-bisede me prozatorin Faruk Myrtaj-
MAPO: A mund të jetë një shkrimtar i prezantuar mjaftueshëm vetëm me poezinë, megjithëse historiografia e letërsisë ka pranuar se autorë të mëdhenj kanë shkruar vetëm në këtë gjini?
Faruk Myrtaj: Ka një ndjesi se poezia lexohet më kollaj, por shumë lexues “vdesin” mbi romane. Në s’je dot lexues poezie, je i ftuar për tregime, të shkurtra, ku të gjesh gjithçka, pa tepri. Proza e gjatë përjetohet si jetë paralele! Ji aty ku ndjehesh më i plotë, i natyrshëm, edhe pse s’është zgjedhje. Nëse flasim për autorë që mbeten, mund të jetë edhe paracaktim. Si lindja në gjuhë, që është gjuha mëmë. Mbase nëse je “I lindur” lindesh në gjini të caktuar. Por ka Fat, edhe ne letërsi- Lindur në gjuhë perandorake, ose përkthyer mjeshtërisht aty, shumëfishohesh kollaj në gjuhë të tjera. Poezia- mbahet majaja e Fjalës, por me që në këtë rast pyetem unë, prirem nga lirika “e fshehur” në prozë inspiruese. Romanin “Papa Jeshil” u josha ta lexoja me zë, sidomos kapitullin ‘Martesa me lumin’. Meritat shkojnë menjëherë te shqipja e Petro Zhejit, edhe pse s’vihet në dyshim origjinali Asturias. Ndaj besoj se zhanri shkëlqen kur përkon me natyrën dhe temperamentin e krijuesit/përkthyesit. Dhuntia dhurohet në dijen e lirinë. Edhe pëlqimi, nga jetët e lexuesve varet, nga mirëqenia e shkalla e lirisë së tyre.
MAPO: Autorë shqiptarë e kanë lëshuar poezinë për tu përqendruar tek proza dhe anasjelltas. Ç’mund të kenë ndjerë, në çastin kur e kanë vendosur këtë tendencë?
Faruk Myrtaj: Mund të mos e kenë ndjerë aq ububushëm sa kalimin në partinë tjetrën pas rënies së Busteve. Formën tjetër të të shkruarit mund të ta “sugjeronte” plenumi i radhës, hierarkia jo-letrare, por edhe një dashuri e pamundur. Fatos Arapi s’bënte humor kur vërente se prozatorët qenë më të ndëshkuarit e kohës pa liri, si favorizim relativ. Meqë është më e kollajtë marrja e shembujve “me Kadare”, motivet “Shqipëria dhe tri Romat”, “Vitet ’60”, apo “Kështjella në kAadriatik”, janë formësuar në disa gjini. Krijues të tjerë i kthyen në filma, drama, opera dhe… histori zyrtare. Suksesi korret edhe në terren ku s’mbillet, pra gjinia s’është fat vetjak. Autorët shqiptarë s’e kanë pasur kollaj të mbeten veç poetë. U është dashur të bëjnë gazetarin, redaktorin, deputetin, Zylon si mos-dukje publike, kronistin për të fshehur pa-lirinë. Askund, as në pjesën e ‘Lindjes pa Ne’, s’mendohet dot që edhe emra si Kadare, Agolli dhe të tjerë të pranuar si autoritete civilë publikë, të listoheshin si “oficerë në rast lufte”! Asnjë shëmbëllim me akordime titujsh perëndimorë si “Kalorës I Madh…I Legjionit”, apo “Ylli i Gjeneralit”, apo... Ismail Kadare u shfaq dhe mbeti në prozë. Jo pse krijimtaria poetike, në formën direkte, u strehua në një vëllim, por se në këtë gjini iu shlyen detyrimet më të mëdha ditës politike. Për të gjithë poetët, kjo. Në letrat shqipe, s’di raste kur prozatorë të njohur kthehen dhe bëjnë veç poetin. Vetëm Kutelit iu desh të krijonte një zhanër thuajse të vetin, të mos ndjehej i përjashtuar total.
