Unë isha inxhiniere. Edhe sot inxhiniere jam. Isha inxhiniere në këmbinatin e tekstileve në Berat. I mbani mend ato pëlhurat e pambukta, të brenshmet e pambukta që dilnin, mbushnin tregun, por mbi të gjitha mbushnin eksportet shqiptare? Nuk ka se si të mos i mbani mend. Sigurisht nëqoftëse keni qenë të paktën adoleshent për mos me thënë i rritur apo e rritur. Erdhi një ditë që ma shkurtuan vendin e punës. Edhe unë ç’them kështu! Nuk ma shkurtuan po ma shkatërruan. Makineritë, bashkëkohore dhe me rendiment të lartë, i çmontuan ose më e udhës të them i shkulën vendesh dhe i dërguan si hekurishte në Mal të Zi. Histori e njohur kjo në të gjithë Shqipërinë me kombinatin e autotraktorave në Tiranë, Uzinën e Instrumenteve në Korçë, uzinat e Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës e kë të numrojsh më përpara. Edhe fushat e pambukut i bënë copëza copëza dhe pambukun e shpallën bimë non grata...
Nejse, këto i dini, ashtu siç dini se në Shqipëri nuk mbeti inxhinier, agronom, zooteknik, veteriner, kimist, biolog, filolog e ku t’i numroj të gjithë, pa luejt prej vendi, pa marrë malet i infektuar nga virusi i çmendisë. Edhe unë malet mora. Me burrë, me djalë e me vajzë. Shyqyr që kisha qenë e rregullt në zbor e dija ta bëja rikonicionin e terrenit si një ushtarake profesioniste, sigurisht duke u konsultuar dhe bashkëpunuar në të gjitha rastet me komandantin e operacionit, burrin tim inxhinier pyjesh.
Pra, unë, Mimoza P. kam qenë inxhiniere, madje me përvojë gati një çerek sghekullore.
Isha, por edhe jam. Tani jam inxhiniere pastrimi, pastroj shtëpira. Një e kam në Kifisia, në Kefalari. Një gjysëm ore me tren e njëzetepesë minuta në këmbë. Ndonjëherë kur jam vonë marr edhe taksi. E paguaj vetë se sa për zonjën e shtëpisë mos e thoni atë fjalë. Nuk i del leku nga grushti që e mban të shtrënguar sikur do të më bjerë turinjëve.
Punën tjetër e kam në Melisia. Deri në Kifisia ia hyp trenit kurse nga Kifisia ia hyp një autobuzi të vogël që kërcen si karkalec edhe në asfalte tepsi të rrafshët. Rruga në total, me gjithë pritjet në stacione treni e autobuzi, e kalon një orë e gjysëm në vajtje e po kaq në kthim. Tre orë në ditë vetëm rruga: hip në tren e zbrit prej treni, hip më autobus e zbrit nga autobusi. Bereqavers punën e dytë e kam shumë afër stacionit të autobuzit, bile, kur është vakti për t’u kthyer e mas lëvizjen e tij nga ballkoni i vilës. Bereqavers që edhe zonja ma ka lënë çelsin e shtëpisë dhe nuk e sheh orën e ardhjes dhe të ikjes siç e sheh kefalarja.
Punën e tretë e kam në Agio Parashqevi, atje ku dikur arvanitasit vendas i kanë pasë thirrë “Lopëz” sepse thonë se ishin vende të bukura për kullotë e tashti i thonë Glika Nera. Larg është; tren deri në Manastiraq, metro deri te Ministria e Mbrojtjes apo Etniki Amina siç i thonë me letra, autobuz deri në Glika Nera, pesëmbëdhjetë minuta në këmbë deri tek vila...
