Musa Shehzade, heroi i vrarë dhe i zhdukur, pa shenj as varr
(1870–1945)
Një shërbyes fetar me gjithë punën që bënë, nuk mund dhe nuk duhet të quhet "shenjtë", nëse ai nuk është atdhetar! At Shtjefën Gjeçi
Në kujtim të kryetarit të parë të qytetit të Prizrenit dhe të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Musa Shehzades prijësit të luftës për çlirim kombëtar nga otomanët, e heroit të popullit i cili një jetë të tërë, u vu në shërbim të atdheut, shqiptarizmit dhe çështjes tonë të shenjtë kombëtare.
Musa Shehzade u lind më 1870 në Gjakovë, ndërsa i ati i tij, sheh Hyseni ishte me origjinë nga Bushatlinjët e Shkodrës, i lindur dhe i rritur po atje, i cili më vonë, bashkë me familje, do të vendosej në Gjakovë.
Duhet cekur që në fillim me shumë respekt, se shumë figura të shquara bektashiane, gjithmonë mbajtën në ballë Flamurin Kombëtar dhe përherë, prioritet të jetës dhe veprës së tyre, patën çështjen kombëtare, për të cilën, flijuan edhe veten.
I tillë ishte edhe heroi Musa Shehzade ish udhëheqës i shquar popullor, idealist i përbetuar i çështjes shqiptare, deputet i Prizrenit me rrethinë në parlamentin e Perandorisë otomane, organizator dhe prijës i luftës në periudhën e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Ishte prefekti i parë i Prizrenit më 1941 dhe kryetar i zgjedhur i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që nga dita e ri-themelimit, më 18 shtator të vitit 1943,në vatrën e saj në Prizren.
Ky ishte, me pak fjalë, heroi i kombit Musa Shehzade!
Mësimet fillestare ai i mori në vendlindje, për ti vijuar ato më pastaj në qytetin e bukur të Prizrenit, ndërsa studimet i mbaroi në Stamboll.
Pas përfundimit të studimeve, Musa Shehzade u kthye serish në Prizren dhe në Lagjen Marash të këtij qyteti historik, ndërtoi objektin e kultit bektashi, të mirënjohur që nga fillimi, për qëndrimin e paluhatshëm kombëtar, duke mbajtur gjithmonë Flamurin Kombëtar në ballë dhe mbetur përherë derëhapur e sofërshtruar për udhëheqësit kryesor dhe përfaqësuesit më të shquar të çështjes kombëtare shqiptare.
Fenomen i cili zgjati gjatë gjithë kohës, që nga fillimi i kryengritjeve të para për liri e deri te çlirimi i përhershëm i vendit më 1912 nga robëria otomane dhe dëbimi i përkohshëm i okupatorit serb, në vitet 941-1945, kur edhe u hapën shkollat e para në gjuhën shqipe gjithandej.
Pas formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit u ndërmorën edhe të gjitha masat diplomatike, administrative dhe organizative, që ishin të mundshme nën rrethanat e kohës, për mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe tërësinë territoriale të trojeve tona etnike edhe me armë dhe formacionet e organizuara ushtarake.
Rol të veçantë Musa Shehzade si prijës popullor dhe objekti i kultit që ai udhëhiqte, pati sidomos gjatë Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare të viteve 1909-1912, i cili u vendos menjëherë në shërbim të çështjes shqiptare duke marrë pjesë edhe vet, drejtpërsëdrejti në luftë si prijës popullor dhe mbështetur me mish e me shpirt përpjekjet mbarë-popullore, për çlirimin përfundimtar të tokave shqiptare nga Perandoria e urryer turko-otomane.
Konaku i Musa Shehzades ishte vendi i përzgjedhur dhe më i sigurt, ku takoheshin patriotët më të ndritshëm shqiptar të kohës dhe u mbajtën shumë mbledhje e tubime me rëndësi të veçantë, të figurave më të shquara kombëtare, që nga krerët kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Një objekt kulti ky, që përherë mbajti të ngritur lartë, vetëm flamurin tonë kombëtar dhe gjithmonë, prioritet mbi prioritetet, pati çështjen e shenjtë të popullit shqiptar.
Aty u pritën e përcollën me muaj e vite të tëra prijës e delegacione të larta të Lidhjes Kombëtare Shqiptare që nga Shkodra e Malësia në veri, deri në Korçë, Gjirokastër e Çamëri nga jugu i vendit, pa marrë parasysh besimin apo përkatësinë e tyre fisnore, fetare e krahinore.
Qëndrimi i figurave më të larta kombëtare ndër vite dhe kontakti i përhershëm me atdhedashësit më të mëdhenj të kombit, në këtë objekt kulti, bënë që Musa Shehzade qysh në rini të hershme, të inspirohej pavdekshmërisht me atdhetarizëm dhe mishërohej aq fort me çështjen shqiptare, sa që, do të punonte pandërprerë, me mish e me shpirt, gjatë gjithë periudhave më të vështira që kaloi populli dhe trojet tona etnike, deri në vitet e fundit të jetës së tij.
Heroi Musa Shehzade, do të flijohej si atdhetar i paepur, për mbrojtjen e vendit, popullit e kombit të vet dhe shtyrjen përpara të çështjes së shenjtë shqiptare, duke mos ndaluar së vepruar deri në zhdukjen e tij të mistershme nga policia serbo-sllave e kriminelit më të urryer serbomadh Aleksandër Rankoviq.
Madje veprimtaria e tij e pareshtur patriotike, u bë shkak që armiqve komunistë serbo-jugosllav, të mos u mjaftonte fakti, që heroin Musa Shehzade e mbytën barbarisht, por ata qëllimisht, zhdukën edhe trupin e tij, për të mos u gjetur më kurrë as eshtrat e heroit tonë famëmadh dhe mbetur përgjithmonë pa varrë as shenjë kujtimi, për familjarët dhe bashkëkombësit, nga atëherë e deri më sot.
Deputet i Prizrenit me rrethinë
Zgjuarsia që zotëronte dhe besimi i pakufishëm mbarëpopullor, që heroi Musa Shehzade gëzonte te shqiptarët në vijimësi, bënë që ai të zgjidhej edhe deputet i zonës së Prizrenit me rrethinë në parlamentin otoman të kohës, ku edhe atje vazhdimisht mbrojti me këmbëngulje dhe vendosmëri të pashoqe, të drejtat njerëzore dhe interesat kombëtare të shqiptarëve.
Madje si njeri i ngritur e personalitet i shquar dhe inteligjent i dalluar që ishte, i cili kuptonte më mirë se shumëkush tjetër çështjen shqiptare dhe vlerën e arsimimit kombëtar, Musa Shehzade që nga fillimi i angazhimit për vulosjen e shkronjave të para shqipe dhe krijimin e alfabetit latin të gjuhës tonë amtare, në Kongresin e Manastirit nga 14-22 nëntor të vitit 1908, do të vihej pa asnjë kursim dhe me vendosmëri të plotë, në mbështetje të vijueshme dhe të pareshtur, të alfabetit kombëtar të gjuhës shqipe.
