Nexhi Baushi: Dua të bëj gjëra të vogla,por me shumë dashuri
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 24 hours ago
- 3 min read

Në moshën më të bukur, atë të rinisë, studiova për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Vitet rrodhën shpejt e jeta më mori për mbarë. U dashurova me profesionin e ekonomistes dhe fati, por sidomos aftësitë e mia dhe përkushtimi në punë, bënë që të kem “privilegjin” të punoj në sektorë të rëndësishëm të shtetit. Edhe pasi vitet bënë të tyren e dola në pension, e vazhdova punën me po të njëjtën energji e pasion edhe për disa kohë. Njëherësh, vazhdoja të lexoja me zellin e kohës së rinisë së hershme e gjithçka që përftoja ta reflektoja në shkrime të miat; te libri dhe te kjo krijimtari gjej mikun e mençur, që më jep qetësinë për të mos “e vuajtur” moshën.
Dhe ndihem vërtet e plotësuar, e lumtur!
Qysh në fëmijëri e derisa përfundova studimet e larta nuk iu ndava librit – jo vetëm teksteve shkollore, që më dhanë dije e më përgatitën për jetën, por edhe letërsisë. Lexoja gjithçka më binte në dorë, me një etje të paparë, por sidomos letërsi të të gjitha zhanreve. Midis faqeve të librit gjeja misterin e të gjitha pyetjeve që e ndjekin njeriun përgjatë jetës dhe që, ku më mirë se te ky mik mund t’i gjeje. E jo vetëm kaq, po ky mik që e mbaja çdo herë pranë, netëve poshtë jastëkut, më edukoi të mësoj për jetën, t’i njoh njerëzit në të gjitha skutat e shpirtit të tyre – pra tipa e karaktere – “personazhin” pozitiv e negativ, të mësoj për botën “jashtë oborrit të shtëpisë sime” e “të bisedoj” me banorët e saj kudo ku ata ndodhen. Ky magnet i dëshiruar më vinte si një dhuratë nga Hyji andej lart e më nxiste të lodroja mes vargjeve e strofave, radhëve e paragrafëve, shpesh deri në agim të ditës.
Për mua, gjë më të bukur nuk kish!
Si pa e ndjerë, nisa të mbush me një shkrim të nxituar nga dehja e letërsisë njëra pas tjetrës fletore, që i ruajta në një cep të fshehtë të bibliotekës sime që rëndon nga librat; derisa një ditë i radhita në kompjuter e vendosa t’i kthej në fletë libri, por gjithmonë me shumë droje e pa bujë, pasi i fshihesha gjykimit, edhe të më të afërmve të mi.
E kështu, mori udhë krijimtaria ime që po më mban fort në jetë.
Emocionin e parë të fortë e ndjeva kur publikova për herë të parë në facebook poezinë “Sa pak kërkon një grua”. Besoj se kushdo në jetë e ka ndjerë këtë lloj emocioni vlerësues, kur ka shfaqur diçka të tijën që e ka bërë me pasion.
Ndërsa libri im i parë, edhe pse mund ta quaj “fëmijë
Bota e prekshme dhe ajo e ndjeshme
ende i parritur”, është libri i zemrës sime, sepse është më i çiltëri, më i pastërti, më shpirtërori, më qumështori, më i kristalti e më me aromë luleje. Ky libër përcolli gjithë nektarin tim vajzëror të grumbulluar ndër vite, që nga një gonxhe e paçelur mirë deri në buqetën e parë të krijimtarisë sime me gjashtë zambakë. Gjithçka qe emocion drithërues, plot sfida e vlerësim për veten tashmë, në një trevë krejt tjetër nga ajo e ekonomisë. Pas tre vëllimeve me poezi, si dhe librave në prozë, botova edhe një monografi të gjenezës sonë familjare. Tashmë m’u bë sikur jetoja jo më me shifra dhe evidenca kalkulimesh pafund, por me magjinë e ethshme që ta jep vetëm letërsia.
Arti ta mbush shpirtin edhe me dashurinë dhe mirëkuptimin me të qenit Njeri, ndaj më gëzon çdo gjë e bukur dhe e ndjerë e miqve dashamirës të letërsisë. Pasi njihem me krijimtarinë e tyre, shpirti ma do t’i shpërndaj mendimet e mia për gjithçka me vlerë që përftova prej tyre. Kjo ka bërë që disa vite më parë të botoj librin studimor “Bota e pashme dhe ajo e ndjeshme” (mbresa, refleksione, vështrime letrare). Vëllimi i dytë i këtij cikli është në këtë botim, të cilin e kam ndarë në dy kapituj: në të parin përfshihen mbresat dhe refleksionet e mia letrare të krijimtarisë së disa prej autorëve shqiptarë, ndërsa në kapitullin e dytë ato të të tjerëve ndaj krijimtarisë sime.
Shpresoj që edhe ky botim i imi të vijë natyrshëm dhe në mirëkuptim me ju miqtë e mi dashamirës.
07 Shkurt 2025
Comments