Punën e katërt e kam afër, njëzet minuta me dy autobuza. Sigurisht kur nuk ka lëvizje të madhe. Edhe atje i kam çelsat e shtëpisë. Zonja e shtëpisë është pak si abdalle, nuk arrin ta shohë dot cilësinë sepse sapo iki unë gjithëçka bëhet rrëmujë nga dy qenë e dy mace që ndjekin njeri tjetrin e nuk pyesin se mua më ranë krahët për ta pastruar shtëpinë e vënë gjërat në vend. Zonja i do shumë qentë sa në një shtëpi që ka diku andej nga Kanxha ka bërë një stan të tërë qensh dhe ëndërr ka që në pleqëri të ketë një pronë të madhe e një urdi me qen të të gjitha rracave.
Dhe tani më thoni me të vërtetë: jam inxhiniere apo nuk jam. Edhe po nuk ma thatë mua nuk më ngel hatëri. Ky stan këtë bylmet ka. Nuk na e ka fajin kurkush nëse ne ndërruam inxhinjerllëqet.
U zgjata shumë, sigurisht pa një arsye. Në fund të fundit çfarë u duhet juve se ku kam punuar e ku punoj unë ? Çfarë të reje u sjell unë duke ua numëruar të gjitha gjërat një për një ? Në fund të fundit këtë tablo të punës së gruas a nuk e keni të gjithë në shtëpi, a nuk e shihni si shkon pa gëdhirë e lodhur nga gjumi i pakët dhe si kthehet e këputur si filiz i njomë mbi divan? Gratë janë shpinë këputura e punë padukura.
Këtë, pikrisht KËTË, e kanë kuptuar zonjat dhe nuk na japin as IKA, as leje vjetore, as leje për ditët e shënuara fetare që grekët i kanë me aq bollëk sa na dhemb kurrizi kur kemi për të shtruar trapeza, dhe as dhoro siç jemi mësuar tashmë t’i themi dhuratës edhe kur shkojmë në Shqipëri e njerëzit na shohin me kërshëri se çfarë fshehim pas asaj fjale...
...Sot ka grevë. Janë në grevë shoferët e autobuzëve, të trolejbuzave, trameve, trenave, metrosë. Vetëm taksixhinjtë nuk janë në grevë. Përveç parave që u marrin hallexhinjëve që janë të detyruar të udhëtojnë me to që të mos humbasin vendin e punës, në xham, që të duket si nga mbrenda ashtu edhe nga jashtë, kanë vënë një lajmërim me shkronja kompjuterike dhe me ngjyra ku të thonë se përveç euros së parë sapo hyp në makinë, përveç eurove që numron sahati që nuk ecën por vrapon, duhet të paguajshë edhe një euro si “dhuratë për Krishtlindjet”. Se nga e kanë sajuar këtë rregull askush nuk ta thotë ashtu si nuk ta thotë se pse ne, “innxhiniereve të pastrimit”, ne që përcjellim nëpër duart tona higjienën dhe pastërtinë e familjeve greke, që mbajmë pleq e plaka ulokë, që rrisim me dashuri nëne fëmijët e zonjave që shetisin supermarketeve luksoze e buzuqeve, që nuk mungojnë t’i hedhin mbi pjatancë bakshishe kamarjerëve e hoteljerëve, nuk na japin dhuratë, një bakshish fare të vogël si shenjë respekti për atë punë të madhe që bëjmë për to...
Sot ishte grevë e përgjithshme. Ishte bllokuar cep më cep Athina. Për të shkuar në Kefalari mora taksi. Me gjithë euron “dhoro të Krishtlindjeve” rruga më shkoi 15 euro. Taksixhiut i mora dëftesë të cilën ia lash zonjës në dorë. Më pagoi vetëm ditën e punës. Paratë e taksisë nuk m’i pagoi. Më tha se nuk kishte. Më tha se duhej ta kisha marrë në telefon...Më hipën nervat. Desha t’i them se nuk do të shkoj më. Nuk ia thashë. Inatin e mbrëmjes thonë lere për mëngjes...
Sot, ndërsa u futa në metro drejt Agia Parashqevisë, e qetësova mendjen. Do të shkoj përsëri, në ditën dhe orën e caktuar, me tren, autobus apo me taksi qoftë...
Çfarë të bëja, thoni ju? A nuk bëjnë të gjitha “inxhinieret shtëpiake” të njëjtën gjë?
Opmerkingen