top of page

Më e lehtë të nisësh një luftë sesa t'i japësh fund


Lufta Rusi – Ukrainë:

Më e lehtë të nisësh një luftë sesa t'i japësh fund



Në vend të hyrjes


Që kur Vladimir Putin urdhëroi tanket e tij përtej kufirit ukrainas në shkurt, pak kanë shkuar sipas planit të tij. Blitzkrieg i Rusisë dështoi dhe konflikti u bllokua në muajt e ngërçit të rëndë përpara se Ukraina të niste kundërofensiva të suksesshme në lindje dhe jug. Rezultati i luftës mbetet shumë i pasigurt dhe tashme Putin është nën presion. Deklarata e tij e dëshpëruar e "mobilizimit të pjesshëm" çoi në protesta në të gjithë Rusinë dhe aneksimi i parregullt dhe i paligjshëm i katër provincave të Ukrainës rezultoi në zemërimin ndërkombëtar.


Kthimi pas


Duke u kthyer pas, pamë se në 26 korrik, Komisioni Evropian njoftoi mbi një marrëveshje gazi i cili kishte si qëllim të tregonte vendosmërinë e vazhdueshme të vendeve anëtare kundrejtë Rusinë.

Marrëveshja parashikonte që shtetet e BE-së do të reduktojnë konsumin e gazit me 15 % midis gushtit dhe marsit, duke ndihmuar kështu në parandalimin e një krize në dimër duke treguar solidaritet dhe duke kufizuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar furnizimin me energji të Evropës. Në sipërfaqe, ishte një demonstrim i mëtejshëm i frontit të unifikuar që kontinenti ka mbajtur kryesisht që nga fillimi i luftës, por në realitet, shkurtimet janë vullnetare dhe shumë shtete individuale vënë në pikëpyetje se sa kuptimplotë do të jetë marrëveshja, veçanërisht kur mungesa e gazit do të prekë disa më shumë se të tjerët.

Tetë muaj pas sulmit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, ka shenja se Evropa po përpiqet të qëndrojë në rrugën e një lufte gjithnjë e më të kushtueshme. Me rritjen e inflacionit, një krizë energjetike në përshkallëzim dhe kërcënimin e recesionit në rritje, liderët evropianë janë bërë më të zëshëm në lidhje me pasojat socio-ekonomike të konfliktit dhe efektet e tij politike dhe gjeopolitike. Ndërkohë, nën shfaqjen e jashtme të konsensusit po ziejnë tensionet se si duhet të trajtohet lufta. Gjermania, po “zvarritet” për dërgesat e premtuara të armëve në Ukrainë. Në Itali, me kryeministren e re Giorgia Meloni ka një kundërshtim politik në rritje ndaj mbështetjes ushtarake për Kievin midis partive populiste të vendit. Megjithëse pesë paketa sanksionesh u miratuan me shpejtësi rrufeje, evropianët kaluan javë duke u grindur mbi një paketë të gjashtë që synonte naftën ruse, paketë e cila u mbajt peng nga kryeministri hungarez Viktor Orban.


Përtej sfidave


Mes këtyre sfidave, lind një pyetje më e madhe, se sa kohë mund të mbahet uniteti evropian për luftën dhe çfarë mund të shkaktojë kolapsin e saj. Në fakt, kërcënimi më i madh për koalicionin evropian mund të mos jetë mungesa e përparimit në përfundimin e dhunës së shtuar në Ukrainë, siç ka ndodhur deri më tani, por një qetësi krahasuese në konflikt, që mund të lejojë Moskën të joshë një pjesë të shteteve të BE-së të bëjnë presion ndaj Kievit për të bërë lëshime, veçanërisht nëse kriza energjitike vazhdon të përkeqësohet. Në mënyrë paradoksale, duke iu dorëzuar iluzionit të paqes, Evropa dhe Perëndimi mund të përfundojnë duke e zgjatur luftën në kurriz të të gjithëve.

Akoma më shqetësuese për Evropën është rikthimi i përçarjeve të vjetra gjeopolitike. Së pari është ndarja në rritje midis lindjes dhe perëndimit, me shtetet në kufi me Ukrainën, si vendet baltike dhe Polonia, që bëjnë thirrje për drejtësi nëpërmjet sanksioneve dhe mbështetjes së fuqishme ushtarake për Ukrainën, dhe shtetet në Evropën Perëndimore, si Franca, Gjermania, dhe Italia, të prirur drejt kompromisit me Rusinë. Ndërsa krizat energjetike dhe ekonomike thellohen, vendet që janë më larg vijës së frontit kanë më shumë gjasa të ndërmarin hapa për për zvarritjen e veprimatarive ushtarake. Udhëheqësit e Evropës Lindore, megjithëse vendet e tyre po vuajnë gjithashtu nga pasojat ekonomike, ndoshta do të mbeten të vendosur në bindjen e tyre se paqja është e mundur vetëm kur Ukraina të ketë dëbuar forcat ruse nga territori i saj dhe presidenti rus Vladimir Putin të jetë mbajtur përgjegjës për agresionin e tij.

