top of page

MË VJEN KEQ, ATA NUK E NJOHËN ZOTIN…!



NGA FARUK MYRTAJ



Iliriana Sulkuqi, poete shkruan: "Një intervistë e admirueshme, nga më të veçantat për t’u lexuar."


MË VJEN KEQ, ATA NUK E NJOHËN ZOTIN…!

- bisedë me këngëtaren dhe aktoren Justina Aliaj 2004

Faruk Myrtaj: Te ju bashkohet se gjithash thënia “Origjinaliteti është Vlerë”. S'ka njeri, i vetëdijesuar në vitet ''70 e më pas, gjer edhe sot e kësaj dite, të mos marrë frymë thellë kur përmendeni Ju. Zor se gjen kënd te mos di, të mos ndjejë e të mos u gëzohet vibracioneve të zërit Tuaj. A e dini Ju se s’mund t'ju harrojnë dot, as qëllimisht, madje as ata që ju lodhën ca…?!

Justina Aliaj: Ashtu është ne kujtimet e mbresat e mia njerwzit e mi, Shqipëria e mrekullueshme. Arti, mendoj, aq sa është një dhurate delikate për njerëzimin qe e ruan ne memorien dhe ndërgjegjen e vet, po aq është me te pa njohura, d.m.th s’ka se si te këtë një fund. Eshtë një privilegj i madh te jesh ne memorien e Kombit, sigurisht. Aftësitë qe Zoti m`i dhuroi, ia bëra dhurata popullit tim, me te bukurit ne ketë bote. I faleminderit Zotit. Nuk mund te shlyhen nga kujtesa ime njerëzit e arte, (shumicën e tyre nuk i njinja) qe ishin aq te sensibilizuar ne situatat që kalonja e që më mbanin me aq kurajo, dashuri e respekt. Në heshtje, te gjithë ishim te një mendimi.

Në se do ta njihnin Zotin, kurrë s’do kishin vepruar kundër meje aq keq, ata qe me ndëshkuan. Në radhë te parë, se s’mund të zhdukin talentin, sikur jo 18 vjet që më dënuan, por edhe 80 vjet (sikur te rronja). Me paralizuan daljen time ne skene, fizikisht, por thelle ne shpirtin tim ata nuk mund te hynin, qe te ma shkatërronin. Përkundrazi, thelle ne shpirtin tim unë akumulonja. Nuk ka si te jete ndryshe. Se dyti, një dite te bukur ne dolëm nga uji i përvëluar ku e hidhnim "vallen" sipas druve qe i futnin zjarrit por, për ata, mendja ma do qe nuk është e lehte. Mjafton te mendojnë se përvëluan gjithçka te vyer, qe atyre u mungonte, qe ata e kishin frike, e qe nuk e zhduken dot. Absolut është vetëm Zoti. Me vjen aq keq qe Zotin, ata nuk e njohën...

Faruk Myrtaj: Kur bëhet fjalë për emrat tuaj, të fillim/viteve '70, më kujtohet gjithnjë një poet turk, me poezinë "Ditët e bukura më morën më qafë"! Mos Ju...Stina dhe "dallëndyshet" e tjera të asaj fillim-stine, krejt pafajshëm, na morët më qafë edhe ne, ndjekësve tuaj, duke bërë që ne t'i besonim "prandverës" që jo më atëherë, por as sot e kësaj dite s’na ka ardhur?!

Justina Aliaj Sigurisht, është (edhe) ashtu siç thoni ju. Por, mos mendoni se edhe ju, sikur te ishit ne vendin tim, apo te kolegeve te mi, nuk do te na kishit marre ne "qafe". (Ne se mund te shprehem kështu) Është e pashmangshme koha qe ecën e nuk pyet, evoluimi, instinktet për te gjetur te bukuren. E bukura nuk njeh shtrije gjeografike. Padyshim ajo ekzistonte edhe ne vendin tim... Ne qe dilnim ne skene ishim nder me te dëmtuarit.