Kohë kur nga shumë imam turkofil, çuditërisht, që në ditët e para të miratimit të alfabetit tonë kombëtar, shkronjat tona të sapolindura, jo vetëm që kishin filluar ti mallkonin publikisht nëpër qytete e fshatra dhe në mënyrat më perfide teorike, por edhe të kundërshtoheshin shumë fuqishëm edhe me demonstrata e sulme fizike, deri në nxitjen e ushtrisë otomane për mbylljen e shkollave të para të sapo-hapura në gjuhën shqipe, pas pesë shekujsh robërie dhe ndalimit të hekurt, shumëshekullor, të gjuhës tonë amtare.
Vrasjet dhe djegiet e shtëpive të mbrojtësve të alfabetit kombëtar
Për ndryshim nga imamët turkofil, heroi Musa Shehzade ishte Mesia i kombit, që ndiqte shembullin e Babë Dudë Karbunarës (1842-1917) të lindur në Berat, cili jo vetëm që mbështeste me gjithë zemër gjuhën dhe alfabetin shqip, por për faktin se ai bashkëpunonte ngushtë edhe me Kostandin Kristoforidhin nga Elbasani, përveç kërcënimeve që merrte pareshtur, më 1895, fanatikët turkofil i kishin djegur atij edhe shtëpinë.
Alfabet për përhapjen e të cilit Prifti hero ortodoks Stathi Melani, vraponte fshat më fshat, me librat shqip në gji, veçanërisht në Shqipërinë e jugut për hapjen e shkollave shqipe dhe ligjërimet shqip në kishën shqiptare, e që për këtë shkak, autoritet turke, edhe atij, ia kishin djegur tri herë shtëpinë dhe të gjitha librat në gjuhën shqipe.
Kurse më 24 Dhjetor të vitit 1917, bandat e kusarëve grek të Josif Suropullos, e vranë duke i prerë kokën Atë Stath Melanit, vetëm pse ai në kishën shqiptare, para nxënësve dhe besimtarëve ortodoks shqiptar, ligjëronte -shqip, e jo greqisht.
Demonstratat kundër alfabetit të gjuhës shqipe
Miratimi dhe standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe, që u vulos në konferencën akademike, të mbajtur nga 14-22 nëntor në Manastir, i cili ndryshe njihet si Kongresi i Alfabetit, nga atëherë, kujtohet dhe festohet me pietet të lartë në Shqipëri, Kosovë, trojet tona tjera etnike dhe gjithë diasporën shqiptare, si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare.
Para Kongresit të Manastirit, populli ynë jo vetëm që nuk kishte një alfabet unik, por gjuha shqipe, shkruhej në së paku gjashtë a më shumë alfabete, kryesisht të huaja dhe nën-variante të ndryshme, gjë që dëshmon më së miri, se në çfarë gjendje të dhembshme e katastrofale ndodhej gjuha, kultura dhe arsimi kombëtar i shqiptarëve edhe në shekullin XX.
Por për fatkeqësinë e pafund të kombit tonë të shumëvuajtur, menjëherë pas miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, imamët më antikombëtar të vënë në shërbim të propagandës antishqiptare të xhonturqve, të cilët njiheshin si elementë të dalluar turbullues, fanatik të pandreqshëm e turkomanë të sëmurë, pa fije turpi, shkonin deri në armiqësi të hapur me çdo gjë kombëtare shqiptare.
Madje, ata nuk e patën për turp, as hezituan ti keqpërdornin edhe ndjenjat fetare të besimtarëve (mysliman) shqiptarë, për konfrontim të hapur ndërmjet shqiptarëve nga besimet tjera dhe me çdo mjet e mundësi, përpiqeshin të krijonin bindjen tek "besimtarët mysliman" se kinse shkronjat latine të alfabetit shqip, ishin shkronja të të pafeve (të kaurëve) të cilat është haram ti përdornin myslimanët.
E për aq më keq, imamët e tillë që ishin vënë plotësisht në shërbim të pushtuesve otoman, shkuan aq larg me veprimet e tyre anti-shqiptare, sa që në të gjitha qytetet e mëdha dhe kryesore të trojeve tona etnike, organizuan edhe demonstrata masive kundër alfabetit tonë kombëtar, me propagandën armiqësore, se shkrimi i gjuhës shqipe me shkronja latine dhe jo arabe, ishte "nënçmim" për fenë myslimane?!
Madje ata dolën në mënyrë të organizuar me kërkesën publike, për ndalimin e të gjitha shkollave të sapo-hapura në gjuhën shqipe, në të gjitha trojet tona etnike, kudo që kishte filluar të mësohej me alfabetin e njësuar dhe të shkruarit mbarëkombëtar të gjuhës shqipe nga shqiptarët e shumëvuajtur nën okupimin otoman.
Krijimi i shoqërisë "Mahfeti" për arabizimin e alfabetit të shqiptarëve
Pas zhvillimit të demonstratave të hoxhallarëve kundër shkollave me mësim në gjuhën shqipe, në fund të vitit1909, xhonturqit me kryetar shqipfolësin nga Vlora, Ferit pashën, të tmerruar nga përhapja e shpejtë e shkollave dhe vërshimi masiv i të rinjve shqiptar, për të mësuar me alfabetin e ri të gjuhës amtare, reaguan menjëherë, duke mbyllur dhe ndaluar me ligj të gjitha shkollat, shoqëritë e gazetat në gjuhën shqipe dhe urdhëruan djegien publike në zjarr të librave, gazetave, dokumenteve dhe të gjitha llojeve, të çfarëdo forme letrare të botuara në gjuhën shqipe.
Ndërsa pas ndalimit të shkollave me alfabet të gjuhës shqipe, Qeveria xhonturke me ministër të brendshëm shqiptarin nga Vlora Ferit pashën (1851-1914) i cili për shkak të kundërvënies ndaj gjuhës shqipe dhe popullit të vet, si dhe shkeljen brutale të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, ishte ngritur nga ministër i brendshëm në (“sadriazem”) kryeministër nga Sulltan Hamiti II-të.
Për aq më tepër, në postin e ri që mori si kryeministër, Ferit pasha nxori edhe një dekret, me të cilin ndalohej rreptësishtë Alfabeti shqip i Kongresit të Manastirit dhe u urdhërua që gjuha shqipe, të shkruhej vetëm me shkronja arabe!!!
