top of page

“Më mir’ n’pyll se n’qytet”


Isuf Myzyri, “Artist i Popullit”

“Më mir’ n’pyll se n’qytet”

F. Terziu

Ndoshta pakkush e di se kënga “Më mir’ n’pyll se n’qytet” është një formë strofike e Myzyrit, nga origjinaliteti i së cilës janë frymëzuar mjaft kompozitorë shqiptarë në krijimtarinë e tyre. “Më mir’ n’pyll se n’qytet” është dhe një nga këngët që flet qartë për rolin e usta Isufit në drejtim të konsolidimit të formës së këngës popullore. Hyrja orkestrale e saj, që mbeti si një formë e përshtatur introduksioni më pas në të gjitha këngët e tij, thuajse interpretohet më gëzueshëm se kënga. Kjo këngë, ashtu si dhe këngët e tij, që janë të përbëra përgjithësisht nga strofa e refreni, ka dhe veçorinë e vetë të përsëritjes së refrenit dy herë. Kjo përsëritje refrenit tek “Më mir’ n’pyll se n’qytet” është marë si model edhe nga disa kompozitorë të tjerë shqiptarë. Kështu modelet e Myzyrit kanë qenë një qasje frymëzuese e dukshme dhe e padukshme në krijimtarinë muzikore shqiptare.

Isuf Myzyri, “Artist i Popullit” nuk i dha vetëm popullaritet këngës. Ai ngriti lart humorin, peshën emocionale, dashurinë, dëshirat për jetën në të gjithë hapësirën shqiptare. Ai ndikoi me këngët e tij tek të gjithë njerëzit e moshave të ndryshme. Dhe kështu këngët e tij u kënduan jo vetëm në Elbasan por kudo, ku këndohen edhe sot. Miku im, intelektuali Vesel Makolli, më thotë se ai e nis me këngët e Myzyrit mëngjesin e tij dhe dita natyrshëm i shkon mbarë. Me dhjetëra të tjerë ndjehen mirë kur dëgjojnë këngët e tij të rregjistruara e të kënduara nga “Artistja e Popullit” Maria Kraja, “Artistja e Merituar” Afsa Zyberi, “Artistja e Merituar” Fitnete Rexha, dhe mjaft të tjerë si vëllezërit Demir dhe Medi Zena, Zeliha Sina, Tahir Gurakuqi, Albert Tafani, Ismet Peja, Muhamet Jetishi, Xhavit Sadiku, Bardhul Kila, Qamili i Vogël, (i lindur Qamil Muhaxhiri), Shkëlzen Jetishi dhe Zenel Doli etj. Kështu jo më kot ai u quajt Usta!

Myzyri i largoi melizmat si ndikim oriental kur mundi, dhe i bëri si në rastin e “Më mir’ n’pyll se n’qytet” një model i qartë evitimi. Në një terren si Elbasani, ku këto ndikime ishin në masë, ai përdori kararin, sikurse shprehet “Artisti i Merituar” Mit’hat Stringa. Kështu Myzyri me stilin e tij përdori kompozimin në modet mazhore dhe minore, të quajtura ndryshe armonike dhe melodike, kur ai solli në vëmendje këngën tashmë mbarëkombëtare, “Më mir’ n’pyll se n’qytet”. Në disa raste ai iu vërvit formës diatonike popullore, pra, asaj deriane me kadencë frigjiane. Në kontekstin e përsëritjes së refrenit tek “Më mir’ n’pyll se n’qytet” ai përdori drejtëpërdrejt modet frigjiane mikrolidiane.

Kur e dëgjojmë këngën “Më mir’ n’pyll se n’qytet”, që në strofën e parë: “Ma mirë n’pyll se në qytet/Na të dy atje të rrnojmë,/Atje njeri s’na gërget/Të ambël jetën ta çojmë.” Ndjejmë përdorimin e ritmit popullor tradicional me faktura, që sa nis e zhvillohet në dëgjimin tonë i jep më shumë e më shumë freski këngës. Tek “Më mir’ n’pyll se n’qytet” ai përdori 7/8-shin dhe 5/8-shin si arsye më e mirë kombinuese që e bën melosin e mesazhit muzikor dhe tekstor të funksionojë si një arsye e plotë: “Ç’ju lutëm Zotit na e dha/Nuk ka tjetër lumtuni/Nji kasolle mblu me kashtë/Të rrnojmë në mal si bari./Kur hup rrugën nji njeri/‘Gjitha brengat i mendon/Shok i bâhet nji bâri/Hajde sonte n’kasollën tonë./Zoti ju dhashtë bujari/Që s’e lat udh’tarin jasht’/Buk’ e meze dhe raki/Në kasollën mblu me kashtë./Bariu mikun e pret/Edhe fyllit duke i râ/Zakone t’vjetra i rrëfen/Se k’shtu gjyshnat na i kan’ lan.” (Isuf Myzyri; 1881-1956) Në pak raste ai vjen me adlibitum.

Këngët që pasojnë me vrull “Më mir’ n’pyll se n’qytet” si “Errësir e pylli”, “Dashnia si rrufe” apo “Midis vetllash ke një pikë” tregojnë më së miri për karakterin melodik e optimist të këngëve të tij. Kjo i bën ato më së shumti të pavdekshme edhe në ditët tona.

@copyright

256 views6 comments

6 Comments


Bukurosh Dylgjeri

Urime për shkrimin, kushtuar mjeshtrit të kangës qytetare elbasanase, Isuf Myzyri!

(Mâ mir' n'pyll se n'qytet):)

Kângët e I. Myzyrit ishin kryesisht të karakterit lirik, ndonëse kompozicion oriental. Shumica e tyre - të ndikuara nga mjedisi fetar bektashian - ato ishin të llojit 'ilahi', por nuk mungonin edhe format e tjera të hareshme. si: peshrefe, gazele etj. Ai nuk e frekuentoi mjedisin sunnit që karkterizohej nga 'mevludi', i cili përngjason me baladën). Përgjithësisht, artistët janë krijues që shprehin iluzionin e tyre.


Shumë njerëz janë marrë studimin dhe sistemimin e kangëve të I. Myzyrit, sa që disa prej tyre gabimisht kanë krijuar tollovi. Më i sakti prej tyre, mendoj që është folkloristi i madh Qemal Haxhihasani.

Like

Muça Vladimir

Një ripërtëritje akademike e folkut në trashëgiminë muzikore në këtë absurd të tallavasë kontribut në muzikologjinë shqiptare nër shekuj

Like

Perparim Hysi

MBRETI I KËNGËVE TË SHQIPËRISË SË MESME!

Like

Refat Xhina

Kèngèt e Isuf Myzyrit jane futur ne perjetesine e memorjes kulturore te qytetit te Elbasanit. I perjetshem qofte edhe kujtimi i kompozitorit,kantautorit,krijuesit te kanges sè tabanit elbasanas

Like

Artemisi Gjini

Me mire pyll se në qytet E mrekullueshme

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page