
(LEGJENDARIT TONË Gjergj Kastriotit)
Ndër shekuj flakadanë yje lirie patëm shumë
Mes tyre Gjergji ynë ndrin si diell rrezear
Vringëllima e shpatës nuk ndalej në furtunë
Me trimëri ua theu kurrizin erërave nëpër dallgë.
E kishte trupin shkëmb e zemrën kështjellë
Dorën çelik e vështrimin si vargmali
Gjithmonë ndër bashkëluftëtarët i pari ka qenë
Për të u thurin legjenda e këngë lahutari
S`ishte i vetëm, por gur i rënde i një kalaje të rrallë.
E sfidoi perandorinë me kurora veziri e sulltani
Mbrojti nderin, pragun, tokën e parmakun e lashtë
Asnjë murlan s’e zprapsi atë lis të padjegur shqiptari.
Ishte shkëmb i patundur ne malet shqiptare
Princi i Epirit paepur i një kombi trim nëpër troje
Plot 25 fitore qëndroi në tufan si kryekomandant
Me bashkëluftëtarët e vet sfidoi perandorët.
BELLAGJIA NË PËRMENDORE
(Kushtuar kusheririt tim Sali Çekaj)
Ku të kam e si të kam
O i shtrenjti trim me fletë
Bashkë me vellëzërit atëdhetar
N`Koshare shkruat epopenë.
Si shtëpi t’u bë mal i bleruar
Me barut u mbush sofra e dita.
Për tokën nënë të bekuar
Jo, s’e dite ç’ishte frika
.Braktise shtratin e odat me shilte
Me e dashur u bë shkëmb i thepuar
Ti qe nxore atë dhëmballë trimërie
Me gjëmë resh në kohë të egërsuar.
Ti ishe urtaku i Bërliqit të lirë
O fjalëpakë i rrallë, gjeneral
Kurrë s’u ndale mes vrullit të stuhisë.
Mbete mes nesh vigani prijatar.
S’u ndale në idealin e ardhmërisë
Ishe Pentagram i Kushtetutës sonë
Me ty krisi pushka drejt lirisë
Plagët u bënë nuse në kraharor.
NË SELANIK
Eci nëpër mjegull buzë Jonit valë valë
Ndalem pranë shtëpisë së Hasan Prishtinës
Dola t’i kërkoj rrënjën e lashtë.
Motet e kishin rritur kuqëlimën në plagë.
Vetëm rrethojat prej hekuri
Iu kishin rezistuar nëntë dekadave.
Heshtja ngulfetë shekullin
Në Rr.“Vasilis Olgas“23
Hapat ndala në atë shtëpi me krenari
Muret sikur kërkonin ndihmë nga mua
Qanin për duart e vyera të t`zotit të shtëpisë.
Uzurpatorët s´më lejonin pranë për t’iu afruar
Kur e mësuan identitetin
I kaploi tmerri hijenat e tërbuar.
Ju çamët e mallkuar
Keni ardhur per ta marrë me vehte
Mrekullinë shekullore te Hasanit të paharruar!!
Na thërrisnin gjurmët
Ku dikur frymuan atdhetarët lavdindritur
Në Rrugën “Çimisqi“ në Selanik
Në vendin ku u shkrep arma e tradhëtisë
Kocka në mure e në rrugë gjëmon
Mallkojnë dorasin e shitur.
NË OBORRIN E SHKOLLËS
I kujtoj kah mot fytyrat e qeshura
Ato gjallë më mbajnë mua
I kam nuhatur dallgët e kërleshura
Që rrinë dhjetë jetë lulëzuar.
Copa-copa ndaj mendimet fije-fije
Në qindra e mijëra katrorë
Vargjet dua t’i vë në dallgë diturie.
Ata gjithmonë vinin si dallandyshet
Ngadhnjimtarë në kështjellë vinin mes rikthimi
Anijet ankorohen buzë limanit
Më sjellin mijëra dashuri.
Mijëra kristale shkëlqimi.
Jehon shkolla oborri e klasa.
Buzëqesh çanta me nota
U shtuaj fitimtarët e ëndrrave të bardha.
Jeta kurrë nuk guxon të vyshket
Te pionierët e të rinjtë afrohet fitorja.
ÇUDITËRISHT
Kurrë nuk kuptova gjuhë lumi
Pa vrapin e ujit as gurët e brigjeve
Kur djersa pushon mbi palë guri.
Çuditërisht
Vala e ndjek valën me vrap
E pas djersa e ftohtë kullon
Gurgullon, pa fund gurgullon.
Kurrë s’e kam menduar
Heshtjen e pyllit në blerim.
Pa nanurisjen e gjetheve
Pa sythat e rinj.
Kurrë s’e kam dashtë heshtjen.
As vetminë
Pa buzagazin e rinisë
Pa bashkimin e duarve
Sup me sup, agim më agim.
Asnjëherë s’e kam dashur lumturinë
Ne gëzhojën e kërmillit
Pa mëngjesin me diell
Pa hijën e mesditës dymbëdhjetë këmbë.
As rrugën nuk dua ta shoh të boshatisur
As parkun shurdhmemec që klithmon.
Kërkon zërat e fëmijëve
Duke lozur e duke shkuar në shkollë.
