top of page

NEVRUZI -“DITË E RE” - SI FESTË POPULLORE PAGANE




Shënime.


Dita e Sulltan Nevruzit është një festë me përmasa botërore. E fryrë si festë fetare, si ngjarje e lidhur me lindjen e Baba Aliut dhe të degëzimit të islamizmit në bektashizëm, për këtë flitet e shkruhet shumë pak si ditë dhe festë e vjetër pagane, shumë më e thellë në histori se sa të lindte krishterimi, islamizmi, budizmi e të tjera.

Nevruzi në kalendarët popullorë të popujve të ndryshëm njihet me emrat Navruz, Novruz, Nevruzi, Sulltan Nevruz, Yeni Gun (Ditë e re), Mart dokruzu (9 mars) etj.

Sipas studiuesve të ndryshëm emri vjen nga persishtja: Nev (i ri, e re) dhe Ruz (ditë). Ka kuptimin e ditës së re dhe në aspektin mitologjik kremtohej si Dita e Vitit të Ri ndër popujt që banonin në Azinë Lindore dhe Qendrore, Anadoll, Siberi, në Ballkan , Persi etj.

Sipas kalendarit gregorian Dita e Nevruzit bie më 22 mars (më 9 mars sipas atij julian) në ekuinoksin pranveror kur dita dhe nata barazohen në kohë.

Shqiptarët katolikë, sipas kalendarit kishtar, më 25 mars kremtojnë festën e quajtur “Lajmërimi i Zotit” por edhe “Dita e Zojës dhe “Zonja Nunciatë”.

Dita e 25 marsit në popull njihet edhe si “Dita e këmborëve” ose “Dita e zileve”, ditë në të cilën, sipas traditës popullore, fëmijët dilnin me zile duke dëbuar gjarpërinjtë. Ky zakon, sipas Robert Elsie është pagan parakristian i cili është ruajtur edhe në disa vende dhe tek popuj të Ballkanit.

Nga studimi “Pasqyrimi i pranverës dhe Nevruzit në artin iranian” veçoj:

“Kjo festë e lashtë me gjithë kalimin e shekujve, nuk e ka humbur ngjyrën dhe vlerën e saj. Në kuadrin e kësaj feste të lashtë, ekziston edhe ceremonia e 'Nevruz'hani' (kënga e pranverës), e cila aktualisht aplikohet gjerësisht në rajonet në veri dhe në jug të vargmalit Alborz, por vërehet edhe në disa fshatra të larta. Në këtë ceremoni këngëtarët, poetët dhe muzikantët krijojnë një rreth të gjerë duke kënduar krijimet më të reja artistike kushtuar stinës së bukur të pranverës. Në disa zona të Iranit pas realizimit të ceremonisë së këngës së pranverës, grupet teatrale ekzekutojnë shfaqje artistike dhe gazmore, ku të gjitha këto programe kanë në epiqendër bukuritë dhe haretë e stinës së pranverës. Në të gjitha periudhat, përgatitja e njerëzve për ardhjen e Nevruzit ka qenë e shoqëruar me gëzim dhe organizimi i ceremonive të ndryshme të shoqëruara me muzikë dhe këngë për Nevruzin, kanë qenë pjesë e traditës së kësaj feste. Në ditët e fundit të vitit, iranianët me blerjen e gjërave të ndryshme dhe me zbukurimin e vetvetes, shtëpisë, qyteteve dhe fshatrave, dalin në pritje të ardhjes së vitit të ri. Të gjitha këto janë të mishëruara me të kaluarën kulturore, kombëtare dhe fetare të këtij populli dhe vazhdojnë të përsëriten në të njëjtën formë. Për shekuj me radhë, iranianët, Nevruzin e festojnë si një festë të madhe të Krijimit dhe si simbol i gjelbërimit dhe ringjalljes së natyrës. Kjo traditë vazhdoi edhe pas periudhës islame dhe pranimit të islamit nga iranianët dhe pasi u mishërua me disa tradita islame, mori edhe kuptim fetar....”

Në Shqipëri Dita e Nevruzit si ditë e lidhur me Baba Aliun dhe me bektashizmin, kremtohet në mbarë vendin, kryesisht në zona bektashiane. Nën emrin Dita e Sulltan Nevruzit ajo sot është festë zyrtare fetare, krahas festave të tjera fetare si Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Krishtlindjet, Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël.

Dita e Nevruzit si festë pagane, e lidhur me pranverën, me “bukoliket” dhe “gjeorgjiket”, bujqësinë dhe blegtorinë, me pemëtarinë e vreshtarinë në veçanti festohet edhe nga banorë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë në vlerë të kohëve të lashta mbushur me rite parakristiane.

Më poshtë do të merrem me Nevruzin në një vështrim të gjallë, në atë që e kam jetuar në fëmijëri dhe të paktën edhe sot e vite në vijim jeton në Dibër, në Topallti dhe në Male. Sot në një emision televiziv e jetova edhe nga një banor i vjetër i Martaneshit në ritin që përcolli në dialogun natën e Nevruzit, dialog që me fjalë të tjera ishte i njëjtë me dialogun që do të paraqes më poshtë...

