
(Arkiva tek Fjala e Lirë, e enjte, 11 Jqershor 2009 07:38:51 GMT)
SHKRIMTARI I METAMORFOZAVE
Ndonëse tek brezi i shkrimtarëve paraardhës ekziston një farë dyshimi, nëse respektohen apo jo nga shkrimtarët e brezit ri, unë vendosem me ata që e pranojnë të pjesshëm këtë sugjerim. Respektoj gjithë shkrimtarët e vërtetë. Dhe konkretisht, njëri prej tyre që veçova qysh prej tregimit të parë, është shkrimtari Faruk Myrtaj. E them këtë i zhveshur prej çdo lloj subjektiviteti. Kam të shtoj akoma për këtë rast, se për artin e secilit flitet zëshëm, veç kur ke të flasësh. Ëndrrat e bëjnë të pa dobishëm udhëtimin, ndaj duhet zgjuar të shikosh se ecën. Të jesh i etur dhe i thjeshtë, kërkohet me domosdo përvuajtshmëri shpirti, si dhe detaje që lindin nëpërmjet gjuhëve që flasin pa indeks aktorësh. Mjeshtëria të përgjosh sekretet e jetës, harbohet prej zbulimit të sekretit të parë, që të jepet bashkë me qëllimin në jetë, i cili tek shkrimtari bëhet motiv i ankthshëm thirrjeje, britme.
“Sfungjeri” titullohet tregimi i tij, që më bëri të vërej perceptimin magjik, në linjën më të padiskutueshme. Ndaj shpallem i mrekulluar. Megjithëse duhej të kalonin ditë të pranoja, se ajo metamorfozë aq e mrekullueshme, (koha kur një vogëlush braniset në të katra, deri sa ngrihet të bëjë hapin e parë,) i përkiste një autori shqiptar. Në fakt, jam nga ata që mbështet se arti nuk i përmbahet kufijve etnikë. Kështu, mbas tregimit të parë, lanë Kanadanë dhe erdhi në Greqi të tjerët, “Njerëz prej buke” titullohej pasuesi mbase edhe më tronditës se tregimi i parë, ngaqë varianti që zgjedh tregimtari të shtjellojë jetën e një të burgosuri, i cili ndërton prej tulit bukës dhe i mban panë vetes, njerëzit e dashur, nëse jo Kafkjane, si ta quajmë ndryshe? Duhet të rrëfej, se të njëjtin befasim pata edhe me tregimet që vijuan. Çdo kush prej tyre ngrihet mbi një gjetje magjike, edhe shtjellohet duke terratisur jashtë kufijve, specifiken e letërsisë shqiptare. Tek tregimet e tij, vërejta se e bukura, supriza, nuk është ajo që disa e kërkojnë larg, nëpër aerodromët e botës, hol rum-et e hoteleve pesë yjsh, apo mes plazheve ekzotikë. Modern bëhesh edhe po të skicosh siç duhet atë shëtitoren e shkurtër të vendlindjes, me pllaka të shkulura, dhe atë kafenenë e vjetër në mes. E bukura për shkrimtarin origjinal qëndron, tek nevoja e debatit të brendshëm. Tek trazira që sjell prehja dhe qortimi, si dhe tek mos mohimi i harmoninë së dhimbjes. Ndryshe, shkrimtarit para se të fillojë tregimin, i duhet të modernizojë kafenenë e vjetër. Ta lyej që t’i shndrisë fasadën. Por në art nuk kërkohen merita magjistari, as demofili, veç naivitet të brishtë, ku në letërsi vendoset para çdo fjale të shprehur, si pjesë e shpirtit. Kjo pasqyrohet mrekullisht tek tregimi “Shëtitje e detyruar” ku autori rrëfen për një të vogël i cili detyrohet një orë të caktuar të dielën paradite, të bëjë një shëtitje me të vëllanë, në krah të atit. Meqenëse nuk e ka të qartë qëllimin e shëtitjes, nis e hepon rrëshqanthi vrojtimet e gjithë atyre ulur në karriget e vjetra të kafenesë. Atëherë sikur nis e kupton, pse vrojtuesit zihen ngushtë prej paradës së tyre aq domethënëse. Mbas leximit të këtyre tregimeve, kureshtja ime u bë edhe më e ethshme, që e shova veç me tregimet “Botë ciganësh,” “Wrong Number” “Në mungesë të mbretëreshës,” “Hijet e virgjëreshave,” “Dritarja e vetme,” “Autobusi i fundit” të cilët më bindën për një letërsi të suksesshme. Mjeshtëri, talent dhe mëvetësi, mendova. Faruku, ndryshe nga të tjerët krijon qetë, nuk ngutet ta derdhë mendimin. Pena e tij është mësuar të rrëshqasë ngadalë, pa provokime konceptesh që tjetërsojnë. Fjala rrjedh e natyrshme, pa iluzione për njeriun. Myrtaj, e ngre tensionin ngadalë në tregim, duke na sjellë voltazhe që shpesh të djegin siguresën e mendimit. Kjo mënyrë shkrimi, të kujton ato simfonitë klasike, që nuk paralajmërojnë shpërthime kreshendosh, dhe kur ato vijnë, të gjejnë krejt apatik, të papërgatitur. Këtë e kupton më qartë, tek djersitja e plotë e dirigjentit.

