MË JEPNI ATDHEUN
Nga Vasil Tabaku
Oh, më ktheni Atdheun
Mua mërgimtarit me zë prej lotësh
Endur I vetëm
Nëpër rrugët e acarta të botës…
Si mund të ma merrni
Si mund të më lini pa dheun dhe gurët
Ku janë format e gjunjëve të mi të vrarë
Në fëmijërinë e varfër…
Si mund të më lini
Pa ajrin e ëmbël
Pa shiun e cicërimave të zogjëve
Pa strehën e varur të shtëpisë ku linda
Pa qiejt e thellë si humnera të kaltëra
Ku humbin kryet e maleve të mia….
Më thoni, a mund të harrohen
Varret e heshtur si dhimbja
Dhe horizontet
Ku është burgosur brenga ime prej shiu…
Më jepni Atdheun
Mos ma rrëmbeni puthjen e parë
Harruar mbi degët e zambakëve të bardhë
Buzëqeshjen time
Të rënë mbi lëndinat si vesë yjesh
Më ktheni zërin e ngazëllyer të nënës
Vështrimin e saj
Varur si një shall I kaltër në cep të diellit
Dhe buzët e përflakura të vajzës
Derdhur mbi trendafilat e kuq…
Mund të më lini pa emër,
Mund të më rrëmbeni fjalën
Mund të më lini pa puthjen e fshehtë
Pa drithërimat tronditëse
Mund të cngjyroni të gjitha lulet
Mund të thani të gjithë lumenjtë
Por asnjëherë, asnjëherë, jo asnjëherë
Mos më shëndrroni
Në një fantazëm shëtitese pa Atdhe…
Oh, më ktheni Atdheun
Jepini zemrës sime dritën e Shqipërisë
Mos më lini të endem larg si endacak
Zbathur nëpër thngjijtë e ndezur të mallit
Më ktheni Atdheun
Ju që më vrat ëndërrat
Dhe të nesërmen time
E shëndrruat në një muzg pa shpresë
Unë jam liria e këngës së erërave
Nëpër qiejt e trazuar të vendit tim
Jam harku rrebel I vetëtimës
Që rri si kurorë mbi floket e sime bije
Ju thash
Më jepni Atdheun
Më jepni djepin e jetës
Dhe buzëqeshjen e diellit
Pa Shqipërinë,
unë nuk jam Atdheu
Pa Atdheun
unë nuk jam Shqipëria…
Tiranë nëntor 2019
Comments