(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)
Ndue Ukaj
Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore.
Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës.
Si biografi më i shquar i saj e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.”
Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës: botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.
Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë” dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.
Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese.
Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”
Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale.
Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është, plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.
Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë.
Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.
Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“
Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?
Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse.
Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.”
Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.”
Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.
(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)
Comments