POEZIA
Më pëlqen poezia si bjeshka
Më bën të qesh kur dua të qaj
Më bën të fluturoj si era
Kur dua të pushoj, këngën ta mar
Më bën të uritur
Kur jam i ngopur.
Më bën të robëruar
Kur jam i lirë
Më bën të shpërthej
Kur jam i vetmuar
Më bën të shërohem shpejt
Edhe kur jam plaguar
Më bën shtegtar.
Kur jam i lodhur.
Më bën memec.
Kur duhet të flas.
Më bën trim
Kur jam frikacak
E kam dashnore shtratin.
E kam fllad livadhi
E kam grua për merak.
POROSIA E NËNËS
Më pyeti nëna
çfarë t’u dërgoj fëmijëve në mërgim
Nga vatra e konakut që është shurdhëruar
Një ftua nga arka e pajës tënde
Mbetur nga vitet e kohës së shkuar
Për këto vite i ka mbajtur nëna e thinjëruar.
Autobusi ishte mbushur me mërgimtarë
Nënë na dërgoi edhe një shishe me ujë.
Është mbushur nga bunari në atë prag.
E pinim me mallin e pashuar kurrë.
Më pyeti nëna:
-Biro, a dëshiron diçka tjetër?
-Po, nënë, dua shaminë tënde me lotë
Ma nis edhe plisin e babës të vjetrin
Se orën e xhepit të tij e kam tash sa mot.
Arriti autobusi këtu në qytetin tonë
I mbushur plot me fëmijë të reja e të rinj
Vetit i thashë:
-Pse u bë ky nam, kah po shkojnë?
Lotët më rrodhën e vetes ia bëra një mallkim.
Torba nga nëna më erdhi në dhe të huaj.
Ftoi kishte marrë pë çudi ngjyrë portokalli
Shishen me uij bunari e kam shtrënguar.
Ua dhashë fëmijëve që t’u shtohej malli.
Shaminë e lagur e futa në xhepin e zemrës
Mbi kokë e vura plisin e bardhë.
Nje oqean lotësh nga sytë kanë rrjedhur.
Si gurra të fshehura vërshuan atë natë.
KUR TI VJEN
Më erdhe me natën e qetë
Kur ajo kish rritur shtatin
Si ketri këmbëlehtë
Derën ngadalë e hape
Atë natë unë akoma s`kisha fjetë.
Isha thelluar në heshtjen time sublime
Si në kllapi ndijeva hapat e tua të lehtë.
Diçka befas më shpurpurisi mijëra kujtime.
Sa ndieva mallin që më zbukuronte këtë jetë.
Më erdhe si vetëtimë qielli
Që lumturojnë natyrën.
Me erdhe befas te unë në këtë natë shenjtërie
Ti gëzimi i pashuar, ti shqiponja ime.
Ti erdhe natën në terr.
Por si Neon lëshoje dritë
Gjatë e pritëm njëri-tjetrin
Ti nga unë e unë nga ti
Kurrë s`kemi për të ikur në përjetësi.
HESHTJA
Heshtja ecën me mua.
Heshtja lëviz si lokomotivë
Ma pushton trurin
Ushton në kokën time të trazuar.
Si stuhi rërë mbi shkretetirë.
Pas meje
Një mjegull vjeshte….
Gjethet me erën iku pa adresë..
Nga batica e saj
Ylberi rrit shtatin sa maja sa bregu
E Dielli
Ma rrit hijën time çdo mëngjes.
Ah, që s`munda kurrë me e nxanë.
Në shtratin e heshtjes po dergjem
Pa pirë pak verë Çamërie
E vitet po ikin si mjegulla mes lugine.
Nuk dua t’i mbyll buzët e mia.
Të lodhura nga heshtje e tepruar.
Deri atë ditë sa të shoh flladin
Duke e thyer heshtjen e padëshiruar.
KUR VIJË NË PEJËN TIME
Jam gati të bëhem tjetër dritë dielli për udhët e Pejës
Të marr për dore fëmijët kur nisin klasën e parë
Të shtroj me loket e çikat flinë mes tryezës.
Me druvarët të shtrëngoj në supe sëpatë e sharrë.
Dua të lodhem në Rugovë pas qengjave mes barinjve.
Të gdhihem pranë stanit me qentë e Sharrit të bleruar.
Janë shtuar ujqërit në këtë kohë me gjëmime
Janë shtuar dhelprat me gëzofë të ndërruar.
Në gjunjë do të ulem në Pejë në çdo avlli e bahçe
Të vadis lulet që I duam për mësues, nëna e dëshmorë
Me Komandant Saliun dashkam ta gjerbokam një kafe
Të më rrëfejë si Gjergji gjoksin e trupin e plaguar.
Në Pejë bëhem njëheresh djalosh që bën garë me duar.
Në Bërliqin tim do të bëhem si babagjyshi me thinja
Dua të jem kryekrushku me tupan e flamurin kuqëluar
Të udhëkryqe e sheshe të më dehë lahuta e çiftelia.
Besomëni për besë, se gjumin këtu dua ta dëboj
Për foshnjën e porsalindur djepim e pelenat i kam gati.
Evropa qënka larg, shumë larg ku Pejën përqafoj
Me vargun e thurur bëhem si fëmijë a si ushtari.
Comments