Duke qenë se, para miratimit të Alfabetit të Manastirit, gjuha shqipe, në mungesë të alfabetit kombëtar edhe kur ishte shkruar, ishin përdorur shkronja greke, arabe e sllave, atdhetarët shqiptarë edhe pas miratimit të Alfabetit shqip, që nga fillimi, u ballafaquan me probleme të mëdha e pengesa të shumta nga organet pushtuese turke dhe kisha greke, të cilat me çdo kusht tentonin ta vrisnin gjuhën dhe shkrimin tonë shqip.
Normalja e Elbasanit
Të gjendur para një situatë të tillë, tepër të rëndë, si nga qeveria xhonturke, ashtu edhe nga kisha greke, të cilat që të dyja, keqpërdornin me të madhe, jo vetëm mungesën e mësuesve të përgatitur në gjuhën shqipe, por edhe rinia shqiptare, keqpërdorej me të madhe, si objekt i propagandës otomane dhe greke, sidomos në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe kisha greke, figurat e shquara të kombit u detyruan të vepronin në mënyrë urgjente, për daljen nga kjo situatë.
Kështu që nga 2 deri më 10 shtator, të vitit 1909, në Elbasan, u mbajt Kongresi i njohur i Elbasanit, ku unanimisht u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë të arsimit profesional në gjuhën shqipe.
Dhe pa kaluar as tre muaj të plotë, nga mbajtja e kongresit, bazuar në vendimet e marra aty, mbi përgatitjen e kuadrove të nevojshme mësimdhënëse për shkollat në gjuhën shqipe, patriotët e kombit, më 1 dhjetor të vitit1909, hapën Shkollën e parë Normale, në qytetin e Elbasanit.
Drejtor i saj ishte Luigj Gurakuqi kurse mësuesit e parë ishin personalitetet e shquara të arsimit kombëtar: Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.
Normalja e Elbasanit fillimisht pati 143 nxënës nga të gjitha trevat etnike shqiptare, me të cilët filloi përgatitjen e mësuesve të parë me alfabetin e sapo miratuar kombëtar të gjuhës shqipe në Manastir.
Qyteti historik i Elbasanit, nuk u zgjodh rastësisht për mbajtjen e kongresit dhe hapjen e shkollës së parë Normale, ngase Elbasani ishte edhe vendlindja e rilindësit dhe gjuhëtarit të shquar, Konstadin Kristoforidhi i cili botoi fjalorin e parë në gjuhën shqipe me 11.675 fjalë, të spastruar nga orientalizmat dhe shprehjet tjera të huaja!
Elbasani ishte po-ashtu edhe vendlindja e aktivistit tjetër të dalluar kombëtar, Aqif pashë Elbasani, i cili më 1910, dha kontribut të pazëvendësueshëm, në organizimin e mitingut kundër alfabetit arab, që xhonturqit donin t`ua impononin me forcë shqiptarëve.
Aqif pashë Elbasani (Biçakçiu) ishte edhe mik i ngushtë i Hasan Prishtinës dhe kryengritësve tjerë të Kosovës, të cilët në pranverën e vitit 1912, filluan luftën për çlirimin kombëtar të Shqipërisë Etnike nga otomanët dhe në Shqipërinë e lirë, u emërua prefekt i Elbasanit.
Aqif pashë Elbasani më 25 nëntor 1912 ngriti flamurin kombëtar në Elbasan, mbështeti Qeverinë e Ismail Qemailit, në kohën kur komisioni ndërkombëtar punonte për caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Lushnjës më 1920, kongres që i dha kuptim ekzistencës dhe mbarëvajtjes së shtetit të ri të pavarur shqiptar, në vitet kur Shqipëria ndodhej në mes të zjarrit dhe kërcënohej me zhbërje nga të gjitha anët.
Trysnia e xhonturqve për imponimin e alfabetit arab, bëri që në mars të vitit 1910 të thirrej Kongresi i dytë i Manastirit, ku u vendos njëzëri, që mësimi në të gjitha shkollat e vendit të zhvillohej vetëm me alfabetin e njësuar kombëtar dhe shkronjat latine të gjuhës shqipe.
Në fakt Alfabet i njësuar i të shkruarit mbarëkombëtar, ishte krenaria e kombit, që u krijua, me unitetin e shqiptarëve më të ditur të kohës.
Akademikët më të shquar të të gjitha trojeve etnike shqiptare, të cilët u bashkuan në Manastir, për jetësimin e Alfabetit, qëllimit më të madh historik dhe kombëtar të asaj kohe për shqiptarët, si popull dhe komb, që mëtonte të çlirohej nga pushtimi otoman dhe të krijonte një shtet më vete.
Duke vendosur për alfabetin latin, Akademikët tanë të atëhershëm, i dhanë orientim perëndimor edhe kulturës tonë evropiane, duke hedhur poshtë pretendimet për imponimin e alfabeteve të huaja greke, arabe apo sllave.
Kjo ishte edhe një porosi më tepër, dhënë pushtuesve otoman, kishës greke dhe Fuqive të Mëdha evropiane të kohës, se shqiptarët janë popull dhe territor e më vete, të cilët nuk do ti nënshtrohen asnjë shteti apo fuqie, të afërt apo të largët, okupatore.
Idetë për vendosjen e themeleve të drejtshkrimit
Në kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir më 1909,përveç krijimit të alfabetit, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej edhe një Kongres i dytë në Janinë për vendosjen e themeleve të drejtshkrimit letrar dhe shkrirjes së dialekteve gegë e toskë, njëjtë si alfabeti, në një gjuhë të përbashkët dhe të njësuar kombëtare, për të gjithë shqiptarët.
Por Perandoria turke, përveçse ndaloi me dekret, përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat e sapo-hapura në trojet tona etnike shqiptare, ajo nxori edhe një vendim shtetëror me të cilin ndalohej rreptësishtë, shkrimi i gjuhës shqipe me shkronja të alfabetit tonë kombëtar.
Dhe sikur mos të mjaftonte ndalimi i alfabetit, qeveria xhonturke, urdhëroi që gjuha shqipe, të shkruhej në mënyrë të detyrueshme, vetëm me shkronja arabe.
Madje për futjen e armiqësive sa më të thella dhe përçarjeve sa më komplekse ndërmjet shqiptarëve, imamët turkofil, të mbështetur nga qeveria e xhonturqve, siç u cek edhe më lartë, formuan në Stamboll edhe një të ashtuquajtur shoqëri me emrin "Mahfeti", për prodhimin e librave me shkronja arabe për nxënësit shqiptar.
Protesta masive në Elbasan
Duke qenë se grupimi reaksionar, i ashtuquajtur ”Mahfeti” shumicën e të cilit e përbënin imamët shqipfolës, me paratë e qeverisë xhonturke, shtypi dhe nisi të shpërndante abetare me germa arabe për nxënësit "mysliman" shqiptar, rreziku që i kanosej shkollës dhe arsimit në gjuhën shqipe, nuk mund të tolerohej më tej.
