Vangjush Ziko: Bisedë me poetin Niko Kacalidha.
-Ju kini filluar të shkruani kur në letërsinë tonë ligjin e bënte dogma e realizmit socialist me kufizimet e saj drastike. Mos ishte kjo një nga arësyet që iu drejtuat mitologjisë, e cila i fsheh konotacionet kuptimore duke i “natyralizuar”, pra, duke i “fshehur” ato spontanisht?
-Z. Vangjush, faleminderit shumë për këtë bisedë që zhvillojmë në distancë. Unë nga Athina e Greqisë dhe juve nga Mississauga e Kanadasë. Sa larg dhe sa afër jemi në këto kohra moderne që jetojmë dhe komunikojmë. Si puna e mitologjisë me bashkëkohësinë. Në fakt edhe në Shqipëri nuk njiheshim nga afër, por nëpërmjet poezisë dhe përkthimeve tuaja. E dija që kishit studjuar në Institutin Gorki dhe kjo më bënte t'ju lexoja me vëmëndje.
Fillimisht do të doja të përmblidhja me pak fjalë esencën e përgjigjeve të mia. Poezia ime nga spontaniteti burimor kaloi në një akt të ndërgjegjshëm. Ngjarjet universale në ciklet mitike simbolike mijravjecare, sidomos në ato greke me ndeshjet dhe grindjet qiellore, sot në kohrat moderne kanë zbritur e zhvillohen prapë në botën e njerëzve si në Olimpin e perëndive. Modernizimi i mitologjisë në bashkekohësi ose kthimi drejt saj për hir të së sotmes creative, tipar i vecantë i poezisë sime, nuk është bëre as për anakronizëm, (që mjerisht do të ishte dështim), as si shmangje nga e përditshmja, (se as “e përditshmja” bëhet poezi pa kodet metaforike). Tek unë kjo ishte një nevojë e brendshme spontane, në një sfond specifik rrethuar nga realiteti gati thuajse pagan si në botën e Olimpit, me grindje, ndeshje për jetë a vdekje midis perëndive, gjysëm perëndive dhe njerëzve dhe kthehen në vlera estetike. Aq më shumë në një botë dogmash dhe kallëpesh, kjo tendencë gjenetike në lidhje me mitologjinë, kthehet në çështje stili, origjinaliteti dhe vështrimi estetik të botës.
Çuditërisht, them çuditërisht se ende nuk e kam kuptuar si ka ndodhur, edhe pse përpiqem ta shpjegoj se kjo ndodhi ndoshta nga ndikimi i traditës familjare që më edukoi me këto vlera kulturore.
-Dhe kjo ndodhi që me krijimet tuaja të para?
- Po, bëhet fjalë për krijimet e mia të para. Kam nisur të shkruaj poezitë e ndrojtura në moshë të re në gjuhën amtare greke se shqipen e mësova më vonë në shkollë. Ishte mosha kur ende nuk e kisha nuhatur ç’ishte dogma dhe perfytyrimet fantazmagorike më zhysnin në një botë idilike, gati surealiste. Leximet e para nga letërsia greke, ishin pasuri bazike vlerash estetike brenda meje. Ato dhjetra poezitë e mia të para të brishta, me heroin lirik naiv, larg problemeve shoqërore, në kërkim të stilit, në kuadrin e një natyre virgjine, nuk i kam botuar. Megjithse kjo poezi naive më ka shoqeruar përherë. Një pjesë prej tyre, të shkruara me një kaligrafi të veçantë, i ruaj në blloqe me vija katrore, të mbyllura diku për të mos u hapur kurrë, ndonse këtë e bëj me dhimbje, se i konsideroj të shenjta e të paprekshme, qoftë në greqisht, qoftë në shqip. Më vonë, kur fillova të shkruaja dhe të botoja në shqip, se në greqisht mundësitë ishin të kufizuara, vazhdoja të shkruaja me të njëjtat mjete stilistike, me stilin, figuracionin, strukturimin