Nevruzi në Dibër festohet në varësi nga lartësia gjeografike e vendbanimeve - Nëntë ditë pas Ditës së Verës (Lugina e Drinit të Zi) dhe - Dymbëdhjetë ditë pas Ditës së Verës (në zonën malore), në të dy krahët e lartësisë mbi luginë.

Në kujtimet e mia Nevruzi, nga ritet, këngët dhe doket nuk është gjë tjetër veçse një festë popullore thjesht pagane, festë e lidhur me bujqësinë e në veçanti me pemëtarinë, festë e lidhur me thirrjen për t’iu përveshur punës në sektorin jetik të trevës (trevave) që lidhej me bujqësinë.

Disa rite si mbledhje e luleve, të shkuarit mbrëmjen e natës së Nevruzit në mulli, ndezja e mullarëve me kashtë e dëllinja para shtëpive, peta (byreku) i Nevruzit dhe ushqime të tjera deri tek therja e gjelit të dytë më të madh të tufës (i pari theret natën e Ditës së Verës), veshjet e lojërat popullore, veç të djemve e veç të vajzave, nuk ndryshojnë nga ato të Natës dhe Ditës së Verës.

Ajo që e dallon Nevruzin janë këngët dhe thirrjet e veçanta ndonjëra prej të cilave më është ngjitur në kujtesë dhe me gjithë vitet që më rëndojnë mbi supe nuk më shqitet edhe këtu, larg e larg në mërgim.

Kujtoj ndër të tjera mbrëmjet e Natës së Nevruzit, kohën kur me një sëpatë në dorë me një shuk kashte të njomur thekre bridhnim sa tek njëra pemë tek tjetra, sa tek një cung hardhie tek tjetri. Bridhnim bashkë, si familje e me mysafirë.

Njeri thërriste e tjetri i përgjigjej..

I pari: Ata pres ?

I dyti: Me kalë e me thes.

I pari: A ta pres or gegë ?

I dyti: Me kalë e me shegë.

I Pari: A ta pres or toskë?

I dyti: Me kalë e me plloskë.

I pari: A ta pres?

I dyti: Preje...

Ai që mbante sëpatën në dorë, pasi e kthente në të kundërt të pjesës prerëse i mëshonte pemës me tunin e saj duke thirr i ngazëlluar...

- E preva...

Riti vazhdonte me lagie të “plagës” së pemës me një përzierje të pekmezit me erëza e me qerasje me fruta të thata e vezë të ziera...

Kështu vazhdonte pemë më pemë e hardhi më hardhi, me këngë e romuze për të përfunduar rreth e qark mullarit të Natës së Nevruzit me këngë e valle, djemsh e vajzash, burrash e grash të fisit .

E veçanta e Nevruzit është se ajo shndërrohej në një festë masive njerëzish të një gjaku dhe miqsh që zbrisnin luginës së Drinit e ngjiteshin lartësive të maleve në ditët që e ndanin festën, në “Nëntë Ditë pas Ditës së Verës” (24 mars) dhe në “Dymbëdhjetë Ditë” pas saj (27 mars). Një festë e hershme, pagane, që festohej dy herë e mblidhte bashkë njerëzit e gjakut dhe të fisit shpërndarë në hapësirën dibrane.

Riti që përcolla më sipër, dialogu, të bën të mendosh e të arrish në mendimin se Nevruzi, si kohë që lidhet me pranverën dhe ftesën për punë, nga tubimi i njerëzve pranë pemëve dhe hardhive, nuk është gjë tjetër veçse një rit i pemëtarisë dhe vreshtarisë, një thirrje për ti krasitur pemët dhe vreshtat që ata të prodhojnë “me kalë e me shegë”, me “Kalë e me plloskë”, një thirrje e gjerë me përmasa gjithë Shqipërinë, me Toskë e me Gegë.

Kremtimi i Nevruzit në dy data është i lidhur edhe me kohën kur duhet të krasitet pema e vreshti, kur duhet të punohen e të përgatiten për prodhimin e ri. Në luginën e Drinit pemët lulëzojnë e limfa e tyre shpërthen më herët se në zonat e larta malore, ndaj krasitja dhe shërbimet ndaj pemëve duhen bërë më herët.

Koha, largësia fizike nga Dibra e treva ku Nevruzi është një festë e thjeshtë popullore, pagane, me krye në lashtësi, ma heq mundësinë të shkruaj më gjerë e më thellë. Ua lë lexuesve radhën që ta vazhdojnë meditimin tim...

Për mua, para se Nevruzi të jetë Sulltan Nevruz, festë e bektashinjve, është “Ditë e re”, është një festë pagane e lidhur me pemëtarinë dhe vreshtarinë, ashtu siç është Dita e Verës e lidhur me Lulet, ashtu siç është Dita e Shëngjergjit e lidhur me blegtorinë,

me...dele e me shqerra...

Siç këndohet në Dibër e gjetkë...


Abdurahim Ashiku

Athinë


35 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page