
Bisedë lirike
Dua të shkruaj nja dy mbresa për një poet, për lirikun shqiptar Ruzhdi Gole, vjershat e të cilit i kam për zemër dhe më duket se më shtyn një ndjesi që më del së brendshmi si detyrim moral e letrar, pa më kërkuar kurrgjë ky poet i mirë. Pra po e nis si të vijë, ndoshta dhe në formën e një bashkëbisedimi shkrimor në distancë…
Me lirikun e njohur Ruzhdi Gole jam njohur përmes vargjeve. Me njëri-tjetrin kemi kuvenduar nëpërmjet qelqit dixhital. Para se të shpreh dy mendime për të, dëshiroj t’i këndoj një këngëz labe, me pak sherbet humori: “I dashur Ruzhdi/ ti je flori/ në jet’ e letërsi./ Të jam borxhli/ merak kam, s’e di/ se mos shtij në hi…”. Pasi ia këndova, ma kthen: “Mos shtij në hi…shumë e veçantë, e mençur, nëntekst”. Dhe, si vrojtues i hollë i situatës sikur e pikas turbullimin tim dëshiror: “Kështu le të nisin mendimet e tua për mua... E ku ka gjetje më të vetvetishme se kjo. Mos mëno…”. “Ja të shikojmë, o Ruzhdo, po tak ma bën nga kënaqësia, kur dëgjoj emrin tënd në pasqyrën e shtypit dhe marr “Panoramën”, “Telegrafin” a Exlibris tërë gaz, apo kur vërej “pushtimin” që i ke bërë “Fjalës së lirë” në Londër, revistës “Bordo” e hapësirave të tjera letrare, portaleve “VOAL”, “Zemra shqiptare”, “Albspirit” etj.
Më kishin folur miqtë e mi Pali Shtembari, Meleq Kapllanaj e Hiqmet Mehmetaj me fjalët më të mira për Ruzhdi Golen, si poet i kahershëm i Vlorës. Dhe përditshmërisht më “bombardonin” mirësisht për poetin vlonjat nga Kosova, sot me firmë në Durrës: “Hë, pra, ende?! Gole është lirik i ëmbël, i thellë dhe modern…”
Unë, edhe pa e njohur ende fizikisht, ia kisha dëgjuar emrin qysh në vitet 1975, kur nisa studimet e mesme në gjimnazin ushtarak, që atëherë quhej Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë. Firmën e Goles e kisha ndeshur në gazetat e asaj kohe, që nga “Studenti”, “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe deri tek revista e lartë “Nëntori”, shpesh si letrar me lirika të bukura si zambakë maji, herë edhe si kritik letrar me vështrime, vlerësime apo recensione si fjala vjen “Fillimet e mbara të poeti të ri”: “Pranvera e lumit tim” e A. Isakut [shih: “Nëntori”: revistë e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike/ organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, viti XXIII i Bot., Nr. 6, Qershor 1976, f. 207-209]. Dhe pikërisht në Tiranë, ku isha e kur sapo doli libërthi i tij i parë “Maji i zambakëve” - 1976, unë e bleva me dëshirë atë shpirt të kthjellët lirik me 36 poezi në 47 faqe vargje të ngrohta të atij peneli begatie shkrimore, mbushur me ndjenja të zjarrta e të fuqishme dhe mendim të thellë e të kthjellët. Dhe sot, mbas 49 vjetësh nga botimi i librit të parë të autorit, mendoj që mirë kam bërë, se me 24 tituj librash, ku autori shfaqet si bilblil i fjalës plot ligjërime, qoftë edhe i mërzitur me këpucë letre, liriku ynë në profilin e tij të dallueshëm ka gjuhë fluturimi me klorofil frymor. (Në fakt, nuk mund të themi një shifër të përpiktë të titujve poetikë të Goles, sepse ato përditësohen papritmas. Dhe nuk po bëj një lojë të thjeshtë fjalësh me disa tituj të librave të autorit, por tërheq vëmendjen e kritikës letrare (nëse ka sot në Shqipëri të tillë seriozë), që të jenë më të vëmendshëm ndaj vlerave të vërteta, të qenësishme, sa autentike, autoktone e po aq moderne, si këto të Ruzhdi Goles, që na mbushin me besim frymëzimtarie në letërsinë e mirëfilltë, që s’mund ta turbullojnë as parallinjtë, as qejfllinjtë, as pronaro-majmunët e as hipokrito-firaunët.
