdonim bisedën, si më të rinj që ishim. Me ne qëndronin dhe Ilia Janku i paharruar nga Elbasani, Bashkimi që u bë me dy djem nga Amerika, Todi, Mëno, Ilia, Idaiu, Mikeli, Ladi...

7 Dhjetor. Së shpejti duhet të largohemi nga Nju Jorku. Qëndrimi ishte i gjatë, puna e lodhshme, por edhe kemi ndjerë kënaqësi. Kur kaloj para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara, si edhe shumë shokë të mij para meje, them: „Good bye for ever“ (Mirupafshim përgjithmonë). Në radhë të parë nuk e di nëse do të përfshihem përsëri në delegacionin e ardhshëm që shkon në OKB, dhe së dyti nuk e di nëse do ta përballoj përsëri qëndrimin aq gjatë larg familjes. Këtu dhe mundësia për t’u lidhur me familjen është e paktë, pasi njëherë për njëherë çdo bisedë telefonike duhet të kalojë nëpërmjet Italisë. E kuptoj pse ajo e shoqja e Mikelit ndjen dhembje kur kujton djalin që ka lënë në Tiranë, në një kohë që s’kishte mundësi ta mbante në Nju Jork, për arsye financiare. Vazhdimi i shkollës kushton shumë, dhe me rrogën e një sekretari të Misionit, ata s’kishin mundësi ta mbanin fëmijën e tyre. Një problem edhe për shumë familje që janë me shërbim jashtë Atdheut dhe në fakt, megjithë të mirat që kanë, bëjnë sakrifica të mëdha, duke lënë fëmijët e tyre atje larg. Shpesh janë të afërmit që merren me ta, shpesh ata bëhen të llastuar dhe duhet shumë punë e mund që ata të ndjekin rrugën e mbarë në jetë.


Dhjetor. Kthehemi në Shqipëri nga Italia. Ndërkohë kemi marrë vesh qysh në Nju Jork se kryeministri shqiptar Mehmet Shehu ka « vrarë » veten. Përveç problemit të martesës së djalit të tij me vajzën e prof. Turdiut, kokën ja hëngri edhe dëshira e tij për të shkëputur pushtetin ekzekutiv nga ai partiak. Gjithashtu, ishte vënë re se kohët e fundit ai kishte qënë shumë aktiv në fjalimet e tij me elokuencë dhe që ndoshta një gjë e tillë nuk i pëlqente Enver Hoxhës, megjithëse e kishte patur bashkëpunëtor të afërt. I biri është djalë i zgjuar dhe shkrimtar. Në përgjithësi, fëmijët e “bllokut të udhëheqësve” që vazhdonin shkollën me ne, silleshin mirë. Më kujtohet që disa herë shkoja të mësoja tek Nina Theodhosi, nxënëse e zellshme dhe tepër e zgjuar dhe i jati ishte intelektual dhe me pozitë në pushtetin e asaj kohe. Më vonë nuk e di si e solli fati për të, por ruaj në mendje kujtimet më të mira për atë vajzë të zgjuar, serioze, por edhe gazmore dhe të thjeshtë. Mua me Edi Dilaverin, na nxorrën para klasës tek “Petro Nini Luarasi”dhe na dhanë respektivisht çmimet e para dhe të dyta që kishim fituar duke ju përgjigjur siç duhet Radio Moskës. Ishte koha kur ftohja kishte filluar midis dy vendeve, prandaj dhe ceremonia ishte tepër e ftohtë, pa asnjë përfaqësues sovjetik. Pastaj shumë shpejt gjithçka mori rrokullimën e shkaktuar nga E.Hoxha. Më kujtohet se kur luaja tennis tek “Nallbanët”, rusët vinin gjithmonë dhe luanin me ne dhe ishin njerëz shumë të afruar dhe të çiltër. Unë mbaja si gjë të rrallë një album me pulla ruse që m’a kishte dhuruar shkrimtari #Bedri #Dedja, pas një udhëtimi në Bashkimin Sovjetik.


31 views1 comment

1 Comment


Perparim Hysi Rrofsh,ALFRED PAPUÇIU qëpërcjell vlera me shkrimete tua!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page