
(Arkiva Fjala e Lirë, Londër, E mërkurë, 19 Mars 2009 15:36:00 GMT)
Tregim
Ishim në vitet e shkollës ato vite. Në moshën që njeriu kërkon të bëjë garë me kohën dhe ta fitojë atë garë... Por, vetë shkolla jonë nuk na e jepte mundësinë e argëtimit, ose e kishim të paktë atë mundësi. Nuk linim film, teatër apo opera pa parë. Dilnim nga shkolla, nga rrugët që i dinim vetëm ne. Ne të rinjtë kishim rrugët tona, që kalonin nën “Harkun e Triumfit”, ngjisnin Malin e Lunxhërisë, çlodheshim nën hije qiparizash e zbrisnim asfalteve të pashkelura... Kështu bënim shpesh, por unë do tregoj për atë mbrëmje, që ka mbetur qirindezur në kujtesë për mbi katër dekada, apo para “një shekulli”...
***
Binte shi kërcitës, por ne nuk i ndjenim as “sinfoninë e shiut”, as lagien deri tek gishti i vogël i këmbës, as...
Në bezen e bardhë të ekranit shfaqej e zhdukej “Unaza me Kalorës”. Pastaj shfaqej prapë e pastaj zhdukej prapë... Kaq mund të them. Asgjë tjetër nuk mbaj mend nga ai film, veç emrit “Unaza me kalorës”. Por nuk harroj dot se ishim aq pranë sa avullimin e trupit të Saj e ndjeja si aromë parfumi të pandjerë ndonjëherë. Atë aromë parfumi vetëm unë e ndjeja. Ishte parfumi me emrin e saj, që as “Lugina e Trëndafilave” në Bullgari, që është çudia e botës, nuk mund ta prodhonte...
Ajo më fuste dorën e vogël mes duarve të mia, aty mbi gjunjë dhe “Unaza me Kalorës”, shfaqej e zhdukej mbi bezën e bardhë të ekranit...
“Të kam pranë sa të ndjej frymëmarrjen
të ndjej gjoksin që kërcen me rritëm,
ja “Unaza me Kalorës” shfaqet,
ja kalorësi me unazën ikën...
Në tru më godisnin vargjet dhe më dukej sikur isha diku larg, larg nën qiellin me yje të ndezur... Të dy të lakuriqtë, apo të veshur me dritë yjesh... Dora e saj lëvizi, sikur mori frymë... se edhe dora merr frymë...
Ku po më shpie o aromë parfumi?!
Hymë në një portë të rëndë prej druri... Portën na e çeli një zonjë e moshuar. Trupmadhe me tipare bukurie të gdhendur, që s’i fshinin dot vitet. Në të dy anët e oborrit lulishte me lule nga më të bukurat e më erëmirat. Por çudi, ajo era e parfumit të trupit të shoqes sime, ishte aq e veçantë sa edhe lulet e oborrit fshehën bukurinë, të turpëruara...
-Halla-folëm gati me një zë ne...
-Ua, më erdhe me nusen?!-mu drejtua mua dhe na mbështolli të dyve në gjoksin e gjerë, ku lëshonte aromë një degë borziloku. – Mashalla, si lule-shege është nusja!...
Ajo, nga kënaqësia apo nga turpi, mori, prej vërteti, pamjen e lules së shegës dhe sytë e zinj i fshehu brenda syve të mi të kaltër, sikur donte të më gjeologonte shpirtin...
Pastaj hymë në një dhomë-oda nga ato të anëve tona...
Pastaj u shtrimë në një krevat të mbushur, jo me lesh deleje, por me trëndelinë mali, nga mali ynë...
Pastaj luajtëm me poret e trupave tanë, që s’dinin ç’bënin e s’dinin ç’të bënin... Sytë e zinj i ndjeja e i ndjeja brenda vetes. Një pikë lot i ra nga syri i majtë, që i lotonte më shpesh... Ajo pikë-loti, si vesë mëngjesi nuk doja të tretej... Edhe mëngjesi nuk doja të vinte... Nuk di kur do të zbardhë mëngjesi?!... Le të mos zbardhë kurrë!...
“Jeta pse nuk është një ditë,
të mos ndahen dashuritë?!”
Comments