Do të automburrem pak vlonjatërisht…Kam dëshirë që ta shfrytëzoj mirësisht bujarinë e fisnikut të letrave të sotme, Arian Leka, i cili ka përgatitur për botim këto vëllimet e prame poetike të njërit prej lirikëve të mirë të Shqiptarisë, poetit Ruzhdi Gole. Që është vlonjat Ruzhdi Gole e kam ditur edhe më përpara se të shërbente si mësues në shkollën e mesme “Halim Xhelo” Vlorë. Por që të të bëjë parathënie i ndritshmi i heshtur i vargut të madh Hiqmet Meçaj …, kjo është një ngjarje për letërsinë dhe kulturën tonë, duke njohur sqimën e motivuar dhe shijen e hollë të poetit identitar të Vlorës Hiqmet Meçaj, ngjarje që mund të ndodhë një herë në një shekull… Fati i bardhë i ra Goles, sepse poezia e tij është gjuhë dhe imazh. Këtë përcaktim ia bën Madhëria i vargut Hiqmet Meçaj Vlora. Tej shakasë së bukur që dhe shkon, Gole ka gjeografi e pasuri shpirti aq sa dhe gjeografi e pasuri vargu brilant.
Nisja dhe vijimi i udhëtimit letrar të Goles
Ruzhdi Gole, lindur në qytetin e Vlorës më 1952, kreu arsimin fillor e të mesëm në vendlindje dhe studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Histori - Filologji për gjuhë dhe letërsi, atje ku kishte dhe pasionin e tij e shfaqte talentin letrar. Gjatë këtyre viteve, ka botuar cikle poetike në shtypin e kohës, si në gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”, apo në revistën “Nëntori”. Është intersante, se qysh atëherë ai ka qenë i vetëpërmbajtur në botimet e tij dhe larg mediave, cilësi e virtytshme kjo, që të bën më fisnik në krijimtarinë letrare .
Përveç librit të parë, që e kam blerë në Tiranë, të shtunën e 18 Shtatorit 1976, shënuar dhe në atë libërth të çmuar, të tjerat Golja m’i ka dërguar me përkushtim. Si duket, nga malli për Vlorën, i ishte bërë natyrë e, sa i gëzohej librit të sapobotuar, ma niste dhe mua një kopje. Gjithmonë m’i përmend dy vargje të poezisë së vjetër “Kur iki nga Vlora: Me kokën të kthyer përgjysmë nga ti,/ me një pjesë zemre nëpër rrënjë ulliri...”
Në atë vëllim me lirika ka edhe shumë vargje epiko-lirike të gdhendur me daltën poetike të shpirtit atdhetar të poetit, si poezia “Epike”, kushtuar 4 heronjve të Topanasë, me strukturë strofike 4 vargjëshe, 6-rrokshe, me rimë të kryqëzuar ABAB, ardhur si motiv popullor, por lulëzuar me figura të shëndetshme letrare. Pikërisht Ruzhdi Gole ka shkruar dhe këto dy vargje gjysmë shekulli më parë e kusur: “Në të gjithë shekujt janë vetëtimat e tij,/ kurse vdekja e tij në asnjë kohë”, që për mua mbeten një motiv i dashur frymëzimi. Vëreni ndjesinë krenare dhe fuqinë e imazhit që na sjell autori në poezinë “Këngë labe për Zonja Çurren”, tek e mbyll me vargun “ky flamur është gjoksi yt dhe kjo shkabë syr’ i zi”. Ja dhe strofa e parë e poezisë “Rapsodi”, që vjen si motiv i vjetër. “Klithën erërat dhe thanë emrin tënd./ Të vranë në një natë vjeshte, të vranë,/ - Nuse, moj nuse, - thirrën nënat, - i kuq t’u bëftë fustani i bardhë”...
