top of page

MJESHTRI I TINGULLIT MUZIKOR


Nuri Plaku


NIKOLLAQ BULO - MJESHTRI I TINGULLIT MUZIKOR


Nikollaq Bulo është përfaqësuesi më dinjitoz i muzikës moderne fierake, një shenjë autentike e saj, kontributi i të cilit ka lënë gjurmë të fosilizuara në zhvillimin urban të qytetit të Fierit.

U lind në vitin 1939 në Fier, në lagjen “Kishë” në një familje me origjinë vllahe të ardhur herët nga Voskopoja. I ati, Llazari ishte rrobaqepës dhe psaltës në kishën e Shën Gjergjit. Ai u nda nga jeta kur Nikollaqi ishte ende 1 vjeç dhe u rrit nën kujdesin e xhaxhait, Janit.

Pas vdekjes së tij, Jani e lëvizi familjen në lagjen “Pasha”, në një ndërtesë dykatëshe që e ngriti vetë, përball ish xhamisë së vjetër, aty ku sot është pallati “Partizani.” Ai ka qenë nja nga tregëtarët më të njohur në Fier dhe i përket asaj aradhe të cilët me shkathtësi dhe mjeshtërit, arritën të hidhnin bazat e kapitalit fierak. Por mbas çlirimit të vendit, në valën e pamëshirshme të konfiskimit të pronave prej pushteti popullor, familja Bulo u zhvesh nga pasuria dhe u zhyt në mjerim të thellë ekonomik. Në këto kushte, në fëmijërinë e tij, muzikanti i ardhshëm përjetonte ditët më të dhimbëshme të jetës. Ai ëndërronte të kishte një fizarmonikë por blerja e saj ishte e pamundur. Vinte në Shtëpinë e Kulturës që ishte përball banesës së tij dhe ndiqte me mahni Seitin nga Baltëza, djaloshin rom që interpretonte aty në provat e grupeve artistike. Një herë, braktisi lodrat e u kacavir me mundim në pemët e vrionasve për të parë ansamblin e këngëve dhe valleve të ish Bashkimit Sovjetik, “Berjoska” i cili jepte shfaqe në kopështin e tyre. Pas kësaj, u rregjistrua në rrethin e instrumentistëve të vegjël, ngritur pranë Shtëpisë së Kulturës, por pikërisht aty përjetoi zhgënjimin e parë të shoqërisë së kohës. “Drejtori i athershëm D. Dizdari nuk më pranonte, - shkruan ai në kujtimet e tia, - Ti Bulo do t’i heqësh një fshesë oborrit pa të lë t’i biesh fizarmonikës! Dhe unë merrja fshesën dhe i futesha oborrit të gjerë të Shtëpisë së Kulturës, ta pastroja me një frymë, ndërsa ai me ndiqte nga dritarja me një nënqeshje talljeje në fytyrë. Pastaj ma jepte fizarmonikën dhe unë e merrja me duar të dridhura nga emocioni. Por sakaq ai shihte orën. Nuk ma linte më shumë se 15 minuta. Kjo më trishtonte pa masë. Një gjë e tillë nuk ndodhte me shokët e mi dhe ky diferencim më bënte shumë përshtypje.”

Nikollaq Bulo

Arsimin fillor dhe 7 vjeçar Nikollaqi e mbaroi në shkollën nr. 1 të qytetit dhe të mesmin e vazhdoi po në Fier, në teknikumin bujqësor, në degën zooteknike që u hap në vitin 1952. Nga shkolla e mesme ai kujton dy momente shumë të rëndësishëm të jetës së tij. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike ai ishte i vetmi nxënës nga qyteti i Fierit që gëzonte të drejtën e konviktit dhe së dyti, pantallonat e xhaxhait që i rrinin më të mëdha se çkishte masën e trupit. Por pikërisht në këtë periudhë ai shfrytëzon fizarmonikën e shkollës që përdorej për aktivitetet e nxënësve dhe e mësoi atë në mënyrë të përsosur.

