top of page

Narracioni konservativ i ‘nudos sociale’ në stilin e Terziut


Raimonda MOISIU

Narracioni konservativ i ‘nudos sociale’ në stilin e Terziut


Esse - analizë rreth romanit “Grykës” të Fatmir Terziut


Shkruar nga Raimonda MOISIU


Shkrimtari është pikërisht njeriu që nuk i dorëzohet vetmisë”.

( François Mauriac).

Kur shkrimtari shkruan, ai ka nevojë të qëndrojë në vetmi, i tërhequr nga shoqëria Por….edhe pse askush nuk është aty me të, shkrimtari, nuk i dorëzohet vetmisë. Nën shoqërinë e frymëzimit, ai bisedon me personazhet, duke lexuar apo shkruar, bisedon në heshtje me çdo objekt që e rrethon si pjesë e natyrës, bisedon me çastin në çdo vend, kohë e situatë. Shkrimtari e di shumë mirë se vetmia ushqen shpresën, besimin, pasionin dhe përkushtimin se mund të jetë dikushi, se mund të japë diçka nga përvojat dhe eksperiencat e jetës së tij, dhe nga shoqëria në të cilën jeton e punon, shkrimtari e di mirë se vetmia ushqen edhe dashurinë. Shkrimtari rrëfen ngjyrat e ndjenjave dhe sfidat e jetës, se ajo ka shumë gjëra, që i duhen të përballet e aq më tepër t’i bëjë të njohura nëpërmjet talentit dhe artit, që ai zotëron. Shkrimtari ka strategji dhe “mban nën mëngë çelësin sekret”, shqisat e tij bëhen ëndërrimtarë që nuk ngurrojnë të rrëfejnë realitetin. Një njeri modest i zakonshëm, me një karrierë dhe aftësi të rrallë e të pazakontë, me mëndje të shëndoshë, krahë të fortë e të pazakontë, - ky është shkrimtari, studuesi dhe kritiku, Dr. Fatmir Terziu. Ai është mendimtar, ligjërues dhe shkrimtar, që bota e vizioni erudit, filozofik, artistik e letrar i tij, funksionojnë në vazhdimësinë dhe përfomancën e karakterit historik të letrave shqipe. Romani i dalë nga shtëpia botuese “Lulu’, në 2010-n dhe i titulluar “Grykës”, i shkrimtarit Fatmir Terziu, i prezantohet lexuesit shqiptar me të gjitha jetët e fatet e komplikuara njerëzore, që në fund, ato janë të endura, brenda së njëjtës”tapiceri” të logjikshme. Me një profesionalizëm metapsikik, Terziu që në hyrje të romanit, kërkon të fitojë konfidencën tonë/atyre, (lexuesit), sikur na njeh prej kohësh, se cilët jemi ne/ata. Autori rrëfen momente që kanë të bëjnë me jetën tonë dhe supozon që gjithsecili të gjejë veten në personazhet e tij. Autori e bën lexuesin të ndjehet sikur është një i njohur i ngushtë, intim i tregimtarit, të cilit ai mund t’i besojë edhe privatësinë e njerëzores, dhe ai i trajton lexuesit të veçantë e të admirueshëm, jo thjesht si lexues aforistik. Shkrimtari Fatmir Terziu është një transmetues virtuoz i vullnetit, që ka kaq shumë gjëra për të mësuar për jetën, për të dhënë e marrë prej saj; dhimbjen e gëzimin, komiken e seriozen, vlerën e antivlerën, grotesken dhe interesanten, moralen dhe të pamoralshmen, grykësinë e pangopësinë, brengat e kujtimet, optimisten e pesimisten, vdekjen e jetën, krimin e ndëshkimin, jetesën e mbijetesën, - një udhërrëfyes enthusiast i fateve njerëzore përmes romanit. Nëse Terziu nuk do të ishte publicist, nuk do të ishte prozator. Ai e di shumë mirë se në gazetari lejohet të rrëfehet vetëm një histori, por në prozë diçka ka ndryshuar. Duke qënë i tillë, romani “Grykës”, është shtjellim i perceptimeve publicistike dhe reale, nevoja për konflikt, mes trysnisë mediatike, realitetit e përvojave jetësore. Por tema e romaneve nuk është vetëm konflikti, aq shumë ndryshon; - është ndryshimi në një personazh, ndryshimi i vizioneve të disa personazheve, në të kaluarën e tyre, marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe njerëzit që i rrethojnë. “Grykës” paraqet me marshin e kohës, copëza nga jeta në zonat urbane e rurale, qytetit dhe fshatrave përreth tij, deri në kufijtë gjeografikë. Autori i përshkruan ato nën kërcënimin e progresit e regresit, të pashpirtes e shpirtërores, nga faktorët e brendshëm e të jashtëm, nga rrëmuja dhe lufta, armiqësitë e sëmundjet brenda atyre banorëve që jetojnë në to, në pamje një qytet apo fshat i qetë, i patrazuar nga dominanca e krimit, ndëshkimit, pangopësisë e pushtetit. Shkrimtari Fatmir Terziu, mjeshtër në përshkrimin e viktimave sociale, të dalë nga muret socialë dhe metastazat në rritje; krizat, konseguencat, sfidat, jeta e vështirë, premtimi e filozofia e jetës, një strukturë narrative dhe imagjinatë letraro-artistike-publicistike, moderne e postmoderne, stiset nga njëri kapitull në tjetrin, dhe autori me forcën e kompleksit letrar e piroteknikën intelektuale na ka dhënë mjeshtërisht kombinimin e komunikimin e së tashmes me të shkuarën dhe qartësimin e së ardhmes, kombinimin dhe komunikimin me stil elegant e balancues i letërsisë me publicistikën, një nga teknikat më të vështira në letrat shqipe për ta pasqyruar, por që Terziu ja ka arritur mrekullisht dhe me sukses.