Kështu që më 18 shkurt të vitit 1910, atdhetarët shqiptar, dashamirët e gjuhës shqipe dhe të alfabetit kombëtar, organizuan në Elbasan një manifestim masiv me mbi 7000 pjesëmarrës, kundër alfabetit arab dhe për përdorimin e alfabetit shqip, në shkollat me mësim në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar, ku për kontributin e dhënë u dallua, veçanërisht atdhetari i mirënjohur elbasanas Aqif pashë Elbasani-Biçakçiu.
Pushteti otoman rriti edhe më tepër zullumin ndaj shqiptarëve dhe përderisa në njërën anë, shoqëria antishqiptare e ashtuquajtur "Mahfeti" nisi të shpërndante nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe, abetare të shtypura me shkronja arabe, në anën tjetër gjeneralët gjakatar të Perandorisë turko-otomane si antishqiptari i përbetuar Xhavit pasha, u hodhën me të gjithë arsenalin luftarak, në sulme frontale, duke përdorur edhe ushtrinë me topa e armatimet më të rënda, kundër shqiptarëve për mbylljen me forcë të shkollave në gjuhën shqipe.
Krejt kjo gjakosje makaber kundër një populli të tërë bëhej, vetëm për ta mbytur me çdo kusht alfabetin e gjuhës tonë kombëtare me të cilin, nga miratimi i tij më 14- 22 nëntor të vitit 1908 e deri më sot, shkollohen e mësojnë gjeneratë pas gjenerate, miliona shqiptar, kudo që ata jetojnë në trojet tona etnike dhe diasporën tonë në mbarë botën.
Otomanët duke vrarë e djegur çdo gjë shqiptare kthyen me zjarr e hekur, idealin kombëtar të shqiptarëve për liri dhe arsimim në gjuhën e vet amtare, në ëndërr dhe shpresë inekzistente, kur të gjithë popujt tjerë mësonin në gjuhën dhe me alfabetet e tyre kombëtare.
Shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme në Kosovë
Aksionet e xhonturqve, kundër shkollave në gjuhën shqipe, shkaktuan zemërim të madh te populli shqiptar, prandaj atdhetarët e devotshëm të vendit, filluan edhe organizimin e kryengritjeve të para, për mbrojtjen me pushkë të alfabetit e shkollës në gjuhën shqip, si dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Shkelja me të dy këmbët e të gjitha të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve si dhe ndalimi me forcë i të gjitha shkollave në gjuhën shqipe, doemos qoi në Kryengritjen e Përgjithshme Kombëtare.
Dhe duke qenë se Kosova ishte vatër e kryengritjeve më të mëdha kundër okupimit turko-otoman, megjithëse u mor vendim që lufta për çlirim të shtrihej në të gjitha viset e vendit, Kosova u caktua, që ta fillonte kryengritjen e para dhe mbante peshën kryesore në rrafshin ushtarak. (https://www.lajmetari.com/sq/Albanologji/Kryengritja-e-P%C3%ABrgjithshme-e-vitit-1912)
Ndaj gëzon fakti se ashtu siç dëshmohet edhe nga historia, Kosova qoi detyrën e saj kombëtare deri në fund, kështu që nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, u organizua Kuvendi i Junikut,ku në marrëveshje me udhëheqësit kryesor të kryengritjes, Bajram Curri, Isa Buletini, Bajram Daklani e shumë të tjerë, u mor vendimi për fillimin e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Edhe fillimi i kryengritjes, nisi me një ultimatum, drejtuar qeverisë xhonturke, për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe me shkronjat kombëtare të Alfabetit të Manastirit.
Kurse disa nga kërkesat tjera ishin që nëpunësit e administratës të jenë shqiptar, shërbimi ushtarak i të rinjve, të kryhej brenda vendit, si dhe kërkesa kryesore: Autonomi e plotë e Shqipërisë në të gjitha tokat e saj.
Gjatë gjithë kësaj kohe, atdhetari i devotshëm kombëtar, Musa Shehzade, përveçse nuk reshti, së angazhuari dhe vepruari, me të gjitha mundësitë që kishte për mbrojtjen e shkollave dhe alfabetit të gjuhës shqipe, me të filluar kryengritja e vitit 1912, atë e gjeti në këmbë dhe të gatshëm edhe për luftë dhe aksione kryengritëse kundër Perandorisë turko-otomane.
Musa Shehzade, luftës për çlirim të atdheut, nuk iu nda deri në dëbimin e ushtrisë otomane nga vendi dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë etnike më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Hero ynë i spikatur, do të merrte pjesë edhe në organizimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare, duke u vendosur në krye të një grupi kryengritësish shqiptar prej më tepër se 400 luftëtarësh me të cilët iu bashkua forcave të Bajram Currit dhe luftuan deri në çlirimin e Shkupit, më 12 gusht të vitit 1912, që ishte qendra më e madhe shqiptare dhe kryeqyteti i atëhershëm i Kosovës, ku nga heroi Bajram Daklani, u ngrit Flamuri ynë Kombëtar!
Por vetëm pak muaj më vonë filloi Lufta Ballkanike dhe fatkeqësisht Manastiri e Shkupi, dy qytete kryesore historike shqiptare, të banuara me shumicë dërmuese shqiptare, u pushtuan nga okupatorët serb.
Kurse pas pushtimit të tyre nga Serbia, okupatorët serb dogjën të gjitha librat në gjuhën shqipe dhe vranë të gjithë atdhetarët shqiptarë, që mundën ti kapnin të gjallë, madje shqiptarët me përkatësi fetare myslimane u dëbuan në mënyrë masive nga Shkupi e Manastiri, ndërsa ata të besimit ortodoks dhe katolik, u detyruan me dhunë ta ndërronin jo vetëm fenë, por edhe kombësinë dhe të shkruheshin sllavë.
Marrëveshjet turko-jugosllave për dëbimin e shqiptarëve.
Për fat të keq, Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë së shtetit etnik shqiptar, mbeti nën okupimin serbo-jugosllav dhe sikur mos të mjaftonte robëria dhe represioni i pareshtur kriminal serb mbi shqiptarët, shteti turk edhe mbi 24 vite pas dëbimit të ushtrisë otomane, nga trojet tona etnike, jo vetëm se i doli krah Serbisë dhe mbretërisë jugosllave, por me vendim të Ataturkut, Turqia më 1936 miratoi edhe një marrëveshje formale me zyrtarët e “krajlit” serb, për shpërnguljen e 200 mijë shqiptarëve, nga Kosova në Anadoll.
Madje Turqia i vuri kusht mbretërisë jugosllave, që shqiptarët të cilët do të dëboheshin nga trojet e veta etnike, në Turqi, të "përshtateshin, detyrimisht me mentalitetin turk"!