Në vitin 1957 u diplomua zooteknik i mesëm dhe filloi punë në një ndërmarje shtetërore pran Dr. Jakov Milajt. “Ti, - i thoshte Dr. Milaj, - ke lindur për gjëra të tjera, nuk bëhesh dot zooteknik!” Dhe kjo profeci e Milajt do të bëhej shumë shpejt realitet.

Në fund të vitit 1960, Nikollaqi u thirr për të kryer shërbimin ushtarak në Vlorë dhe fal fizarmonikës, u angazhua në fanfarën e repartit. Këtu mësoi ti binte edhe trompës. Ndërkohë, filloi të krijonte edhe kontaktet e para me mjeshtra të njohur të muzikës si: prof. Themistokli Mone etj., të cilët vinin aty për të punuar me trupën muzikore të repartit. Por duke parë talentin e tij, komanda ndikoi me dashamirësi që ai të lirohej nga ushtria për të vazhduar studimet e larta universitare. Në tetor të vitit 1961, u shkëput nga reparti dhe filloi studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz.

Periudha studentore ishte mjaft frytdhënëse për Bulon. U dashurua me Niqin, shoqen e jetës dhe të dy së bashku frekuentonin gati çdo natë Tiranën artistike të atyre viteve dhe njihet me krijimtarinë më të mirë të kohës. Frekuentonin koncertet e Institutit të Lartë të Arteve që sapo ishte hapur, venin në opera, në Teatrin Kombëtar, në lokale ku vallëzohej si: bar “Sahati”, “Vollga”,”Dajti” etj. Aty dëgjohej vetëm muzikë e huaj, sidomos “Tuisti.” Ndërsa nga këngëtarët, thuajse në çdo lokal dëgjohej vetëm Elvis Presley. Në opera ndiqte Avni Mulën, Xhoni Athnasin, Lluk Kacaj e të tjerë, të cilët performonin me kostume të zinj, me papjon dhe kapele republikë, tamam si në Moskë, Vjenë apo Londër. Koncertet jepeshin nga kompozitorë të njohur, të cilët kishin studjuar në shkollat e huaja si; Çeki, Rusi, etj. dhe sillnin në vendin tonë kulturën elitare të atyre vendeve. Tirana ishte një Europë e vogël ku Bulo merrte oksigjenin e tingujve muzikor dhe përtërinte qelizat e talentit të tij artistik.

Por, me gjithë përkushtimin ndaj studimeve, arsimimi i tij i lartë agrar nuk u realizua. Uria e qytetit të Fierit për talente të tillë në fushën e muzikës, bëri që drejtuesit e rrethit t’ja ndërprisnin bursën në vitin e dytë e ta emëronin në stafin e Shtëpisë së Kulturës.

Tashmë Nikollaqi hyri profesionalisht në rrugën e artit muzikor. Në ditën e parë të punës, në faqen e brendshme të derës së garderobës ku mbaheshin uniforma e shfaqjeve, ai shkruajti me shkumës: DURIM!

Ndërkohë, para tij do shfaqej një nga pragjet më të lartë të karierës; sfida me provincën. Dikur Kadare këshillonte letrarët e rinj: “Nëse bëni bashkë dy lekë për kafe, ejani pijeni në Tiranë!” Tashmë kafja e Bulos do pihej në Fier, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të politikës, për shkak të origjinës së tij ekonomike. Që këtu do niste edhe lufta e bërrylave e njohur në historinë e njerëzimit me shprehjen e xhelozisë dhe përshkruar aq bukur nga pena Shekspiriane: “O xhelozi, shpata jote është më e mprehtë se shpata e luftëtarit!” Por ai nuk mund ta “burgoste” talentin e tij në kllapat e verbëra të një intinerari monoton; zyrë – shtëpi dhe anasjelltaz. Falë aftësive, vullnetit dhe karakterit të tij të fortë, “delfini” i kapërceu shumë shpejtë ujrat e ndënjura provinciale. Pikërisht në këtë periudhë, muzika e Bulos filloi të shfaqej si një valë e nxehtë pasioni, shkumëzuar me vullnetin dhe sedrën e tij profesionale duke tërhequr vëmendjen e opinionit të gjerë fierak dhe kombëtar. Tashmë me Bulon në Fier, do të niste historia moderne e artit muzikor, e cila do ta kthente artistin në një shenjë simbolike në udhën e urbanizimit të vetë këtij qyteti.


