top of page

MISTERET E NJERIUT


Mihal Gjergji

Mihal GJERGJI


S’kam mundur të jap mendime shteruese për Kurveleshin, asnjëherë, megjithëse jetova tridhjetë vite atje, mandej e ngarkova brenda shpirtit në udhëtimin tim të gjatë e të vështirë. Çfarë është në të vërtetë ai peizazh mahnitës; muzeum natyror, djep perëndish apo vend gjykimi rrebelësh? Askush s’mund të kundërshtojë idenë time, se pikërisht në ato lartësi tronditëse është vendndodhja e Zeusit. Vetë natyra është një mister për syrin njerëzor; malet me lartësitë marramëndëse, kodrat veshur pyje dhe blerim, lumenjtë që derdhen mes grykave të thella, pastaj njerëzit, aq të ngjajshëm me atë natyrë befasuese. Edhe banorët s’kam mundur t’i kuptoj asnjëherë, me dukje njerëzore e sjellje prej xhindesh, gjithmonë kryeneç e vetmitarë, ndërsa bashkohen vetëm kur sulmohen nga pushtuesit e huaj, vetëm atëherë. Ajo që më ka çuditur më shumë, është qëndrimi thuajse aprovues ndaj pushtuesve të brendshëm, pranimi në heshtje i ligësive që burojnë prej fshehtësisë së vendimmarrjeve skllavëruesve. S’dua të besoj që kjo sjellje ushqehet nga ndjeshmëria për gjakun apo rracën. Gjetiu duhet kërkuar shtysa e brendëshme.

Edhe njeriun e kanë shoqëruar misteret qysh me lindjen e tij, mandej hap pas hapi. Nga shkretëtirat e Mongolisë deri në qytetërimet parakolumbiane, sikurse në qytetërimet greke, romake, kelte, skandinave apo egjiptiane, sumere, etj. Ajo cfarë nuk kuptojmë tek tjetri, shpesh e quajmë mister. Krijimtaria e një poeti të talentuar më shtyti në një meditim të thellë. Është vërsniku im, Agim Basha, bashkëudhëtar dhe bashkëvuajtës, jo vetëm me mua. Tashmë jam duke bërë montimin e pamjeve të dikurshme ruajtur në kujtesë, dhe vargjeve që thonë aq shumë, për dje dhe për sot. Tamam si rregjizori në montazhin e filmit. Jetuam të dy atë kohë të trazuar, ku rendi njerëzor u shkërrmoq nga jonjerëzorët, ku idhujt e rremë ishin cdo ditë përballë njerëzve që mishëronin moralin dhe vlerat. Ata që u vriteshin ëndrrat cdo ditë, që u prangosej liria, përbënin shumicën, ndërsa vrasësit ishin të zgjedhurit, një grusht të besuarish, fatkeqësisht me gjak shqiptari ndër deje. Nënat e të vrarëve s’harrojnë, mandje as mund të tretet dashuria e tyre nën pirgjet e dheut. Kjo më ka nxitur të jem një vëzhgues i mprehtë i varreve. Jeta me vdekjen dhe natyra me njeriun këmbejnë materien me njera-tjetrën.

“Desha të shkruaj dy gisht letër/ për babain në ditën e shënuar të tij/ ti thoja të më falte ca gabime akoma/ tani që, qielli i tij s’ka më kufij.../ Desha ti them ca gjëra të thjeshta/ që s’ja thashë dot sa isha fëmijë”. Shikoni pra, mendimet e larta janë këshilltarët e poetit. Vendlindja e Agimit, Lekdushi, ngjason me një telajo varur në qiell. Buzë humnerave dhe mbështetur në gjirin e maleve, me vështrimin kaltërsive, si ekran drite, një grusht shtëpi krah njera-tjetrës. Dhe sa shumë ndryshojnë këta banorë nga fshatrat e tjera, sikur të mos ishin në të njëjtën krahinë(!). Provoni të vizitoni Nivicën dhe do ndjeheni si në fshatrat e Çamërisë. Pse dhe kur janë vendosur këtu? Para një viti, në shoqërinë time lëviznin dy turistë gjermanë. Ndaluan aty dhe bënin fotografi. U befasuan dhe më pyesnin; për natyrën, fshatrat, njerëzit…Zgjata dorën në drejtim të fshatit karshi dhe i pyeta për afganët. Ngritën supet të habitur. Pastaj drejtova dorën në fshatin tjetër dhe i pyeta për Rripin e Gazës.