MAPO: Një kronikë të raporteve tuaja me poezinë, leximet dhe krijimtarinë? Ç’ju ka frymëzuar, autorët e preferuar, modelet letrare më të pëlqyera?
Faruk Myrtaj: Me vjersha e nisa edhe unë! “Dielli I Nëntokës”, një diell i ndarë më dysh në kopertinën e Safo Markos, teksa libri i dytë me poezi erdhi në fund-vitet ’80, në ftesë të dëshiruar prej Ilirian Zhupës që kishte kaluar te “Naim Frashëri”. Spahiu e Londo m’i kishin kurajuar gjithnjë gjetjet, disa prej motiveve realizoheshin, shkruaj edhe sot e kësaj dite, por…poeti - si përkushtim total, si dorëzim i tërë ndjesor- nuk u shfaq dot tek unë. S’di në mos-për-puthja ndodhi prej jetës së pa-kollajtë, rinisë së kursyer, grisë së minierës apo vetmisë si atdhe në mërgim. Besoj thellësisht, barrierat mund të kthehen në magmë, shqetësimet në lëndë të parë proze. Në natyrë, si kënaqësi në instinkt, në prozë jam. Jam unë. Prej kur i ndjeva këmbët në tokë këtu ku jam, duke lexuar ç’më ka munguar, në joshje të rrëfej çfarë besoj se vetëm unë do mund ta sjell, po i gëzohem gjithnjë e më shumë shqipes në prozën time të shkurtër. Në Shqipërinë dikur, për fat, E Huaja Klasike nuk u ndalua. Përkthyes brilantë, e lehtësuan mos-mbylljen e mendjes, zvetënimin e shijes. Ata vet, mbijetuar në Gjuhët e Vdekura, i kishin “sistemuar në Akademinë e Kuçit”, aty ku buron lumi i Vlorës. Ata na sollën Evropën letrare klasike. Përmes Hygoit, Balzakut, Zolasë, Mopasanit, Turgenievit, Gogolit, Chehovit, Remarkut, Hemingueit, si tërë lexuesit shqiptarë, më dukej se hyja nëntokë e do të dilja diku në katakombat e Parisit, Saint Peterbourgut, në kështjellat shekspiriane, më rrallë në Amerikë. Gjithnjë vonuar në kohë, lexues vetëm të klasikëve, i shëtisnim këto qytete/vende siç ato kishin qenë dikur, jo siç ishin në gjalljen faktike. Si lexues sundoheshim nga Kadare…Fshehurazi, provonim të vishnim “Mantelin” e Gogolit, të ndjenim me dhembshurinë e Çehovit, t’i gëzoheshim aventurave të Heminguejt. Për ne, si lexues të klasikes, plaku Grande ishte kapitalisti, Martin Iden i pa fati në Amerikë...Por, pa dyshim, ”Të Mjerët”… s’ishim Ne! Ëndrra prishej nga faqja 4 e ZP. Na ndihte të ktheheshim në realitetin tonë. Më pas na ofroi tërë shefat e RD-së! Ndërkaq, ndryshe nga ata të Botës, me klasikët tanë silleshim brutalisht: Noli identifikuar thjesht si antizogist, Migjeni-ateisti pararendës i soc-realizmit, Fishta, Koliqi, Camaj e Konica ndaluar të ktheheshin, si Mbreti! Çukitnim thërrmija klasikësh nga Dy Poradecarët, Ali Asllani i Vlorës. Haxhiademi u kthye vetë, duke na mbajtur frymën: Evropë paskemi qenë, në dramat dikur! Pse nuk i futim ende në tekstet shkollorë? Pengon Gegnishtja?! Atëherë le të hyjë ajo e para në Abetare! Si gjymtyra e dytë, më saktë akoma: si barkushja e dytë e zemrës së Shqipes…
MAPO: E kanë ushtruar shkrimtarët lirinë këto 30 vite, a letërsia vazhdon të vuaj mungesë talenti, kulture të shkruarit, dijeve të kufizuara, reminishenca në tema e stil, mos njohje të rrymave e tendencave botërore?