NGRITJA E BANDES DHE FESTIVALET E KENGES PER TE RRITUR

Gjatë periudhës ku ishte në estradën e qytetit, Bulo realizoi kompozimin e tij të parë muzikor. Ishte një pjesë me dy fizarmonika e cila u luajt në një premierë të estradës, së bashku me Isuf Malokun, fizarmoniçistin që drejtonte orkestrën.

Ndërsa në vitin 1965, Nikollaqi ngriti trupën e bandës frymore e cila nuk kishte funksionuar që nga mesi i Luftës II Botërore. Interpretimi i parë i kësaj trupe u bë më 1 maj 1965 dhe po këtë vit, ajo u aprovua nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës si formacion muzikor pran Shtëpisë së Kulturës me 24 instrumentistë. Ky ishte një gur themeli në jetën kulturore të qytetit dhe një hop cilësor në zhvillimin e tij. Me ngritjen e bandës, Fieri jo vetëm kompletonte kuadrin e kremtimit klasik të festave, por barazohej me qytetet e tjerë të vendit që kishin trupa të tilla. Dy vjet më vonë ajo mori pjesë në festivalin e tretë kombëtar të bandave në Elbasan dhe u nderua me çmim të tretë. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ishte i pranishëm edhe Ministri i Arsimit dhe Kulturës Thoma Deliana, i cili nga biseda me Bulon, i premtoi ta ndihmonte për të vazhduar liceun artistik “Jordan Misja”, si nxënës i jashtëm. Po atë vit, premtimi i ministrit, u bë realitet.

Gjatë viteve të Liceut, Bulo u trasferua nga Estrada në Shtëpinë e Pionierit. Këtu ju hap një dritare e re krijuese: kënga për fëmijë. Kompozimet e para të kësaj fushe janë: “Kënga jonë, buka jonë”, “Shqiponjat e vogla”, etj., me tekst të shkrimtrit Leonidha Prifti. Një pjesë e kësaj krijimtarie është botuar edhe në albumet e muzikës që nxirrte Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore.

Këto vite, Ministria e Kulturës hapi një kurs specializimi dy vjeçar me shkëputje nga puna për kompozicion, me disa muzikantë të njohur nga gjithë Shqipëria, midis të cilëve, edhe Nikollaqi. Simon Gjoni i jepte solfezh, harmoni, kompozicion, orkestracion, analizë forme, piano sekondare dhe histori muzike. Ishte me fat që ishte student i këtij mjeshtri, nga i cili përfitoi aq shumë.

Nga kompozimet e para dhe ngritja e Bandës, në vitin 1967, Nikollaqi organizoi festivalin e parë të këngës për fëmijë i cili, pas kësaj, do krijonte traditë të shkëlqyer, duke u bërë një tjetër gur themeli në udhën e rritjes dhe urbanizimit të qytetit të Fierit. Mbas këtij suksesi, u emërua, shef i muzikës në Shtëpinë e Kulturës.

Ndërkohë, po me ndihmën e ministrit Deljana, u rregjistrua në Akademinë e Arteve si student i jashtëm ku u specializua për dirigjim dhe kompozicion. Këto vite, u njohë me mjeshtrat më të mëdhenjë të muzikës shqiptare si: Troko, Zoraqi, Krante, Zadeja, Dizdari, Simoni, Deda, Stringa, Paparisto e shumë të tjerë të cilët patën një ndikim dominant në zhvillimin e talentit të tij.