Përse i përmenda këto shembuj nga libri i tij i parë? Nuk më kujtohet përse kam qenë mikpritës i poezisë së tij qysh në rininë time të blertë tiranase, por patjetër, sepse më ka pëlqyer vërtetësia, dëlirësia dhe shumëkuptimshmëria e qartë e vargut lirik. Ndonjë mik i penës e quan poet hermetik. “Po jo, mor mik, nuk është Golja hermetik. Pa hë, ma gjej, ku e vëren ti? Më gjej jo një poezi, por një varg më gjej, të lutem”... Hajt, t’i marrim librat me radhë. Unë po i shfletoj lehtas e me kënaqësi. Janë poezi të mira, të arrira, kanë lëng poetik, kanë jetë, kanë art, kanë atë dritën magjike të fjalës së ngrohtë dhe të bukur letrare. Kuptohet që s’janë të gjitha sipër, se as Fatos Arapi, Dritëroi, Kadareja, Dhori Qiriazi, Shkreli e Podrimja apo deri tek Frederik Reshpja e Xhevahir Spahiu nuk i kanë të gjitha poezitë sipër, por, gjithsesi, ngelen lartësi letrare, piketa të dukshme të letërsisë shqipe. Disa nga poezitë e Goles më pëlqejnë aq shumë, saqë unë i fërshëllej si motive popullore, apo i këndoj si këngë labe, siç është poezia “Epike”, që e këndon Grupi i Grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, edhe për faktin se ajo i kushtohet yjeve të pashuar të lirisë Hajredin Bylyshi (nga Tërbaçi, nga jemi dhe vetë), Mumin Selamit nga Kallarati, Bajram Tushit nga Vërmiku dhe Hiqmet Buzit (15 vjeçarit vlonjat me origjinë nga Buzi i Tepelenës...
Pra, ku gjendet hermetizmi në poezinë e Goles? Aaaa, ai nuk është shkrues vargjesh, as poet në proces, ai ka lindur poet, mbajti standardet e larta të poezisë me stilin e të shkruarit dhe frymën e re që futi, krahas të tjerëve, por me origjinalitetin e tij natyral të kultivuar, ku shndrit kontrasti tronditës. Vargu i tij është vërtet polisemantik, por aty qëndron e bukura, shija poetike, gjurma që le tek lexuesi. Nuk ta err leximin, i jep dritë atij, nuk t’i prish shijet, t’i zbukuron dhe hijeshon më fisnikërisht në rrafshin letrar dhe qytetar.
Poezia e Goles është një këngë lirike me lulëzim metaforik. Kujtoj, sapo u shfaq në botën letrare shqiptare, ai tërhoqi vëmendjen e kritikës dhe fitoi admirimin e lexuesve të letërsisë së mirë. Edhe pse i plotësuar me arsim universitar për Gjuhë - Letërsi shqipe, mendoj se Golja është poet i lindur, sa i kursyer në vargje, aq shpërthyes në çeljen e luleve shumëngjyrëshe të kopshtit letrar, që e ka selitur me ndjenjat fisnike të krenarisë kombëtare, qytetare dhe artistike.
