Fragment nga romani im "NE MES DY SHEKUJVE"
Nga Mustafa Ismaili
...iku i rekomanduar në shërbimin ushtarak në Mal të Zi në qytetin e masakrave të mbi 4.000 shqiptarëve në Tivarin e pushkatimit dhe gjakderdhjes shqiptare nga dora sllavo komuniste. Koha kur shërbeu Fati në Armatën Jugosllave ishte shumë kohë e vështirë për shqiptarët, sepse ata binin pre dhe viktimë e shovenizmit serbosllav. Ushtarët shqiptarë nga viset e okupuara të ish- Jugosllavisë torturoheshin, burgoseshin me shumë vite burg dhe pa fakte edhe vriteshin duke ia dhënë diagnozën e çdo të vrari se bëri vetëvrasje. Këtu çdo gjë merrte fund pa u gjykuar dhe akuzuar askush. Vetëm viktima fajësohej si terrorist, si irredentist dhe dezertor apo dhe për tentim për të rrëmbyer armën për të vrarë ndonjë ushtar serb apo të ndonjë nacionaliteti tjetër. Sajimi i vrasjes bëhej sikur ai i nacionalitetit tjetër bënte vetëmbrojtje duke vrarë ushtarin shqiptar. Ky ishte etiketimi që u bëhej ushtarëve të vrarë shqiptarë. Fatin po ashtu e përcolli një fat i keq gjatë kësaj periudhe sa ishte në shërbim të kësaj ushtrie famëkeqe.
Ai akuzohej pa fakte se gjoja është irredentist dhe ishte zënë duke dëgjuar Radio Kukësin dhe TVSH. Për këto të bëma të turpshme dhe tragjike, shefi i shtabit të kazermës ushtarake në Tivar, malazezi nënkolonel Vujoviq Velko e akuzoi dhe e solli në prani para batalionit të rreshtuar në ambientet e kazermës ushtarake të dëshmonte se gjoja ky është irredentist dhe si armiku i ushtrisë jugosllave e që interesohet për Shqipërinë e Madhe dhe territoret e tjera të banuara me shqiptarë në tokat jugosllave. Kjo bëhej duke prezantuar para të gjithëve që ta dinin se nëse diçka ndodhë, ajo ishte burim nga ky tradhëtar e, ndoshta, edhe si dezertor i ushtrisë jugosllave. Rasti i inskenuar ishte shpallur si krim kundër Vëllazërim Bashkimit të popujve që jetonin në shtetin e Jugosllavisë. Kjo ishte inskenim i periudhës së gjuetisë së shtrigave që kishte përgatitur shkatërrimin në tërësi të asaj që ishte ndërtuar në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë, duke mos zgjedhur as format, e as mjetet. Kjo nisej nga gjithçka, duke filluar nga personat fizikë, intelektualë deri tek ata juristë dhe të sektorit të administratës civile dhe ushtarake. Në këtë rast ishte radha e Fatit. Ai ishte sjellë atje si pre e dëshmisë që të bindet masa me vërtetësinë e inskenimeve të krijuara nga nënkoloneli Vujoviq Velko. Ky antishqiptar përpiqej me çdo kusht të zbatonte një ngjarje të inskenuar para batalionit me prezencën e një kumtese të emërtuar si irredentist dhe separatist. Fati qëndronte gatitu para batalionit, i pafuqishëm dhe i pafajshëm. Iu kujtuan fjalët e gjyshit kur thoshte: -Ju nuk e dini kush është shkjau, është i pabesë. Bëni kujdes se ata bëjnë montime të rrejshme, vetëm për të fituar grada dhe poste! Këto kujtime ia trazoi zëri i lartë i nënkolonelit që fliste dhe e akuzonte pa fakte e prova. Pas këtij raporti informative, Fati shoqërohet nga dy eprorë gardianë dhe dërgohet në dhomën e paraburgimit. Aty i hiqen të gjitha shenjat dhe emblemat ushtarake duke e izoluar nga çdo aktivitet ushtarak. Tri ditë me radhë e merrnin në pyetje dy oficerë të lartë ushtarakë dhe një përkthyes shqipfolës. Interesant ishin sjelljet e tyre. Ata ishin shumë korrektë dhe nuk bënin ndonjë presion psikik. Një ditë e merr në pyetje edhe vetë Vujoviqi. Ai në praninë e dy