e nisur, sikur të isha jashtë kohe. Si duket, kisha krijuar mitologjinë time dhe vazhdoja të krijoja në hullitë e mitologjisë sime, ndikuar sidomos nga mitologjia dhe letërsia greke. Përpiqesha të krijoja stilin dhe poezia lirike metaforike imazhiniste, nga vet lloji, automatikisht distancohej nga ideologjizmat. Në rastet më të mira veç krijimeve të imponuara, botimet e mia në Zërin e Rinisë para Plenumit të Katërt, për letërsinë dhe artet, ishin poezi të tilla fluide. Më vonë kur u izolova si asket në provincën malore, ndoshta dhe si reagim ndaj këtij izolimi në përpjekje për thellimin e mjeteve shprehëse dhe kristalizimin e origjinalitetit, kërkoja aleate, eksode, dalje. Dhe si dues ex machine m'u gjend pranë natyra dhe mitologjia, aleate esenciale të strukturimit, të formës. Isha njëzetedyvjecar kur me izoluan dhjetë vjet në trevat malore.Sapo kisha mbaruar studimet filologjike me ndihmën e Ismail Kadaresë, se biografia ime nuk e lejonte. Paçka se për këtë nuk isha ankuar kurrë, ky izolim më kishte ndihmuar të përqëndrohesha në rrënjët e origjinës sime, njohjen e historisë, traditave, gjuhës dhe konstitucionit shpirtëror te bashkekombasve, pa të cilat nuk e imagjinoj se si dhe ku do të perfundoja. Pas malit të Shtugarës në kufi ishte Greqia. Një pjesë të rendësishme të kulturës mitologjike, klasike dhe moderne e kisha asimiluar nga mjedisi kulturor dhe më vonë nga studimet filologjike. Rrëfimet e përhershme të babait ishin homerike dhe mitologjike. Gjyshja tregonte mijra vargje, këngë popullore dhe legjenda. Mamaja po ashtu i përsëriste dhe i këndonte. Ishte treshja e cila sikur kishte dalë para meje nga kori i tragjedive greke për të ndërtuar botën time. Me vonë, Xhaxhiu, profesori i letërsisë antike greke, lotonte kur dilte në katedër dhe na shpjegonte në leksione Antigonën. Pas gjithë atyre,si shënjë proteste ndaj realitetit, më lindi ideja e arratisjes, të kapërceja kufirin. Po çfarë do të ndodhte pas me njerëzit e mi në shpellën e Polifemit? Atëhere si nevojë e brendshme e vetmja aleatja shpirtërore që më shoqëronte në meditimet dhe shqetësimet që ndjente të rrahurat e zemrës dhe më qetësonte, ishte poezia. Shtëpia ime ishte në mes të pemëve, të drurëve. Natyra madhështore dhe e përjetshme rreth meje, malet përballë që herë heshtnin, herë ulurinin si luanë, gështenjat dhe pishat gjigande si luftatare dhe heronj dalë nga duelet e mitologjisë, shkëmbijtë në metamorfozat e tyre që ndërronin pamjet stinëve, tërë imazhet universale të vendlindjes shndërroheshin dhe bëheshin poezi, më largonin nga dogma e imponuar, haraç ky i dhimbshëm për brezin tim që perpiqej të bënte një hapje estetike, të dilte nga kallëpi dhe retorika e poezisë rutinore. Atëhere duhej të dilja me vetëdije nga spontaniteti i fillimeve poetike, të përkushtohesha në arkitekturën e mitologjisë sime, duke fshehur ato që nuk doja për shumë arsye. Dhe kjo vihet re më shumë në poezitë e mia të botuara nga Driteroi, Onufri dhe Toena, pas “90-ës.
-Ç'motive letrare ose jashtë letrare ju shtynë ta sinkretizonit mitologjinë pagane me atë biblike të krishterë, të cilat u përkasin epokave të ndryshme?
