Nderim për kolegun Islam Rama
Prof Dr Fatmir Terziu
Rruga Radovesh-Ostren i Madh, me siguri ka vite që nuk i ndjen disa hapa të përshpejtuar. Disa hapa që mbanin frymën mëngjeseve pranë Shkollës së Mesme të Bashkuar „Elez Koçi“ në Ostren të Madh. Hapa që shënonin thuajse përditësinë në krye të një numri të konsiderueshëm nxënësish, që pasi linin shkollën fillore në Radovesh, duhej të vazhdonin shkollën e mëtejshme në Ostren. E kështu ai, nuk ishte vetëm një mësues i tyre, mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, por një prind, baba, bashkëudhës, Njeri që ndiqte dhe maste hapin. Etij me hapat e një brezi, që do të ishte e ardhmja e vendlindjes, e ardhmja e Atdhet. E ai, bashkë me kolegët etij që vinin nga ai fshat në Ostren të Madh, natyrshëm sillnin dhe modelin e Njeriut, që mbetej gjithnjë i denjë për të mbajtur gjallë trupin dhe shëndetin.
E kështu e mabj mend, e kështu e mabjnë mend të gjithë ata që e njohën, e panë të ecë në këtë rrugë, të gjithë ata që dolën në jetë nga bangat e shkollës me ndihmën dhe profesionalizmin e mësuesit të vlerësuar në vite, Islam Rama.
Islam Rama ishte një model në përgatitje, mësimdhënie, dhe gjithnjë ditari dhe shkrimi i tij koliografik ishin një mirësi edhe për të tjerët. Islam Rama, mbaj mend kur erdhi njëherë në vitin 1984 Ekipi i Kontrollit të Seksionit të Arsimit të asaj kohe nga Peshkopia, me në krye kryenspektorin e Gjuhës dhe Leximit, Zabit Trupja, ndërsa bëhej fjalë për rezultate të larta në mësimdhënie, ajo që u veçua ishte dhe modeli i mbajtjes gjallë dhe shëndoshë të traditave në mësimdhënie dhe mbi të gjitha Ditaret model të tij. Ai u pa si një model në këtë pikë dhe madje edhe në mbledhjet e përmuajshme në Peshkopi me drejtuesit e shkollave ai u paraqit si një nga mësuesit më të dalluar të asaj kohe. Një tjetër memorje e shënuar me të është dhe piknika me mësues e nxënës në Ramnagorë me rastin e 7 Marsit 1985, kur në një atmosferë tejet të gëzueshme, Islam Rama, na befasoi duke dhënë një tjetër meritë të tij, si njeri mjaft me humor, sportiv dhe i gatshëm të përfshihej në të gjitha lojërat.
E natyrshëm pos viteve të shërbimit si edukator, mësues dhe i angazhuar në atë zonë në disa drejtime, Islam Rama, ka dhënë dhe një shembull për të gjitha kohërat, se si Njeriu mbetet Njeri, para të gjitha gradave dhe dekoratave. Ai ishte dhe mbeti një hapa para me mjaft të tjerë, në shumë aspekte të këtij çmimi të madh që të jep Zoti, Jeta, Karakteri dhe Edukata familjare.
Ndërsa tashmë Islam Rama është i ftuari special i Zotit, lart në kaltërsi, ai është në një rend me Yjet, me të gjithë ata, që i dhanë emër vendlindjes dhe e mbajtën gjallë traditën dhe kulturën, artin dhe gjuhën, ata që shënuan një nivel më të ndjeshëm, ata që e bënë dhe atë kohë të ngrysur të buzëqeshte. E rruga në të cilën ai la hapat e tij, tashmë do të mbajë në peshën e viteve për brezat memorjet dhe dihatjet, djersën që njomë jetën në vazhdim dhe inspiron brezat për dashuri, respekt dhe mëmëdhe.
Po kush ishte Islam Rama
Islam Rama lindi në fshatin Radovesh, të zonës së Gollobordës, në Qarkun e Dibrës. Ai mbaroi Institutin Pedagogjik 2 vjeçar në vitet 1962-1964 në Shkodër, dega Gjuhë Shqipe, Letërsi dhe Histori. I preokupuar totalisht plot 38 vite si mësues i gjuhës shqipe, i leximit letrar dhe i historisë, pa u larguar asnjëherë nga kjo detyrë. Nga 1 shtatori i vitit 1960 e deri në shtator 1998, vit në të cilin Islami ka dalë në pension, ka punuar në Gollobordë në fshatrat Tuçep, Pasinkë, Ostren i Madh, Ostren i Vogël, duke arritur të njohë më së miri historinë e arsimit në krahinë, në veçanti në ish lokalitetin e Ostrenit e më pas në ish këshillin e Bashkuar Ostren, Tuçep e Okshtun. Për tetë vite shërbeu në detyrën e kryetarit të komisionit të gjuhës shqipe e leximit letrar, duke udhëtuar dhe dy herë në vit dhe në Okshtun. Ai ishte një njeri modest, edhe pse njihte shumë mirë etnografinë, kulturën, zakonet e Gollobordës, por kurë nuk e quajti veten si historian. Nderim për këtë arsimtar i cili u mësoi brezave të tëra me mënyrën e veçantë profesionale të mësimdhënies parimet bazë humane.
Comments