Një ndër aktivitet më të bukura artistike të Bulos kan qenë edhe festivalet e këngës për të rritur. Ishin vitet ‘70 dhe muzika shqiptare kalonte një periudhë tranzicioni. Ajo filloi të ndryshojë jo vetëm në përmbajtje por edhe në strukturën e saj. Këngët e ndiera, ku mbizotëronte melodia e bukur me përmbajtje erotike të një brezi kompozitorësh të njohur si Prodani e të tjerë, u zëvendësuan me një tip të ri kënge, përfaqësuar nga kompozitorët që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit si: Zadeja, Daija, Arapi, Gjoni etj. Kjo risi, vinte tek dëgjuesit nëpërmjet aktivitetit që organizonte RadioTelevizioni Shqiptar, ku dallonin anketat muzikore që bëheshin çdo muaj dhe festivalet e këngës që organizoheshin çdo vit. Këto ishin dhe vitet më të suksesshme në krijmtarinë e Bulos si kompozitor. Pikërisht në këto anketa dhe festivale ai mori pjesë duke u prezantuar atje nga këngëtarët fierakë si: V. Shaho, F. Manaj, V. Marshani, A. Hoxha, A. Cuko, B. Sota e të tjerë. Me këto prezantime Nikollaq Bulo e kaloni “urën e Brostarit” dhe u bë një emër i njohur në nivel kombëtar. “Ura e Brostarit”, është një metaforë që ndan dy botët e artit fierak; atë provincial dhe atë kombëtar. Madje në RadioTelevizion, angazhohej jo vetëm si kompozitor por edhe në komisionet e jurisë së vlerësimit apo të përzgjedhjes së krijimtarisë muzikore.

Në ato vite Fieri dallohej për aktivitetin artistik dhe në veçanti për një brez këngëtarësh me emër si: Lefteri Sillo, Sofika Hodo, Violeta Marshani, Ëngjellushe Daja, Lindita Sota, Vladimir Muzha, Vilson Shaho, Petraq Shyti, Fatos Manaj, Haxhi Telbaj, Maksim Dertliu etj. Pikërisht me këto prurje artistike Bulo guxoi të përgatiste festivalin e parë të këngës fierake për të rritur. Dhe kjo u bë e mundur në vitin1972, duke shënuar kështu një tjetër sukses në karierën e tij.

Festivali i këngës bëri jehonë të gjerë në opinion. Ai u mirëprit nga artëdashësit dhe hapi rrugën e një zhanri të ri, siç ishte kultivimi i muzikës së lehtë. Është pikërisht ky festival që hodhi themelet e një tradite të re fierake duke u pasuar ndër vite dhe me festivale të këngës së përpunuar.

Një vit më vonë, më 1973, po me inisiativën e Bulos u krijua edhe Orkestra Sinfonike, një tjetër formacion i rëndësishëm për kulturën e qytetit.

Një tjetër meritë e tij, është edhe përgatitja e suksesshme e festivalit të ushtarit në Fier. Kjo ishte një tjetër ngjarje e shënuar. Aty, veç formacionit të orkestrës, Bulo krijoi edhe një formacion të vogël me vegla tunxhi, tip fanfare e cila solli në festival një performancë të re. Kryetari i jurisë së festivalit, kompozitori i mirënjohur Kujtim Laro që punonte ato vite si udhëheqës artistik në Asamblin e Ushtrisë, e vlerësoi shumë festivalin dhe nderoi me çmim të parë këngën e kompozuar nga Bulo.

Në këto përpjekje, teksa rendnin nga njëri repart ushtarak në tjetrin për të zbuluar talentet e reja, Bulo njohu djaloshin nga Berati, Kozma Dushin. Pikërisht me këtë këngëtar ai kompozoi këngën “Përshëndetje nga furrnalta”e cila u këndua në festivalin kombëtar të Radio Televizionit shqiptar dhe u vlerësua me çmim të tretë.