-Unë kam lindur në Leshnicë në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjithë bota ime që kishte lidhje me tokën, me drurët, me gurët, me yjet,me gurrat, me zogjtë dhe gjethet përreth ishte pagane dhe ajo tjetra, shpirtërorja, me Ungjillin, me kishat e vjetra, altaret, hieroret, qirinjtë dhe varret, qiellin e shpirtrave, ëngjëjt, ishte një botë e krishterë. Nëse epokat që u perkisnin këtyre, ishin të ndryshme, tek unë, ato nuk dalloheshin. Nuk kishin caqe. Përshembull, paganizmi ishte i pranishëm spontanisht sikur këtu, në këto troje ishte zanafilla e botës. Në majë të malit ishte burimi jetëdhënës që nuk kishte asnjë lidhje me shënjtorët. Atje ngjiteshin dhe mbushnin ujë që gurgullonte nga dheu dhe nuk shteronte kurrë, mbetej në të njëjtin nivel, as ngrihej, as ulej sipërfaqja. Kur ktheheshin me shishet e mbushura sipas mitologjisë lokale, nuk duhej të flisnin rrugës se do të humbiste aftesitë kuruese. Në ditën e parë të majit gjyshja zgjohej herët, pa e kuptuar, mblidhte lule dhe i vendoste mbi kryqin e hekurt, në pragun e derës për fat e mbarësi dhe atje,të paprekshme i zinte maji tjetër. Gjarpri i bukur pika-pika i shtëpisë, hynte dhe dilte nga vrimat e mureve dhe gjyshja na porosiste të mos e vrisnim gjarprin. Ishte roja e shtëpisë dhe ishte mëkat ta vrisnim. Lëkuren e tij e ruanim të varur në një vend të dukshëm. Motivi i gjarprit më ka shoqëruar përherë dhe tani që jam larg e lashë si roje poetike me librin “Gjarpri i shtëpisë”. Bota biblike edhe ajo më shumë si një përrallë e mirësive dhe ligësive, ishte konkrete, e prekshme rreth meje. Babai detyrimisht nuk i ndiqte shumë ceremonitë fetare po gjyshja ishte mbartesja jo vetëm si besimtare në festa dhe institucione fetare por më shumë në përditshmërinë e saj, si pjesë e jetës. Fshati kishte shtatëmbëdhjetë kisha dhe dy manastire. Kisha e Shën Gjergji ishte ndërtuar me 1525 dhe kur kaloja nga ura përballë saj, nguroja se mos dridhej dhe më rrëzonte se kur dilte netëve dhe kalonte Shenjtori me shtizë të vriste dragoin, thuhej se dridhej ura si në tërmete. Herë-herë, kjo ishte për mua ura e flijimit të gruas së kryemjeshtrit dhe kaloja në majë të gishtërinjve që të mos e lëndoja. Frika më doli një ditë kur pashë në derën e kishës këmbëkryq një familje ciganësh endacakë që hanin dhe flisnin një gjuhë tjetër. Hera e parë që dëgjova një gjuhë ndyshe nga greqishtja ime. Shën Gjergjin e respektojnë dhe ciganët, tha gjyshja, dhe ata janë shpirtbardhë. Dhe thashë me vete, gjersa Shenjtori mbron ciganët endacakë, pse të mos më mbrojë mua dhe trembem kur kaloj poshtë lisit të lashtë të kishës? Mbaj mend një here në ceremoninë e Pashkës së Madhe, isha Kirenari, prifti më kishte zgjedhur të mbaja kryqin e drunjtë me Krishtin e kryqëzuar në krye të procesionit. (Më vonë ky prift dashamirës kur e kishin zhveshur dhe rruar, mbante palosur në kuletë faqen letrare me një cikël poetik me fotografinë time.) Kam parë vajtjeardhjet në festat e emrave, tryezat e shtruara njerëzore, respektin, mirësinë e shpirtit. Në varrezat ku përcilleshin të vdekurit me nderime, kam parë gra shamizeza dhe kam dëgjuar vajet e tyre të përzishme. Gjithë ajo botë mistike shpesh më bënte të besoja pa e ditur dhe rrënqethesha pa e kuptuar.Kur nëna me afronte të puthja Shën Marinë, ajo, e përdelluara në ikonë, ngjante me gjyshen time. Kur gjyshja më çonte të puthja ikonën e shën Nikollës, më ngjante se puthja emnakun gjysh Nikolla që e prisnim dhe nuk ishte kthyer ende nga Amerika. Përnatë para gjumit bënim kryqin. Kuptohet se kjo e tërë në kompleksitetin e saj është një bote jashtëletrare. Po! Κjo është një pjesë nga bota e vërtetë jashtëletrare që më rrethonte dhe më ngjante se gjithë heronjtë e mitologjisë dhe gjithë shenjtorët jo vetëm kishin lindur por edhe strehoheshin dhe jetonin në Leshnicën time. Kjo, një pjesë nga e tëra kishte lidhje me krijimin e botës mitike rreth meje.