Edhe pse u mirëprit qysh me librin e parë “Maji i zambakëve”, të vogëlthin e vitit 1976 vetëm në numrin e faqeve, Gole nuk nxitoi të botonte, sepse donte ta hidhte hapin të sigurt përpara, të mos ia rrëmbente era vargun, po të ndihej, të dëgjohet, të kuptohej e të ishte i dobishëm për shëndetin letrar të shoqërisë. Dhe kështu, mbas 8 vjetësh botoi vëllimin e dytë poetik “Emri yt” (1984), ndërsa librin e tretë “Vonoj të thinjem” e botoi mbas 12 vjetësh (1996). Pastaj, me një hap më ritmik e të sigurt në udhëtimin letrar vijoi botimet e librave me lirika: “Me zjarre fërkoj duart” (1998), “Kërcimtar pa kurm” (2000), “Njerk i askujt” (2001), “Pak terr dhe etje” (2003), “Mërgoj hijet” (2005), “Vetmia me gjeth” (2007), “Dihatje në livadhin e mbrëmjes” (2009), “Bir i vogël ajri” (2011), “Kureshtja për t’u rritur” (2011), me të cilin fitoi Çmimin Kombëtar “Letërsia për fëmijë e të rinj” (2012), “Vertebrat e shiut: antologji vetiake” (2013), “Vrapime mjedisi dhe gjuetie” (2015), “Gjuhë fluturimi” (2015), “Klorofil frymor”, poezi, prozë (2017), “Inde dhe ishuj”, poezi, poe-proza (2018), “Bilbil plot ligjërime” (skenari - film dokumentar), (2022), “Skulptura ujore” (2022), “Mërzi me këpucë letre” (2022), “Ajër plot kallëza” (2024), “Pylli me zemrekë në gisht”, poezi, poe-proza (2024), “Sol”, trill violine & peneli (2024), “Vesë prindërore” (2025)...
Hidrocentral i fjalës së bukur
Qysh në fillimet e tij shkrimore, ai shprehej: “Parathëniet janë të rrezikshme, pasthëniet...të mençura”, duke zbuluar paksa vetveten dhe besimin poetik. Dhe kjo paradigmë e profilit të tij letrar është mbushmendëse për këdo që e njeh këtë poet lirik, që është, së pari, korrekt me standardin e masës në vjershërim. Populli ynë ka një fjalë të urtë: “Gjella me kripë e kripa me karar”. Autori ynë e zbaton me rreptësi kriterin e masës. Ai shkruan në fund të vëllimit “Ajër plot kallëza” me vërtetësi dhe dëlirësi: “Poezia gjithçka e kërkon me masë: fjalën, vargun, figuracionin, kuptimësinë. Poezia nuk është zëri i masave të kuptohet prej kujtdo. Kërkon lexues të vëmendshëm dhe seriozë. Një poezi e mendimit nuk nënkupton që të jetë e errët, e mbyllur dhe hermetike. Lexim - këqyrja e poezisë do që lexuesi të jetë i kulturuar, lexues të saj nuk mund të jenë të gjithë”, duke uruar kështu poezinë e tij për udhë të mbarë tek lexuesi. Hermetike cilësonin edhe poezinë e Fatos Arapit të madh, por unë nuk mendoj ashtu. Poezia e Fatosit tonë ka diell, ka ajër, ka qiell, ka det, ka frymëmarrje, ka të gjitha stinët dhe, po të kesh sy shqiponje në lexim dhe kuptim, ajo është e tejdukshme, e qartë dhe e mrekullueshme. Edhe poezia e Ruzhdiut ka brenda një Fatos Arap me identitet golian.
Ruzhdi Gole është zotërues dhe studiues i vetvetes, pastaj shkrues i vëmendshëm i vargjeve zemërgjerë si “borzilokë yjesh”. Në vargëzimin golian ndihet këndshëm gjelbërimi stilistik që na shijon gjatë leximit, sepse mënyra e të shprehurit, organizimi ritmik origjinal i krejt materialit gjuhësor të përdorur në lëndën letrare lulëzojnë ligjëratën poetike, duke lënë përgjatë rrjedhave të kohës firmën e motit libror të R. Goles në fenomenin artistik - gjuhësor, që na mbush me emocione të fuqishme dhe na zbukuron fytyrën letrare, shëndetin letrar, kulturor dhe qytetar, krahas poetëve të tjerë të mirë që ka Shqipëria.