Një tjetër angazhim i rëndësishëm i Bulos ka qenë edhe trajtimi i folklorit të trevës e cila lidhej me hulumtimin, përzgjedhjen dhe vënien e tij në skenën e festivaleve kombëtare të Gjirokastrës. “Më jan dashur të dëgjojë dhjetra e dhjetra këngë folklorike, - shkruan ai, - të shikoj me dhjetra valle burrash e grash, të shijoj bukurinë e kostumeve popullore, të ndiej timbrikën e instrumentave popullor të krahinës, derisa arrita të futem në botën e mistershme të tij dhe ta njoh atë në thellësi.” Kjo punë zhvillohej intensivisht përgjatë fazës përgatitore të festivaleve të cilët zhvilloheshin një herë në 4 - 5 vjet dhe gjithmonë nën vëmendjen dhe kujdesin e institucioneve kryesore. Fal kësaj përgatitjeje, ansamblet folklorike, që kan përfaqësuar rrethin e Fierit në këto festivale, jan nderuar herë pas here me çmime dhe medalje të ndryshme.


KRIJIMI I ANSAMBLIT “MYZEQEJA”

Kulmin e krijimtarisë së tij Nikollaqi e arriti me ngritjen e ansamblit “Myeqeja”. Repertori i tij do përmbante këngë dhe valle të përpunuara, të cilat do kishin si burim intonacionet nga zona e Myzeqesë dhe Mallakastrës. Ngritja e një ansambli të tillë ishte shumë e vështirë, pasi kërkonte profesionalizëm në krijimtari dhe interpretim, por puna që kishin bërë paraardhësit e tij me këngët popullore fierake si: Meti Muka e Isuf Maloku, kishte krijuar një bazë të shëndoshë ku mund të mbështetej. Trioja e mirënjohur në ato vite: Sillo – Hodo - Lule, si pionieret e para të këngës fierake, ngritja e korit, orkestra simfonike dhe ajo frymore, grupi i valleve dhe sidomos shfaqja e një brezi të ri këngëtarësh, ishte gjithashtu një bazë e konsiderueshme për ngritjen e tij. Ansambli mblodhi rreth vetes artistët më të talentuar fierakë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, folkloristë etj., të cilët, me interpretimet e tyre, do shpalosnin në vite vlerat më të bukura të këngës dhe valles së këtyre dy krahinave.

Premiera e parë u dha në teatrin “Bylis”, në vjeshtën e vitit 1974. Nikollaqi ishte udhëheqës artistik dhe dirigjent, ndërsa regjizor Kujtim Jorgaqi, koreograf Vlash Kallamata dhe skenograf, Pandeli Lena. Ishte hera e parë që folklori i këtyre trevave, vinte në skenën fierake me një mënyrë e performancë krejt të re dhe spektatori, i entusiazmuar si kurrë ndonjëherë, shpërtheu në duartrokitje. Pas shfaqjes ish sekretari i kom. part. rrethit Fier, Pipi Mitrojorgji, propozoi që ansambli të pagëzohej me emrin “Myzeqeja.” Ky pagëzim vazhdon të jetë edhe sot. Kështu, nga vjeshta e vitit 1974 “Myzeqeja” nisi rrugën e saj të re duke u bërë pranvera e përhershme artistike e qytetit të Fierit dhe duke e nderuar emrin e këtij qyteti gjatë turneve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, me konsiderata, çmime dhe vlersime të shumta.


BULO – NJI SHENJË AUTENTIKE E ZHVILLIMIT FIERAK

Bulo është artisti që puna e ktheu në një “Martin Iden” të tingullit muzikor. Performanca e tij u farkëtua me shije dhe pretendime elitare, përtej lokales, përtej ordineres, përtej rëndomtësisë. Krahas modernizimit të muzikës fierake, Bulo është i pari që i dha asaj edhe dimensionin klasik. Në vitin 1978 ai u praqit në konkursin kombëtar organizuar me rastin e 35 vjetorit të krijimit të ushtrisë me poemin vokal – simfonik: “Djepet tundin trimërinë.” Ky ishte kompozimi i parë i një vepre me përmasa kaq të mëdha dhe u vlerësua me çmim të III. Po këtë vit, vepra u vu në skenë në koncertin e organizuar në kuadër të festave të 28 - 29 nëntorit me regji të Pëllumb Kullës, dirigjent Mustafa Krante dhe piktor Vilson Kilica.