-Po letërsia botërore sa ka ndikuar te ju?
-Bota e madhe e letërsisë së kultivuar, libri, si pjesë e letërsisë së kultivuar, ishte tepër e rëndësishme, me tjetër dimension dhe pa të mund të mbetesha një rrefimtar mitesh dhe kaq si gjyshja ime. Unë kisha gjenealogjinë time. Stërgjyshi mërgimtar kishte vdekur në Stamboll në fund të shekullit XIX. Të dy gjyshërit-emigrante në Amerikë nga fillimet e shekullit XX. Babai pas studimeve në Greqi ishte kthyer vetëm me libra që i mbante mbi tryezë. Sidomos ato që i kishte shpëtuar nga një parandjenjë në arka në tavan, para kontrollit me “46 dhe pas burgut, i kishte nxjerrë prapë. Gjyshja ata që nuk simpatizonte i etiketonte me figura mitologjike dhe biblike dhe na thoshte, kujdes nga Polifemi, mendjen nga Ciklopi, të fusin në shpellat e territ. Ah,Karonti i zi që na more shpirtin! Ah, Juda Iskarioti që mori në qafë kaq njerëz të pafajshëm. Për gratë e regjimit thoshte: kujdes nga Circet, Skilat dhe Haribdat. Mitologjia, letërsia greke, kultura biblike, janë regjistruar në diskun e fëminisë. Tre libra vendimtare që ndikuan në rrugëtimin tim poetik, Odiseja, Ungjilli dhe Libri i Ëndrrave ishin përherë nën nënkresën e gjyshes që i nxirrte herë pas here para përparses së saj. Gjyshi emigrant në Amerike ishte Odiseu,dhe gjyshja Ollga ishte Penelopa që e priste një jetë të tërë, dhe ajo për marazet e saj më lexonte Odisenë netëve. Ungjillin ma lexonte si legjendë dhe komentonte mirësinë dhe dashurinë njerëzore. Kurse çdo mëngjes na shpjegonte ëndrrat me Librin e Ëndrrave përpara. Kështu që spontanisht para meje kisha të bëja me Homerin, me Krishtin dhe me Frojdin. Kjo është bota ime brenda një natyre po aq mitike madhështore. Që në fillimet e mia nuk dalloja kufirin midis mitit dhe realietit. Gjithcka ndodhte si në gjenezë. E çuditshme kjo botë e fëminisë me diskun e origjinës, me tre simbole të regjistruara, me Homerin, Krishtin dhe Frojdin. Koha nuk ka mundur të fshijë këtë kozmogoni të ngulitur, do të thoshja, para kohës sime brenda meje. Ajo ikumenikja,universalja surealiste ku gëlon dhe erëmon bashkë me Shën Marinë, borziloku. Dhimbja njerëzore dhe bukuria e natyrës.
-Gjatë deshifrimit apo “leximit” të mitologjisë” çfarë ju ka tërhequr më shumë estetikisht?
