top of page

Nasho Bakalli: Durrsaku Miltiadh Terka...


Durrsaku Miltiadh Terka viktimë në krye të detyrës në Greqi   


Një nga disa përvjetorë dëshpërues, në vitin aktual kalendarik, është 110 vjetori i fillimit të Luftës Parë Botërore në 1914. Qysh atëherë janë spekuluar dhe gjykuar në detaje kush? shkaqet, arsyetimet, dhe fajet e Luftës - jo vetëm të të Parës. Ajo që duket qartë, edhe sot e kësaj dite, është se superfuqitë po nxitin   popujt në një përballje të madhe! Njerëzit e përfshirë brohorasin verbërisht. Po edhe ata që s’brohorasin nuk është se garantojnë shpëtimin. Mjerë viktimat.

 Çfarë shkruhet në këtë kopjurë shtypi?...“Gjithashtu, është shumë i mirëpitur i riu dinjitoz dhe i arsimuar, përkthyesi Miltiadh Terka; me një të ardhme të ndritur dhe premtuese si  një nga kualifikimet e tij të vlefshme”. Lajm i botuar nga gazeta "Akropolis", 3 korrik 1906, në rubrikën "Lakonika"(njoftime të shkurtra por të plota) të redaktorit Vlash Gavrilidhi ky, bir i një argjendari të Kostandinopojës (Stambollit), studimet e të cilit, në qytetin Leipzig, Gjermani, u financuan nga barroni voskopojar Simon Sina (junior). Lajmi më sipër cituar jehonte punësimin e durrsakut Miltiadh Terka në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, pasi pat fituar konkursin përkatës. Duket se Vlash Gavrilidhi dhe Miltiadh Terka ishin miq me njëri-tjetrin.      

   Mitiadh Terka, i pari majtas /ulur / rradha e dytë,  konsullata Selanik.

   Në rrjedhën e këtyre marrëdhënive miqësore të voskopojarëve - qindra vite më parë - jo vetëm me Greqinë, po edhe me Austrinë, Hungarinë, Serbinë, Rumaninë, Italinë…  kam gjetur në disa studime shkencore historike europiane se të afërm të Miltiadh Terka kanë patur pozita të larta financiare, kishtare, ushtarake, tituj fisnikërie, në perandorinë Austro Hungareze. Po veçoj vet`m dy prej tyre: Demeter Theodor Terka, 1802 - 1874, bankier në Vienë i principatës serbe të dinastisë Obranoviç, viti 1863, titull ky i dhënë atij nga perandori Franz Joseph; si dhe, stërnipi i tij von Maximilian Demeter Peyfuss, 1944 - 2019, professor i mirënjohur i historisë të Europës Juglindore, në Universitetin e Vienës. M.D.Peyfuss, nga i ati, ishte gjithashtu  nip i August Lederer  “industrialist austriak…hebre…koleksionist arti… i dyti pasanik në Vienë mbas Rothschild…i grabitur dhe përndjekur nga Nazistët… promovues dhe zotërues kryesor i krijimtarisë të piktorit Gustav Klimt”. Mbase  ka interes të dini gjithashtu se Spiridhon Gjon Terka, djali i xhaxhait të Miltiadh Terka, bankier  dhe fondator privat në Trieste, Itali, ka pas qënë kumbari - certifikuar ky fakt me shkrim nga kisha e Shën Nikollës, Trieste, në vitin 1879 - i aktorit shqiptar më famë botërore Aleksandër Moisiu…  

Miltiadh Petro Terka lindi rreth vitit 1875, në Durrës, në një familje të pasur tregtare shqiptare ortodokse që kishin shqipen gjuhë të parë; po edhe të folmen vllahçe - brenda shtëpisë. Terkat erdhë në Durrës  rreth 250 vite më parë, pra, pas djegies të Voskopojës. Familja Terka kishte pasuri të paluajtshme të konsiderueshme, dhe një pozicion të spikatur në parinë e qytetit. Ajo ka ofruar shërbime të shënuara patriotike kombëtare, fetare, arsimore për metropolin Durrës, ku ata udhëhoqën për një kohë jo të shkurtër  komunitetin ortodoks atje. Miltiadhi ishte vëllai i Pavli Petro Terka(Wikipedia.org). Deri tani unë di se Miltiadhi pasi e mbaroi misionin diplomatik konsullor në Shkodër, u transferua në konsullatën e Greqisë në Selanik në vitin 1908; kurse misionin e tij diplomatik të fundit e pati në konsullatën e Izmirit - deri në 23 shtator 1917. Pse të fundit?

Miltiadh Terka (i pari nga e majta/në këmbë) konsullata Izmir.