ushtarakëve të tjerë, njëri me gradën e majorit e tjetri si kapiten i klasit të parë. Ia bënte ca pyetje të vrazhda dhe të imta jashtë logjikës dhe shumë personale. Fati nuk koncentrohej në gjestet dhe fjalët e nënkolonelit që ishte i mbushur me urrejtje nacionale. Ai i jepte vetëm përgjigjen me kodin ushtarak duke ngritur dorën e djathtë në lartësinë në mes veshit dhe vetullës dhe duke përsëritur: -Si urdhëroni, shoku nënkolenel! Vujoviqi ishte një burrë shtatlartë, i moshuar për të qenë aktiv në ushtrinë e rregullt. Ishte shumë agresiv. Sa herë fliste e ngrinte zërin lart e më lart që të trembte ushtarët dhe rekrutët e rinj. Kjo sjellje nacionale nuk i bënte fare përshtypje Fatit. Prandaj as që ia varte veshin fjalëve të tij. Mustaqet e dendura dhe të gjera iu ishin futur nën hundë dhe ia mbulonin buzën e epërme te gojës. Dhëmbët e verdhë gjysmë të mbuluar nga mustaqet e fëlliqura dhe nga tymi i duhanit, iu dukeshin si minj të vegjël lakuriqë dhe thuajse ia zinin frymëmarrjen kur fliste. Ai kishte një urrejtje të madhe ndaj ushtarëve shqiptarë që ishin një numër i konsiderueshëm nga viset e pushtuara nga ish- Jugosllavia. Në këto kohëra shërbyesit shqiptarë në Armatën Jugosllave duhej të ishin shumë të matur dhe të kujdesshëm, sepse binin pre e provokimeve sllavoçetnike. Atje dështonin duke rënë në grackën shoveniste dhe shpesh e paguanin me burgim të gjatë dhe me jetë. Ai në zyrën e tij e ngrinte zërin dhe kërkonte përgjigje nga Fati qe nuk kishte përgjigje.
Nga kjo mospërgjigje atij i ngrihet tensioni dhe tenton ta detyrojë të flasë me zor deri sa i shau edhe nënën shqiptare, kombin shqiptar, shkollën shqiptare që ka kryer dhe e mësuesit që e kanë edukuar të luftojë Partinë Komuniste Jugosllave dhe çdo gjë që kishte të bëjë me çështjen shqiptare. I mbushur plot mllef dhe urrejtje ndaj Fatit u rrotullua për 180 gradë, e hapi derën e ormanit, mori një pushkë gjysmautomatike dhe e ngrit lart si një trofe duke iu kërcënuar: -Dëgjo, se ju vetëm kjo ju ndal e nënën shqiptare juve. Ai iu afrua Fatit afër krejt afër dhe i drejtoi gishtin afër gojës dhe i tha: -Po nuk u përgjigje, do ta zbraz në gojë grykën e kësaj pushke. A more vesh? U tërhoq duke e ofenduar ne baza nacionale dhe fetare. -Ju po mendoni se me armë e plumbin jugosllav do të na vrisni ushtarët tanë jugosllavë? Po të pyes shkurt sa herë ke tentuar të kalosh kufirin jugosllavo-shqiptar? - Asnjëherë, shoku nënkolonel. -Ke lexuar :”Titistët” e Enver Hoxhës? -Jo,- i tha. -Ke ardhur me dëshirë në shërbim të APJ-së? (Armata Popullore Jugosllave). -Po. -Përse ke ardhur të shërbesh, të mësosh se si të vrasësh ushtarë jugosllavë? Këtu ai u mendua pak dhe më gjatë iu përgjigj. -Kam ardhur dhe jam betuar para stemës dhe flamurit shtetëror të kryejë një obligim si qytetar i këtij vendi, të shërbej për familjen që ti po me ofendon, t’i shërbej popullit dhe të aftësohem për mbrojtjen nga armiku i vendit tim! -Cili është vendi yt? -Jugosllavia, shoku nënkolonel. -Përmend shtatë heronj të Luftës Nacionalçlirimtare! - Emin Duraku, Boro Vukmiroviq, Ramiz Sadiku, Milladin Popoviqi ,Fadil hoxha,Mustafa Bakija dhe Dushan Mugosha. -A është e vërtetë se ke shikuar TVSH-në dhe ke dëgjuar Radio Kukësin? -Po, shoku nënkolonel. Kur mori këtë përgjigje, u kthye prapa e mori një karrige prej dërrase, e rrëshqiti duke e shtyrë me njërën këmbë dhe e afroi sa më afër. E vuri njërën këmbë mbi karrige dhe e vuri bërrylin e krahut mbi gju. E mbështeti në mjekër dhe u kollit. -Tani erdhëm aty ku desha unë,- u përgjigj nënkoloneli.