Faruk Myrtaj: Nuk e shoh qëllim në vete lirinë e shkrimtarit. Nëse nuk e ushtron si liri që shkon te lexuesi, kthehet në privilegj të autorit, që mbetet rob i mecenatit. “Kulla e fildishtë’ është bërë më e largët se letërsia thjesht formaliste. Në Shqipëri ende s’ka ardhur dot liria si frymë demokracie. Ende e presim prej politikës-peng i së shkuarës. Duhet ta pohojmë tani, çfarë s’mundëm në vitet ‘90: E quajtëm Pluralizëm I Parë, kur e kishim pasur një herë në Vitet ’30. Nuk ndoqëm Fillin e letrave ‘30 si vazhduese të Rilindjes. Sajuam Rilindje demokrate, Rilindje socio-mjaftiste… Lëvdohemi që numri i parë i R.D. u përshëndet nga Kadare, Agolli, Qose, por askush prej tyre nuk shfaqet më aty. Vlera përfaqësuese ishin te Koha që po rrëzohej, por trishton ideja se u ofrua një pluralizëm scribësh. Kadarè u artikulua ca kohë te Gazeta “55”, por s’ishte deputet në Kuvendin e ri. Dritëroi mbeti merak i gjithë krahëve. Klima mbeti edhe më tej diversitet harmonik. Sipas skeptikëve dikur, Agolli duhej për “përdorim të brendshëm”, Tjetri “shkruante për ata jashtë”. Pandehma ngriti kryet sërish edhe në vdekjen e Hoxhës: Dritëroi shkroi te “Zëri I Popullit”: Falmë Enver/se dot frymë s’të dhashë…”, Kadare, në “Le Monde”, në mbrojtje të “lotit të shqiptarëve…” “I treti...”, Qosja, u prit tërë madhështi në Shqipërinë ‘90, gati-gati si Buletini në 1912! Kërkoi pajtim kombëtar, pa fajtorë dhe...RD njoftoi se ishte zgjedhur kryetar nderi i “Shoqatës Labëria”… Variacionet e pushteteve promovohen prej shkrimtarëve, politika bukurohet brenda “epjes së letrave”. Më pas, Rilindja e Mjaftistëve e shfaqi Kadarenë “Kryetar Nderi”, provokoi ta përdorte si Kryetar KQZ-je për Tiranën. Liria e mëtuar aq brutalisht prej politikës: letrave u duhet ta humbasin mantelin e etikës. Nuk pritet ushtrimi i lirisë prej gjeneratës dikur, apo të Yes-menëve në tranzicion. Letërsi e natyrshme, humane, larg klisheve, vjen prej autorëve përtej kufijve. Jetët në liri, mos-prania as si kujtesë e censurës në krijimtarinë e tyre, i bën së paku të ndryshëm nga ata që- një Zot i merr vesh pse- pa asnjë distancim nga hijet dikur ri-themelojnë Lidhjen…
MAPO: Diçka për planet krijuese…
Faruk Myrtaj: Nuk e mendova si “ekzil”, largimin atë vjeshtë të tretë 2003, por s’duhet ligj për të lejuar referendumet për tu bindur se shumica e shqiptarëve ikin si “mërgimtarë politikë”. Sot e kësaj dite nuk ua mundësojnë votën e lirë në atdhe. Janë larg Lojës së kastës politike. Nostalgjikët e izolimit hakërrehen: “Ata që kanë braktisur atdheun, s’kanë të drejtë të përcaktojnë qeverisjen këtu!” Të gjorë pa ngushëllim, s’kuptojnë se liria s’ka “konflikt interesi” dhe, nëse s’është, s’është për askënd! Kudo ku jetojnë, Atdheu u mungon. Siç është, i mundon. Edhe kur s’e mendojnë kthimin. S’rrinë dot pa të dhe si fëmijë në rërë, e krijojnë