top of page

Nderojnë Heronjtë e Topanasë


Shqiponjat e Tërbaçit dhe Grupi i Pilurit nderojnë Heronjtë e Topanasë, në Vlorë


Msc. Albert HABAZAJ

drejtues artistik i Ansamblit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”

Një veprimtari e veçantë, shumë domethënëse dhe me simbolikën e dinjitetit të stafetës së kujtimit në breza, në kohë dhe hapësirë për dëshmorët e lirisë së Atdheut u zhvillua në qytetin e Vlorës, ku 18 tetori i vitit 2022 u quajt Dita e 4 Heronjve të Topanasë. Shumë emocionues ishte nderimi nga "Shqiponjat e Tërbaçit" me këngën "Trima të radhës së parë: 4 Heronjve të Topanasë: Hajredin Bylysh Tërbaçi, Mumin Selam Kallarati, Bajram Tushi Vërmiku dhe Hiqmet Buzi Tepelena 15 vjeçar në veprimtarinë përkujtimore me rastin e 80 vjetorit të rënies, ku artistet popullore intrepretuan me aq hijeshi në skenën e teatrit "Petro Marko" Vlorë.

Shumë simbolike qe kënga e dytë: "Shaminë e zezë e preva shqiponjë", kur Grupit tonë iu bashkua krejt natyrshëm dhe aq bukur grupi i njohur i Pilurit me drejtues artistik poetin, studiuesin dhe folkloristin Kristo Çipa “Mjeshër i Madh”. Po paraqesim për lexuesit tanë të dashur dy tekstet e kënduara.


Kënga e parë:


TRIMA TË RADHËS SË PARË


4 Heronjve të Topanasë


Teksti Albert Habazaj


Këndon Grupi i Vajzave "Shqiponjat e Tërbaçit"

Marrëse Evgjeni Habili Seferaj

Kthyese Shpresa Kapo Çelaj

Hedhëse Vito Shiroku Veraj

Iso: Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj


U vijmë në tetëdhjet' vjetor

Me këngë e zemër në dorë.


Kemi ardhë se na kanë ardhë

Trimat e radhës së parë


Hajredin Bylysh Tërbaçi

I pari dëshmor i fshatit.


Mumin Selami Kallarati

Në liri e shkroi fatin.


Bajram Tushi i Vërmikut

Dragua ballë rrezikut.


I Tepelenas Hiqmeti

I vogël, po ballë tërmeti.


Të katër zjarr e furtunë

Mbi fashistë e mbi spiunë.


Se Heronjtë e Topanasë

Tek yjet gjejnë përmasë.


Ata vadisin përditë

Eshtrat e lirisë me dritë.


Kënga e dytë:


UNË SHAMINË E ZEZË E PREVA SHQIPONJË


Epiko - lirike



Kënduar nga grupi “Shqiponjat e Tërbaçit”dhe Grupi “Bejka e Bardhë” i Pilurit


Teksti Kujtim Mici

Marrëse Shpresa Kapo Çelaj (Tërbaç)

Kthyes Dhimitraq Bala (Pilur)

Hedhëse Vito Shiroku Veraj (Tërbaç)

Në iso: Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habil Seferaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj (nga Tërbaçi); si dhe Polikseni Mërkuri, Leni Mërkuri, Valentina Gërdhuqi, Foto Leka, Agron Kreku, Petraq Gërdhuqi dhe Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”(nga Piluri).


Pushkën gjyshi yt-ë

birit ja kish lënë

tyja ta la baba

hasmit për t’i rënë.


Dyfekun pas supit

dhe yllin në ballë

mezin se ç'e mbushe

bomba dhe gjerdanë.


I the Shqipërisë

"Nënë do të ruaj

se jam bir shqiponje

gjak nga gjaku juaj".


Natën ti e zbardhe

Me flakë të dyfekut,

Bora të qe bërë

E motr’ e dyshekut.


Eshka kur të lagej

borës pas armikut

cigaren e ndezje

në grykë të belçikut.


Nga armë e armikut

një copë metali

rrugën se ç'ta preu

xhan, o djalë mali!


Ti grise këmishën

e ngjeve në gjak-ë

ma dërgove nënës

ta qëndis bajrak-ë…


Unë shaminë e zezë

e preva shqiponjë,

ia qepa flamurit

shokëve t’ua dërgojë.


Në skenën e Teatrit “Petro Marko” Vlorë, 18.10.2022

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page