MISTERI QË FSHIHET NË PIKTURËN E SHPELLËS EREMITE TË KOSHORISHTIT
Në fshatin Koshorisht në krahinës së Çermenikës ndodhet një nga pikturat më interesante dhe më të mëdha shpellore në Shqipëri. Kjo pikturë fsheh edhe një nga misteret e saj. Po cili është ky mister dhe çfarë e bën interesante atë?! Piktura ka disa skena në kompozimin e saj, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Por, krahas skenave biblike, aty paraqitet figura e ktitorit, apo dhuruesit të pikturës bashkë me pjestarët e familjes së tij, rreth të cilëve kanë lindur disa pyetje, si: cilët janë, çfarë përfaqësojnë dhe cilës familje aristokrate të kohës i përkisnin?
Shpella eremite e Koshorishtit është shpella më e madhe dhe më e rëndësishme në Shqipëri. Ajo ndodhet në faqen e Malit të Letmit dhe njihet në literaturë si “Shpella e Letmit”. Shpella thirret nga banorët si “Shpella e kishës”, por, me që gjendet në teritorin e fshatit Koshorisht, është quajtur dhe “Shpella e Koshorishtit” (fig. 1 dhe 2). Në vitin 1971 Shpella e Letmit (Koshorishtit) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë më të njohur, si Prof. Theofan Popa, Prof. Dr. Akademik Andromaqi Gjergji, Prof. Dr. Dhorka Dhamo etj. Studiuesi Th. Popa i ka kushtuar një kapitull të veçantë Shpellës eremite të Koshorishtit, në studimin e tij: “Piktura e shpellave eremite në Shqipëri”.[1] (Th. Popa: Rev. Studime Historike, 1965, f. 69-70:).
Cilët ishin eremitët?
Para se të flasim për misteret që fsheh piktura në shpellën eremite të Koshorishtit, do të shprehim disa konsiderata për banorët e saj, eremitët: cilët ishin, çfarë përfaqësonin dhe cila ishte jeta që ata bënin?
Në fillimet e kristianizmit, disa burra dhe gra, të cilët e kishin përcaktuar veten e tyre si ndjekës të Krishtit, praktikonin këshillat ungjillore dhe kishin vendosur t’i kushtoheshin jetës së Krishtit, duke e imituar atë. Ata bërin një jetë vetmitare kushtuar Perëndisë, por secili në mënyrën e vet. Shumë prej tyre, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, u bë eremitë.
Termi “eremit” (shqip: “vetmitar”) është thënë fillimisht për një murg të krishterë, që jetonte i vetmuar, i ndikuar nga bindjet e tij fetare. Fjala “eremit” vjen nga fjala greke ἐρημίτης (erimitis), që, fjalë për fjalë, do të thotë “e shkretëtirës”, duke nënkuptuar shkretëtirën, pra një vend të pabanuar e të “vetmuar”. Termi “vetmitar” është përdorur jo vetëm për çdo të krishterë që bënte një jetë të izoluar, por edhe për çdo besimtar të feve të tjera, si, p. sh., të Budizmit, Hinduizmit, Islamit (Sufizmi) etj. Në përdorimin modern bisedor, fjala “vetmitar” tregon për një njeri që jeton larg nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Eremitët e krishterë kanë jetuar në vende të izoluara, në shpella natyrore, ose në banesa të vetmuara, që ishin të vendosura në shkretëtirë, në faqe mali, apo në pyll. Ata ishin të fshehur nga sytë e njerëzve dhe bënin një predikimi të heshtur ndaj Zotit, të cilit eremiti i kishte dorëzuar jetën e tij. Me dëshirën e tij eremiti hiqte dorë nga shqetësimet dhe kënaqësitë e kësaj bote. Më të shumtën e herës ata e kalonin kohën me lutje të vetmuar dhe me punë. Eremitët ishin të kërkuar për këshilla shpirtërore dhe për mbrojtje. Disa prej tyre patën shumë dishepuj (pasues). Në Kishën Lindore eremitë bënin një jetë jo vetëm me lutje, por edhe me shërbime ndaj komunitetit të tyre. Eremiti ishte një vetmitar në dispozicion të të gjithë atyre që kishin nevojë për të.
Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat kisha, siç i quante pupulli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto trevat kanë jetuar dhe kanë zhvilluar ativitetin e tyre fetar eremitët e krishterë. Nuk dihet mirë se kur kanë mbërritur në vendin tonë eremitët e parë të krishterë, por studiuesi Neritan Ceka, në librin e tij “Iirët” (Tiranë 2000), shkruan se disa murgj të persekutuar, gjatë periudhës së sundimit të perandorit bizantin Kostandini V, u vendosën në trevat e shqiptare. “Qëndrimi liberal i kishës së Dyrrahut, - shkruan Ceka, - bëri që të vendoseshin murgjit ikonodule trakas të persekutuar në kohën e perandorit Kostandini V. Ata zgjodhën për të banuar shpellat në Letëm të Librazhdit…, duke lënë edhe gjurmë nderimi për shenjtorët në afresket e pikturuara në faqet e shpellave”.[2] (N. Ceka: “Ilirët”, 2000, f. 302). Pikërisht për këtë shpellë eremite të Koshorishtit bën fjalë edhe shkrimi ynë.
Shpella e Koshorishtit dhe vlera e pikturës së saj
Për here të pare ekam vizituar shpellën e Koshorishtit në vitin 1982, gjatë një ekspedite etnografike në disa fshatra të krahinës së Çermenikës. Ekspedita u organizua nga Muzeu Historik i rrethit të Librazhdit dhe ish Instituti i Kulturës Popullore, nën drejtimin e etnologut të mirënjohur, Akademik prof. dr. Mark Tirta. Qëllimi i ekspeditës ishte për eksplorimin e pikturës së shpellës, me qëllimi për t’u njohur me vlerat artistike të saj, por veçanërisht për të studiuar figurat njerëzore të pikturuara në këtë shpellë.
Shpella ndodhet mbi një shkëmb të thepisur, në faqen jugore të Malit të Letmit, në një lartësi prej 300 m (fig. 4). Ajo ka në një pozicion shumë të vështirë për t’u ngjitur. Shpella ka formën e një zgavre natyrore rrethore dhe thellësia e saj është rreth 8 m. Në hyrje të saj shpella ka një gjërësi rreth 15 m dhe më tej ajo vjen duke u ngushtuar, duke formuar një ambient dhome me dimensionet 7 x 5 m. Në hyrje të shpellës dallohen disa fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, që dëshmojnë se shpella duhet të ketë qenë e mbyllur me mur. Gjithashtu, në rrëzë të tavanit, duken disa gjurmë të gdhendura në shkëmb, që kanë shërbyer për të vendosur trarë. Studiuesi Theofan Popa ka mendimin se“shpella duhet të ketë pasë qenë shtrue me dërrasa...”.[3] (Popa 1965, f. 69). Për mendimin tonë, trarët dhe dërrasat duhet t’i kenë shërbyer piktorit të shpellës si skelë gjatë pikturimit. Tavani i shpellës është i suvatuar me llaç e mbi të janë pikturuar, në formë kompozimi me rrathë, dy skena në formë medalioni dhe ngjitur me to familja e ktitorit në miniaturë.
Njëra nga skenat paraqet figurën e Shën Mërisë me Emanuelin (Krishti-fëmijë), kurse skena tjetër ka të pikturuar figurën e Krishtit Pandokrator (fig. 3 dhe 4). Th. Popa në studimin e tij i ka bërë njëanalizë dhe një përshkrim shumë të detajuar pikturave të shpellës.“Pandokratori i pikturuem mbi gjoks e sipër, - shkruan ai në studimin e tij, - përfshihet brenda nji medalioni e paraqitet në qëndrim frontal, tue bekue me të djathtën dhe tue mbajtë ungjillin me të majtën, veshun me mafor blu dhe himation të kuq, me brerore të madhe ari të kryqëzueme me vizat që formojnë kryqin, të hapta pak aty ku bashkohen me vizën rrethuese të brerores. Koka e Pandokratorit vjen pak në madhësi mbinatyrore, me flokë të mbështjellun e të përdredhun, lëshue nga mbrapa, me sy të mëdhenj e vetulla të nalta, me hundë të drejtë, me mustaqe e mjekërr të vogël. Pjesët e fytyrës janë ndriçue në mënyrë të njinjishme. Duerët vijnë tepër të mëdha në përpjestim me fëtyrën”.[4] (Popa 1965, f. 69;).
