top of page

Ndjesia e fishtër e andejmës


Ndjesia e fishtër e andejmës

Dr Fatmir Terziu


Nuk e mbaj mend mirë. Më kujtohet paksa mosha, disi reth të pestave, kur xhaxhoica e babit na rrëfente rrëfenja e përralla të sajuara enkas nga goja e saj, neve fëmijëve grindavecë të dy barqeve kushërrinj të parë që vinim e grumbulloheshim në shtëpinë tonë të madhe dykatëshe. Por këtë rrëfenjë, përrallë, mesele, apo krijim i rastit, nuk e di vërtet a është nga e vërteta e asaj kohe. Nuk e mbaj mend nëse është i vërtetë, apo jo i vërtetë fakti i cili e solli në memorje!

Nëse e rilexoj vetë me kujdes, mbasi ta shkruaj, unë kam dyshim se do të dalë në ndonjë përfundim që ai nuk është i vërtetë. Por, tmerësisht jam i dyzuar, dhe pasi e shkruaj, kurrë nuk mund t’i shkoj atij deri në detaje, sepse sikur ju thashë, ai nuk është shkruar asnjëherë, as atëherë, as ndonjëherë, as dhe tani që mundohem ta rihuazoj dhe ta shkruaj. Imazhi i tij dhe idea më kacavirren në trupin tim, nëndjesinë time dhe ngulin e shkulin rrënjë në mendjen time, kujtesën time të fëmijërisë.

Ndoshta e kam ëndërruar mjaft herë më parë atë, se ta sjell këtu me këtë formë rrëfimi. Ndoshta ia kam rrëfyer vetes pa mbajtur mend asgjë, rrugicës ku kaloja me mendjen e ngrirë, ku thuhej nga të vjetrit e të moshuarit e asaj kohe se aty dalin hije dhe shtriga, dalin gjëra të frikshme. Ndoshta e kam pëshpëritur pa u ndjerë dhe pa mbajtur mend se përse. Sidoqoftë e kam përtypur me vete.

Por së fundi e di mirë që nuk e kam lexuar gjetkë. As në shënimet e mia fëminore, as në ato që më sillnin mendjen vërdallë në orët letrare. Si fëmijë, që kisha një memorje të pastër, si pasonjës i qetë i asaj memorjeje, për gjëra të tilla dhe të atilla dhe të librave që unë vërtet i kam lexuar dhe kam dashur ti rilexoj, unë mbaj mend mirë, jo vetëm formën dhe pjesën më të madhe dhe të detyrueshme, por edhe pozicionin e fjalëve të shtypura në mjaft faqe, sidomos të atyre që na kërkoheshin përmendësh në orët e Leximit Letrar dhe më pas të Letërsisë në shkollë të mesme.

Dhe shpesh për këtë që dua të rrëfej, dhe për këto lexime kam bërë debat me xhaxhoicën e babit, atë zonjë të ditur me origjinë Sheriote e me fis e pasuri të kame. Kështu derisa mbaj mend mirë rrëfenjën, por derisa gjërat më trazohen në rend, në tërësi, i vë theks plagës së mendimit, plagës që u shkaktua nga kartonizimet e disa librave, por dhe të disa të tjerëve që u zhdukën pa dalë në dritë, mendoj se kjo ka ndodhur me mua para se të kisha lindur.

Sidoqoftë, me të gjitha mosdurimet tuaja, mosbesimet, shpërpëritjet, pëshpëritjet, deri tek ‘anonimet’ e lëna pas ‘shkrimeve’, le të mbetem pak tek rrëfenja. Tani që koha dhe atmosfera na ka bërë njësh në ‘vallen letrare’, le të shohim se si kjo valle shkon me traditën, modernizimin, postmodernizimin, apo... dhe me lajthitjen letrare, jo vetëm me avantazhet e atmosferës që kacavirr tek ajo memorjen fëminore, por dhe me këndqasjet e tjera të miqve të letrave të mirëfilli gatuar nga kjo ndjenjë e paralindur letrare.

Ju ndoshta do të më paragjykoni mua, për besën e argumentit, duke qëndruar në një nga ato ndenjëset e gjelltoreve, mezetoreve, kafe-rakive, që kanë logon e vendit ku qëndroj, jetoj dhe punoj, ku studioj vazhdimisht, ku... ushqej familjen time, e që në kryeradhë të hyrjes së atyre ndenjëseve tuaja të sponsorizuara qëndrojnë emrat e ‘googëlzuara’ nga bota e parasë dhe asaj që ju bën të dyzoheni, të përjetoni mendimin farsë me një ushqim para vetes nga bota tjetër ‘moderne’, postoderne....