Romani shtjellohet në kapituj ndarës, tema të ndryshme, por të balancuar e të mirëvendosur. Ngarjet padyshim zhvillohen në kohën e tranzicionit dhe të trazirave në Shqipërinë e mesme, pikërisht viti ’97-ë. Terziu zbulon imazhin e qytetit dhe ngjarjeve aktuale në të, dhe në këto linja të hapura na jep realitetin nën iluzionet e atmosferës mbytëse nga korrupsioni social e shtetëror, pushtetarëve mediokër, injorantë e besnikë të betuar e të verbër, krimi i organizuar, prostitucionin, lubisë epshore të mishit të bardhë, ankthit, trishtimit e mjerimit të shoqërisë, dhunës fizike, morale e sociale, që Terziu bindshëm e komplikon me idenë e përbashkët të qyteteve e fshatrave përreth deri në zonat kufitare Shqipëri-Maqedoni, - janë pjesëza të njerëzores dhe të universit social, ekonomik e politik. Jo pa qëllim Terziu që në hyrje të romanit e filllon me personazhe femra, ai nënkupton renditjen e personazheve interesantë e të pëlqyeshëm, të cilat janë tërësisht jetike dhe e shohin botën disi ndryshe, me brishtësinë dhe butësinë e “peisazheve gri e të egra”, ato janë në gjendje të zhbirojnë anën psikollogjike të makinës së madhe sociale, ekonomike e politike. Dhe pikërisht ato gjenden në park, dhe këtë bashkim të rastësishëm ato vendosin ta quajnë “E diela e Fjalës”. Aty, mes hapësirës dhe luleve të parkut, liria e shprehjes dhe mendimit të tyre është e pafrikëshme, e paprivuar nga terrori i përgjegjësisë individuale dhe konfliktit të ndryshimit, humnerës mes dobësisë intelektuale dhe realitetit shpirtëror. Preferenca e frazave të tilla nga ana e autorit, sikundër; “Nudo zyrtare” e Faruk Myrtaj, Parku “Rinia” dhe e “E djela e Fjalës”, zhbirojnë anën psikollogjike dhe botën e brendëshme jo vetëm të Monda Hutës, Elisa Torpes, Suzi Çepës, Menda Bogja, Frida, Rita, Sidra Satku,etj., mesazhin e drejtpërdrejtë te lexuesit, por edhe rrjedhën e subjektit me ngjarjet e trishta e të bukura, të dhimbëshme e të gëzuara në të përditshmen njerëzore. Ato janë dëshmitare të përjetimit të realitetit dhe përvojave interesante, egoizmit dhe optimizmit, të moralshmes e të pamoralshmes, mashtrimit e urrejtjes, barazive sociale dhe lirive civile në botën e ngushtë të përligjur nga “nudo” e grykësisë të përfitimt marramendës, të cilat autori i vendos si medium për të përcjellë realitetin e dramës dhe mahisjen e plagëve në shoqërinë shqiptare. ”Grykës” është një roman që mbështetet në zbulimin e sekreteve, temave dhe ideve të ndryshme. Terziu zbulon se në qendër të romanit është një qytet dhe nëpërmjet tij tërë shoqëria në përgjithësi përqëndrohet në krimin urban dhe korrupsionin, dëshirat e shfrenuara, dhuna nga njerëz të ndryshëm, në kuptimin më të gjerë në errësirën e ndritshme të konceptit filozofik, social e politik, shprehur nëpërmjet artit në jetën e përditshme. Terziu është përpjekur ta përshkruajë gjallërisht se krimi e korrupsioni janë plagë që dhembin njësoj.

Grykësia është më e dukëshme te sekretari i partisë apo te shefi i policisë, shihet te metamorfoza e dy epokave; asaj nën diktaturë dhe tranzicionit. Terziu i manipulon lexuesit nëpërmjet një seri përfytyrimesh dhe vëzhgimesh, që të çojnë në rrëfimin tronditës të Ulko Topisë, si vjedhës i kaut, që pavarësisht të metave të tij, ai është njeri i mirë, por kjo nuk do të thotë se ai do të triumfojë, se mbi botën e parasë dhe pangopësisë askush nuk triumfon. Njerëzit e korruptuar e të veshur me pushtet, apo bashkëpunimi me krimin inkurajon shefin e policisë, korrupton policinë e drejtësinë dhe na ofrojnë anën e errët – metaforën ogurzezë, bllofin e humanes. Terziu e ka ndërtuar romanin me ide e mendime, sekrete e mistere, enigma e dilema, përshkrimin e personazheve pozitivë e negativë, fatet e tyre njerëzore e sociale, me një kthesë të çuditëshme narrative konservatore, që janë jo vetëm sfida strukturore e romanit, por e bën lexuesin të besojë se çdo gjë që ka ndodhur mund të shpjegohet me nerv llogjik, e të mos e lëshojë librin nga dora, por të ndjejë kënaqësinë e shijen e të lexuarit deri në fund.