Në krijimtrinë e Bulos zën vend edhe gjini më të mëdha muzikore si; kantatat, oratorio, poemat vokale, poemat vokal - simfonike etj. Të tilla janë; oratorio “Lule ishit, lule mbetët” me libretist Mystehak Xhemalin, apo poemat vokale: “68 vajzat partizane” dhe “Kështjell e lirisë,” me libretist Fran Ukcama.

Një pjesë të krijimtarisë së tij e zenë muzika instrumentale ku mund të veçojmë pjesë të ndryshme për instrumenta e orkestër si ato për klarinetë, saksofon e fizarmonikë. Në muzikën instrumentale mund të përmenden marshet, suitat dhe fantazitë për orkestër. Me qindra orkestracione jan bër për formacione të vogla, apo orkestër simfonike, muzikë vallesh koreografike për ansamblin “Myzeqeja” etj.

Këngët për të rritur zen një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, si kënga korale, apo ajo e përpunuar, veçanërisht ato të muzikës së lehtë.

Por, krahas mundimit sfilitës dhe kënaqësisë së krijimit, Nikollaq Bulo ka përjetuar mbi supe edhe “borën e zezë” të dimrit të ashpër monist. Fati i artistit në provincë rrezikohej aq shumë nga mentaliteti primitiv i cili bëhej i rrezikshëm kur gërshetohej me ambicjen e amatorëve të përjetshëm të cilët vinin mbi supe gradat e partisë e zhvishnin shpatat e ligësisë. Një herë, - shkruan ai, - kur ishim në turne shfaqjesh me estradën, bëra shaka me një instrumentist dhe i thashë, “kongolez” por personi ma mori për keq, u ankua dhe përgjegjësi i trupës që ishte sekretar i organizatës Partisë, anuloi turneun dhe e solli trupën në Fier për të analizuar ndodhinë. Ç’paradoks! Ishte e qartë tani që për të shkur në prodhim, radhën e kisha unë.”[1]

Ky kalvar me shkak banal u neutralizua vetëm nga i deleguari i Kom. Ekz.cili kërkoi që “Nikollaqi të riedukohej në gjirin e kolektivit.”

Një tjetër ngërç shoqëror për Nikollaqin kan qenë edhe punonjësit e sigurimit të shtetit, të cilët përpiqeshin ta rekrutonin atë në radhët e tyre. Shpesh politika e kohës ka kërkuar bashkëpunim të fshehtë me artistët, duke i përdorur ata si afije në gjirin e kolektivit. Kjo përpjekje filloi që në periudhën e shërbimit ushtarak në Vlorë, por ai iu përgjigj shkurt e prerë: “Ato punë nuk jan për mua!” Por ata nuk hoqën dorë. Në vitet ’70, në kulmin e karierës së tij, insistuan sërish për ta rekrutuar. “Më çuan në një dhomë të vogël prapa zyrave të Komitetit të qytetit, - shkruan ai, - Përball meje qendronte një ujk i vjetër, e njihja mirë atë që kishte rekrutuar sa e sa fierak të ndershëm. Në fillim u trëmba, kujtova se do më torturonin, por jo. Ata më dërdëllitën për nja dy orë rresht dhe kur u bindën se isha shënjestra e gabuar, më thanë të largohesha. Kujtova se do më arrestonin. “Mos ki frikë, - më thanë, - mund të ikësh por mos e bisedo me njeri tjetër!

Gjithsesi, “shokët” e sigurimit nuk mund ta harronin lehtë kundërshtimin e tij. Në një letër anonime që iu dërgua sekretarit të parë të partisë rrethit, ai akuzohej se kur ishte kthyer nga Turqia ku kishte shkuar me ansamblin “Myzeqeja”, i kishte sjellë të birit një palë pantallona kauboj. Kjo ishte një akuzë e stisur dhe puna shkoi deri atje sa u urdhërua përjashtim nga puna dhe internim të familjes. U desh ndërhyrja e shefit të seksionit të arsimit O. Haxhija, mik i ngushtë i sekretarit të parë të partisë P. Magjistari që situata të sqarohej e të anullohej urdhëri i dhënë.

