Mungoka sot uji në rubinetë,
Të gjithë tubacionet paskan ngrirë,
Fytyra pikturohet përrenjsh të kripur,
Nga burimi Sy, mbetur shkrirë.
Një lot i nxehtë piklon mbi tastierë,
M`i përcëllon mollëzat ky yll i ndritur.
Ndalet mes buzësh, më pas humbet shtegun
Më zë gafil si mysafir i papritur.
Shoh që në fron po krekoset acari,
Nuk di kush e shpalli perandor!
Më përqafon e më puth me epsh si i marri,
Ky mbret që askush s`i vuri kurorë.
Mungon edhe zjarri në oxhak,
Sa gjëra të tjera mungojnë t'i numëroj nuk di,
I mangët fle e zgjohet prej kohësh ky prag,
Nga mungesa me emrin, Ti!
Lola Shehi Çela
Faleminderit per vemendjen