top of page

Natyra e njeriut

Updated: Jun 4, 2021


Natyra e njeriut

Nga Fatmir Terziu



Ja dhe hapi i shtatëmijë e tridhjetë e dytë. E kapa me sy në zemrën e aplikacionit me simbolikën e zemrës të I-phonit tim. Dhe ndjeva disi lodhjen e hedhjes së këmbëve në barin e njomë. Ende dukej lagështia e mëngjesit. Ende…e ndjenin dhe lulet. Ndërsa po shëtisja duke nuhatur aromën e tyre, po aq dhe bukurinë ndryshe të secilës prej tyre, ndieja se enkas takova një lule më të ëmbël. Më të ndjeshmen e ëmbëlsisë, se çdo lule tjetër që kisha ndier ndonjëherë.

Lulja ishte delikate. Ishte dhe më e bardha nga më të bardhat. Dhe, ndërsa u afrova pranë, e më pranë saj, e ndërsa e nuhata, dhe e stërnuhata, ndjeva se më thirri. Më thirri me të madhe: „Ju lutem, ju kërkoj me ngulm të më zgjidhni!“

Unë e doja lulen. Dhe lulja më donte mua. Kështu që unë zgjodha lulen. Kështu që dhe lulja më zgjodhi mua. Atë lule e solla në shtëpi. Ajo lule erdhi gjithë gëzim me mua. Lulja më bëri të lumtur. Dhe unë e bëra lulen të lumtur. E ujitja çdo ditë. Unë bëja gjithçka që mundesha për t'u kujdesur për lulen. Por çdo ditë, unë shihja lulen të thahej. Gjithnjë e më shumë çdo ditë lulja përthahej.

Dhe u përpoqa ta pyes lulen se çfarë nuk shkonte. Por, lulja ishte e lumtur dhe refuzoi të më tregonte. Duke parë pas, thellë në zemrën time, e dija se çfarë nuk shkonte. Por, me egoizëm nuk mund ta besoja. Zemra ime, dhe ajo si e aplikacionit të I-phonit tim nuk donte ta pranonte.

Dhe besoj se lulja e dinte se çfarë ishte e gabuar. Ajo ishte lule. Lulja ishte shumë e lumtur për ta pranuar atë fat që kishte. Kështu që një ditë, ndërsa e mora lulen me vete në një shëtitje, e mbolla në tokë. Unë nuk mund ta mbillja lulen aty ku e kisha gjetur, sepse unë tashmë e kisha shkatërruar lulen deri në atë pikë, sa ajo nuk mund të kthehej më në tokën e saj.

Kështu që unë e mbolla lulen me kujdes në një vend të ri. Lulja ishte e trishtuar dhe disi e befasuar. Edhe unë isha i trishtuar, dhe po aq i befasuar. Megjithëse e dija që po vinte dita që ajo të…, ajo lule të rilindte. E dija se e kisha në zemrën time. Nuk qe e shkruar, thashë me vete. Sa i vjetëruar kisha mbetur?!

Zemra ime ishte nën diktatin e asaj zemërze të vogël të Aplikacionit të I-phonit tim. Por, lulja si lule ende kishte buzëqeshje.

Sa hapa sytë lulja ishte përsëri e qeshur.

E dija që tashmë lulja do të zgjidhej nga dikush tjetër. Ndaj e kuptova se do të lulëzonte. E kuptova se do të bëhej më e bukur, edhe në atë errësirë. Edhe në atë… rimbjellje. Pronari i ri dhe lulja do të ishin më të lumtur. Unë dhe lulja nuk ishim të aftë të ndërtonim lumturinë përtej dritës. Dhe u ktheva të shëtis përsëri. Shkova të shkel me këmbë në të tjera kopshte, duke shpresuar se kishte një lule të destinuar për mua. Atëherë iu ktheva I-phonit tim dhe në aplikacionin me një zemër të kuqe pashë numra të pafundshëm. Kishte dhe mjaft zero…, zero, zero, zero…zero drite në errësirë.

Fshiva sytë dhe ashtu mes të dridhurave ndërtova një lidhje të re. E nisa ta shkruaj. E nisa ta ndërtojë prej fillimit. Dhe e gjitha zvarritej mes shkrimit. Ashtu, si fillimi dhe fundi, ashtu si zhvillimi dhe lidhja mes të tre pikave të tilla ishin të njëjtat gjëra. Mundeshin nga errësira, iknin nga drita.

Kjo ishte e tëra.

Ndjeva një muzikë të lehtë, që zbriste në poret e lëkurës sime. Vinte e ikte si tingulli i fyellit të bariut. Ndjeva dhe një pëshpëritje. Pastaj një tjetër… të më rikujtonte: „Kjo është natyra e Njeriut!“

E gjitha i ngjan grykësisë së ariut.

Në aplikacionin tim zemra vazhdonte të shtonte zero… zero, zero, zero deri në të gdhirë, zero drite në errësirë.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page