Spektatori dhe ne dëshironim te jetonim kohen, me tere koloret e saj, mrekullisht e donim te bukuren, deri ne pafajësi. Ndërsa, sistemi ishte diametralisht kundër se bukures. Bardh e Zi. Pa Pranvere... (sigurisht jo për vetë “Ata”) Gjahu i skenës ishte laboratori i tyre me i preferuar, gjer ne etje hienash: mbillnin epidemi me afate dekadash për të na infektuar keqas. Me tere kuptimin e këtyre fjalëve: ishim anemike deri ne asfiksi, të pa-ngrënë ne te gjitha aspektet e jetës.

E prape, ne ëndërronim Stinën e bukur te Pranverës, pa dashje duke gënjyer veten dhe ju...(Me pëlqeu gjetja juaj: Ju...Stina! Nuk ma kish thëne njeri.) Nuk kishte si te ishte ndryshe. Ne besuam se ishim lindur për skenën. Dhe që populli im, në jetë të jetëve, i pakrahasueshëm, vital, i zgjuar, i bukur, i afte ne te gjitha shkencat, i civilizuar, i pashoq dhe, mjerisht shume here…i pa-fat! E prapë, kam momente nostalgjie te se kaluarës. Grindem me veten:

MOS -i them vetes- NUK, NUK, NUK DUHET. Ti e dine mire se neper cfarë rrathësh ke kaluar. Mos e kthe kokën PRAPA. Ik, ik, ik larg...

Ja që nuk mundem, kam nostalgji. Sigurisht jo qellim ne vetvete. Dëshiroj te pajtohem me një thënie te francezeve: “N.q.se ti nuk ke nostalgji për të kaluarën, cilado qofte ajo, ti nuk ke as te ardhme.”

(midis bisede)

Faruk Myrtaj: E dashur Justinë! I mora të dy përgjigjet e para…Je si në këngë! Sigurisht, më kuptoni kur u shpreha "na morët më qafë"! Jo ju, por askush nuk merr më qafë kënd me gjëra të bukura! Pikërisht kjo është merita e Artit (të fjalës, të këngës, të penelit, të lojës skenike): të bën të ndjehesh i ndjeshëm! Lexova dikë së fundi: Artisti preket dhe fyhet më shpejt se kushdo, prandaj ai ka “të drejtën” të prek e të "fyej" këdo, si artist…!

Justina Aliaj

Zoti Faruk, Ju kërkoj shume ndjese. Kam qene shume e xanë. Mendonja se do te vazhdonja me herët te ju shkruanja, por nuk munda. Ju lutem, kini durim e me prisni te ju përgjigjem te tjerave. Do te mundohem te përshpejtohej sa te jete e mundur. Me shume respekt, Justina.

Faruk Myrtaj: Kam prirjen të besoj se shoqëria shqiptare ende nuk po e gjen dot veten, mbase ngaqë nuk po di te bisedojë me Veten. Sikur mungon përpjekja e pa-pushimtë për t'ju larguar Turmave dhe nxitimit në gjykimin, vlerësimin dhe krahasimin e vlerave në kohë. A e dimë ne kush keni qene Ju, të para/gjatë/dhe pas Festivalit të 11-te? A duhet pranuar si shterues vlerësimi që edhe më tej ai te quhet "Festivali pas Pleniumit te 4-t"?!

Justina Aliaj

Çdo kohe ka nxjerr ne pah anët pozitive te saj duke i hapur dritën e jeshile perspektives. Anët negative do ti quanja disballanca e pozitives. Është krejt e kuptueshme qe këto dy ane te medaljes, kane ekzistuar e do te ekzistojnë sa te jete Jeta dhe kudo. Ashtu sikurse ne një familje, qe jo te gjithë pjesëtarët funksionojnë njëlloj, apo bëjnë përpjekje njëlloj për ta ruajtur kompakte e te pastër familjen. Ashtu sikurse ne trupin e njeriut, kur zemra funksionon shkëlqyer por gjaku neper aorta ka filluar kolesterol… Ne fakt, është e thënë: në momentin që e gjen shkakun e se keqes, fillon përmirësimi. Por...(Ky "por" ne këto raste te mbyt. Hiç nuk e dua këtë lloj "por"-i) Fatkeqësisht nuk ndodh shpesh kështu.

