top of page

Morton F. Eden, miku besnik i Kongresit të Lushnjës.


Petro Luarasi


Është nder e kënaqësi e veçantë të shlyesh një detyrim të hershëm për një personalitet, për më tepër një anglezi,  që iu gjend përkrah Shqipërisë sonë hallemadhe në periudha  të vështira, madje duke e vuajtur rëndë ndihmën e tij bujare.  Ky libër, vijon atë të botuar në pragun e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  kur  përfaqësuesit më të lartë të republikës kërkojnë me këmbëngulje studimin, publikimin  e saktë të historisë kombëtare, vlerësimin si duhet të   ngjarjeve kulmore të saj  dhe nderimin e  personaliteteve  kontribues  shqiptarë e të huaj. 

       Krahas  Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili ngrehu sërish pas  shekujsh robërie  simbolin kombëtar, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,    synohet  të ndriçohen, siç e meritojnë, veprimtaritë e qindra atdhetarëve të shquar,  nga  tërë trevat etnike shqiptare e diaspora, të cilët me sakrifica e therrori të tejskajshme programuan, përgatitën dhe realizuan dëshirën  shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi.


Gjithashtu  synohet të njihen dhe të vlerësohen edhe të gjithë ata që kontribuan për ideimin, themelimin,  ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar.

Në këtë përvjetor  historik,  kombi shqiptar  ka rastin të tregohet fisnik me  mirënjohjen dhe   nderimin e tij  kundrejt miqve   të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan  të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua  ka më të madhin borxh, jo vetëm për  t’i përmendur, por  dhe për  t’i vlerësuar siç e meritojnë.

Në vargun e  miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri  tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert  e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve  edhe Morton F. Eden.

Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 - 2 janar 1948) qe djalë i vetëm  i  familjes fisnike britanike të   Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e  Violet. Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar   karierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe  informativ.

Në vitin  1889 u caktua të shërbente në Australi ku  për 25 vjet  u  dallua si  eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit.

Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në  rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890-1940,  i  ka përshkruar  në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë.  Kjo  lëndë e ka frymëzuar  shkrimtarin Jim Barrett  për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)

Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.

Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi  të shtabit të përgjithshëm  të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua  për të ndjekur   ngjarjet   në Shqipëri deri në nënshkrimin e  armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë   si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920  u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i  trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër.


Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura, në vitin 1919 u vlerësua  Anëtar i Urdhërit të Perandorisë Britanike (M.B.E)

Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në   ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit  në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre  mbi   synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të  fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë  luftës së Vlorës në dëbimin e trupave  italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.

Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë,  agjenti dinak dhe politikani mendjehollë,  në kontakt me popullin dhe  realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin  prej  miku  të  përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën.

Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh  anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms.Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme,  ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe  bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani,  Ahmet Zogu, Fan Noli,Abdi Toptani, Abdyl Ypi,  Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj. 

Sipas  atdhetarit A.Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Morton F. Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune.

Rëndësia e informacioneve të Morton F.Edenit  dëshmohen edhe në  librin  “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta” (f. 218) “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania: Diaries and Papers 1904-1923) të përgatitur për botim nga  studjuesi Bejtulla Destani. Atje paraqitet  edhe  një letër që Aubrey Herbert i dërgon përfaqësuesit britanik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sir Eyre Crowe, më 22 shtator 1919, në lidhje me gjendjen në frontin e Shqipërisë Jugore. Sir Herbert  shkruan: ‘’Siç nuk kemi dyshim, ju do të dëshironit  që grekërit të posedonin territoret e tyre  dhe shqiptarët të Shqipërisë. Ne mendojmë se një test  i ndershëm etnik duhej të bëhej meqë grekërit kanë djegur qytete e fshatra. Ata  i kanë djegur sepse këto ishin të populluara nga një kombësi e huaj. Nëqoftëse do të lexoni raportin e Mr. Morton F.Eden (në atë kohë sekretar pranë shtabit të  gjeneralit Phillips në Shkodër) i cili ka qenë në ato anë tre vitet e fundit, ndonjë dyshim që ju mund të kini rreth kombësisë do të tretet. Evidenca amerikane  është veçanërisht e vlefshme  meqë ata kishin njohuri  të para luftës  mbi vendin.” ëKëtu Sir Herbert  ka parasysh informacionet e çiftit Kenedi (Kenedy) përkatësisht  Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas) misionarët  e parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të  vendosur në Korçë më 1908ç

Personaliteti i Morton F.Eden, ndjeshmëria  dhe   përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korespondencën e tij që gjendet në fondin  e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57) . Atje gjendet edhe  një letër e  Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës e nënshkruar nga  Fan Noli,  i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër Gjeneralit Phillips dhe letra apel  që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920  kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri.