E kuptuan humorin tim dhe njëri prej tyre më tha se, ju poetët jeni të vështirë për t’u kuptuar. Ja pra, kjo është vendlindja jonë, dashuria e së cilës na mban lidhur. “Shtegton një mall, si hije nëpër natë/ i vihem pas, lidhur si me magji/ më çon diku e më kthen prapë/ por nuk më thot si për çudi…” Përjetimet e Agimit nuk janë vetëm të tij. Ata pak njerëz mbetur atje (si kontradita në lëvizje) të shikojnë si të zbrisje nga qielli. Urrejtja dashka kohën e saj për t’u tretur. Kush ndodhet në dimensionin psikologjik inferior, ti si vëzhgues apo ai që ke përballë? Si ti përkthejmë vështrimet, lëvizjen e duarve, fytyrën si ekran ekspozimi, gjuhën e trupit? A jemi në gjëndje ta lexojmë brendinë e tjetrit vizualisht, apo duhet doemos të hyjmë në marrëdhënie bashkëbisedimi? Po më tej? Unë s’mund të pranoj teorinë sipas të cilës janë perënditë ato që i dhanë njerëzimit misteret e tyre. Aspak, sepse të gjitha janë atribute të njeriut, vetëm të atij. Madje, sot nderohet përunjësisht zoti që ka krijuar njeriu dhe jo ai që ka krijuar njeriun (natyra). Skulptura e Arpoktatit që i përket qytetërimit të lashtë grek, tregon djaloshin me gishtin e vendosur te goja. Përse vallë? Simbolika e këtij veprimi do të thotë të heshtësh, të ruash një të pathënë brenda vetes. Cfarë ka parë ky njeri që kërkon ta fshehë edhe përtej vdekjes? Ja, përballë kësaj statuje ngrejmë pyetje pa fund dhe hamendësojmë duke u larguar me mendimin se brenda saj fshihet një mister. Jemi te arti i krijimit. Një dorë mjeshtri e ka gdhendur atë. Pra, edhe arti ka ngjyrime mistike.

Kjo skulpturë bart realitetin e një kohe që s’e kemi parë apo jetuar, jemi ndoshta dy apo tremijë vite larg. Atëherë mund të themi se mistikja është e panjohura, apo jo? Një tjetër skulpturë në Egjipt tregon një djalosh (Orin) të buzëqeshur. Përmes artit njeriu realizon përmbushjen e ekzistencës së tij, kryesisht të brendisë. Ajo që është e perceptueshme te shqisat, thoshte Platoni, është pasqyrim i asaj që është e kuptueshme te mendja. Pushtetin joshës dhe imponues e zotëron bukuria, e natyrës dhe qënieve të gjalla, kryesisht elementi femëror. Ndoshta imazhet e bukurisë së fshehur shpalosen tek gjërat e bukura që shikojmë. Pikërisht këtë pasqyron edhe Agimi në poezitë e tij. Në ditarin tim gjeta disa rreshta vlerësues të lirikut të shquar Koçi Petriti për idetë dhe fuqinë e mendimit në poezinë e Agim Bashës. Mirëpo tjetër gjë dua të përcjell në këto rreshta të kursyera. Përjetoni dhe ju magjinë e vargjeve të poetit nga Lekdushi. Dua të besoj se arti është pararendës i njeriut (autorit). Fjala poetike eshte lulja e lastarit shpërthyer mbi trungun qindravjeçar. Ndaj poetët ngjasojnë me yjet, lindin, ndiçojnë në yllësinë e largët dhe pastaj na humbasin nga sytë. Po i mbyll këto shënime me një tjetër poezi të Agim Bashës.


Agim Basha

FALEMNDERIT, HËNË E VENDLINDJES

Hëna jote më vizitoi sonte,

vendlindja ime...

kishte me vete thinjat e maleve,

blerimet e zvargura paksa të fushave,

dhembshurinë e motrave të mia...

mollët që, sapo kishin lidhur fruta..

Këngën e bulkthit, bilbilit në liri

fshatrat në pllajat e maleve...

zërin e nënës time

mpakur nga meraku i përditshëm...

lodhjen e bujqve që kundërmonte plis të etur

qershitë e thara nëpër degë,

burimet që pikojnë lot të kripur

dhe...mallin tim të djegur....!

56 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page