top of page

Monografi e një hulumtimi shterues


Myrvete Dreshaj - Baliu


Si e tillë, monografia e Jup Kastratit për Konicën fillimisht mund të quhet një antologji, një histori, një përshkrim shterues i jetës dhe veprës së tij, një vepër moralizuese dhe vetëm në fund një sintezë mbi të cilën mund të shkruhet edhe një vepër tjetër e liruar krejtësisht prej të dhënave shteruese të bibliografisë së tij shumë të gjerë, citateve të gjera ku shpesh përfshihet artikulli i tërë, komentimet e gjera shpesh përshkruese të artikujve etj. Të gjitha këto e bëjnë këtë vepër një mal sintezash dhe një mundësi rifillimi nga e para.

Po të bënim një ndërtim të ri në vija të trasha, ose po të përshkruanim në mënyrë vizuele tërësinë e monografisë mbi Faik Konicën, atëherë ajo do të dukej kështu: Situata politike shoqërore dhe kulturore e kohës, rrethi ku jetonte Konica, aktiviteti i tij dhe pikëpamjet vetjake, të tjerët për Konicën, veprimtaria letrare dhe analiza e saj, sipas një shembulli mbase përgjithësues, si ky: “Në novelën Dr. Gjilpëra… kritikon, demaskon, satirizon dhe ironizon gjendjen e prapambetur sociale e shpirtërore të ambientit dhe të popullit shqiptar në vitet ’20. (378) … Në këtë novelë autori fshikulloi format anadollake të organizimit të jetës shoqërore e familjare në Shqipëri, demaskoi administratën shtetërore të kohës, me korrupsionin dhe ryshfetin, si tipare të saj thelbësore, vuri në shënjestër, me një sarkazëm dërmues e me imtësi hiperboliko - groteske, injorancën dhe brutalitetin e nëpunësve. Kritika e këtyre anëve të realitetit shqiptar të kohës ishte e drejtë.”(378) Vijn më tej analiza tipike e personazhit negativ dhe pozitiv, gjuha e tij, vlerësimet gjithnjë pozitive për vlerat estetike, letrare, kompozicionin etj. Apo, ja edhe një shembull karakteristik për tekstin letrarTërkuza”, “Novela, ka elemente të fabulave popullore, timbrin e tyre, stilin e tyre, gjuhën e tyre, dhe, mbi të gjitha, fantazinë dhe imagjinatën krijuese. Është e mveshur me petkun e artit refleks. Të rrëmben gjuha figurative, sintaksa poetike, fraza e rrjedhshme, fjalia e sigurt, saktësia e të shprehurit, leksiku i begatë”. (355)


Një vend të gjerë autori ua ka kushtuar raporteve të Faik Konicës me Nolin, Zogun dhe Naimin. Duke preza­ntuar artikujt një nga një, sipas vlerave dhe pikëpamjeve të autorit, ai dallon periudhat pro dhe kundër njëri - tjetrit. Ai veçon vlerat kulturore të kundërthënieve ndërmjet Nolit dhe ideologjinë politike, interesat vetjake, premisat kulturore dhe interesat shtetërore të Faik Konicës dhe Zogut, dhe për herë të parë besojmë mosmarrëveshjet ndërmjet Naimit e Konicës, të cilat ndryshe nga Prof. Qosja, i cili mosmarrëveshjet i sheh ende të errëta, Prof. Jup Kastrati i lidh me mosmarrëveshjet rreth alfabetit të shqipes.

Prof. Jup Kastrati e vlerëson mendimin e Konicës rreth pikëpamjeve të tij për “Historinë e Skënderbeut”, si një vepër që është shkruar ndërmjet nevojave dhe vlerave artistike, por e hedh me përbuzje mendimin e Faik Konicës të thënë më 1906, se Naimi “është një xero e çkëlqyer në fushë të letrave”. “Këtij qëndrimi nihilist të Konicës – shkruan Jup Kastrati – nuk i thonë as historiografi letrare, as kritikë letrare, as studim estetik, as punë prej dijetari 63-vjeçar! Kjo sigurisht nuk e nderon Faikun në letrat shqipe, përkundrazi”.(300)

Në këtë rrjedhë, kjo vepër pretendon të jetë një rinjohje, një rikthim i Konicës në letrat shqipe. Mirëpo mbase vetëm kushtimisht. Nëse mbledhja, sistemimi bibliografik i materialit dhe vlerësimi më i plotë deri më tash i tij në aspektin ideor mund të quhet rivlerësim i tij, atëherë edhe kjo vepër mund të radhitet ndër veprat që e kanë rikthyer një personalitet të letrave shqipe, por nëse e shikojmë shkallën e vlerësimit, kontekstin e leximit dhe rileximit etj., atëherë mund të thuhet se kjo vepër, për Konicën, është një vazhdim i natyrshëm i vlerësimit të tij në diasporë dhe përgjithësisht në letrat shqipe deri në gjysmën e parë të shekullit XX.


Në pjesën më të madhe të kapitujve, Prof. Jup Kastrati ka mbajtur qëndrim asnjanës, për të mos thënë është marrë me grumbullimin e materialit, sistemimin e tij dhe përshkrimin e përmbajtjes. Nuk ka mbajtur qëndrim kritik as në rastet kur rreth këtij materiali është diskutuar. Kjo ka të bëjë, sidomos me temat politike. Kështu, bie fjala, ai nuk mban qëndrim lidhur me “Parashtesën mbi lëvizjen kombëtare shqiptare”(1899). Për shkak se nuk e ka tekstin e plotë, autori me të drejtë i referohet përkthimit shqip të Sabri Hamitit, por edhe gjatë paraqitjes dhe analizës së tij pothuajse në të gjitha rastet masë vlerësimi ka vlerësimet e Sabri Hamitit, i cili ndryshe nga kritika e Prof. Rexhep Qosjes, shqiptuar në hyrje të këtij vëllimi, thotë: se “Parashtresa e tij, sado që të jetë dëshmi, mund të arrijë vetëm nivelin e dëshmisë personale, kurse nivelin e shkrimit, një dëshmi subjektive. Ky formulim i fundit, ndoshta më së miri i përgjigjet karakterit dhe temperamentit të shkruesit – krijuesit Faik Konica”. Ndryshe nga Prof. Rexhep Qosja, i cili ia zë për të madhe Faik Konicës për misionin e tij që kryen për Qeverinë Austro-Hungareze, Sabri Hamiti vlerëson misionin e shkrimit, në këtë rast të “Parashtresës..” për të cilën thotë: “Përfundimet e tij janë të sakta, sado aq të ashpra”.

Pavarësisht prej rezultateve të shënuara brenda këtij vëllimi, qoftë edhe vetëm nga aspekti informativ, për Prof. Jup Kastratin aktiviteti diplomatik dhe letrar ende mbetet i errët dhe i paqartë për dy arsye: “e para, sepse rodhën shumë ujëra në politikën shqiptare, u ngritën e ranë shumë kabinete, qeveri e regjime, hynë e dolën shumë të huaj e pushtues në vendin tonë… e dyta: për mungesë të dokumentacionit arkival, megjithë shumicën e madhe të artikujve të tij me karakter politik të botuar në shtypin periodik. Konica inedit-arkival është i panjohur. Pret të zbulohet”. (525)

Monografia e Jup Kastrati për Konicën tash hap dyert e mëdha të hulumtimit, të zbulimit e pastaj të vlerësimit. Në këtë drejtim, kjo vepër vëllimore për nga hulumtimet dhe trajtimi i materialit, mbyll dyert e kujtesës dha hap dritaret e vlerësimit.

24 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page