Një përshkrim të hollësishëm i bën prof. Popa edhe figurave të Shën Mërisë dhe Emanuelit. “Shën Mëria, - shkruan ai, - paraqitet e tipit Oranta, me duer të hapta në qëndrim lutjeje deri në brez, nën maforin rreth kokës me nji napë blu të çelët. Fytyra e saj paraqitet në formë vezake me vetulla të trasha, të nalta, me sy të mëdhenj por çakërr, me hundë të drejtë dhe të prefët, me vizën rrethese të fytyrës të errët, që shtrihet si sfumaturë rreth qendrës së saj. Pjesët e fytyrës ndriçohen në mënyrë të njinjishme dhe duert i ka ma të vogla në përpjestim me fytyrën. Emanuelin e ka në krahnor, të përfshimë brenda nji medalioni, veshun me stihar të badhë me pika ngjyrë tjegulle, me brerore të kryqëzueme, tue bekue me të djathtën e me ilitarion në të majtën”.[5] (Popa, po aty).
Nën krahun e djathtë të Shën Mërisë janë pikturuar shtatë figura njerëzore në miniaturë dhe nën krahun e majtë të saj edhe një figurë e tetë. Të gjitha figurat janë me duar të ngritura lart, në qëndrim lutjeje. Tre figurat e para janë femra, ndërsa pesë të tjerët janë meshkuj. Nga meshkujt, i pari që vjen mbas grave, mban në dorë maketin e kishës. Th. Popa ka mendimin në këtë pikturë paraqitet figura e ktitorit (dhuruesit) të pikturës së shpellës dhe e familjes së tij.“Personat e tjerë pas ktitorit, - shkruan Popa, - ka të ngjamë të jenë e shoqja dhe të bijat, kurse ata përpara djemtë”.[6] (Popa, faqe 70)
Një vend të veçantë zë në pikturën e shpellës eremite të Koshorishtit edhe një mbishkrim, i cili ndodhet ndërmjet fytyrës dhe krahut të djathtë të Shën Mërisë. Mbishkrimi është në greqishten bizantine. Th. Popa ka bërë edhe transliterimin, transkriptimin dhe përkthimin e këtij mbishkrimi, i cili është:
Transliterimi:
Transkriptimi:
77777
Përkthimi:“U pikturue (ky) tempull hyjnor i së mbishenjtës Hyjëlindëse me dorën teme të Stanos”. Nga kypërkthim del se piktura i kushtohej Shën Mërisë dhe se autor i saj ishte piktori Stano. “Rezulton pra, - shkruan Th. Popa, - që parklisi i asht kushtue Shën Mërisë, dhe së dyti që piktori i pikturës ka pas qenë nji farë Stano”.[7] (Popa, po aty).
Në cilin vit është pikturuar shpella e Koshorishtit? Duke u nisur nga disa elemente të pikturës, siç janë stili i pikturimit, linjat arkaike të vizatimit, thjeshtësia e disa prej tipareve të figurave biblike etj., Th. Popa shton se këto elemente dëshmojnë “për nji pikturë mjaft të lashtë, për nji pikturë ndofta të periudhës së dinastisë së Makedonëve e të Komnenëve, e cila fillon mbas fitores mbi ikonoklastët (gjysma e dytë e shek.IX) dhe shkon deri në të XII shekull”.[8] (0pq, po aty). Th. Popa është i mendimit se piktura është krijuar para shekullit të 12-të. “Simbas tipareve që ka, - shkruan ai, - ne mendojmë se piktura e Shpellës së Letmit duhet të konsiderohet si e shek. XI-të, ndofta e nji periode ma të herët”.[9] (Popa, faqe 70). duke lënë të kuptohet se ajo është një nga pikturat më të vjetra në Shqipëri.
Cilët janë 8 figurat njerëzore te piktura e shpellës së Koshorishtit?
Një aspekt i rëndësishëm në pikturën e shpellës së Koshorishtit janë 8 figurat njerëzore, që studiuesi Th. Popa është i mendimit se janë figura e ktitorit (dhuruesit) dhe e familjes së tij. Kujt u përkasin këto figura dhe kujt i kushtohet piktura e Shpellës së Koshorishtit? Prof. Theofan Popa, gjatë analizës që i bën pikturës së shpellës së Koshorishtit, nuk jep asnjë të dhënë se Cilët janë figurat njerëzore. Ai nuk i identifikon ata, përveçse jep një opinion të shkurtër, se ktitori “duhet të ketë pas qenë ndonji përfaqësues së shtresës së pasun vendase të asaj kohe”.[10] (Popa, po aty). Por, sipas studiuesve, duhet të ketë qenë një familje aristokrate vendase. Lind pyetja: Kush ishte familja aristokrate në pikturën e shpellës së Koshorishtit?
