Vilhelme Vrana Haxhiraj
U nda nga jeta në moshën 58 vjeçare, botuesi i gazetës “Minerva”, gazetari Nebil Çika
Me dhembje dhe hidhërim të thellë lajmëroj, se sot pak pas mesanate si rezultat i infartit të miokardit, Kryetar i Shoqatës të të Persekutuarëve dhe të Burgosurve Politikë, gazetari Nebil Çika u nda nga jeta. Humbja e jetës së tij ka lënë në trishtim të thellë familjen, gruan, fëmijët, motrën, vëllanë dhe gjithë të dashurit e tij, miq dhe shokë.
Nebil Çika bir i Borshit, lindi më, 19 shkurt, 1965. Ai ishte nip i Nebil Çikës ( së parë), gazetarit të famshëm, themeluesit dhe drejtuesit të revistës “Minerva” në vitin, 1922. Nuk thonë kot, “Dardha bije nën dardhë”.
Nebil Çika (i riu), edhe pse të gjyshin Nebilin e parë e vrau në mënyrë monstruoze Enver Hoxha në vitin 1944, jo vetëm mori emrin e atij gjyshi të mençur, të nderuar, intelektuali të mirfilltë, por edhe eci në gjurmët e tij. Rrugën që kishte nisur Nebil Çika i parë, të cilit ia prenë ëndrrat në mes për të mos thënë dhe shkruar të vërtetën historike si elitar që e kishte nxjerrë koha e mbrapsht, rrugën e tij e vazhdoi nipi i tij , Nebil Çika (i riu). Nebili në kujtim të gjyshit dhe hallës së tij, Ikbale Çika, e para gazetare shqiptare dhe grua e emancipuar, riçeli, bëri të jetojë dhe të flasë gazetën “Minerva” e ndaluar qysh në vitin 1944.
Nebili, bir dhe nip i dy familjeve fisnike Çika nga Borshi dhe Merkaj (Durmishi) nga Mavrova, nuk kishte si të formohej ndryshe. Ai me trashëgimi, apo me rrënjë lindi e u rrit, u edukua si nacionalist dhe vdiq si i tillë. Nuk ka si merr një karakter tjetër një fëmijë, të cilit ia kishin vrarë të dy gjyshërit si nga nëna dhe nga babai. Ai nuk i njohu fizikisht, por dëgjoi bëmat e tyre atdhetare në dobi të kombit. Madje ai e ka quajtur veten të privilegjuar që kishte një trasshëgimi të tillë.
Nebil Çika e donte Atdheun e tij pa kushte. E donte të pacugnuar, të patjetërsuar gjeokrafikisht e historikisht dhe të bashkuar nga pikëopmja kombëtare dhe etnike. Si demokrat i orëve të para, ai mori përsipër barrën e rëndë të një gazetari nacionalist për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën e nëpërkëmbur të të gjithë shqiptarëve. Të luftosh me penë për integrimin e vendit tënd është trimëri, është moral dhe shqiptarì.
Për të nxjerrë në dritë të vërtetën e një periudhe të errët burgjesh, kënetash dhe bodrumesh, Nebil Çika (i riu) botoi librin “Zëra të mbijetesës” duke u kujtuar lexuesve se publicistët e njohur nuk i kanë munguar kurrë,lexuesit shqiptar. Libri, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, është përmbledhje e dhjetëra intervistave që autori ka zhvilluar gjatë emisionit të tij të njohur “Rrno për me tregue” në Shijak TV , një pjesë e tyre janë botuar në mënyrë periodike edhe nga gazeta “Metropol”.” Të vrasësh frikën, është sa trimëri dhe po aq vetmohim. I tillë ishte Nebil Çika. Ai me profesion ishte gazetar, por asnjëherë nuk harronte se nuk duhej të anashkalonte çastet kritike të vendit apo individëve. Një rast i tillë ishte ardhja e Prof.dr Sali Berishës në Vlorë pas vitit të zi, 1997. Nebili ndodhej në Urën e Mifolit dhe ndihmoi që ish presidenti të hynte në Vlorë. Gjatë këtyre tri dekadave pas viteve ’90, ai u ndesh mendërisht dhe moralisht, me ithtarët e ideve marksiste leniniste, përmes forcës së fjalës dhe mendimit të lirë, përmes arsyes deh logjikës. Ai kurrë nuk u pajtua me diktaturën, me luftën e klasave që në vendin tonë ishte më e egra në rruzullin tokësor. Ai punoi dhe luftoi për një demokraci të pastër, për ndërtimin e shtetit të së drejtës ligjore dhe pa iu trembur syri është kacafytur me kundërshtarët politikë. Ishte i zoti i fjalës, me një gojtari prej oratori, Nebili e bënte bashkëbiseduesin, jo vetëm të heshtte por dhe ta dëgjonte.
Pse?-mund të pyesë cilido.
Sepse ai e dinte dhe e kishte të qartë se e drejta ishte me të. Po cili ka qenë ai që shprehu të vërtetën, apo luftoi për drejtësi dhe fitoi?! Kjo gjë e mundonte Nebilin, pasi kishte frikën e rikthimit të atij sistemi të urryer që i ndau shqiptarët në armiq të betuar të njëri-tjetrit. Njerëz të tillë vital, ndahen nga jeta me marazin për mos realizimin e ëndrrave dhe dëshirave. Një ankth i tillë i politikave të mbrapshta në Shqipërinë e tranzicionit të pafund, i mori jetën njeriut të mirë, Nebil Çika!
Lamtumir, Nebil!
I lehtë qoftë dheu i vendit që ti e deshe aq shumë!
Me kët rast Familjes Çika, i shpreh ngushëllimet e mia dhe të familjes Haxhiraj!
T’i rrojnë Gruaja, Fëmijët dhe gjithë të dashurit e zemrës!
Qoftë i paharruar puna dhe kujtimi i Nebil Çikës!
Vilhelme, Fitim dhe familja Haxhiraj
Vlorë, 13.4. 2023
Comments