        *                    

Një telegram nga ambasada e Greqisë në Romë, datë 27 shtator 1917, i tregonte Ministrisë të Jashtme të Greqisë ngjarjen tragjike: “URGJENT. Anija Città di Bari e nisur nga Gallipoli me 14 punonjës konsullorë në bord, u torpedoua të premten e kaluar”. Në një telegram tjetër, po nga Roma, sekretari i ambasadës informonte se  “... Fatkeqësisht, asnjë nga punonjësit tanë nuk përmendet në listën e të shpëtuarve". Në mes të 14 zyrtarëve  konsullorë të Greqisë ishte edhe Miltiadh Petro Terka. Ata u mbytën. Anija Città di Bari po i riatdhesonte këta diplomatë të Ministrisë të Jashtme të Greqisë - të cilët mbanin funksione të ndryshme  konsullore në territorin e Perandorisë Osmane. Në bordin e Citta di Bari ndodheshin gjithsej 493 persona  kryesisht emigrantë grekë nga SHBA; po edhe 50 ushtarakë italianë e të tjerë të huaj. Ajo u fundos më 23 shtator 1917, në orën 05.oo.

Meriton të shkruash me dhimbje për këtë tragjedi të diplomatëve, ndoshta unike për natyrën e saj, që vdiqën në krye të detyrës gjatë Luftës të Parë Botërore! Ky artikull sigurisht që u kushtohet, me përzëmërsi, edhe gjithë viktimave të tjera të silurimit të cilat e vuajtën atë natë tmerri njëlloj si diplomatët.

     Anija italiane Citta di Bari.

Jam përqëndruar në këtë shkrim vetëm te Miltiadh Terka - sepse ishte i vetmi shqipëtar mes viktimave. Miltiadh Terka gëzonte një pozitë të rëndësishme   në shërbimin diplomatik të Greqisë.  Falë kujtesës familjare - ngaqë Miltiadhi ishte vëllai i stërgjyshit tim Pavli Terka - po edhe të kërkimeve të mia për ti dokumentuar kujtimet që lidhen me këtë episod Lufte unë mundem të tregoj pothuajse saktësisht se çfarë ndodhi atë natë pa mëngjes.

Në qershor 1917 Elefteros Venizelos, pasi i përfundoi lëvizjet e brendshme dhe të jashtme politike, krijoi qeverinë e tij në Athinë. Ndër vendimet e para të qeverisë së re ishte ndërprerja, edhe zyrtarisht, e marrëdhënieve diplomatike me vendet armike - tri perandoritë (Austro-Hungareze, Gjermane, Osmane) dhe me Bullgarinë - si dhe shpallja e luftës kundër tyre. Kështu që nisi puna për kthimin e punonjësve të përfaqësive diplomatike konsullore të Greqisë edhe nga territoret e perandorisë Otomane drejt Athinës. Gjëndja në luftë - pengonte kthimin e drejtpërdrejtë të diplomatëve në Athinë. Kufijtë ishin mbyllur. Zyrtarët e shërbimit diplomatik konsullor duhej të riatdhesoheshin përmes një vendi neutral. Në rastin e Zvicrës, shtet neutral, qyteti Berna u caktua si pikë takimi e tyre. Kalimi hekurudhor nëpër linjat e armikut nuk ishte më komodi, edhe nëse autoritetet Osmane u vinin në dispozicion vagonë të posaçëm…Për ti lejuar diplomatët të largoheshin u realizuan në gusht të vitit 1917 disa përfaqësime, në Portën e Lartë, Stamboll, nëpërmjet autoriteteve diplomatike spanjolle; pasi Madridi kishte marrë përsipër t'u shërbente interesave greke në Perandorinë Osmane. Për pasojë, largimi i këtyre zyrtarëve diplomatik të Greqisë u vonua deri në shtator.

   Shkolla tregtare greke në Halki, ku u diplomua Miltiadh Terka.

Siç kam përmendur më sipër, zyrtarët konsullorë do të përqendroheshin në Bernë. Prej aty do të udhëtonin grup pas grupi në Romë, dhe pastaj do të transportoheshin në jug të Italisë, në portin e Gallipolit. Dhe nga Gallipoli, kryesisht me anije italiane, do të shkonin në Patra të Greqisë. Ambasadës të Greqisë në Romë iu dhanë udhëzime që punonjësit e mbledhur të udhëtonin drejt atdheut me “avropore italiane, me të cilën rreziqet janë minimale”. Për disa arsye të panjohura mendohej, asokohe, se anijet italiane ofronin siguri më të madhe kundrejt rrezikut të një sulmi të mundshëm prej ushtrive austriake ose gjermane. Njëri nga grupet e diplomatëve grekë pati fatin, në fund të korrikut 1917, të hipte në jahtin mbretëror AMPHITRITIS i cili pak kohë më parë kishte lundruar drejt Italisë me një tjetër mision.

Përfundimisht, grupi i 14 diplomatëve konsullorë dhe bashkëshortet e tre prej tyre u nisën me vaporin e pasagjerëve Città di Bari nga porti i Gallipolit në mbrëmjen e 22 shtatorit 1917. Pronari i këtij vaporit, si zakonisht, nuk kishte kërkuar një eskortë sigurie.

