top of page

NDËRRON JETË BASHKËVUAJTËSI ALI ALLA


NDËRRON JETË BASHKËVUAJTËSI IM ALI ALLA

Nga Bedri BLLOSHMI


Të enjten më 20 prill ndërroi jetë në moshën 94 vjeçare Ali Muharrem Alla, miku i familjes Blloshmi nga fshati Funar i Elbasanit. Po kush ishte Ali Muharrem Alla Ali Alla ishte pinjoll i familjes nacionaliste, patriotike që ka dhënë gjak për Shqipërinë. Siç dihet të gjitha ato familje që e donin Shqipërinë dhe që kishin luftuar për ta mbrojtur territorin e saj nga fqinjër grabitqarë, nuk do të falen kurrë nga komunistët. Familja e Ali Allës, ashtu si mijëra familje të tjera nacionaliste u shkatërrua nga regjimi komunist duke i çuar në litar, plumb burgosje e internim.

Në vitin 1949 terroristët komunistë në bashkëpunim me Sigurimin do të shkonin të arrestonin Muharrem Allën, bashkë me dy djemtë e tij, Alinë dhe Bajramin. Në qytetin e Elbasanit regjimi krijoi një “grup”, me kundërshatarët e regjimit, i cili u quajt grupi i “Rezistencës”. Pas shumë kohësh torturash në hetuesi, vëllai i Aliut, Bajrami dha shpirt në birucat e Elbasanit. Muharremi u dënua me puishkatim, ndërsa Aliu u dënua me 10 vjet burg. Pasi doli nga burgu, në vitin 1973 i hedhin përsëri prangat dhe e dënojnë me 7 vjet burg. Kur vajta në Spaç në vitin 1978, njeriu i parë që më përkrahu dhe më dha kurajo ishte Ali Alla. Ali Alla ishte një burrë shumë i zgjuar, i edukuar me frymën e atdhedashurisë dhe i qetë në biseda. Rreth vitit 1979-1980 në Spaç vjen edhe vëllai i tij, Dalipi. Në fund të vitit 1981 Alinë e liruan nga burgu. Aliu kur shkon në shtëpi gjeti gjithçka të shkatërruar. I lodhur dhe i dërrmuar, me një shpresë të vakët, shkon të punojë në gurore. Aty merrte sa për të mbajtur frymën gjallë. Në vitin 1990, pas ardhjes së demokracisë, Aliut i dhanë një shtëpi, por ai nuk mundi të krijojë familje, ndaj jetoi me gocën e motrës së tij që i shërbente. Aliu kishte ardhur edhe në shtëpinë tonë në Bërzeshtë. Para tre vjetësh i shkova për vizitë në shtëpinë e tij, ku e gjeta shumë të lodhur dhe të dërrmuar. Sapo më pa mua, u gëzua dhe shpërtheu në lot. Pasi u çmallëm u largova pa e ditur se nuk do ta takoja më. Pushofsh në paqe miku im!

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page