Artisti qendron në buzë të greminës”, - thoshte poeti Fatos Arapi, por Nikollaqi i ka shpëtuar greminës pa e ndohtur figurën e tij fal karakterit të fortë e të paepur që ka patur. Karakteri i tij është shfaqur më shumë se kurrë në përpjekjet e drejtpërdrejta të sigurimit të shtetit për ta përfshirë në akuzën e dënimit të poetit Aleksandër Zaka.

Zaka ka qenë disidenti më i madh në Fier, viktima më fatkeqe e sistemit dhe guri i provës për artistët fierak. Kjo është një e vërtetë e madhe e cila është mbuluar me heshtje të rëndë të fajtorëve, duke e zhytur emrin e poetit në humbëtirat më të errëta të kujtesës sociale. Asnjë riciklim i ngjarjes nuk është bërë, asnjë pendesë. Ata që bashkëpunuan me krimin kurrë nuk e njohën atë dhe as nuk e pastruan ndërgjegjen e tyre prej mëkatit politik. I pari artist fierak që del e flet hapur për atë ngjarje të verbër që thurej në atë kohë mbi shpinën e poetit, është pikërisht Nikollaq Bulo. Aleksandri punonte si përgjegjës në Shtëpinë e Ushtarakëve. Në vitin 1972 ai kishte botuar vëlimin poetik, “Buzë dashurive” dhe disa cikle me vjersha në revistat: “Nëntori”, ”Pionieri”, gazetat: “Drita”, “Zëri i Rinisë” etj, duke u bërë kështu një emër i njohur për kohën. Por, kjo nuk do të vazhdonte gjatë. “Një ditë, kohë dreke, - shkruan Nikollaqi, - po kthehesha nga puna për në shtëpi. Në rrugë takova Aleksandrin me Miçon. Ata mbanin në dorë portretin e Enver Hoxhës në telajo të madhe. Binte shi dhe në ecje e sipër, unë ju them ta mbajnë portretin ndryshe që të mos lagej.” Ishte pikërisht kjo “fabul” që u bë shkaku i dënimit me burg të Zakës. Ishte koha e valës së spastrimeve në ushtri dhe midis tyre kërkohej “koka e turkut.” “Ujku i vjetër” iu kthye sërish Nikollaqit. Ai i shkoi në zyrë dhe ja riprodhoi fabulën e portretit por duke shtuar se Aleksandri paskesh thënë: “E mo, se ky kal i ngordhur është tani.” Pikërisht këtë thënie, sigurimsi kërkonte ta pohonte edhe Nikollaqi. Por ai e kundërshtoi duke e hedhur poshtë si shpifje. Pavarësisht kësaj, Zakën e arrestuan dhe mbas tre muajësh e nxorën në gjyq. Nikollaqin e thirrën si dëshmitar, për të pohuar “tradhëtinë” e poetit.

“Hyra në sallë i pikëlluar dhe sytë më shkuan menjëherë te Aleksandri. – Shkruan Bulo në kujtimet e tij. – Ishte shpërfytyruar i gjithi. E dija që ishte i pafajshëm por se ndihmoja dot. Kur u pyeta në sallë si dëshmitar ju thashë se nuk kisha dëgjuar gjë, ndërsa porosia e trupit gjykues, ishte që të tregohesha më i vëmendshëm. Pasi mbarova dëshminë sipas rregullit dola jashtë. Ndërkohë vura re se fjalën time nuk e pëlqyen disa nga shkrimtarët të cilët ishin bërë pjesë e kësaj farse. Më kujtohet se teksa po dilja, M. P. tha: “Ne jemi anëtarë të Lidhjes dhe duhet të jemi më të përgjegjshëm.””Unë thashë të vërtetën,- iu përgjegja unë duke dalë.”Aleksandrin e dënuan me pesë vite burg, nga një gjyq i montuar politikisht, me dëshmitar të rremë, që nuk thanë të vërtetën. Unë nuk mund të bëhesha pjesë e atij krimi. Qëndrimi që mbajtën në sallën e gjyqit një pjesë e shkrimtarëve dhe artistëve të degës së lidhjes në Fier, ishte për të ardhur keq. Ata u bënë palë me pretendimin e prokurorëve, çka ma shtoi edhe më shumë dhimbjen.”