Pak para mesnatës të datës 22 shtator 1917 anija Città di Bari  pati një kontakt të parë me një nëndetëse gjermane, në perëndim të ishullit Paxos, kontakt ky i paqartë nëse u shkaktua nga ndonjë pistë siluri, apo periskopi i nëndetëses. Sipas burimeve zyrtare një silur, i pari, u hodh në orën 02.30. Fatmirësisht ai dështoi në qëllimin e vet. Më vonë, rreth orës 04.10, një tjetër silur, i dyti, i lëshuar prej nëndetëses bëri që të dëgjohet një shpërthim i madh - ngaqë këtë herë siluri e goditi mjetin lundrues por jo seriozisht - dhe anija “u përkul pak nga njëra anë”. Dëmi i shkaktuar nuk ishte aq i konsiderueshëm sa të çonte në fundosjen e menjëhershme të anijes Citta di Bari, e cila gjendej 37 milje detare në perëndim të Paxos, në pikën 39.40 gjerësi veriore dhe 19.23 gjatësi gjeografike lindore.

Nëndetësja gjermane UB-48.

Njëkohësisht me mobilizimin e varkave të shpëtimit kapiteni italian i vaporit Città di Bari dha urdhër që të sulmohej, me armë të rënda, nëndetsja gjermane që ndërkohë kishte dalë në sipërfaqe me tele-gun 76 mm me të cilën ishte e pajisur . Nga ky moment filloi tragjedia e përshkruar kjo nga kapiteni, që shpëtoi, i anijes të mbytur. “Paniku më pas i kapi pasagjerët...të cilët në rrëmujë u ngjeshën në varkat e varura që ranë, nga pesha e tyre e madhe, në det dhe u copëtuan. Më pas nga anija u hodhën gomone ku hipën rreth 170 pasagjerë. Megjithatë, mbas gjysmë ore nëndetësja lëshoi një goditje të ashpër - që çoi në fundosjen e anijes. Gomonet me njerëz  mbetën në mes të detit nën një stuhi të fortë derisa u shfaqën shpëtuesit, të cilët i çuan 50 prej tyre në Korfuz, dhe 120 të tjerët në Galipoli ose Taranto”.

Giovanni Verni, ky një tjetër burim, në shkrimin e tij e përshkruan pak a shumë me të njëjtat ngjyra atë që ndodhi në anijen Citta di Bari - duke shtuar disa detaje thelbësore. - Kur filloi sulmi  kundër nëndetëses gjermane,  i urdhëruar nga kapiteni italian i anijes, pasagjerët grekë që ishin në bord ndërhynë dhunshëm për ta ndaluar sulmin. Ata kishin frikë, dhe me të drejtë, nga hakmarrja. Gjithashtu, grekët e zemëruar po ndërhynin në nisjen e varkave duke e vështirësuar disi procesin. Disa prej tyre ngritën një flamur të bardhë, një këmishë! Ndërkohë nëndetësja filloi ta sulmonte pa mëshirë jo vetëm anijen Città di Bari po edhe varkat në det, madje edhe me predha ndezëse të cilat  shkaktuan zjarre që përshpejtuan fundosjen e tyre, si dhe, vdekjen e pasagjerëve që endeshin në detin e stuhishëm. Theksohej se nëndetësja iu afrua anijes të fundosur deri në një distancë prej 15 metra. Megjithatë, ajo nuk ndihmoi asnjërin nga njerëzit që po mbyteshin!

Città di Bari u fundos pas rreth 45 minuta, duke u djegur, siç raportohej nga admiraliati i Puljes, Kroaci - stacion ky detar austrohungarez në Adriatik. Nga 493 pasagjerë dhe ekuipazhi, gjithësej, shpëtuan 156 veta me varka dhe gomone. Nga këto 98 u transportuan ne Korfuz, dhe 48 në Galipoli. Të tjerët u dërguan në Taranto. Vonesa në transmetimin, kapjen e sinjalit për ndihmë, si dhe kushtet e pafavorshme të motit sollën që të humburit të mbeten të pafuqishëm në det për afro 36 orë! Disa nga ata që kishin hipur në varka u goditën me armë nga efektivi i nëndetëses dhe vdiqën menjëherë, apo edhe kur i nxorrën në breg. Të gjithë punonjësit e konsullatës të Greqisë në Izmir u mbytën. Città di Bari ishte një tjetër viktimë e Luftës, e fundosur ajo nga silurët e nëndetëses të armikut.

Në kujtim të viktimave të “vrasjes të padrejtë dhe brutale të burrave të paarmatosur, dhe grave e fëmijëve të pambrojtur...” u mbajt një ceremoni përkujtimore në Metropolin e Athinës, në 8 tetor 1917, me "një pjesëmarrje mbytëse të zyrtarëve" të prirë nga kryeministri, ministri i jashtëm…

                                          

Nasho Bakalli                                                                      .

Referencat nga punimet shkencore historike të C.N.Burileanu; M. Popovic; Anastase N. Haciu; M.D.Peyfuss;etj; dhe  Clio  Turbata ( www . clioturbata . com).

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page