Zoti Myrtaj, ju përmendet pak me larte: “mungon përpjekja e pa-pushimtë për t`ju larguar Turmave dhe nxitimit në gjykim”. Të mungoj përpjekja është një ane negative por, qe kjo te behet me qellim, është krim qe nuk kryhet fizikisht. Nuk është pak te vrasësh te Vërtetën.

Tani, pak për të qeshur: rreth viteve `89-90 e zhvillua një konkurs a festival. Unë u paraqita me këngën me te bukur te të lartit Tish Daija, "Mall për vendlindjen". Çmimi do tu jepte bazuar ne votat e Popullit. (Ne emër te Popullit!) Populli i Vërtetë votoi për këngën "Mall për vendlindjen", por..."ne emër te popullit" "fitoi" kënga "Për Partinë", (ha-ha-ha!)

Sa here është vrare Jeta, e Vërteta "Ne emër te popullit" te shkrete! Me rrëqethet trupi. Ndershmëria dhe kompetenca janë pika nevralgjike, pika kyçe e te gjykuarit. E lus te madhin Zot, se paku, kjo kohe te nxjerr njerëz te ndershëm e te afte për ta mprojtur identitetin e muzikës Shqiptare, e Artit Shqiptar, ndonëse shpesh here e shoh te përhumbur.

Ne vitet `70, Italia e humbi identitetin e muzikës se mirëfillte te saj. Por, ajo e ri-gjeti shpejt vetveten. Nuk jemi as te paret e as te fundit.

Veçse, t’ju them te vërteten, Zemra me dhemb kur edhe ne Shkodre Locen teme ndigjoj shpesh këngë me shume nuanca orientale. Muzika orientale me pëlqen, por ja që nuk është Jona, është e Tyre! Ne jemi AUTENTIKE ne gjithçka, e për gjithçka. As me te voglën nevoje ne nuk kemi qe te huazojmë.

Unë, bie fjala, do te ëndërronja te isha me e bukura ne bote (Marlyn Monroe), me e famshmja aktore (Al Pacino) dhe këngëtare (Arita Franklyn) ne bote, me e zgjuara ne bote (Einstein)...dhe, n.q.se do te me kërkonin te me quanin si ATA , kurrë nuk do te pranonja te isha kopja e dyte e Tyre, veçse Justina Aliaj e parë!

Ndonëse i adhuroj shume, kurrë, kurrë nuk bej kompromis me vetveten. E çmoj tejet Origjinalitetin. T’ju them te drejtën, nuk ia kam zilinë askujt. E di mire se ndonjë lexues është duke buzëqeshur. Por, të dashurit e mi, ne kemi një Zot mbi kryet tonë dhe përulemi me fisnikëri para Tij, e i falem nderës për aq aftësi sa na ka dhuruar.

Te hash inat me Zotin (siç e themi me gjuhen popullore) është një naivitet i pashoq dhe një humbje kohe qe s`kthehet me! Higjiena mendore është procesi me i rëndësishëm ne jetën e njeriut, është nena e te gjitha te mirave, për mua. ... Te pershendes Justina. ----------------------------------------------------------- Faruk Myrtaj:

Ka zëra të asaj kohe, midis jush, midis të ndëshkuarve për Festivalin, dhe më pas tij, që gati sa nuk thonë: ne nuk bëmë asgjë. ne s'kishim asnjë para-mendim, as-edhe-një-gjë për be! Ne thjesht kënduam…! Madje, ndokush prej tyre, në vitin 2003, në një promovim-kujtese për Festivalin, u shpreh se "masat ndëshkimore na bënë mirë. Ja, unë në Kukës gjeta gruan time!"