Dhe kjo nënkuptonte që në dokumentet përcjellëse, shqiptarët të cilët do të dëboheshin në Anadoll, detyrimisht duhej të regjistroheshin si “turq”, në mënyrë që pasi të vendoseshin në Turqi, shqiptarët të mos mund të guxonin më kurrë, të shprehnin aspirata kombëtare.
Kjo bëhej me qëllimin makabër, që shqiptarët e dëbuar nga trojet e veta etnike në Turqi, të asimiloheshin sa më lehtë aty ku deportoheshin me dhunë, mashtrim e propagandë turko-fetare.
Memorandumin famëkeq i Vasa Çubriloviqit
Për ti ardhur në ndihmë shtetit kriminal serb, në dëbimin sa më masiv të shqiptarëve, me projekte e planprograme të veçanta, nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare nën okupimin serbo-sllav, më 3 mars të vitit 1937, në Beograd u promovua edhe memorandumi famëkeq i Vasa Çubriloviqit.
Kështu që, Serbia duke pasur në dispozicion edhe marrëveshjen turko-jugosllave të një viti më parë, shfrytëzoi të gjitha mjetet dhe mundësitë represive të aparatit shtetëror gjithë-jugosllav që posedonte, përfshi edhe gjenocidin dhe dhunën sistematike shtetërore, për dëbimin sa më masiv me qëllim të asgjësimit dhe spastrimit të tërësishëm e përfundimtar të shqiptarëve nga trojet e veta etnike nën pushtimin serbosllav.
Dhe përveç Elaboratit famëkeq të Vasa Çubriloviqit, i cili ishte përgatitur enkas për zhbërjen e tërësishme të shqiptarëve në Kosovë, fatkeqësisht, etjes së pashuar të serbëve dhe grekëve për shuarjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut, iu bashkua edhe shteti aziatik turk, duke treguar vullnet të pafund për shpërnguljen, asimilimin dhe tjetërsimin e tërësishëm të shqiptarëve edhe nga Kosova dhe viset tjera shqiptare në okupimin serbo-jugosllav.
Kështu që, përveç marrëveshjes së Lozanës të vitit 1923,me grekët, Turqia më 1938 do të nënshkruante një traktat tjetër, të ngjashëm edhe me mbretërinë Jugosllave, po ashtu, njëjtë si me Greqinë, për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve edhe nga trojet tona etnike nën mbretërinë jugosllave.
Ndërsa për mbushjen e kontingjenteve me shqiptar, që do të shpërnguleshin në Anadoll, kujdeseshin pareshtur hoxhallarët e shitur turkofil, të cilët në defterët serb, nuk pushonin duke i regjistruar shqiptarët si “turq”!.
Kolonizimi i Kosovës me ardhacak serb
Duke pasur parasysh fatkeqësinë e shpërnguljes së pareshtur të shqiptarëve përmes marrëveshjeve turko-greke dhe turko-jugosllave, përkundër asimilimit masiv, edhe aktualisht në Turqi, jetojnë mbi 8 milion shqiptar, por nga atëherë e kësaj dite, ata nuk gëzojnë asnjë të drejtë gjuhësore dhe as kombëtare.
Madje për mese 8 milion shqiptar që jetojnë në Turqi, as sot, nuk ka asnjë shkollë të vetme në gjuhën shqipe dhe shteti turk nuk dëshiron as të pranojë se ka shqiptar në Turqi, nuk u lejon atyre të arsimohen në gjuhën e vet amtare, si dhe ua ka ndaluar me ligj, ta quajnë veten shqiptar.
Siç u cek edhe më lartë, për të përmbushur kushtin e vënë nga shteti turk dhe dëbimin sa më masiv të shqiptarëve (edhe) Serbia kishte futur në përdorim metodën e deklarimit të shqiptarëve si "turq", kurse për fat të keq, Serbisë në ndihmë të pakufishme dhe pa asnjë kompensim, në aksionin për regjistrimin e sa më shumë shqiptarëve si "turq", i erdhën vet hoxhallarët shqipfolës antikombëtar.
Dhe për fatin e keq të shqiptarëve, në mungesë të një udhëheqje të njëmendtë etnike për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe çështjes kombëtare, paralel me shpërnguljet masive të shqiptarëve, kolonizimi i Kosovës nga Serbia me ardhacakë serbë e malazezë, nuk kishte të ndalur dhe sa vinte e shtohej.
Kështu që vetëm nga shtatori i vitit 1920 deri në janar të vitit 1928, pushtuesi serb, në tokat e uzurpuara të shqiptarëve të Kosovës së sotme, kishte ngritur mbi 173 koloni serbe dhe formoi hiq më pak se 419 fshatra me serb e malazezë të sjellë si kolonë në trojet tona nga Serbia dhe Mali i Zi.
Por përkundër të gjithave sa ndodhnin me ta, mjerisht shqiptarët edhe në ato periudha aq të vështira, mbetën përherë të ndarë dhe të pa-bashkuar, deri në atë masë, sa që nuk arritën kurrë të krijonin një trupë të njëmendët organizativo-politike, të veten kombëtare.
Për aq më keq, mjerisht shqiptarët, as nuk posedonin një plan apo program të përbashkët të veprimit kombëtar, për mbrojtjen e tyre dhe rezistimin në mënyrë të organizuar e efektive, kundër masave aq drastike të armiqve të përbetuar, për shpëtimin nga shfarosja kolektive, që përveç shqiptarëve çamë nën Greqi, me marrëveshjen e Turqisë tani edhe Serbinë, zhdukja u kanosej çdo ditë e më tepër, të gjithë shqiptarëve autokton edhe nën ish Jugosllavi.
Krijimi i shoqatës studentore "Besa"
Pas gjithë këtyre katrahurave dhe fatkeqësive të papara që vijonin ti godisnin pareshtur aq rëndë shqiptarët dhe kishin vënë ata para furive të tmerrshme e të pamëshirshme turko-jugosllave, të asgjësimit përfundimtar, me shpërnguljet e dhunshme dhe dëbimet masive, falë ndihmës së Legatës Shqiptare në Beograd, me gjithë vonesën e jashtëzakonshme për daljen e një segmenti të ri në skenën politike dhe përfaqësimin adekuat të tyre në baza të pastra kombëtare, në mars të vitit 1935, mundi të krijohej një organizatë e fshehtë studentore shqiptare me emrin "Besa"!
Organizatë atdhetare që për mision kishte shpëtimin kombëtar, e cila erdhi si drita në fund të tunelit dhe shpresa e vetme e kohës për shqiptarët.
Në gjendjen e krijuar tragjike në trojet shqiptare në pushtimin serbosllav, Ramë Bllaca, Musa Shehzade, Sheh Hasani etj që vepronin në Prizren, Gjakovë, Pejë, Rahovec, Therandë (Suharekë) dhe një pjesë të rrafshit të Dukagjinit, me gjithë përpjekjet e pareshtura, e kishin të pamundur të vendosnin ndikimin e tyre vendimtar në të gjitha trojet etnike shqiptare.