Dhe pastaj vrap në shtëpitë tuaja me shkelma e grushta tek gratë për gatimin tradicional: “Groshë, prapë groshë?!” Të gjithë prej tyre, përjashto disa mbajnë rroba të kohës, xhinsa të tregut të lirë, ndoshta dhe me raste kostume dhe kollare të tregjeve ndërkombëtare, ndoshta dhe të vendit ku jam unë me rastin e cituar, vrapojnë drejt mjediseve të bisedave të lira, dhe shumë janë jashtë bisedave të tilla në fakt. Disa kanë kapele të holla dhe ngjashëm kanë dhe të njëjtën shenjë të mbetur nga varja e saj në gozhdë, apo në vendin ku ngjashëm varen borsalino moderne të kohërave postmoderne, pa ndodnjë ngjasje apo ngjashmëri me atë tradicionalen, kapelen, qeleshen, plisin apo dhe kasketën e tjetër-tjetërsueshme. Dhe të gjithë kanë një sy në rrugën e acarruar, një ëndërr të patreguar nga minifundet e viteve shtatëdhjetë, apo dhe nga ato të kohës së pas viteve nëntëdhjetë, të hipnotizuar nga një sy i madh i orës, që ka vite që i ndjek po në atë kënd, ku abetarja e Kristoforidhit pelpëzon me hirin e mjedisit të ngarkuar nga frymëderdhjet e rrugës së acarruar.

Në më shkurt, më qashtër, ata janë skllevër të skllavërisë moderne. Ju mund të dëgjoni prangat e tyre që tingëllojnë. E ata janë në jo pak raste dhe disa milionëshe. Orë, byrzyliqe, gjerdanë, zinxhirë dhe... grada. Secili është, në fakt, i detyruar të kapet nga një zinxhir; më i rëndi zinxhir i ndodhur në lidhjen e burrit. Ai quhet orë-zinxhiri! Ai tjetri quhet pedagogu i rakisë… Ai tjetri, profesori që i mbahet goja… ai tjetri… hiçi, që i ka dalë boja. Ai tjetri… është Tjetri.

Tani, syri dhe mendja nduken mes atyre që hyjnë dhe ulen përballë një njeriu, që padashje hap një monolog të ndërprerë rrugës së acaruar. Ai ishte si të gjithë të tjerët nga veshja, por ndukshëm ishte ndryshe nga ca gjëra. Ai kishte terzitur dhe veshur jelekë, tirqe dhe xhamadanë, një qeleshe dhe një shenjëz qusteku në anën e djathtë të tij, the ishte thuajse ‘tradicional’ në qasje.

“Katundari!” Mbuzitën të gjithë. “Jabanxhiu!”

Por kur nisi monologun me kafenë e tij, ata fshinë sytë dhe panë se ishte ai, pikërisht ai “trashëgonjësi” i atij që kishte vënë gurin e parë në Kalanë e qytetit. Ai jo vetëm u përqas nga ndotja e plistë, dhe nga plasa e fund-filxhanit, por edhe u mbrus nga ndjesia e fishtër e andejmës që ftohej në bulëzën e gotës së rakisë së Tjetrit. Kur u ul “pasëndaj” në stolin e drunjtë me emrin e gjyshit të tij, të cilin e kishte falur për Azilin e parë e bamirësin e parë të qytetit, Tjetri nisi të lexonte me të madhe duke shtuar: “Këtë emër e kam parë dhe në gurin e qoshes së Bankës së Qytetit...

Tani a duhet vërtet të tregoj rrëfenjën e xhaxhovicës së babait tim? Për të qenë i sinqertë me Ju, ajo duket se është treguar para se të lindja unë, vërtet para meje, shumë e shumë para meje, kur keni dëgjuar ninullat e gjyshërve tuaj krenarë duke ju përkundur në djepet që kishin bërë me duart e tyre stërgjyshërit e mi. atëherë unë tërhiqem nga rrëfenja, ajo vërtet ishte thënë e shkruar para kartonizimeve, para jush dhe Tjetrit atje tej në kafenenë e Rrugës së acaruar..., ku ende shihet një ëndërr e keqe.

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page