MOS QAJ, OR MIK!
(Z. H)
Mos qaj zotëri, për mikun që mbyll portën
Të sheh karshi dhe shkon me bisht në shalë
Sa keq më vjen, që paske humbur kohën
Por më beso, nuk vlejnë miqtë gërdallë
Mirënjohja zgjohet vrulltas tek sojlliu
Që ndjen në shpirt çdo dhimbje rretheqark
Unë njoh dhe kafshë, që kanë fytyrë njeriu
Ndaj i shpërfill dhe qesh me to nga pak
Ajo që zgjaste putrat për mëshirë
(Nuk di ç'më flisnin sytë e saj të zes!)
E di, në tjetër shtrat qëndron e shtrirë
Prandaj e flaka, si të ndjej pendesë?
Argjend i vjeshtës derdhet pa kursyer
Të dy jemi vërsnik me këtë stinë
Ky lum kujtimesh, ja tek vjen rrëmbyer
Më sjell tek ti, po ti s’e pi rakinë!
S'e gjejmë dot gëzimin e munguar
T'ia shtojmë jetës pak nga pak çdo ditë
Se fundja, fati ynë qënka i shkruar
Për lolot kemi fjalën si kamzhik...
Comments