Ta vjedh?
Me zemrën time në dorë
përpëlitem.
E pabesueshme t’i gjej një qoshk
në mishin tënd,
nga gjaku yt, një grimë për të të zbraz.
E përbindshme ta kthej zvarrë
aty ku ish,
në trup-gërryerin tim pa gjak.
Zemrën tënde përpëlis
në dorën tjetër.
Ta vjedh?
Ne, spektatorët…
Tragjikomeditë, mjerisht, vazhdojnë
edhe pas mbylljes së sipareve.
Të gjithë, pamëdyshje, e kanë ditur
dhe po kaq e dëshmojnë çdo mbrëmje…
Por askush s’guxon
të vrapojë drejt skenës,
të ndreqë diçka,
madje t’i grisë edhe perdet.
Edhe pse secili vetëquhet Mesia,
i trembemi murit të rëndë prej cohe,
që kushedi ç’intriga fsheh pas vetes!
Mbetëm, gjithë kohës, spektatorë të zellshëm!
Tragjikomeditë, mjerisht, vazhdojnë
edhe kur kyçet portë e vjetër e teatrit.
Ne kyçim dyert e strehave tona,
Mbyllim sytë dhe duartrokasim…
תגובות