top of page

Nesër nëntë vite më parë


Nesër nëntë vite më parë: Kur u takuam për herë të parë, mësova se Njeriu ka epiqendrën njerëzore mes jush.


Fatmir Terziu


Ky është një nder. Një letër mirënjohje, si të doni ta quani. Një faleminderit, mendoj. Faleminderit që më mbetët në memorje. Faleminderit që më shënuat emrat tuaj, respektin tuaj, prekjen tuaj, fjalëmbëlsinë tuaj, duartrokitjet tuaja, emocionet reciproke e mjaft të tjera. Faleminderit që më patë, më shtrënguat duart, më përqafuat, dhe më mësuat njëkohësisht me bukuritë njerëzore, krijuese, respektuese. Faleminderit që ishit dhe jetuat, jetoni dhe mbeteni duke jetuar në poezitë e mia, tregimet, reportazhet, gjërat më frymëzuese të krijimtarisë sime, po aq faleminderit që dhe më predikuat lidhjet midis kohës dhe kohërave dhe faleminderit, faleminderit, faleminderit që më bëtë të shoh se isha i talentuar me një jetë ndryshe në kahun e një Njeriu të larguar, me nofkën shpesh të padëshiruar „i emigruar“. Kjo është për Ju. Gjithçka që bëj, gjithçka që shkruaj, gjithçka që them, është për Ju. Ju jeni shumë e shumë. Dhe Ju jeni në metropolin grek në Athinë!

Nëntë vjet më parë Ju zgjuat mendjen time me vetëm respekt dhe respekt që mbetet përjetë dhe pa një kufi me fjalën nesër.

Nëntë vjet më parë, kontrollova emailin tim duke pritur të gjeja kërkesën, thirrjen, angazhimin, mikpritjen tuaj dhe tashmë e mbaj si gjë të çmuar ftesën për të biseduar, komunikuar dhe deleguar mendimet në një sallë të mbushur plotë me krijues dhe kolegë të nderuar.

Nëntë vjet më parë, isha me emaile me Ju. Sot jam me zemër atje.

Nëntë vjet më parë, u ndjeva mirë me Ju, me të gjithë një nga një, si shenja e mikut tim më të mirë, shpirtit tim binjak.


Nëntë vjet më parë shkova në Universitetin Amerikan të Athinës dhe aty fola jo vetëm për letërsinë, por dhe për Ju, fola dhe për atë realitet që pashë aty përballë meje mitin dhe mitologjinë, bustet kryememorjet dhe vlerat. Dhe Ti miku im poet Arqile dhe Ju miqtë e mi vërtet jeni atje, vërtet keni një mal me halle, por jeni me zemër të madhe. Dhe Ju jeni tashmë një për mua.

Mund të isha përditë atje, atje tek Ju dhe mund të ju shihja dhe të ju dëgjoja përherë e më shumë teksa ju me ëndërrime dhe përhumbje e thatë "Ti je ndryshe". Ne jemi një, tashmë!

Atë ditë, pata një ndjenjë ankthi dhe vetëm ndjeva lotë gëzimi në sy.

Nesër do të jem sërish me memorjen tuaj dhe do të ruaj ndjenjën time, por brenda do të shtryll mallin dhe do të qaj, do të qaj dhe do të derdh lotë për kohën që nuk gjendem pranë jush.

Nesër, do të ulem të shkruaj, pasnesër do të shikoj në atë që kam shkruar, do të ju shoh, do të dëgjoj dhe do të nuhas dhe ju miqtë e mi do të mbeteni me fjalët në zemrën time "ti je ndryshe", ne jemi Një.

Nesër, mund të kem një ndjenjë ankthi, por do të përpiqem të mos shtoj më shumë se sa ju e thatë me gojën tuaj. Mund ta trajtoj.

Kur u takuam për herë të parë, mësova se Njeriu ka epiqendrën njerëzore mes jush.

Koha e ka treguar. Të tjerët nuk kanë kohë për të Ju kuptuar.

Ju keni pasur sukses.

U bëtë një vlerë më shumë për më mirë.

Nesër unë do të mbetem duke shkruar, jo thjesht për të Ju kujtuar.

Ne u bëmë të ndjeheshim ashtu sikurse duhet, dhe koha jonë iku shpejt, ku përfundoi ajo kohë e bukur me miq si Ju?

Mirupafshim dhe faleminderit dhe më vjen keq që nuk Ju thashë se ju dua sa duhet dhe më falni që nuk bëra më shumë foto me Ju. Më falni që nuk fola atje më shumë për Ju... dhe më vjen keq që nuk shtrënguam duart me xhelozitë e mykura që kurë s'i flakëm, të paktën të tregonim në Athinë se i humbëm duke humbur kaq shumë kohë kotësish. Të paktën Ju jeni modeli që keni zemër dhe shpirt për të planifikuar mirësi, dashamirësi dhe mbështetje për një të nesërme që nuk do ta kishim kurrë, nëse nuk respektojmë njëri-tjetrin, nëse nuk duam dhe mbështesim njëri-tjetrin. Faleminderit Arqile, Noke, Leon, Stefan, Luan, Nase, Petraq, Myrteza, Gëzim, Agim e qindra të tjerë… tek „Vëllazërimi“. Faleminderit Zoti i Madh që më dhe rastin të takohem me njërëzorët e Athinës!



45 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page