Në përgjithësi kjo ka të bëjë me arkitekturën e tregimit, që mesa duket Myraj e njeh mirë. Forma e tregimit të tij, është e thjeshtë dhe e plotë. E thjeshtë është për faktin se, kushdo që ulet të lexojë tregimin e tij, do ta çojë deri në fund dhe, e plotë bëhet pasi e ke lexuar, atëherë kur zbërthen qëmtesën. Autori e tjerr hollë mendimin, madje nganjëherë edhe më hollë seç duhet, por këto janë detaje që lindin nëpërmjet përjetimit. Kështu, të gjithë ata që kërkohen të bëhen heronj në tregimet e tij, kanë fatin të zhvishen tërësisht tek sytë e lexuesit, nga zhelet e moraleve. Kënaqësia bëhet transparente e mendimit, kur ekziston një boshësi fshehtanake në shpirt, jo në pamje. Kjo del nga tregimi “Wrong Number” Këtu gjërat janë ndryshe. Pa pritur shkrimtari kthehet në një liturg social, që nxitet të zbusë një shpirt që ka nis i çartur të endet i vetëm nëpër natë. Këndvështrimi i tij në këtë tregim, është tejet ndryshe. Shumë më modern. Dallohet menjëherë motivi i një pene tjetër, ngaqë dhe temat për jetën apo vdekjen, si linjë e humanizmit dramatik, mërmërijnë ankthin e rizbulimit të njeriut. Pena e Myrtaj rritmon si çekan kovaçi, duke e petëzuar hekurin e skuqur me goditje të matura, për t’iu shmangur lodhjes së krahut, si dhe ftohjes së shpejtë të metalit. Ndonëse tregimi gjithmonë ka nevojë për përshkrime, figura, meditime, analiza e psikanaliza, sa ndonjë herë pa e kuptuar mund ta teprosh. Kjo varet nga disa parametra. Primar është vet stili i krijuesit, i cili në radhë të parë përmbush veten dhe, kur bindet se shijet e veta u ngopën, beson se edhe lexuesi do ketë këtë fat. Ky është sekreti që mban gjallë artin. Prandaj në prozën e Myrtaj, gjen argumente, fakte të hedhura me finesë në gjuhën romaneske, që të mbajnë lidhur deri tek fraza e mbylljes. Edhe moralisht po ta shikosh çdo tregim të Farukut, do ndjesh se përmbajtja e tyre përkon me estetikën njerëzore. Pasi arti nuk është banalitet, do të shtonte Vasil Vasili.
Gjithmonë kur mbyll një shkrim, vërej me keqardhje se nuk më jepet mundësia të shtoj ndërmjet mendimeve të mia, thënie apo mendime të larta të shkrimtarëve të mëdhenj, siç është sot e modës. Pasi nuk ndjek atë modë. Nuk më hyn në punë çka thënë Borgesi, apo Xhojsi për Prustin apo Markezin, që t’i ngërthesh me mendimet e mia të drejtpërdrejta për Myrten. Jam i bindur se kujtdo shkrimtari i vlejnë veç ato mendimet e pastra e të thjeshta, lajlelulet atyre që kërkojnë përhumbjen.
Athinë 2009
Comentários