top of page

Myrtaj, është tej e tej letërsi parësore

Updated: Dec 28, 2019


Dr Fatmir Terziu

Myrtaj, është tej e tej letërsi parësore

Dr Fatmir Terziu


Për të hyrë thellë në filozofinë e tregimit të shkurtër të shkrimtarit Faruk Myrtaj tek “Natyra ka rënë” (Milosao; 2016), duhet patjetër të zbërthesh tërë dimensionin metafizik se “natyra ka humbur kuptimin e saj”. Për të zgjidhur më lehtë këtë zbërthim duhet të kuptosh ndryshimet ndërgjegjësore, që njeriu duhet ti ri-imagjinojë në të gjithë marrëdhënien e tij me botën njerëzore dhe jo njerëzore. Ashtu si personazhi Myrtyan i vetë “Natyra ka rënë”, ku mosha nuk flet vetëm, por qas eshtra-bardhësi, thatimitet, si degë bredhi të bardhë, ku frika mistershëm fryn e ajo ekzistenca e mëdyshjes të bën të ndjesh, se ato kocka mund të bëjnë “krrak” ose mund t’ia shpallin një “krrtap” për diku tutje.

Dhe këtu Farruku, me kapelen tipike të qasjes pos ndërtesës shumëkatëshe, natyrisht njeriu real me ndërgjegje, që ndjen më shumë se sa thyerrja e eshtrave, moshën e fisnikëruar të paqtimit me tërë botët, kalon tek njerëzorja, admirimi human mes detyrës, ndihma dhe përkushtimi ku dheu është një sarmë modeli dhe farmak jete që prodhohet pikërisht nga tuneli, ku kalon jeta e aspiruar që në Bibël si azilante dhe ku dheu padyshim nuk është më thjesht dhe, por një qasje për të kuptuar se edhe “dheu i kësaj lulishteje është sjellë prej pronarit të pallatit, është pronë e tij…”

E kjo ndodh në Kanada, aty ku shkrimtari flet në përditësinë e tij me gjuhën globale dhe shkruan në kohë të lirë me gjuhën e bukur shqipe, me atë që radhë kush mund ta ketë këtë fat që ka Faruku i letrave shqipe.


Bota ka ndryshesën e saj


Në këtë “dramë’ të jetës azilante, të së tërës që prej librit të Shenjtë, njerëzit dikur ishin një specie mjaft mesatare e gjitarëve të mëdhenj, duke jetuar jashtë vendit me pak efekt në të. Por në mijëvjeçarët e fundit, marrëdhënia e njeriut me botën natyrore ka ndryshuar aq dramatikisht sa vetë perceptimi ynë për të. E ky perceptim shkon më tej, depërton mjaft lehtë kur lexon “midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit” ku Myrtaj, natyrisht shkruan e qëndis fate, jo thjesht të vetin, si eksperiment, apo se tani ka mbi 7 miliardë njerëz në këtë planet, duke pirë ujin e planetit, duke mësuar gjuhën e shkruar e të diktuar, duke harruar gjuhën e nënës, duke ngrënë bimët dhe kafshët e rruzullit, dhe duke minieruar materialet e kesaj bote të para për të ndërtuar dhe fuqizuar mjetet tona.

Këto aktivitete të përditshme mund të duken të parëndësishme nga perspektiva e çdo individi, por të bashkuara së bashku, ata premtojnë të lënë gjurmë të qëndrueshme në Tokë, ndaj ndoshta jo më kot praktika dhe teoria nënqeshëjen e Farukut e zbrazin tek “Anglishtja pa mësues” apo “Si të flisni anglisht pas 66 ditësh”. Fuqia njerëzore tani është në kërkim të përditësisë, në gjeologji dhe nëse duam të shmangim një rrëmujë të kësaj, shtëpisë sonë të vetme, politika jonë duhet të arrijë të kuptojë se “Natyra ka rënë” dhe se ndërgjegjja mbetet e vdekur pa ndonjë varr në këtë natyrë të trullosur. Por kuptohet qartë, dhe këtë Myrtaj e di, se anglishtja e arritur nuk mjafton, por duhet jetuar, ashtu sikurse marrja e këtij ndryshimi do të kërkojë një ndryshim radikal në mënyrën se si ne mendojmë për marrëdhënien tonë me botën natyrore. Kjo mund të tingëllojë si shkak për dëshpërim.


