Ti më erdhe si magji, në oborrin e poezisë, Vargut tim i vure flakën në kufijt’e marrëzisë Si kometë qenka kjo jetë, le një gjurmë edhe fiket, Kush ka rrojtur di të vdes, nuk ia di emrin frikës.
Zemrën kam pikë të dobët, siç pati thembrën Akili, Atë ditë s’di nga dole, përmbi buzë më zbriti ylli Ylli-dritë i syrit tënd më flladiti shpresë e jetë, Shenjtëria e qiririt që për dritë shpirtin e tretë.
Diell shpirti, yje zemre, çiltërsinë kam gjymtyrë, Eci shtruar, nuk ngutem, si gamile në shkretëtirë Nuk ruhem nga drit’e diellit, as nga zjarri i një buze Shihni harkun e ylberit, e ka lindur veç një puthje.
Nëpër pyllin tim të ëndrrës erdhe ti si xixëllonjë Nuk e di se ç’pati zemra, ja, dëgjoje!... S’e dëgjon?! Vire dorën pak këtu!... A e ndjen si zien vullkan? S’kuptova ç’ndodhi kështu, apo nuk isha i gjallë?
Gazi, helmi janë në udhë, njëlloj vrasin që të dy Qoftë dhe lodër nëpër shpuzë, më mjaftojnë ata dy sy Si i çmendur unë u deha, ashtu siç dehen poetët Veç nuk di të rrëfehem, më pëlqen “pus’i sekretit”.
Këto vargje vetëm Ti, askush tjetër në këtë botë. Mund t’i digjie, t’i bëji hì, ose lule përmbi lotë Lule loti, nga ata lotë, që t’i pija si musht vere, Por më bëre të ndihem Zot, më fale jetë pranvere.
Nuk i dogje, s’ndodhte kurrë, ishte ëndërramagji Ëndërr si pupël mbi ujë, që u bë detdashuri Ishte vetëm fjala jote që ndërroi vitet në jetë Ndaj iu shtua kësaj bote dhe një mrekulli e tetë.
Comments