Dhe më tej, me një pikëllim të madh, Nikollaqi shkruan: “Ndjeva dhimbje të thellë për atë djal që nuk i kishte mbushur të 30-tat, për poetin e talentuar që qyteti nuk diti ta ruante. Ai u bë viktimë e asaj kohe që lamë pas dhe ngeli për mua modeli i artistit që botës nuk ia kishte frikën ta shikonte ndryshe nga të tjerët.”

Këto jan pasazhe sa të dhimbshme aq dhe domethënëse për karakterin e fortë dhe botën e pasur shpirtërore të Bulos. Ndërkohë kur një guxim të tillë nuk e mori askush nga mëkatarët e “familjes letrare” të asaj kohe, të cilët, jo vetëm që nuk shkruan asnjë rresht për këtë ngjarje, por as denjuan të bëheshin pjesë e aktiviteteve – homazh, që ne, krijuesit e pamëkatë të Unionit të Shkrimtarëve Fierak, organizonim çdo vit më 22 mars, ditën e ndarjes nga jeta të Aleksandër Zakës.

Së fundi duhet të themi se historia e karierës artistike të Bulos është edhe historia e rritjes së vet qytetit të Fierit. Nikollaqi hodhi shtatin artistik në vitet ’70, pikërisht atëhere kur hidhte shtat edhe Fieri. “Historinë e çojn përpara individët,”- thot Niçe. Edhe historia e artit fierak, do ishte e mangët pa talentin dhe kontributin e Nikollaq Bulos.

Krahas duartrokitjeve të përhershme, Fieri e ka shprehur mirënjohjen e vet birit të tij, edhe me forma të tjera vlerësuese.

Në vitin 1989 Presidiumi Kuvendit Popullor të R.P.S.SH, e dekoroi atë me urdhërin “Naim Frashëri” Klasit II. Në vitin 2007 Këshilli Bashkiak e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, ndërsa në vitin 2018 Këshilli Qarkut e ka vlerësuar me titullin: “Nder i Qarkut Fier.” Koha ecën, por kontributi artistik e këtij talenti, do të mbetet përherë një shenjë e ndritshme autentike në historinë e zhvillimit modern të qytetit të Fierit.


79 views2 comments

2 comentarios


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
02 feb 2021

Duke qenë edhe unë një nga miqtë e dashamirësit e shumtë të z.Nikollaq Bulo, e lexova me mjaft kërshëri këtë shkrim, në të cilin autori Nuri Plaku paraqet me skrupulozutetin e një studiuesi të kulturuar dhe shkrimtari të talentuar jetën dhe tërë punët e këtij intelektuali të shquar. Është kontributi tejet i çmuar në fushën e muzikës e qytetarisë që vetvetiu e bëjnë portretin e Nikollaq Bulos të na përngjasojë aq shumë me atë të Fierit tonë të dashur.

Me këtë rast i urojmë jetë të gjatë me shëndet të mirë e gëzime familjare e krijuese.

Kozma Gjergji.

Me gusta

Perparim Hysi
02 feb 2021

NJëshkrim që ia vlen,për një kompzitor që ka çarë me mundime për të arritur atje ku meritonte. Vërtet që e detyruan "të fshinte oborrin", por geni i mirë(nga i tillë gen ishte) çan gurin dhe mbin. "Fshiu oborrin" po arriti mu në krye. Është shembulli që duhet ndjekur.Urime për autorin,NURI PLAKU dhe, pa dyshim, urim dhe për NIKOLLAQ BULON që aq shumë ka bërë për muzikën.

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page