Nazelia u habit: Ky më duket se ka lajthit!
Tregim nga Fatmir Terziu
Këtë herë e ngriti qepshen e tij dhe goditi macen e vogël që tërhiqte padashje një këllëf të hedhur tutje vendit të tij të zakonshëm. I ngjajti si një qerre e vogël. Ishte në fakt një faturë që e mundonte dhe nuk e kapërdinte dot. Pa nga kalendari. Fshiu sytë mirë e mirë. Dhe nuk u besoi. Ishte vërtet koha e Peshqve. Zodiaku e ngrohu nën sqetull dhe një bulëz e vockël e ujtë i rrëshqiti kah baqthi i ngrehinës së zgavërruar me dy hyrje-dalje. Thithi atë pak ajër që i duhej dhe u ngut të kapte sërrish garuzhden.
Pastaj foli me vete: “Më thotë shoku se haj me garuzhde pastaj. A hahet me këtë garuzhde që goditi macen?”
Buzëqeshi me vete dhe iu qep kravatës së varur nën xhup. E zbërtheu. Pastaj e mbërtheu prapë. Ishte mjeshtër kravatash. Pastaj e fërkoi sikur ti sillte fat duke ia ngjeshur e shtrënguar qafës së trashë. E ngul, e ngul në qafë, ai kravatën. E shkul, e shkul, ai nga qafa kravatën. E këtu sërrish Fjalori Shqip i Oksfordit erdhi në vathë: fjala bëhej për ‘gjysmak’.
Unë s’dua të ngatërrohem në gjëra të tillla të lëna gjysëm. Pastaj fjala ‘gjysmak’ nuk shkon, sadoqë ai ndoshta është në dije për këtë. Unë thashë nuk do ta them një të tillë për një njeri të tillë, për një milet, se s’dua t’ju vë juve në siklet. Do të ndalem vetëm në koloritin e një gjysmaku që ngjan të paktën me veten ‘gjysmake’. Dua t’ju them që në fillim se ky protagonist është vërtet i ndarë gjysmak, se është edhe aty, edhe atje. Madje ndonjëherë edhe këtu, edhe atje. E anasjelltas. Pra, ka dy gjysmakë nën sqetull. Kur qëllon të ketë njërin gjysmak, natyrisht është vetvetja. Hiç s’e bën dert shpirtin për këtë.
Fundja a nuk është kështu edhe me duart?
Njëra gjysëm lan gjysmën e fytyrës dhe tjetra lan gjysmën tjetër.
Ah me larjen tjetër, atë të poshtmen, ndodh ndryshe, fundja edhe aty janë dy gjysma, edhe kur u dëgjohet e s’u dëgjohet krisma.
Prandaj mos u habitni nëse e shikoni në Kryeministri, as mos u çuditni nëse e shikoni edhe në Kryeministri të …. Ndodh ta shihni edhe në ndonjë kënd ministror të …, të …, edhe madje edhe tutje e më tutje. Mund ta shihni edhe në ndonjë zyrë, edhe në ndonjë vend pa yndyrë, por kot e keni, mos u mërzisni, ai është dhe s’është në të njëjtën kohë me të njëjtën fytyrë.
Njërën e ka për rrugë e tjetrën për zyrë.
Ky ‘milet’ ka një trup ndaramendsh, të shkurtër, të zgjatuar nga veshët, e të varur nga vithet. Mban zymbil në sqetull e çadër pas shpine të varur në xhaketën e tij të modës së fundit. Ka makinë “Benz”, natyrisht në të zezë, dhe ka kostum e kollare. Ka apo s’ka pare, këtë nuk e di unë, por bankat që i ka qarë e ndarë në dy proporcione OJQ-are. Flet me zë politik, mban raport ideologjik, starton me fjalime mitingjesh e më saktë ka edhe një letër të zhubrosur në xhepin e tij.
E mban për të bërë fresk.
Mbi të gjitha s’ka gjumë.
Ai është i pagjumë. Vuan shumë.
Vuan e qan për punësimin,
arsimin, shkollat, të hollat, donacionet,
premtimet e për sponsorizimet.
Është i denjë për të mbushur veshët, madje edhe dhëmbët.
Është bre burra, I Pari.
I pagjumë dhe pa të tillë në sy e qerpikë.
Qan e qesh për të Atdheu.
Qesh e qan ai nga Atdheu.
Herezi e madhe, do të thoshin tërë ato poza dhe pozatorë në rrjetet sociale, falë aftësive të tij gjysmake. A mund të vihet tërë ai arsenal pozatesk në rrezik, sepse fatet e tij janë ndaramendëse? Dy ditë më parë Nazelia Buzëzbrazur ia qiti kafenë e fundit. E gostiti me sajmen e saj në vend të burrit të munguar dhe e përcolli në shërbimin ndaj atdhedashurisë. Me të zezë në tërë hapësirën ndarëse, ajo dhe ai kollitën si shenjë përmallimi. Pastaj tështinë që të dy. Por ai i sjellshëm, sërrish nuk harroi.
U ndal dhe foli: ‘Shëndet të keni shoku...’. Nazelia u habit. E mo, se shaka bën ti përhera, ... mos bëj të tilla... Nazelia u habit. Nazelia u habit… Ky më duket se ka lajthit!
Comments