Për lirikat e Goles kanë shprehur mendime të vyera personalitete të fushës si Xhevahir Spahiu, Hiqmet Meçaj, Visar Zhiti, Arian Leka, Ymer Çiraku, Çapajev Gjokutaj, Harallamb Fandi, Bardhosh Gaçe, Fatbardh Rustemi, Shpendi Topollaj, Yzedin Hima, Shpëtim Kodra, Enton Bido, Ilir Paja etj.
Poeti i dashur
I dashur, Ruzhdi! Ti je shumë i mirë si njeri, si mësues dhe si Poet. Unë të kam vlerësuar që me “Zambakët e majit” e më parë. Moralisht dhe poetikisht të jam borxhli, si mik i dëlirë. M'u bë qejfi që edhe edhe intelektuali i letrave Lame Fandi ka shfaqur vlerësim të lartë për penën tënde.
Se ja kështu, poezia e Goles nuk thinjet, ajo është djaloshare në çdo kohë dhe, si lirikë e Dallgës së Detit me furtunë, e gjejmë të regjistruar në kujtesën e historisë poezisë shqipe, veç të tjerash edhe me “ca vreshta mirësjelljesh”.
Shpesh herë, kur nuk i bëj zile, më shkruan mirësisht dhe me humor të shëndetshëm, si në poezitë e tij: “ - Më bëre merak me heshtjen tënde ... [dhe sikur unë i them] “...shëëët Gole se jam në bibliotekë”.
Shpesh herë prof. Fatmir Terziu i përgatit cikle poetike Goles dhe ia boton tek prestigjiozja londineze “Fjala e Lirë”. Ato janë poezi të mira, që të lenë herë një shije të ëmbël letrare, herë një shije të kripur, por gjithmonë kanë një arome të këndshme estetike.
Sidomos ciklet poetike tek “Fjala e lirë” janë frymë arti e gurgullimë e vargut të bardhë, si shpirti i autorit, që e pikturon strukturën poetike me ngjyra kuptimore aq të ndezura, të bukura e fisnike.
O Gole! Po ti je hidrocentral i fjalës së bukur edhe kur derdh trishtim shpirti, o fjalarti ynë kosovaro - vlonjat nga Durrësi. Nuk humbet çelësi i dritës, sepse bën "fap" poezia e vërtetë shqipe në vargjet e lirikës qytetare të Ruzhdi Goles.
Kontrasti që vesh hijshëm vargjet lakonike e bën më aristokratik poezinë e përveçme të Goles, po aq më të dëgjueshëm qytetarisht shqetësimin intelektual të autorit: Patericë dite apo ditë pa paterica?!
-më ka ngelur në mendje cikli “Taksën e ditës paguaj me brengë’ te “ExLibris”, që e kam lexuar me vëmendje dhe me kënaqësi. Gurra poetike e Ruzhdi Goles nuk shteton kurrë dhe në çdo gotë që mbushim (poezi që lexojmë) shijojmë ujë të pijshëm të sigurtë për shëndetin tonë letrar.
Miq të penës!
Pini ujë nga Gurra Letrare Made in Ruzhdi Gole!
Por Golja i shikon sa me dashamirësi, aq me vëmendje mbresat e mia, dhe duke përdorur mençurisht autoironinë, më thotë: “Faleminderit Bert ! Ooooo, desh po mbytem nga thellësia e cekët... Patericë dite...Dita mbahet akoma, Ditë pa paterica....po ku do mbahet Dita ??
Le t’i mbyll këto fjalë të thjeshta me profilin tënd që njoh unë si Hidrocentral i pashtershëm i fjalës së bukur poetike.
Comments