Thamë më sipër se piktura ishte e shek. të 12-të. Prof. Dr. Ak. Dh. S. Shuteriqit, një nga studiuesit e njohur shqiptar që është marrë gjërësisht me origjinën e familjes së Aranitëve, shkruan se Familja Princërore e Aranitëve gjatë mesjetës së mesme (shek. XI-XV) kishte në zotërim krahinën e Çermenikës. Në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët, si: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia” (1965), “Aranitët-Zotërimet” (1967) dhe “Aranitia në vitin 1467” (1981), Dhimitër S. Shuteriqi kishte dëshmuar me fakte të dokumentuara që krahina ku shtriheshin zotërimet e Aranitëve quhej “Aranitia” dhe se Aranitët kishin që nga viti 1001 që përmenden në historinë e Shqipërisë. Domenat e Aranitëve, shkruan Shuteriqi, shtriheshin në Shqipërinë e Mesme dhe se e ato e kishin qendrën e tyre në trevat e Librazhdit të sotëm (Shuteriqi, 1981). “S’ka asnjë dyshim, - shkruan ai, - se ... me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm…”.[11] (Dh. Shuteriqi: Studime Historike, 1981, f. 129-133;). Një nga emrat e familjes së aranitëve, shkruan Shuteriqi, ishte “Çermenika”.[12] (Shuteriqi 1981, f. 130;).
Si përfundim mund të themi se figurat në pikturën e shpellës së Koshorishtit, që prof. Popa shkruante se ishin një familje “e pasun vendase”, nuk ishin tjetër veçse pjestarë të familjes Aranitase, sundimtarëve vendas të krahinës së Çermenikës.
Kjo pikturë e shpellës së Koshorishtit, që, siç e pamë, i përkiste familjes aristokrate të Aranitëve, është dokumenti më i hershëm, që paraqet në mënyrë figurative një familje aristokrate shqiptare. Theofan Popa ishte i pari studiues që tërhoqi vemendjen e veshjes në pikturë të ktitorit dhe të familjarëve të tij, të cilat ai i krahasoi me veshjet e banorëve vendas të krahinës së Çermenikës. “Interesante këtu, - shkruan ai, - paraqitet veshja e sipërme e grave, me mangë të varuna nga mbrapa, njisoj si në mangoret e katrundarëve tanë”.[13] (Popa 1965, faqe 70).
Shpella eremite e Koshorishtit ka kohë që është kthyer një atraksion turistik. Ajo vizitohet pothuajse çdo ditë nga shumë vizitorë të ndryshëm, të cilët shprehin admirimin e tyre për këtë vepër të rrallë të kulturës sonë të traditës. Për fat të keq, piktura e shpellës eremite të Koshorishrir është dëmtuar shumë nga disa vizitorë vandalë, të cilët kanë gërvishur muret, duke shënuar emrat e tyre. Skena më e dëmtuar në pikturë është ajo e figurave njerëzore, që paraqet familjen aristokrate të Aranitëve. Ndonëse shpella ka mbi 40 vjet që është e shpallur Monument Kulture dhe mbrohet me ligj nga Shteti Shqiptar, por ajo nuk ruhet dhe ka po aq vjet që ndodhet në mëshirë të fatit të saj.
Piktura, si objekt kulture, dhe misteret historike që ajo mbart në gjirin e saj, nëse nuk merren masa urgjente për mbrojtjen e saj, për fat të keq, ato do të jenë të destinuara që të zhduken përgjithmonë, duke bërë që të humbasë një nga reliket më me vlerë të kulturës dhe të historisë sonë kombëtare.
ILUSTRIME
[1] Popa 1965, faqe 69-70:
[2] Ceka
[3] Popa 1965: faqe 69;
[4] Popa 1965, faqe 69;
[5] Po aty;
[6] Po aty, faqe 70;
[7] Po aty;
[8] Po aty, faqe 70;
[9] Po aty;
[10] Po aty;
[11] Shuteriqi 1981faqe 129-133;
[12] Shuteriqi 1981, faqe 130;
[13] Popa 1965, faqe 70;
Opmerkingen