Ajo flutur ishte konkrete! Ajo flutur tash u bë abstrakte! Posa u abstragua, nisi të rikonkretizohet përmes katarsës-vegullisë sime: si përherë, më së pari ia dëgjova zërin.
Zëri i saj, ah! Gurgullimë e një currili? Britmë e shpirtit tim? Lutje nga planeti tjetër?
Pastaj ia vizatova syrin, syrin që më vështroi mua, vetëm mua. Me të bardhtë e bebëzave.
Pastaj gjuhën. Pastaj ia vizatova vdekjen në ajër, atje ku e kisha gjetur. Pastaj mishin prej dheut dhe një qershi që as hahet e as pihet, një qershi prej të cilës të zënë mornicat, të zënë ethet, të zë rryma.
Pastaj, ti më s’je ti!
Ajo është konkrete, po kur nisi e u abstragua, prej profilit të saj-qershi, ajo në vetvete u shumëzua në katrorë e në kube, kurse prej shumës së profileve u ngjall me një natyrë të vdekur me gjelbërim të bujshëm.
Shiko: ja një pyll i zi. Një livadh i verdhë. Një përrockë e kuqe dhe qindra zana që ngadalthi nisin së rënkuari me zëra që thërrasin fillimisht qetë e pastaj thekshëm, zëra të pikëllueshëm, zëra piskëllues, zëra që fonemë pas foneme, e krijojnë emrin tim!
(A e shqiptoi këtë gjë gojë e saj apo po përdëllohet shpirti im?) Në mes nesh është ferri i ndarjes sonë të përgjithmonshme!
Zotynë, ajo është konkrete. Pastaj u bë abstrakte. U shumëzua me të gjitha operacionet e mundshme matematikore.
Një qershi, pastaj një bilion qershizash! Një gojë, pastaj një bilion gojëzash nisën ta shqiptojnë emrin tim! Horizontalisht. Vertikalisht.
O Ti, po pse vallë po ma rrjep kështu shpirtin mu siç rrjepet një dosë, mu siç rrjepet një qengj? A është ky mallkimi-urdhër i saj apo prej saj po vjen përrocka e kuqe që hedh flakë me shpërthime flakash me emrin tim në gojë?
Pse vallë, a s’po e ndjen këtë lumë të kuq që po derdhet me vrushkuj, me shpërthime suvalash, këtë vullkan që s’është tjetër pos shpirti im?
Në këtë seancë spiritiste, megjithatë, unë s’jam unë! Në vend të gojës sime, ja një mi gjirizi që po cicëron amshueshëm si zog këtu mbi varrin tim!
Ooo, ajo është krejt konkrete! Ajo është krejt abstrakte!
(Nga romani lirik "Bukla")
Comentarios