Ndarja e dytë është ajo veri-jug, një ndarje që pothuajse e copëtoi eurozonën gjatë krizës së borxhit sovran një dekadë më parë. Me mundësinë afatshkurtër të recesionit, dhe ndoshta edhe të stagflacionit (i cili është një cikël ekonomik i karakterizuar nga një rritje e ngadaltë dhe një normë e lartë papunësie e shoqëruar me inflacion), diferenca në kostot e huamarrjes midis vendeve anëtare të BE-së veriore dhe jugore - veçanërisht midis Gjermanisë dhe Italisë - po rritet. Franca, Spanja dhe Italia, të cilat kanë më pak hapësirë ​​për manovra fiskale për t'u përballur me recesionin, po bëjnë thirrje për një iniciativë të re nga Brukseli për të plotësuar fondin e rimëkëmbjes pas pandemisë të Evropës dhe për të ndihmuar në përballimin e kostove ekonomike të luftës, përfshirë ato të shtrenjta si tranzicionin e energjisë. Këtë herë, megjithatë, Gjermania, e cila ka parë çmimet e saj të energjisë të trefishuara dhe, për shkak të varësisë së saj të madhe nga gazi rus, është shumë më e ekspozuar ndaj shantazhit energjetik të Rusisë se shumë anëtarë të tjerë, ka më pak gjasa të mbështesë një lëvizje të tillë.


Ana tjetër


Nga ana tjetër, Moska është e vetëdijshme se sanksionet po i shkaktojnë dëme kolosale Rusisë. Putini e ka pranuar këtë edhe në publik. Kremlini e di gjithashtu se dëmi do të rritet me kalimin e kohës. Për momentin, megjithëse shkëputja e energjisë midis Evropës dhe Rusisë ka çuar në krizën më të mprehtë energjetike që nga embargoja e naftës në vitin 1973, Rusia është e kënaqur me çmimet e larta të naftës dhe gazit. Ndërkohë që Evropa largohet nga lëndët djegëse fosile ruse – duke diversifikuar burimet e saj të energjisë dhe duke rritur kalimin e saj drejt energjisë së pastër – ajo përfundimisht do të dalë më e fortë nga kjo krizë. Në të kundërt, megjithë lidhjet e reja, shumë të lavdëruara të Moskës me Pekinin, do të duhen vite që Kina të zëvendësojë Evropën si një treg për hidrokarburet ruse dhe për një sërë arsyesh, Kina ka shumë pak gjasa të jetë aq fitimprurëse për Moskën sa ka qenë Evropa.

Nëse Rusia vazhdon fushatën e mizorive dhe shkatërrimit që ka karakterizuar tetë muajt e fundit, udhëheqësit evropianë mund të mbështeten te Putini për t'i mbajtur ata të bashkuar. Pavarësisht krizës energjetike dhe dhimbjes ekonomike që ka shkaktuar, si dhe tensioneve politike dhe gjeopolitike që këto do të sjellin, evropianët nuk kanë gjasa të largohen nga një Ukrainë e përgjakur.

Tashmë, disa agjenci perëndimore të inteligjencës besojnë se Rusia po përballon një çmim shumë të lartë ushtarak për luftën e saj, si në aspektin e pajisjeve ashtu edhe të viktimave. CIA dhe MI6 vlerësojnë se mbi 15,000 ushtarë rusë kanë vdekur që nga 24 shkurti. Këto humbje ka të ngjarë të rriten pasi forcat ukrainase marrin armë perëndimore të shkallës më të lartë. Kjo nuk do të thotë se qëllimet e Kremlinit kanë ndryshuar, megjithatë, ndjekja e një projekti ideologjik nuk pengohet lehtë dhe një lider që e krahason veten me Pjetrin e Madh nuk ka gjasa të kënaqet me disa përfitime territoriale në Donbas.


Rreziku më i madh


Rreziku më i madh me të cilin përballen liderët evropianë është një i fshehur: nëse operacionet ruse në Ukrainë pakësohen dhe Moska fillon të lë të kuptohet për një lloj kompromisi ose armëpushimi, evropianët mund të bien në një kurth. Një perspektivë e tillë, megjithëse do të paraqitej si një mundësi për t'u kapur, ka të ngjarë të ishte një kërcënim tinëzar. Për Moskën, ajo thjesht do të shërbente si një mënyrë për të fituar kohë për t'u përgatitur për raundin tjetër të luftimeve, disa muaj më vonë, dhe nëse disa vende e mbështesin një hap të tillë, ai mund të ndajë më tej Evropën, edhe ndërkohë të ndihmoj Kremlinin të zgjaste luftën. Tundimi për të kërkuar armëpushim me Rusinë do të ishte i fortë, veçanërisht duke pasur parasysh se ka të ngjarë të ndodhë në një kohë të presioneve sociale, ekonomike, politike dhe gjeopolitike në rritje për të gjithë kontinentin. Nëse një reduktim i dhunës në Ukrainë përkon me një krizë energjetike në rritje në Evropë, kjo mund t'i shtyjë liderët evropianë jo vetëm të debatojnë dhe të ankohen, por të ndahen krejtësisht.


Konkluzion


Putini beson se elasticiteti ka të bëjë vetëm me qëndrueshmërinë e dhimbjes dhe se demokracitë liberale – në radhë të parë ato evropiane perëndimore – janë thjesht shumë të dobëta në udhëheqje dhe nuk kanë atë që duhet për ta pritur atë. Në të kundërt, evropianët kanë treguar se besojnë se elasticiteti nuk ka të bëjë vetëm me rezistimin ndaj dhimbjes, por me aftësinë për t'u përshtatur, për të reaguar dhe për t'u rikthyer nga kriza.

Rruga e Evropës përmes krizave të saj serike gjatë dekadave të fundit – duke përfshirë krizën e borxhit sovran, migracionin, Brexit-in dhe pandeminë COVID-19 – tregojnë pikërisht këtë. Lufta e Ukrainës dhe mënyra se si ajo do të testojë mbrojtjen, ekonomitë dhe sistemet energjetike të Evropës, si dhe strukturën sociale të rendit të saj demokratik, mund të jetë prova më e vështirë nga të gjitha.

91 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page