“Dua një gonxhe, një gonxhe të bukur. Aty ku mbaron fundi i barkut”

Shkrimtari Fatmir Terziu mendon se në këtë botë të lirë e të padrejtë, ku krimi dhe bandat kontrollonin përqindjen më të madhe të jetës së përditëshme, në këtë “humnerë”, ku errësira sociale e shpirtërore, terrori psikollogjik e fizik, dhe “dhimbja e kokës i kapërcente çdo dimension”, është e domosdoshme të flitet me gjuhën e dashurisë, e cila shpëton botën. Pse jo edhe të seksit! Terziu përmend disa pasazhe erotike, sepse dashuria e seksi është mënyra më e qartë e dhimbjeve emocionale, si” dritëza të vockëla të përthyera mes një errësire të mugët” - shkruan Terziu. Autori me mjeshtëri filozofike dhe artistike, është i gatshëm të marrë rreziqe të mëdha në intimitetin e tij dhe ia delegon lexuesit përjetimin, për kredi të tij/të saj. Terziu shkon edhe më larg kur merr mbi vete të përshkruajë në lidhje me intimitetin joshës, barbar, mizor, i turpshëm, i dhimbshëm e vdekjeprurës, varfërisë e injorancës, shfrytëzimi i vajzave, torturimi dhe masakrimi i tyre, prostitucioni e droga, -ç’ka po ndodhin në shoqërinë tonë. Autori me elegancë e intuitë krijon marrëdhëniet mes personazheve dhe lexuesit, që i nënshtrohen një mediumi psikik, përvojat jetësore i bën “tragjedi personale, tonat/ të tyre”, në atë mënyrë që ato të përtypen, se jeta vazhdon…Një nga temat më të realizuara të romanit është edhe tema e mërgimit në tokë të huaj mes diskriminimit racor dhe mbijetesës, ky konflikt shpirtëror i interesave të së kaluarës dhe pasojat e së ardhmes së vendit e gjeneratave, janë dëshmi e traumatizimit të jetës sociale, ekonomike e politike, të atdheut e shoqërisë.

Personazhi i Monda Hutës, del si figura më intriguese e romanit. Ajo është pjesëmarrëse, e kudogjendur dhe e ndërgjegjshme për atë që shikon, kupton dhe ndodh rreth saj dhe larg, në jetën e qytetit e të shoqërisë, nga njerëz të kurruptuar e të “sëmurë”, të veshur me pushtet, nga krimi e ndëshkimi. Monda Huta me anë të rolit të saj është nxitje dhe mbështetëse e grave e vajzave të tjera, të ndodhura në kushte të vështira e kalvar dhimbjesh, streset e mosmarrveshjet e së përditshmes, - që të kujtojnë gratë te libri “Dasmë e Përgjakur” e Frederik Garcia Lorkës, për të kuptuar më mirë e më qartë të metat, misteret, enigmat dhe difektet e sistemit në tranzicion, -me të cilën autori kërkon të zgjojë ndërgjegjen sociale e njerëzore.

“ Dhe në fakt s’ka asnjë lidhje me librin “Nudo zyrtare”…Është thjesht një “nudo” tjetër që ecën në një filozofi tjetër. Është një botë ku njeriou .. harron njeriun… njerëzillëkun!”

Një finalizim i romanit nga më të pjekurit artistikisht! Terziu ka krijuar marrëdhënien komunikuese mes hyrjes e mbylljes të romanit, - që në dukje ngjasojnë sikur kemi të bëjmë me të njëjtat pasazhe, - strategji e autorit kjo, tejet e maturuar në art e filozofi, për të ndriçuar “nudon” e realitetit të sotëm. Një stil elegant, i këndshëm, e mbi të gjitha i lirë në të shkruar, në biseda e dialogje të drejtpërdrejtë, doza të forta interesante e komike, në përjetimin dhe përqasjen e emocioneve të veçanta të përvojave jetësore. Me figura letrare të goditura, frymëzim, muzë e imagjinatë narrative, ndjeshmëri ndaj dhunës e përfaqësimit brutal të shoqërisë, si pjesë e çdo kritike qytetare e intelektuale, sociale e njerëzore, -pjesë e konsipracionit postmodern të pasqyrimit të realitetit, kundër dhunës, lubisë e grykësisë, Pangopësisë e Pushtetit- se e ardhmja që ekziston i përket jetës e dashurisë, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore

Hartford CT USA

31 Mars 2013


30 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page