-Pse e shikon? -E di se është e ndaluar? pyeti me kercnim Vujoviqi. Por ne, të gjithë ushtarët e kemi shikuar, kemi lozur letra, shah, dikush lexon e dikush shkruan. Dikush bisedon me njëri-tjetrin e dikush e dëgjon radion, dikush në TV i përcjellim lajmet, shikojmë filma në të gjitha kanalet e TV-së. Pra, gjatë fundjavës dëgjonim muzikë nga të gjitha zhanret duke filluar nga TVSH, televizionet italiane, greke, bullgare dhe të gjithë ato jugosllave. Sa për argëtim deri sa na është ndaluar kjo. -Po Radio Kukësin e dëgjon? -E kam dëgjuar, por tani jo, pasi edhe kjo qenka e ndaluar. -Çfarë të tërheq më tepër në TVSH dhe tek Radio Kukësi? -Muzika, shoku nënkolonel. -Po të fle në zemër Shqipëria? -Jo,-ia ktheu ai. -Pse jo? Shqipëria është vendi yt. -Ky është vendi im. Këtu kam lindur dhe këtu kanë lindur gjysh e stërgjyshërit e mi, dhe këtu do të jetoj edhe unë. Në këtë çast bëri me gisht nga dyshemeja, duke pohuar atë që e tha më lart. -Pse po gënjen- ndërhyri ai? Ky nuk është vendi yt, Shqipëria. Shqipëria është vendi yt, bëri me dorë nga jugu,- i tha duke lëshuar këmbën nga karrigia dhe duke ngritur zërin e bëri me dorë andej nga Shqipëria. -Atje do t’ju dërgojmë një ditë të gjithëve! U kollit. Thuajse e pengoi kjo fjalë duke ia zënë fytin. -Çfarë u rekomandon bashkëkombasve tuaj për shërbimin në këtë armatë më të fortë në rajon? -I rekomandoj të jenë krenarë që u betuan për këtë shtet ku respektohen të drejtat e të gjitha kombeve dhe kombësive. Të kryejnë të gjitha detyrimet dhe të respektojnë rregullat ushtarake, të mos ofendojnë në baza nacionale se qenka vështirë kur një epror i lartë të ofendon. -Hesht Zotin...! Diellin dhe bukën t’i qifsha,- e shprehu protestën duke u zverdhur. -Mua a filozofi po me shet këtu? Shporru jashtë dhe nesër në mëngjes të më lajmërohesh në raport dhe mos harro të më sjellësh informata për të gjithë shqiptarët e tu që janë në këtë kazermë se çfarë kanë folur me secilin, por ki kujdes! Mos gënje, se ne kemi informata dhe fakte çfarë ke folur me shqiptarët e tu.
-Si urdhëroni, shoku nënkolonel, po i shërbej popullit! E përshëndeti me rregullat e plota ushtarake. Iku si fitimtar me përcjelljen e rojes ushtarake ne birucën ku ishte i paraburgosur, por i pasigurt në vetvete se sonte do t’i ndodhte diçka për të keq. Nuk fjeti tërë natën. Rrinte në gjendje pasigurie. Të nesërmen në mëngjes, në vend të përgjigjes, ai ftohet nga kapiteni i Klasit të Parë që ishte prezent natën e kaluar së bashku me majorin dhe nënkolonelin në zyrën e tij dhe e lajmëruan se nga ajo ditë do të transferohej në një kazermë me ushtarë dhe me gjithë stafin tjetër duke filluar nga ushtari i thjeshtë deri te grada më e lartë ushtarake. -Mendoj se do të bëhet mirë për ty. Ai i shprehu keqardhjen, pasi nuk mundi ta ndihmojë, por ajo ishte e keqja më e vogël. Ky lajm e gëzoi Fatin pa e kuptuar se çfarë do ta gjejë në atë kazermë me të dënuar ushtarakë. Afatin tjetër të ushtrisë e kaloi shumë më mirë në kazermën ushtarake me të dënuar, diku në Vojvodinë se sa në kazermën e rregullt në Tivar. Aty hasi në njerëz që ishin të dënuar nga Ushtria Jugosllave dhe 70% ishin të kombësisë shqiptare duke filluar nga ushtari i thjeshtë deri te grada më e madhe e majorit që ishte shqiptar.
Comments