Justina Aliaj

Si Justina Aliaj, jam lindur ne Shkodër... Jam rritur tek "Arra e madhe". Kam nostalgji te jashtëzakonshme. Rrugica jone ishte plot Jete. Ishim shume fëmijë. Prindërit shkonin shume mire me njeri-tjetrin. Nuk kishte festa te mos gëzonim se bashku. Mbaj mend Pashkët. Nana jeme ngjyente një kosh te madh me veze dhe e linte ne mes te çardakut. Vinin miqtë e prindërve te mi, qe nuk ishin te njëjtës fe, dhe na uronin Pashkët. Gëzimi im ishte t`u jepja vezët tek po dilnin nga shtëpia. E njëjta gjë me prindërit e mi. Shkonin tek ata, t`i uronin Bajramin. Kishte dashuri, respekt, tolerance qe u trashëgua tek ne krejt natyrshëm. Gumëzhinte "mahalla” kur prindërit tanë luanin ''Arrash". Te qeshurat dhe të bërtiturat, kur nana jeme apo baba jem e gjuanin kocin (koci ishte një arre e madhe qe e hapnin, i hiqnin thelbat per te futur gurë te vegjël në të, që të rendonte, dhe e mbyllnin me zift apo me letër ngjitëse). Kur e gjuanin fort, rrezonin shume arra te "kundërshtarëve" e i fitonin te gjitha ato. Kur prindërit luanin me litar, mbaj mend nanat tona i kapnin fundet me kapsa rrobesh qe mos t’i shiheshin këmbët lart (ha,ha, ha!), edhe ajo kishte bukurinë e vet. Tërbohej mahalla nga te qarat tona cdo dite premte, kur nanat tona shkonin ne kinema me “5 lek film per gra” (ha,ha ha!) e ne qanim a s`qanim në krahët e baballarëve qe mundoheshin te na "gënjenin". Kur u piqte "kafja" u ndinte era edhe se kush po e pjek e nanat tona shkonin tek njëra-tjetra te pinin kafen e sapo bere. Mbaj mend nanen kur delte ne çardak, "tanë lezet", e i ftonte shoqet e saja: hajdeni se e kam vue xhezen (xhezven)! E mblidheshin secila me gjypner (shtiza)apo "qëndisna" (qëndisje). Oh, sa bukur na vishte nana, arit i kishte duart. Mund te kem qene 4 vjeç kur ne fëmijët do te vinim ne "skene" "Borëbardhën". Oborri im ishte i madh dhe aty u vue "Borëbardha". Motra jeme, Vera, qe ishte me e madhe se unë, luajti Borëbardhën. Unë lujta një nga xhuxhat. Sigurisht, çarçafët ishin një dekor me se i shkëlqyer. Kur u dha "premiera", mbaj mend qe "nxorëm" jashtë nga shtëpia prindërit tanë, sepse "hyrja" nuk ishte e lire por, me bileta. Nuk bënim "përjashtime". Bileta ishte 2 lekë…!

Unë organizonja edhe një loje tjetër: Kush i bën pozat me te bukura. Mblidheshim te gjithë fëmijët tek oborri im dhe, qe ne krye te mahallës dëgjoheshe thirrja-kush i ban pozat ma t`bukra nji, dyyyy, triiiiii. Edhe këtu do te vinin prindërit te na shihnin dhe na gjykonin pozat tona. Gëzimi im i madh ishte kur me thonin: “Te marrte dreqi moj Just, ku i gjen "njata"poza kaq te bukura...?!” Me siguri kjo është arsyeja qe unë gjithmonë kam pëlqyer fotografinë e sidomos te fotografoj te tjerët. Me pëlqen fotografia ne lëvizje, jo thjesht një fiksim se sa një domethënie. Kur këndonim i thonin nanës teme-Marije, shihe sa te bukur e ka zanin Justi e i ndihet mbi te tanë. Luanim kuzhinash, shitësesh...Oh, fëmijëria ime ishte e mbushur plot me kujtimet ma te "amla" ëmbla ... ............ (Faruk, tani po e lë me kaq, Do te shkruaj me vone. Falme te lutem.)

P.S I shkruaj per here te pare ne jeten time, dhe me pelqen ta bej keshtu per te dhene me vone rrokullisjen e te gjithave.

(vijon)

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page