vet Atdheun prej mirësive në shekuj, imazheve mesdhetare, prej varreve e dhimbjeve e sakrificave të idealistëve dhe prindërve, prej arteve e librave që rezonojnë me to. Ky Atdhe i ngushëllon. Por nuk u mjafton. Do donim ta ri-kthenin, duke shtuar edhe prej qytetërimeve ku jetojnë. Edhe Prillin që vjen këtë dëshirojnë. Jo atë të egove dhe marrëveshjeve të fshehta që e mbajnë larg Evropës, jo me ata që me Amerikën ftohen për shkak të frikës së Lirisë; as me ata që falin det për karrigen si pronë si pronë, kur shqiptarët janë të pa pronë; apo që hapin/mbyllin Dosjet e atyre që nuk u bëhen brohoritës…Mërgimtarët kanë shtuar tipare lirie dhe s’kthehen më në pa-liri. Si njeri prej tyre, i gëzohem kësaj më në fundje, edhe pse si zgjedhje s’ishte e imja. Lajmet me Atdhe dhe demagogjia është po ajo. Mbase edhe pozicioni gjeografik mesdhetar: “Më kollaj mund të mbash një han, se një shtëpi komode për banorët…” Për pyetjen tuaj: nuk u nisa si aventurë shkrimtari. S’kam ngut krijimtarie. Vjen një kohë kur shtysa për të shkruar bëhet ekzistenciale. Në domosdo artikulimi e shprehje në liri. Të shkruarit i pa-evitueshëm, të ndjerit i dyfishtë, atje dhe këtu, është privilegj. Rrëfimi i kësaj gjendjeje është obligim. S’ka lidhje fare me botimin e të shkruarave. Është thjesht ushtrim lirie.
MAPO: Sa Amerikë ka në lirinë tënde letrare, në kulturën tënde të dijeve për të bërë letërsi të mirë.
Faruk Myrtaj: Sipas shpëtuesit të dorëshkrimeve, Franc Kafka besohet se vetëm për në veri të Italisë; e sigurt që nuk e kapërceu oqeanin, por e gjeta në bibliotekat këtu romanin me titull “Amerika”! S’ka individë që s’e ndërmend misterin Amerikë. Sidomos këto ditë, kundrohet si “eksperiment Lirie”. Mbase jo rastësisht Statuja e Lirisë mërgoi nga Evropa, dhuratë për “Tokën e Premtuar” të gjithëve. Imazhi inspirues. S’mund të jetë aksident, as-se-si presidencial… Liria Amerikane - edhe për Kanadezët si pjesë e “North-America”, është shumë. Nëse zbresim në intervistë, unë do ta kisha më të rreptë një përvojë në Amerikë. S’di pse, kam përfytyrimin se atje nxitojnë shumë, qarkullon shumë interes, ka shumë autoritet paraja atje…kurse unë jam ca i avashtë, asnjë herë me makinë time, lindur e rritur në regjim kursimi! Nga im Atë, e kam vështirë marrjen borxh, kredinë…kurse Bankat në Amerikë…! Pa dilemë, liria amerikane është e pa-tjetër. Ia vlen çdo çmim, çdo përvojë për të. Kurrkush nuk zhgënjehet prej Saj, as këto ditë…Përkundrazi. Ka një si dhembshuri për atë që ndodhi… Ne, Lindorëve, na duhet jetë e dytë këndej, për ta ndjerë, kuptuar e për t’ju gëzuar asaj. Themi edhe marrëzira, në merak të paqartë për të. Kanadaja garanton po atë gradë lirie, por në heshtje. Muzika këndej luhet ulët, shtruar… Edhe vet mundësia të mos e humbim Shqipërinë (duke jetuar në North-Amerika), është mesazh lirie.
Comentários