Prandaj, me formimin e organizatës Besa, me të drejtë tani edhe ata shpresonin shumë në ndihmën e saj, e cila për fat të mirë, arriti shpejt, ta shtrinte rrjetin e saj deri në Tetovë e më tej, duke ndihmuar në ngritjen e atdhedashurisë, pengimin e shpërnguljes së mëtejme të shqiptarëve në Turqi dhe formësimin e kundërvënies kombëtare ndaj armiqve shekullor serbo-sllav.
Por përkundër thirrjeve dhe angazhimeve të pareshtura nga patriotët e kombit, një numër i konsideruar i hoxhallarëve të shitur turkofil, vazhdonin në mënyrë intensive propagandën e tyre antikombëtare dhe nuk pushonin së trumbetuari kudo nëpër fshatra, xhami, familje dhe shtëpi private, se kinse shqiptarët mysliman ishin turq dhe se ata duhej të shpërnguleshin nga Kosova në Turqi sepse vetëm atje do të gjenin qetësi dhe jeta e ardhmëria e tyre nuk ishte në Kosovë, por në shtetin turk.
Grupimi i vetëm politik që ishte lejuar të krijohej rreth një vit pas ripushtimit të tokave shqiptare, nga mbretëria e SKS, ishte partia "Xhemiet" apo "Bashkimi" që fillimisht u udhëhoq nga Nexhip Draga e më vonë nga i vëllai Ferat Draga.
Por, për fat të keq, as ajo nuk vepronte në interes të shqiptarëve dhe përfaqësonte vetëm interesat e turqve dhe të ashtuquajturve mysliman.
Objektet e kultit të Musa Shehzades dhe të sheh Hasanit, bastione të sigurta të organizatës studentore "Besa" !
Organizata "Besa", ishte një grupim i fshehtë patriotiko-politik, i formuar me ndihmën e legatës shqiptare në Beograd, në mars të vitit 1935, nga studentët shqiptar, q¨¨e studionin atje.
Kurse, njëri nga anëtarët eminent i saj ishte edhe Qazim Bllaca, i biri i heroit Ramë Bllacës, asokohe student i fakultetit juridik në Beograd.
Mirëpo edhe kjo ishte një organizatë ilegale, e krijuar pa lejen e pushtuesit dhe veprimtarinë e saj kombëtare detyrohej ta zhvillonte në ilegalitet të thellë.
Ndaj vendet më të sigurta ku aktivistët e organizatës "Besa" mund të tuboheshin e mbanin takimet e tyre dhe planifikonin ndërmarrjen e masave adekuate kundër shpërnguljes së mëtejme të bashkëkombësve nga trojet etnike shqiptare nën pushtimin jugosllav, ishin pikërisht objektet e kultit të patriotëve kombëtar Musa Shehzade dhe sheh Hasani në Prizren, dy miqve më të ngushtë të heroit Ramë Bllaca.
Musa Shehzade dhe sheh Hasani ishin dy prej figurave më të shquara dhe të mirënjohura shqiptare, që dalloheshin për shpirtin e tyre të pastër kombëtar, jo vetëm në Prizren por në gjithë Rrafshin e Dukagjinit e më gjerë.
Të dy këta, përveç objekteve të veta të kultit( teqetë), në qytetin e Lidhjes, që i kishin vënë në shërbim të organizatës "Besa", kishin inkurajuar edhe njeriun e tyre më të besueshëm Adem Halil Baldedaj-n, që të inkuadrohej si xhandar në Prizren, në mënyrë që ta informonte organizatën "Besa" mbi lëvizjet e xhandarmërisë serbe dhe mbronte anëtarët e saj, dhe veprimtarët tjerë kombëtar, nga operacionet e mundshme të xhandarmërisë serbe për arrestimin e tyre gjatë tubimeve që mbanin në teqe, apo aktiviteteve tjera kombëtare në Rrafsh të Dukagjinit.
Madje përveç faktit se kishte kohë që Musa Shehzade dhe sheh Hasani edhe nën petkun fetar, ishin vënë plotësisht në shërbim të kombit, të cilët në çdo tubim, organizime fetare e biseda private me njerëzit, punonin e vepronin pareshtur për çështjen e shenjtë shqiptare, propaganda antikombëtare e hoxhallarëve turkofil, për nxitjen e shqiptarëve të shpërnguleshin në Turqi, nuk dinte të ndalur.
Dhe përkundër vuajtjeve e peripecive të pafund të organizatës "Besa",e cila me gjithë mundësitë e kufizuara, vepronte gjithandej dhe pareshtur me mish e me shpirt për sensibilizimin e bashkëkombësve të vet, që të mos i lëshonin trojet shqiptare nën pushtimin serb, në momentet kur mendohej se propaganda e shfrenuar e imamëve turkofil, tashmë kishte shterur të gjitha prapësitë në dëm të vendit dhe popullit shqiptar, ajo shpiku edhe një prapësi, një nga më të mëdhatë e më efektivet deri atëherë, të pa imagjinuar më parë!
Imamët turkofil, të vënë në shërbim të Serbisë, për të arritur kulmin e efektit antikombëtar, dëshpërimin kulmor dhe shkaktimin e skajshëm të pasigurisë së popullit shqiptar nën pushtimin sllav, së fundi kishin shpifur lajmin e rremë, se gjoja shqiptarët, as që kishin, për çfarë të rrinin më në Kosovë, sepse kinse edhe vet heroi Ramë Bllaca, paska planifikuar që së shpejti të shpërngulej edhe ai vet nga Kosova dhe ikte në Anadoll, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë.
Vrasja e Ramë Bllacës
Administrata pushtuese serbe, për asimilimin, tjetërsimin dhe shndërrimin e shqiptarëve në turq, siç u cek edhe më parë, kishte ftuar në ndihmë hoxhallarët më antikombëtar të cilët qysh në ato vite, për shërbimet e tyre, merrnin edhe nga Serbia subvencione të majme financiare.
Hoxhallar të tipit Mazllam Mazllami i cili edhe sot, merr guximin ta quaj Flamurin Kombëtar, një leckë!
Pra nuk ishte vetëm bindja fetare, por mbi të gjitha antikombëtarizmi i sëmurë i tyre dhe paratë e shumëta që merrnin nga Serbia, kishin bërë që ata të ktheheshin plotësisht në dorë të zgjatur të Serbisë, ndaj dhe nuk reshtnin së propaganduari se kinse shqiptarët "mysliman" në trojet e tyre nën Jugosllavi, ishin turq dhe duhej të shpërnguleshin në Turqi.