          Gjatë okupacionit  fashist ai  u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: ‘’Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.

Morton F.Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur  me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa  u nda nga jeta në  moshën 82 vjeçare.

             Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm.  Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione  të viteve 20-30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë  sistemit diktatorial apo  në ndonjë memuar, korespondencë a dokument arkivor të botuar  vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen  nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe  më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se  ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.

             Ndër ato pak shkrime të botuara  mbi veprën dhe meritat  e Morton F. Eden, dallohet  ekstrakti  i studjuesit  Uran Asllani  me referenca e  opinione personalitetesh bashkëkohës. Ai argumenton  bindshëm se “majori Iden, agjenti anglez i kongresit të Lushnjës”, edhe vetëm për këtë kontribut të vyer duhej të vlerësohej nga historianët shqiptarë dhe burokracia shtetërore  me studime, dekorata dhe emërtesat institucionale përkatëse që i takojnë normalisht rangut të shërbimit të tij madhor.

               Rivlerësimi ndaj tij dhe  albanofilëve të tjerë anglezë të kryesuar nga miku i madh  Sir Hebrey Herbert,   do t’i përgjigjej denjësisht kuotës së marrëdhënieve miqësore me Mbretërinë e Bashkuar  edhe si përkrahëse e madhe  e  pavarësisë së Kosovës.  

 Në hyrjen e  librit “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta”,  Noel Malcolm shkruan: “Kur vizitoi Herberti Shqiperinë e Jugut, në shtator 1913, një turmë e grumbulluar përballë banesës thërriste: O Paladin i Lirisë, i bekuari i nipërve tanë…Por e vërteta e hidhur është që shumica e nipërve të këtyre shqiptarëve mirënjohës nuk janë në gjendje të bekojnë emrin e Aubrey Herbert dhe madje as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të.” A është në nderin e kombit shqiptar  që ky mënjanim nga regjimi diktatorial çuditërisht të vazhdojë edhe në ditët e sotme ndaj këtij personaliteti të rangut të lartë, i cili në krye të një grupi të vogël filoshqiptarësh anglezë si Morton F.Eden, Edit Durham etj, realizoi mrekullinë e shpalljes, njohjes dhe analizimit me simpati të problemit shqiptar në qarqet britanike, historikisht të lidhura me politikat shoviniste të vendeve fqinje.Në pragun e 100-vjetorit të Pavarësisë, ne shqiptarët le të shprehim mirënjohjen  për miqtë tanë të cilët na ndihmuan aq shumë kur qemë të rrezikuar nga coptimi dhe asimilimi kombëtar.

           Morton F. Eden  ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog, me veprën   “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania: its discontents and their origin”, 1920).

 Ky  libërth i përmendur në literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve “magjike”, tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një  “xhevahir” i cili   ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe  diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën  e  madhe: Shqipëria, si ka qenë e si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të  qarqeve  mike  dhe armike. Në përgjithësi  na kujton veprën “Shqipëtarët” (“The Skypetars“) të albanofilit amerikan  George Fred Williams,  të botuar thuajse në të njëjtën kohë,  me të njëjtin qëllim dashamirës por me një spektër  më vezullues.

             Në veprën e  Edenit përshkruhet prejardhja  e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore  historikë, interesat që  mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombëtare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat  e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj.

             Në vepër mbizotëron mendimi se “gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është  krijuar nga  fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë  prishjen e Shqipërisë.”

            Ky mesazh është aktual edhe në shek.XXI, kur pak gjë ka ndryshuar për kombin tonë i cili për të përballuar sfidat e  rreziqet duhet të bashkojë e të bashkërendojë tërë gjymtyrët e energjitë e tij në tërë popullatën e “Komunuelthit shqiptar” në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, në  Greqi, Turqi  e kudo.

            Sikurse u deklaroi zyrtarisht parlamentarëve shqiptarë z. Behgjet Pacolli, si President i Kosovës, “me këtë qasje, unë dua t’i thërras ndërgjegjes suaj kombëtare, vetëdijes suaj politike, aftësive tuaja profesionale, për të menduar pak: A duhet të kënaqemi me këtë nivel të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, shpirtëror mes veti?… Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi.” (1)

              Se përse ndodh kështu, cilët janë faktorët e aktorët e kësaj gjendje ka dashur të na e sqarojë edhe përkthyesi i kësaj vepre, atdhetar Skënder Luarasi, i cili shprehej:  “Më dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja, në dritën e së vërtetës, qoftë dhe ndonjë ngjarje ose persona të kësaj historie të së kaluarës. Se ja, do s’do, vjen një kohë, kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigje shoqërisë: Ç’i lamë vendit tonë?”

              Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet 60’,  u  bllokua në  Institutin  e Historisë  pa e parë dritën e botimit. Indikacionet e saj  rastisën të gjenden në regjistrat e institutit ku vepra e pabotuar përcaktohej si përkthim i Skënder Luarasit. 

             Materialin  e   plotë të daktilografuar fatmirësisht e gjeta  në një nga dosjet e përkthyesit, i cili edhe  si  historian  nuk bëri kurrë pazar me të vërtetat historike.

            Në kushte të vështira censure, ai nuk rreshti  së shpalluri nderimin e tij  ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri   edhe për albanofilët  anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett, Mary Edith Durham, etj.

            Botimi në shqip i  veprës “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”    në prag të festës së  100-vjetorit të  pavarësisë  së Shqipërisë është një dëshmi mirënjohje ndaj albanofilit Morton F. Eden  dhe përmbush dëshirën e hershme të  atdhetarit Skënder Luarasi për t’ia bërë të njohur kombit shqiptar. (*)

                  *     *      *

Në përkujtim   të 95-vjetorit të  Kongresit Kombëtar të Lushnjës,  ndër programet  festive u shfaq edhe një  film dokumentar ku  ndër  delegatët  shqiptarë  të kongresit  u publikua  edhe  fotoja dhe kontributi i  konsullit anglez Morton Frederik Eden.

Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me  titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”.  Nga ana e tij  Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”

Ndër ata që ndihmuan  këtë publicitet  veçoj  studjuesin Engjëll Zerdelia me  librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’,  që i kushtoi  vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2) 

Sikurse në raste të tjera harrese, për  personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare,  atdhedashësit shqiptarë  shqetësohen  përse do të duhej të kalonte rreth  një shekull  për ta përmendur dhe vlerësuar  konsullin anglez që  jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’,  por dhe  për shumë e  më shumë vepra bamirësie  ‘’në ditët e sterrosura’’ për  shqiptarët?!

Dritë-hijet e kësaj  enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës,  atentatet  dhe   kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij  nga detyra  dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë  emrin dhe veprën,  i  qartëson  më së miri  studjuesi grek  Lampros Psomas, edhe pse bazohet  në interesave  politike greke.(3)

Përmes dokumentave dhe kritereve profesionale ai zbërthen paradokse dhe u jep përgjigje dilemave: Nga kush e përse akuzohej dhe si u largua nga detyra Konsulli Eden? A qe ai një ushtarak  i aftë, i bindur  dhe i përkushtuar  në ushtrimin e detyrave shtetërore  që i qenë ngarkuar nga eprorët? Informacionet që u dërgoi autoriteteve britanike  qenë objektive apo sajesa në favor të shqiptarëve për  përfitime vetiake?

Mbi të gjitha paraqet interes konkluzioni i studjuesit  se akuzat që iu bënë Konsullit Eden se kinse  shpërdoronte detyrën duke sajuar  rrethana të paqëna  për  mbrojtjen e të drejtave dhe trojeve  të shqiptarëve, se dizinformonte  shtetin britanik  për interes  të një kompanie private nafte, qenë akuza të  pa provuara.  Dhe këto sajesa që i përkasin  një situate të tejkaluar shekullore   marrëdhëniesh ndërshtetërore u imponohen kancelarive përkatëse prej një shekulli,  për paradoks  edhe vetë politikës dhe historiografisë  shqiptare,  që pasardhësit   të mos njohin  e vlerësojnë aftësinë  profesionale dhe që  të nderojnë humanizmin shembullor të  Konsullit Eden, si mbrojtës i të drejtave shtetformuese të shqiptarëve  dhe tërësisë territoriale të nëpërkëmbur mizorisht.

Ndjenja  atdhetare më obligoi të përkthej dhe botoj edhe studimin  e dytë të tij,  ‘’Shqipëria dhe fqinjët e saj’’, botuar në korrik të vitit 1921, të cilin  ia ofroj pa komente  shqiptarëve të përgjegjshëm. (**) 

-------------------

(1) Nga fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Parlamentin Shqiptar: “Aspiratat tona kombëtare, në përputhje me rregullat e hapësirës evropiane”, më 21 Mars, 2011.

(2) Engjëll Zerdelia, Kongresi Kombëtar i Lushnjës, Agim Bakushi ,Tiranë , Emal, 2014, 220 f.

(3) Lampros Psomas, A Spy in Albania: Southern Albanian Oil and Morton Frederic Eden, International Journal of Intelligence and Counter Intelligence, Volume 28, 2015 - Issue 3. http://www.academia.edu/12399538/A_Spy_in_Albania_Southern_Albanian_Oil_and_Morton_Frederic_Eden


65 views0 comments

Comments

Couldn’t Load Comments
It looks like there was a technical problem. Try reconnecting or refreshing the page.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page