top of page

Më thonë, pse shkruan?


Emine S.HOTI


Cikël me poezi nga Emine S. HOTI



Më thonë, pse shkruan?


Më thonë, pse shkruan, për çfarë shkruan?

U përgjigjem, s`shkruaj as për emër e lavdi,

Shkruaj thjesht për atdheun tim të shtrenjtë,

Me rrënjë të thella, me emrin e bukur Dardani.


Mendoj çdo çast për atdheun tim të dashur,

Më madhështorin në botë e dëshiroj,

Ndonëse jam larg, shumë larg në mërgim,

Si shqipja folenë, Dardaninë s`e harroj.


Dua që atdheu të jetë i begatë, i zhvilluar,

Gjithë qenia ime për të frymon dhe gëzon,

Vargje parreshtur për të unë do të shkruaj,

Jetën do të jap po qe nevoja që ta mbroj.


Bashkoj shkronjat shqipe si rreze diellore:

Gëzuar pavarësi! shkruaj me penë të artë,

Ia përcjellë me letër malli Dardanisë sime,

Urimin e zemrës sime, si pëllumb i bardhë.


Dardania ime


Eh, o Dardanija ime,

Me ty eci në jetë, me ty ëndërroj,

Ti je tokë e shenjtë shqiptarie,

Te rrënjët e tua marr frymë dhe jetoj.


Mos hidhni baltë!


Ju njerëz që hidhni baltë mbi tjerët,

Kotë e keni, balta një ditë pastrohet,

Vet natyra, shiu i qiellit e lanë krejt,

Errësira juaj, me dritë zëvendësohet.


Mjaft!


Të ngrihemi të gjithë në këmbë,

Mjaft, me krime e me vëllavrasje,

Mjaft, me urrejtje ndër shqiptarë,

Mjaft, me ligësi, dasi e përçarje!


Kam mall


Kam mall për fëmijërinë time,

Kam mall për atdheun, prindërit e mi,

Kam mall për çdo cep të vendlindjes sime,

Kam mall për ëndrrat që shija në fëmijëri e rini.


Kali im


Kam një kalë fisnik,

Kopshtit tim i jep jetë, e gjallëron,

Kur kalëron bëhet shumë i bukur,

Kur hingëllin kopshtin tim zbukuron.


E dua kalin unë dhe e tërë familja,

E ushqejmë, s`e pengojmë të jetë i lirë,

Le të bredh në pyje e nëpër lëndina,

Prapë tek ne kthehet me qejf e dëshirë.


Ai na shpërblen me ndihmesën e tij,

Na tregon se liria është jeta e vërtetë,

Na respekton, pranë nesh ndihet mirë,

Lirinë ai e do, ashtu si dhe ne vetë.

60 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page