MOSKUPTIMI QË REVOLTON
Nga Timo Merkuri
Në faqen e Gazetës “Lëvizja të dt 17.Nov.2022 Zeno Jahaj publikon shkrimin “Turpi kombëtar shqiptar në UNESCO për polifoninë tone”. Është pikërisht ky titull që më tërhoqi vëmëndjen,madje më bëri kurioz sepse e gjeta dhe te faqja e fb “Vajza e Labërisë” si dhe të riformatuar në një shkrim të ri te gazeta Panorama e datës Janar 2023 me titull “Ministër i Kulturës, hiqeni njollën nga UNESCO”! Të them të vërtetën ky shkrim kishte një revoltë të dyfishtë, revoltën e autorit për atë që kishte lexuar në faqen zyrtare të UNESCO-s dhe se kishte kuptuar fare dhe revoltën e lexuesit për shkrimin e autorit, që thotë: “Në faqen zyrtare elektronike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), në referencën “Iso-Polifonia popullore Shqiptare” dhe në Vendimin përkatës të saj të vitit 2008 për regjistrimin e kësaj polifonie në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, është përcaktuar: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine”. Po në këtë faqe zyrtare elektronike, në ilustrim të fotografisë qendrore që vijon Vendimin e UNECO-s gjendet në tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht dhe spanjisht), ky interpretim: “E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup, e realizuar kryesisht nga burra”, me nënshkrim nga Vasil S.Tole”.
I-Për hir të objektivitetit autori duhet të sqaronte së pari se: Faqja e UNESCO nuk administrohet nga shteti dhe insituciinet zyrtare shqiptare dhe se Vendimi për njohjen e Iso-polifonisë shqiptare si Kryevepër shpirtërore e njerëzimit është marë në datën 25 Nëntor 2005 ndërsa regjistrimet e bëra në faqën zyrtare të UNESCO skanë lidhje me institucionet shqiptare. Nqse autori dëshiron të nxjerë përgjegjësinë e këtyre institucioneve duhet tu referohet dokumentave të prodhuara prej tyre. Nqse Vasil S. Tole ka firmosur një dokument të tillë, ky dokument me firmën e tij duhet publikuar dhe të nxiret përgjegjësia. Këtë e them me bindje se nuk ka asnjë mundësi që në dokumentat e institucioneve tona të jenë bërë formulime të tilla për arsyen e thjeshtë se liturgjia bizantine nuk është polifonike. Në fakt nga ana e autorit ka një keqinterpretim, fjalia në faqen e cituar është: “The term iso is related to the ison of Byzantine church music and refers to the drone accompanying polyphonic singing”, e cila përkthehet: “Termi ISO ka lidhje me ison e muzikes kishtare bizantine dhe i referohet nje tingulli te mbajtur që shoqeron këndimin polifonik”. Pra bëhet fjalë për termin ISO, jo për vetë dukurinë e polifonisë me iso! Duhet të dimë që në muzikën bizantine njeri nga zërat quhet ISON, jo ISO dhe është zëri që mban një notë të gjatë, por kjo nuk ka lidhje me ison e këngës sonë iso-polifonike. Mund që muzika bizantine ta ketë bërë këtë qasje në termillogji për tu kuptuar më mirë natyra e ISON-it e përafërt me natyrën e ISO-s tonë, por për shkak të termillogjive jo shqiptare në një gjini muzikore jo shqiptare skemi pse debatojmë ne. ISONI bizantin është tingull i temperuar, kurse ISO jonë është e patemperuar dhe kjo është një ndryshim i madh. Një gjë është e qartë, muzika jonë shumëzërrëshe, iso-polifonike nuk e ka origjinën nga muzika kishtare byzantine dhe askush ska pse keqkuptohet në këtë drejtim. Kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi mortor, nga ligjërimi i nënave tona, është këngë shqiptare pa huazime të jashtëme.
II-Firma e Vasil S.Tole, të cilën e përmend autori nuk është firmë. Ajo është një symbol që ka formën e gërmës “c” brenda një rrethi, symbol që nënkupton të drejtën e autorit, emri i të cilit ndodhet pranë atij simboli. Në këtë rast kjo shënjë ka lidhje me fotografitë ilustruese që janë bërë nga Vasil S Tole dhe ndaj kanë emrin e tij dhe jo ndonjë artikull i nënshkruar prej tij. Ajo nuk është firmë, nuk është nënshkrim por është shënjim i të drejtës së autorit. (Shih foton e zbritur prej meje, ku autori pretendon nënshkrimin te simboli i të drejtës së autorit). Në praktikën shtetërore dosjet si rregull firmoset ose nga Ministri i Kulturës ose nga Kryetari i Komisionit Kombëtar të UNESCO-s që funksionon pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vetëm këta kanë të drejtë të dërgojnë aplikime në UNESCO në emër të shtetit shqiptar dhe askush tjetër. Madje edhe çertifikatën e shpalljes së Iso-Polifonisë shqiptare si pasuri shpirtërore e njerëzimit në Paris u tërhoq nga ish ambasadori shqiptar në Paris, z Luan Rama me autorizim të posaçëm.
III-Nuk është ndonjë çudi e madhe dhe as ndonjë hata që ndonjë faqe zyrtare, gazetë, TV apo çfardo mjet informimi masiv të publikojë informacione jo të sakta për vendin tonë, dhe këto informacione nuk janë njollosje e dinjitetit tonë kombëtar (pamvarësisht se në rastin e mësipërm nuk ka gabim, por ka keqkuptim nga ana e autorit të shkrimit). Duhet të kuptojmë se çertifikimi i këngës sonë shumëzërrëshe, iso-polifonike si kryevepër e njerëzimit dhe marja në mbrojtje nga vetë UNESCO është një nder e vlerësim për artin tonë gojor. Në rastin tonë autori nuk e ka kuptuar atë që shkruhet në faqen zyrtare të UNESCO-s dhe nga ky moskuptim ka lindur revolta e tij, e cila ka prodhuar artikullin e gabuar, por ka krijuar edhe revoltë te ata që e kanë kuptuar drejt shkrimin në faqen e UNESCO-s dhe revoltohen me artikullin që bën “zhurmë”. Thirrjet për “rishikimin dhe ndryshimin e termit iso-polifoni” është një thirrje dum-babiste, lejmotiv i një grupi të vogël që s’dinë mirë se çfarë kërkojnë.
Sarandë, më 18.01.2023
Comments