MUZIKË QË PIKON
NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
- Koncert recital në Teatrin e Kolegjit
në Oglesby, Chicago -
E mrekullueshme mbrëmja muzikore e koncertit recital të fëmijëve shqiptarë në SHBA, Edicioni i 10-të i AMA-s në Teatrin “Cultural Center - Illinois Valley College Oglesby…”
Më shumë se projektorët e skenës ndrisnin fytyrat e vogëlusheve dhe vogëlushëve. Muzika sikur nuk rridhte nga pianoja, por pikonte nga gishtrinjtë e tyre.
Veprimtarinë e organizonte Shoqata “Uskana”, emri i vjetër ilir i Kërçovës dhe të gjithë artistët, nxënës dhe studentë, prej andej ishin, edhe mësuesit dhe pedagogët e tyre, profesorë të muzikës, edhe rektori prej andej ishte. Kërçova! Sa të bashkuar në shtetin Illinois, jo vetëm me gjuhën dhe traditat, por me dashurinë midis tyre.
Kisha vajtur me dy miqtë e mi, me Taipin, “Coach” dhe Doktor Xhabirin, shkruan dhe poezi, kërçovarë të dy.
Fjalën e hapjes së recitalit e mbajti Lirim Neziri - PhD dhe përshëndeti Kryetari i Shoqatës “Uskana” Dr. Luan Elezi, MD. Dhe ngjiteshin me radhë në skenë fëmijët e bukur, shih, ç’emra me dritë, si me peizazhe shqiptare: Hana, Vesa, Selvie, Endrit, Alma, Andrra, si ëndërr ishte, Dren, Albina, Bubulina, Besarta, por dhe Bekim, Shpëtim, edhe Xhemail, Adem, Eliona, Leona, Ariana, Laert… Himni Kombëtar në fillim, pastaj dhe Bach, “Toccata in D Minor”, Feim Ibrahimi “Rrjedh në këngë dhe ligjërime”, popullore shqiptare, daullja e Tropojës, “River Flows in You”, klarinetë, Cyrille Rose, Prof. Ismail Mehmeti - një leksion të shkurtër me klarinetë për Kabanë, kërkoi të vinte në skenë dhe një pianist, albumi “Agoj” nga Vasil Tole, çifteli, lule, Beethoven “Moonlight”… çertifikat që i shpërndanë mes duartrokitjeve… Nga Kêrçova janë vërtet apo nga…? “Recitali AMA edhe një herë dëshmoi misionin e vet në përmbushjen e zhvillimit dhe ruajtjes së vlerave kulturore të traditës sonë, folklorit në përgjithësi si pjesë e artit të përgjithshëm botëror… - lexova prapë në libretin e Koncertit. - Ndaj artistët tanë demonstruan shkathtësi dhe dije… Përtej kësaj, virtuozët tanë dëshmuan edhe një herë se e njohin dhe e luajnë shkëlqyeshëm edhe muzikën klasike, edhe atë moderne…”. Se mos janë nga Parisi, nga Çikago? “…Për të gjitha këto tufa mrekullishë përzemërsisht falenderime para së gjithash nxënësve, prindërve dhe atyre që ndihmuan në përgatitjen, organizimin… - vinte zëri nga skena, - faleminderit të pranishmëve…” Dhe u tha se mes “mysafirëve” ishin dhe luftëtari i njohur në radhët e UÇK~së, sot zv. drejtor i agjensionit të mërgatës në Maqedoninë e Veriut, z. Izmit Nura, Konsulli gjeneral këtu në Chicago, Petrit Musliun, dhe nga Tirana poeti dhe diplomati dhe…
Ç’donte të më dhuronte ashtu luftëtari i UÇK-së? Tani libra, veç me libra… botime të reja shqip të Shkupit… Dhe pastaj darka e shtruar nga biznesmenë kërçovarë.
Kur kthehshim natën, rrugët e Chicagos po më dukeshin si pentagrame dhe dritat si nota muzikore me hënën Betohveniane në xhama. Dhe po bisedonim për mrekullinë e fëmijëve tanë, sa virtuozë, të bukur të gjithë, folën shqip, kënduan shqip, i perqafuam shqip, ata të gjithë ishin të shkëlqyer dhe në anglisht, është gjuha e shkollës, e jetës së tyre, por dhe shqipja, edhe pse e një populli të pakët, është gjuhë e vjetër, pasuri e mbarë njerëzimit, ndër 10-11 gjuhët më të rëndësishme në botë, sipas shkencëtarëve-linguistikë dhe ata që duhet ta ruajnë më shumë këtë thesar, që e kanë detyrë, jemi ne, shqiptarët. Dhe pastaj po dëgjoja prapë për “Uskanën”, sa e kishte ndihmuar luftën e Kosovës dhe çështjen kombëtare, e lidhur me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, së pari e lidhur me vetveten, po rimëkëmbej pas pandemisë globale, por kujdes, ka dhe pandemi të tjera, përçarjet, mbyllja, prapaskenat, egoizmat banale dhe korrupsioni, degët e përgjumura që i zgjon interesi i vobektë, ju jeni shembull i hapjes dhe i perkushtimit, me kulturë dhe koncerti sonte prandaj quhej “Ama”, thashë unë, që do të thotë burim, mëmësi, të mos harrohen trojet amë... Atdheu t’i mbajë hapur dyert për bijtë dhe bijat e ikur dhe për bijtë e bijat e tyre, që shkollohen në universitetet e njohura nëpër metropolet e shkencës, të kulturës dhe sociologjisë, ata nuk janë braktisje dhe harrim, por zgjerim i atdheut, janë copa të gjalla Shqipërie nëpër botë që do të sjellin botë në dheun amë… kështu thoshte im bir, Atjoni, kur ishte student në Milano, ndërkohë dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian (E.Y.P).
Pallatet po më ngjanin si piano të mëdha nate. Ishim mbushur me muzikë përmallimi dhe dashurie…
Visar Zhiti
Kommentare