Ishte koha kur përveç elaboratit famëkeq të Vasa Çubriloviqit, i cili parashihte zhbërjen e plotë të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin serbosllav, me masat më radikale të dhunës dhe represionit shtetëror, organeve shtetërore të Serbisë i ishin bashkuar edhe imamët shqipfolës antikombëtar, të cilët detyronin shqiptarët, që në defterët e regjistrimit, të (venin gisht) shkruheshin si turq, për dëbimin e tyre sa më të lehtë në Turqi.
Ndaj organizata "Besa" detyrohej të bënte punë jo vetëm tepër të madhe e të vështirë, por edhe të dyfishtë, për demaskimin e propagandës së hoxhallarëve se kinse shqiptarët ishin turq dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare te bashkëkombësit nën pushtim, në përpjekje biblike që të ndalonin vijimin e mëtejmë të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
Ndërsa udhëheqësi kryesor, personaliteti më i shquar politik dhe heroi pothuajse i vetëm, i cili luftonte publikisht dhe politikisht edhe në parlamentin jugosllav për pengimin e dëbimit të shqiptarëve në Turqi, pa dyshim ishte deputeti famëmadh i kohës dhe prijësi i paharruar popullor i viteve më të vështira për shqiptarët nën mbretërinë jugosllave, heroi dritëmadh Ramë Bllaca.
Por pas copëtimit të aktvendimit të qeverisë serbosllave për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe konfliktit publik me kryeministrin serb të mbretërisë jugosllave, në mes të parlamentit jugosllav në Beograd, fatkeqësisht me tu kthyer në Kosovë, vetëm pak minuta para se të mbërrinte në shtëpi të vet, heroi Ramë Bllaca, do të vritej barbarisht nga shqiptarët e shitur, të nxitur prej pushtuesit serb dhe shërbëtorëve të ish pushtuesve otoman, si imamët gjakprishur turkofil.
Ndaj duke pasur parasysh propagandën e shfrenuar të imamëve turkofil, në dëm të popullit shqiptar, presionin shkatërrimtar të pushtetarëve serb dhe përmasat e shpërnguljes së shqiptarëve, vetëm fal fatit të mirë për shqiptarët, që në vitin 1939, do të fillonte Lufta e Dytë Botërore, projekti më famëkeq i deriatëhershëm, për asgjësimin e tërësishëm të shqiptarëve në Kosovë, nuk arriti të realizohej tërësisht.
Përndryshe pas vrasjes së heroit Ramë Bllaca, ndoshta në trojet tona etnike, sot nuk do të fliste më kush shqip dhe as nuk do të ekzistonin më shqiptar.
Musa Shehzade kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit
Mjerisht problemet e shqiptarëve, as pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm që nuk kishin pushuar, por pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 8 shtator të vitit 1943, edhe në Kosovë kishin ngritur kokën sllavo-komunistët shqipfolës pro jugosllav, të cilët përgatisnin terrenin, që trojet shqiptare, mjerisht, përsëri të binin në pushtimin serb.
Ndaj, për të ruajtur, të paprekur tokat shqiptare, zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme apo botërore, siç quhej aso kohe, Ilaz Agushi më 11 shtator të vitit 1943 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik, të cilët i caktonte gjaku, gjuha dhe tradita jonë kombëtare.
“Sot (më 11 shtator 1943), Këshilli Ministror në Mbledhjen e jashtëzakonshme, nën kryesinë e Shkëlqesës Iljaz Agushi, Nen-Kryeministër e Zav. Kryeministër, shqyrtoi gjendjen e Shqipnisë .... independente me kufijë që i caktojnë gjuha e gjaku dhe ato asht e vendosun me e mbrojt, shkruante në shtypin e kohës.
Marrë parasysh gjendjen e krijuar, edhe Xhafer Deva ishte kthyer me urgjencë nga Tirana në PRIZREN ku njoftoi atdhetarët shqiptar për rrezikun e madh që u kanosej trojeve shqiptare nga sllavo-komunistët, që të binin përsëri nën okupimin sllav edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndaj për sigurimin e këtyre krahinave prej çdo sulmi armik, më 14 shtator 1943, në Prizren u mblodh Këshilli Nismëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Dhe pas përgatitjeve të nevojshme Kuvendi Themelues i Lidhjes mëngjesin e 16 shtatorit nën kryesinë e dijetarit dhe aktivistit të shquar e patriot, Musa Shehzade të Prizrenit, në një atmosfere festive, ku i gjithë populli kishte dale në sheshe të përshëndeste këtë Kongres, që mbahej në shkollën e qytetit me emrin “Bajram Curri” filloi punimet Lidhja e Dyte e Prizrenit.
Ndërsa me datën 18 shtator të vitit 1943, dy ditë pas nisjes së punimeve të Kuvendit Themelues, grupi nismëtar i Lidhjes së Prizrenit, shpalli formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kurse kryetar i parë i saj u zgjodh heroi Musa Shehzade.
Me këtë rast gazeta “Kombi” shkruante se “Patriotë të njohur të Kosovës muerën inisiativën për të mbledhur nji Kongres të Kosovës, Dibrës e të Strugës ku u çfaq vullneti i përgjithshëm i banorëve të këtyre krahinave për bashkimin e përhershëm të tyne me Nanën Shqipni”!
Fjalën e hapjes e mbajti patrioti i mirënjohur dhe veprimtari shumëvjeçar i çështjes kombëtare Musa Shehzade, i cili foli për rëndësinë qe kishte formimi i kësaj Lidhjeje në një kohë kur shovinizmi sllav dhe ai grek kishin rritur pretendimet së shumti.
Shehzade gjithashtu theksoi se “Tash që kemi të gjitha mundësinat e nji organizimi të përgjithshëm të fuqinave kombëtare, duhet që ta fitojmë, brenda një kohe të shkurtër, gjithë periudhën e kohës, që humbëm gjatë së shkuemes së afërt” (…).
Duhet të mendojmë masat dhe mënyrat e mbrojtjes sonë për çdo rast e rrethanë me qëllim që të frymëzojmë përpjekjet tona për jetë a vdekje, e ky do të jetë; Sigurimi i njësisë sonë etnike”
Kështu që për mbrojtjen e tyre nga armiqtë e vjetër dhe të rinj, të cilëve fatkeqësisht, tanimë u ishin bashkuar edhe komunistët shqipfolës, në qytetin e Lumëbardhit, nga patriotët e vendit u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, formula e vetme e të cilës ishte dhe mbeti, Bashkimi Kombëtar!
Sipas Tahir Zajmit, në Kuvendin themelues të Lidhjes së dytë të Prizrenit, ku morën pjesë 42 delegatë, në votimin e fshehtë që u mbajt, me 38 vota për, Kuvendi zgjodhi Kryetar dijetarin Musa Shehzade, kurse për nënkryetarë: Aqif Blutën dhe dr. Rexhep Mitrovicën, me nga 17 vota....