-Në tryezë, në krye të librave ishte Homeri, Iliada dhe Odiseja,në greqishten e vjetër dhe të re.Pranë tyre Odiseja përshtatur për fëmijë dhe bashkë me një libër të trashë të mitologjisë, tragjikët: Eskili, Sofokliu, Euripidi. Disa i mbaj mend si tani, stivë njeri mbi tjetrin, Kozmogonia, Prometeu i lidhur, Orestia, Persët, Edipi mbret, Antigona, Elektra,Medea. Makbethi i Shekspirit, Ferri i Dantes. Kisha shfletuar pa e kuptuar Lindja e tragjedisë së Niçes. Ishte Frojdi dhe Adler me librat për ëndrrat. Nga poetet e preferuar të brezit të babait ishin: Sollomos, Pallamas, Siqelianos, Porfiras, Këngët popullore greke. E sa e sa te tjera…
Brenda kësaj letersie madhështore ishte mitologjia që me kishte ushqyer estetikisht sepse shikoja si mund të mishërohej universalja e të shndërrohej në letërsi të madhe. Ishte Akili, Agamemnoni, Odisea,Medea,Antigona, Oresti, Edipi, Ifigjenia dhe Bota tjetër ku zbrisnin heronjtë. Unë munda të dalloja atje, të bukurën dhe të madhërishmen, të frikshmen dhe të shemtuarën, tragjiken dhe komiken. Bukuria e Afërditës dhe Elenës, frika e Poseidonit, tmerri i Polifemit, madhështia e Zeusit, Circeja, Skila, Haribda, metamorfozat dhe shëmbëlltyrat e tyre të cilat shikoja dhe gjeja ne jetën e përditshme.
-Sa dhe në ç'aspekte ju ka ndihmuar mitologjia për të formësuar stilin e ligjërimit tuaj poetik?
-Ështe fakt se mitologjia, qoftë greke qoftë e biblike, janë njësuar midis tyre dhe tek unë pa e kuptuar shfaqen paralelisht me bashkëkohoren. Pavarësisht se të parat janë onirike dhe e dyta bashkëkohorja është konkrete, ato janë shkrirë midis tyre. Dhe në një fare mënyre ikja ime nga konkretja, bëhej si nga nevoja e brendshme krijuese spontane drejt detajeve universale po dhe për t’u shmangur nga skematizmi i realitetit. Më shumë për t’i sherbyer poezisë së përjetshme se sa realitetit imponuar për hir të realitetit.Tani që rilexoj poezitë e mia të asaj periudhe mendoj se nëse largimi nga e përditshmja do të ishte bërë vetëm si shmangje artificiale, (gjë që nuk e pranon shenjtëria e poezisë se do të ishte blasfemi), atëhere përse tani që nuk na mundojnë dogmat dhe jetojmë në një realitet tjetër, u referohem përsëri figurave mitologjike? Mos është vallë ajo universalja e figuracionit dhe estetika e ligjërimit të vërtetë, një nevojë e brendshme e kthimit në tërësi të poezisë moderne botërore për rinovim drejt simbolikes, mitologjikes, universales? Dishepujt ekzistojnë:(Eliot, Elitis, Seferis?) Si perfundim, detajet imazhiniste, metaforat, vegimet mitologjike,janë disa nga elemente të veçanta të stilit dhe të formës në çdo kohë. Edhe njëmijë vjet letarë sikur të kisha, një ndjenjë e brendshme më thotë se prapë e tillë do të ishte poezia ime.
-Cilat janë planet dhe synimet tuaja krijuese ?
-Ashtu si përgjigjen të gjithë, do të ndodhë dhe me mua. Por një fjale e urtë greke thotë: Kur njeriu bën plane Zoti qesh. Ndër përparësitë e mia është një libër me poezi të zgjedhura në gjuhën shqipe. Në greqisht poezia dhe proza, gjejnë gjithësesi dritën e botimit. Me skrupuliozitetin e moshës, qëmtoj, përzgjedh, mënjanoj, gris me dhimbje dhe korrigjoj dorëshkrimet e mia.
Faleminderit
Athinë, shtator 2021
Comments