Dritë për mjedisin e verbuar


Në fund të fundit, shumë njerëz refuzojnë të pranojnë se kriza mjedisore si ndryshimi i perceptimit të ndërgjegjes së njeriut ekziston fare. Por, ndërsa Faruk Myrtaj na kujton në librin e tij të ri se njeriu është dhe mbetet në një mjedis të verbuar, pas Natyrës, marrëdhënia jonë me botën jo njerëzore është treguar fleksibile me kalimin e kohës. Njerëzit e kanë imagjinuar natyrën në shumë mënyra të ndryshme nëpër histori, duke mos harruar se sot e kanë më të vëstirë ta imagjinojnë më atë. Natyra ka humbur kuptimin e saj.

Dhe nëse doni ta vërtetoni këtë, lirshmëria e leximit dhe rileximit të “Babai fshihet dalëngadalë”; “Diçka e shpëtuar në varkën e Noes”; “Mongolë që vijnë e vdesin në Amerikë”; “Mënëfundja e një jete”; “Vetëm për të ndershmit”; apo dhe tek “Plakat e Nobelit”, do të ju delegojë lirshëm tek fakti se kohët më të fundit, njerëzit kanë marrë një pamje ekologjike të botës natyrore, duke e parë atë si një lidhje të ndërvarur, duke e tejkaluar vetë perceptimin e duke mos folur më për fatin jetik por për rezonancën groteske idiomatike dhe alegorike: “Po Ti, kush je Ti”. Tek kjo groteskë, më qartë tek kjo idiotësi njerëzore, premisa kryesore këtu është se asgjë nuk është e izoluar, bota është një rrjet i sistemeve të përhapura, kështu që ajo që del nga një tymore mund të udhëtojë përmes erës, shiut, ujërave nëntokësore dhe tokës dhe të përfundojë në mish, sikurse ndotja globale dhe atmosfrerike, që duket përtej baladës së humorit. Antropoceni, ose mosha e njerëzve është në disa mënyra, një shtrirje logjike e kësaj pikëpamjeje, tek e cila filzofia e tregimit të pjekur të shkrimtarit Faruk Myrtaj flet me një zë të qartë, të bukur, të dëshirueshëm e të lexueshëm me një ndjesi të mirëfilltë. Është tej e tej letërsi.


Konkluzion


Jo më kot Agim Mato, botuesi i vëllimit "Ndershmëria vetëm" dhe pronari i “Milosao” shprehet: “Me tregimet e këtij vëllimi Faruku vazhdon ta rendisë veten ndër autorët më të spikatur të brezit të vet. Stili energjk i konsoliduar tashmë mban një stof të qepur nga një mjeshtër i fjalës shqipe, të mençur e me merak. Të 15 tregimet që i vendosin ngjarjet në ambiente dhe kohë të ndryshme, janë të mbushur me karaktere që për herë të parë i hasim në letërsinë shqipe.

Të bie në sy tregimi “Mongolë që shkojnë e vdesin në Amerikë”, “Plakat e nobelit”, “Atë orë të fundit muzike” e deri te “Kur njeriu e rrëfen dashurinë e tij si të bletëve” që tingëllon si një poemë gati filosofike për dashurinë. Në bazë të saj është sakrifica sublime e mbretëreshës së bletëve me bletakun e zgjedhur prej saj. Autori thotë: “Të dashurosh është thjeshtë provë vyrtyti”, apo “Të dashurosh do të thotë të jesh syzgjuar përgjatë ëndrrës”. Ndërsa ne themi të dashurohesh me prozën e shkurtër të shkruar e dalë nga filozofia e Faruk Myrtajt, është privilegj, jo thjesht i lexuesit, por i letrave shqipe.





38 views3 comments

3 commenti


Minush Hoxha Here-here, menyra e te shkruarit dhe trajtimi i poentes nga nje autor, jane te tilla, sa qe, lexuesi rropatet per te dal tek kuptimi. Atehere, vie me nderhyrje analisti, eseisti, kritiku /keto z. Fatmir Terziu/ te rrok lehte nga krahu dhe te shpie nga mesyjtja e arritjes. Atehere te vie me e plote ne mendje ajo per te cilen rropatesh dhe, tashme i kenaqur, je i qete dhe me i plote per nje veper. E kete rol me fare marifet di ta loz z. Terziu, ketu dhe ne shume raste te tjera tek ia del per bukuri.

Mi piace

Timo Merkuri Vertet Myrtaj eshte letersi paresore e vertete dhe e kerkueshme si drita. Urime Fatmir Terziu.

Mi piace

Perparim Hysi: Në kritikë,je "dorë e parë" FARUKU është safi ar!

Mi piace

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page