![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_20cec8cfd2f24858ab383f0a4a9e09d1~mv2.png/v1/fill/w_980,h_980,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_20cec8cfd2f24858ab383f0a4a9e09d1~mv2.png)
BEDRI TELEGRAFI, MËSUESI I HISTORISË QË MBETET NË MENDJE E KUJTIME….
- Nga plejada vigane e mësuesve shqiptarë,që shpërndau dituri e kulturë në qindra e mijëra nxënës, ishte edhe mësuesi i shkollës së mesme ekonomike –bujqësore “Kristo Isak” Berat,Bedri Telegrafi, për të cilin tashmë mbetet e vyer në zemër mirënjohja jonë dhe kujtimi i paharruar …
NGA SPASSE THANASI
Është mjaftë i njohur emri i mësuesit e historianit BEDRI TELEGRAFI në Berat e më gjerë. Për disa kohë ai ka qënë dhe Drejtor i Muzeut Berat dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin historiko-kulturor të Beratit me pasqyrimin e shumë botimeve shkencore dhe artistike me një ndjenjë atdhetarie të spikatur. Kjo bëri që ai të ishte një qytetar i denjë i qytetit të Beratit në lagjen “8-Nëntori” deri në frymën e fundit të jetës. Gjithashtu ka ushtruar detyrën e drejtuesit në Medresenë“Vexhi Buharaja” ku ka lënë gjurmë të pashlyer si Drejtor e mësimdhënës. Ka shkruar me dashuri për Islam Vrioni, një nga pionierët e shkollave shqipe për të cilin pati një heshtje 60 vjeçare dhe vdiq në burgjet e diktaturës duke punuar moçalishteve të Tërbufit dhe Maliqit. Një shkrim i këndshëm historik është “Cezma e Kapedanit”…Rëndësia dhe vlera historike e mbishkrimit në Cezmën e Kapedanit në rrethin e Beratit” (botuar në gazetën “Kushtrimi” datë 17 Gusht 1988, fq.4).
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_1f163bcf28714fd2af8ecd1cd9b8b1d7~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1373,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_1f163bcf28714fd2af8ecd1cd9b8b1d7~mv2.png)
Por, ne brezi i viteve 1970 – 1980 e njohim atë, si mësues në shkollën e mesme ekonomiko-bujqësore “Kristo Isak” të Beratit. Është nga ajo plejadë e devotshme mësuesish që mëkoi dituri e kulturë në zemrat e qindra e mijëra nxënësve anekënd Shqipërisë.
Mbeti shpirti miqësor me nxënësit dhe kritikuesi i drejtpërdrejt i të gjitha të metave e dobësive të nxënësve që vërente nëpërmjet orës së mësimit, praktikës mësimore apo dhe aktiviteteve shkollore. Ai kudo ishte shoqeruesi i nxënësve për të gjitha angazhimet shkollore dhe komunikuesi i afërtë me prindërit e nxënësve kur ishte mundësia për tu takuar e biseduar…
Jo rrallë herë përcillte dhe ndiqte nxënësit nëpër Universitete ku ata shkonin me studime të larta, sidomos me Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kodër-Kamëz. Një çast i tillë është edhe fotoja që ne kemi bërë në Universitetin Bujqësor Kamëz, Tiranë në vitin 1982 me mësues Bedri Telegrafi e Kozma Cimbidhi e një grup shokësh e shoqesh të ardhur student nga shkolla e mesme ekonomiko-bujqësore “Kristo Isak” Berat, që e kemi edhe në faqet e librit me kujtime të shkollës.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_cf386f534dce4849a2f3aa08bc68f60f~mv2.jpg/v1/fill/w_586,h_396,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_cf386f534dce4849a2f3aa08bc68f60f~mv2.jpg)
I tillë ishte ky mësues me natyrë krenare, që gjithmonë ishte dashamirës pranë nxënësve të tij, por edhe i rreptë në kërkesën e llogarisë për mësimet dhe etikën e paraqitjes në shkollë. Ai nuk kërkonte as më pak e as më shumë nga zbatimi korektë të rregullores së shkollës dhe në çdo rast ishte i vemendshëm për të mos krijuar problem e konflikte në Drejtorinë e shkollës. Të gjitha çështjet i mbyllte me klasën, me mësuesin kujdestar, me kujdestarët e konviktit , me prindërit e nxënësve etj. dhe në asnjë rast ai nuk u tregua ‘harbut” që trembte nxënësit. Fytyra e tij e qeshur e miqësore ishte një “pasqyrë” e vërtetë e asaj që ti kërkoje të gjeje të mishëruar në figurën e mësuesit brenda dhe jashtë shkollës.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_0215516b0a924b1cad7b4bff9f0dabeb~mv2.jpg/v1/fill/w_468,h_624,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_0215516b0a924b1cad7b4bff9f0dabeb~mv2.jpg)
Në fund Shkurtin e vitit 2023 mësues Bedri Telegrafi u nda nga jeta. Morri prej tokës mirësine e jetës dhe fluturoi në amshim për të na ndriçuar me kujtimet e tij si një meteor i largët në qiell !...
U prefte në paqe . Ngushëllime familjes e gjithë të afërve të tij.
Comentarios