Ndërsa si anëtar të nderuar të kryesisë së saj, përveç patriotit kombëtar sheh Hasani krahas tyre do të gjente vendin e merituar edhe i biri i heroit të kombit Ramë Bllaca, si dhe aktivisti i denjë i organizatës studentore "Besa" Qazim Bllaca, Asllan Buletini etj.
Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Musa Shehzade (1870-1945),filloi fjalimin me këto fjalë:
"Ne po e shpallim haptas, nuk kemi as ma të voglin pretendim mbi asnjë copë tokë që nuk është e jona. Duam, pra, vetëm gjithçka është tokë arbënore, e banueshme prej një popullsie shqiptare”.
Numri i përfaqësuesve nga krahina te ndryshme arriti ne 42 vete. Me ti dhënë fund punimeve te tij ne daten 21 shtator 1943 delegatet e Kuvendit nenshkruan ne seline historike te Lidhjes se Pare te Prizrenit, perpara popullit vendimet e Lidhjes se Dyte.
Statuti i Organizatës përbehej prej 22 pikash dhe u njoh nga Këshilli i Larte i Shtetit Shqiptar qe kryesohej nga Mehdi Frashëri!
Vendimet e Lidhjes se Prizrenit nuk mbeten te shkruara vetëm në letër, por ato, u realizuan urgjentisht dhe gjetën shpejt zbatim praktik edhe në terren.
Menjëherë u organizuan kudo, çetat lokale të vendit, të cilat filluan operacionet ushtarake në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë Etnike. Kështu ne fund te Nëntorit 1943, çetniket e Drazho Mihajloviqit shfarosen nga Ushtria e Lidhjes në një luftë që zgjati plot 22 dite dhe pak me vone dërmohen edhe çetat e Pavlo Gjurishiqit nga forcat Shqiptare.
Gjithashtu forcat e Lidhjes mbrojnë edhe Pazarin e Ri nga sulmet serbo-malazeze dhe me vone hidhen ne sulm te komanduara nga kolonel Fuat Dibra.
Radio Londineze BBC ne emetimet e lajmeve të datës 27 shtator 1944 lajmëronte se Shqiptarët po luftojnë trimërisht në mbrojtjen e kufijve të tyre kundër forcave serbo-bullgare qe janë më superiore në armatime e njerëz.
Operacionet ushtarake vazhduan deri ne mbarim të vitit 1944, kur ushtritë ruse arritën në Ballkan.
Pothuajse njëkohësisht me to, në Kosovë u futen edhe brigadat komuniste shqiptare të komanduara nga Shefqet Peçi, të cilat filluan të godisnin prapa shpine forcat çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.
Kështu që pas ripushtimit të Kosovës të cilën komunistët shqipfolës e dorëzuan në duart e serbëve, dhe vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri e Jugosllavi, nga serboçetnikët e veshur nën petkun partizan u vranë mese 50.000 shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe shumë drejtues të Lidhjes së Prizrenit si Aqif Bluta, Musa Shehzade, Asllan Boletini, Qerim Begolli etj.
Likuidimi dhe zhdukja e heroit Musa Shehzade
Aktivistët e devotshëm të Organizatës Besa dhe përfaqësuesit më të denjë të popullit shqiptar, në Kosovën e pushtuar si Musa Shehzade dhe sheh Hasani përveç ndikimit që duhej të bënin në popull, ata morën për obligim që kudo mundnin e arrinin të përçonin porosi patriotike e atdhedashëse dhe bindnin shqiptarët, që të mos e lëshonin vendin e tyre autokton.
Porosia e tyre ishte, që edhe pas ripushtimit të Kosovës nga serbosllavia, shqiptarët të mos i linin tokat e të parëve për asnjë çmim, porosi që u dha jo vetëm gjatë kohës së okupimit nga mbretëria e SKS, por edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe ripushtimit të Kosovës e trojeve tjera shqiptare, nga jugokomunistët e Titos dhe antishqiptarit më të përbetuar të kohës, serbit Aleksandër Rankoviqit
Kështu që përveç luftimit të planeve serbosllave për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, gjatë viteve të okupimit të trojeve tona nga mbretëria e SKS, edhe pas ardhjes në pushtet të komunizmit, kontributin për çështjen kombëtare, nuk do ta ndalonin për gjallje të vet, asnjëri nga kolosët e lartpërmendur të shqiptarisë, e sidomos Musa Shehzade vazhdoi përpjekjet deri në pushkatimin pa gjyq të tij më 1946, nga komunistët jugosllav.
Ata qysh atëherë, zhdukën pa gjurmë edhe trupin e Musa Shehzades duke mos i lënë kund shenj as varrë, agjentët e Rankoviqit mbytën në burg më 1955 edhe sheh Hasanit, pa harruar me këtë rast të përmendim burgosjen pothuajse gati të përjetshme të Qazim Bllacës, djalit të heroit Ramë Bllaca, fillimisht nga regjimi jugosllav në Kosovë e pastaj edhe nga ai shqiptaro-komunist i Enver Hoxhës, në Shqipëri, për mese 30 vite me radhë. ........"
Mjerisht në fillim të vitit 1946, komunistët do t'i binin në gjurmë vendqëndrimit të Musa Shehzades, dhe pas arrestimit, ai do të likuidohej barbarisht, pa asnjë vendim të gjyqit edhe pse ishte në moshën 76 vjeçare.
Dhe përkundër faktit që thuhet se ekzekutimi i tij u bë në grykën e Lumbardhit të Prizrenit, me gjithë përpjekjet e gjithanshme të pasardhësve dhe dashamirëve të tij, as sot e kësaj dite, vendndodhja e trupit të këtij patrioti të madh kombëtar nuk dihet". “ardhmeriaonline.com/artikull/article/ulemate-dhe-kryengritjet!
Se Musa Shehzade ishte njëri nga atdhetarët më të flakët të kohës, dëshmon edhe fakti që ai për më tepër se dyzet vjet me radhë, do të zhvillonte në vijimësi, aktivitet të pareshtur kombëtar, për çështjen mbarëshiptare, duke u bërë njëri nga personalitetet më të mirënjohura në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.
Personalitet i dalluar i cili me të gjitha mundësitë u përpoq dhe angazhua, pareshtur për komb e atdhe, derisa u zhduk pa asnjë shenjë as gjurmë nga barbarët e OZNA-s, serbo-jugosllave.
Ndaj dhe kujtimi i dhimbshëm për te, është kujtim për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e tërë hartës tonë etnike kudo, të rënë nga mbar trojet e atdheut tonë të shtrenjtë dhe nëpër të gjitha periudhat të mbarë historisë sonë kombëtare.
Lavdi dhe rrezatim të përjetshëm jetës dhe veprës së pavdekshme të heroit Musa Shehzade!
Gani Qarri Cyrih
Comments