top of page

Mira Meksi: “Befasi”



 

Me vështirësi e mbaja kokën palëvizur sipër ujit. Trupin e kisha lëshuar si të pajetë dhe, për të shpëlarë lodhjen dhe mendimet e liga, gjasmoja vdekjen. Shpejt zhurmëzat e paemërta përreth meje më bënë ta braktis idenë e paqes së trupit të lëshuar si në pajetë dhe nisa të valëzoja lëkurën time si gjethe mbi ujë, si algëzë e braktisur, si gjysmëguackë arre. Mendoja për plakjen tënde të përnjëhertë përpara syve të mi, të cilën ti po e vuaje shumë në heshtje. Ndërsa unë atë ndjesi po e përtypja pak e nga pak çdo ditë dhe e përdorja që të imunizohesha për të mos e ndier të thekshme vuajtjen kur të vinte koha ime. Nuk do ta lija plakjen të më kapte në befasi, do të përpiqesha t’i përgjoja çapin, apo ndoshta do të ishte më e udhës ta lija të bridhte revan, të më avitej kur të donte, të më kaplonte të gjithën që të arratisesha pastaj bashkë me të, e sigurtë se nuk do të kisha më dhembje kohe…

Zgjata dorën dhe nga shishja qelqtrashë drejtkëndshe derdha ca guriçka drejt e mbi lëkurën e kraharorit tim: në ujin e vaskës guriçkat “White castle”, duke u shkrirë, nisën të lëshonin rrëke në ngjyrë manushaqe me xixa të bardha dhe ca minerale të panjohura, të cilat, porsa arritën të bashkoheshin me avujt, shpërthyen në aromë e magji dhe iu vërsulën kokës sime…

*

M’u shfaqën të trija brenda një çasti kohe të fëmijërisë së largët, ulur në shkallët e gurta të oborrit të shtëpisë së gjyshërve të mi në qytetin e detit: Moza me flokët dybishtaleca me kordele të vogla të verdha, që fërkonte një më dy hundën dhe nuk e lëshonte nga dora kukullën kineze, e cila kishte një aromë të mrekullueshme kauçuku të parfumuar, ishte ulur në krye të shkallëve. Lana hollake, e thërrisnim edhe bisht fshese, me një fund verefi të kuq, – vërtet, tani që e vështroja me vëmendje, kur fliste, ajo e rrotullonte kokën si fugë dhe ngjante pikërisht me një bisht fshese, – dhe me një qese të vogël ku mbante përherë gurët e pendalleve, apo guraçokët, ndodhej një shkallë poshtë Mozës; në faqen e majtë kishte një të gërvishur të gjatë, që m’u kujtua se ia kishin bërë degët kur pat rënë nga kumbulla një javë më parë. Ngjitur me të ishte ulur Teuta me qerpikë të gjatë e cila kur fliste, ngjante sikur pëshpëriste.

Fjaloseshim tamam si atëherë përpara lojës, madje pashë me bisht të syrit se si, Lana mosbesuese, u nxori majën e llapës Mozës dhe Mirës, kur unë u rrëfeva se babi im do të na dhuronte pendalle prej briri. Që të trija duheshim dhe e quanim njëra tjetrën si shoqe të ngushta, andaj edhe vendosa që pas lojës t’ia thosha nja dy fjalë Lanës për atë llapën e kuqe që e nxirrte vend e pa vend. Por diçka nuk shkonte, nuk po gjeja dot se në ç’pikë të hapësirës gjendesha unë vetë. Sigurisht që isha aty, duke biseduar dhe duke luajtur me shoqet e mia te shkallët e gurta të oborrit të shtëpisë së gjyshërve të mi në qytetin e detit. Po ku tamam, ku ishte vendi im, te shkallët? Çfarë kisha veshur? Si dukesha? Asgje nga këto nuk gjendej në kujtesën time. Shiko, tani po pikasja që Moza, kur fliste, përplaste dendur qepallat përmbi mollëzat e faqeve që i kishte të kuqe dimër-verë. Ku ndodhesha unë?                          

Kur mendja lodhet, kur shqisat zënë e turbullohen, kur gjer edhe dëshira për të jetuar kthehet në dyshim, e vetmja strehë shpëtimtare është fëmijëria, koha që ka rrjedhur, një pikë e saj e qëruar dhe lëmuar prej gjithë të ligave, lënda e së cilës është e ngjizur me paqe dhe ku futemi vrik duke kalëruar kujtesën. Nuk është e lehtë: harresa shpesh ia del të mbulojë gjithçka me mjegullina dhe kujtesa e lodhur dhe e bjerrur, me vetëm pak copëza të mbetura të kohës së dëshiruar, nuk na shpie dot në strehën shpëtimtare. Na braktis në mes të udhës. Porse nuk heqim dorë kurrsesi nga përpjekja për të gjetur shtegun e strehës.

*

Organizova çdo gjë me shumë kujdes. Ishte festë e çuditshme. Në shtëpinë e madhe të gjyshërve të mi, në lagjen e qytetit të detit që mban emrin ogurzi Karabash dhe që në otomançe përkthehet “tokë e zezë”, kisha ftuar të tria shoqet e mia të ngushta të fëmijërisë, të cilat vazhdonin të jetonin në qytetin e detit. Nuk i kisha takuar që prej njëzet e pesë vjetëve që jetoja në kryeqytet.

Moza dhe Lana qëndronin të ulura përballë meje përreth tryezës së ulët ovale njëkëmbëshe në verandën e shtëpisë, ndërsa Mira ende nuk kishte mbërritur. Përmbi tryezë ndodhej një pjatancë plot me ëmbëlsira bufka me mjaltë, nga ato që ime gjyshe i bënte sa hap e mbyll sytë për të na ëmbëlsuar kur ishim të vogla. Sillesha e shpenguar dhe i pyesja për familjen, fëmijët. Vura re që Lana ishte veshur me të errëta. E pyeta me vështrim. I shoqi i kishte vdekur përpara dy vjetësh: “E gëlltiti Otranto si shumë djem e burra të Vlorës!” tha me pikëllim dhe mllef, “fati i ne shqiptarëve që na duhet të endemi botës për të patur një jetë që të quhet jetë…” E ngushëllova si munda. Pastaj, ngadalë, bisedat tona u përqendruan të qyteti ynë i fëmijërisë, i shkatërruar krejt gjatë vitit të mbrapshtë 97 kur shteti ra dhe shqiptarët luftuan kundër shqiptarëve. Nisa t’i pyesja për fqinjët, të njohurit, shokë të lagjes. Shpesh ato të dyja thoshin: “Filani ka përfunduar në Otranto, edhe fisteku, po në Otranto”, e thoshin me një natyrshmëri dhe lirshmëri të atillë sa dukej sikur thoshin: në Picorrugë, rrugicë e lagjes, apo në Skelë a në Ujin e Ftohtë të Vlorës. Ne flisnim e flisnim dhe zemra më rrihte fort, sepse asnjë element i atyre çasteve nuk po nxiste ndonjë kujtim të veçantë tek unë që do të më ndihmonte për të gjetur shtegun e strehës. Nuk po dija se nga t’ia nisja. Të isha gabuar vallë? Mos ishte i kotë ai takim?

Ndonëse ftesa ime i kish çuditur jo pak, nuk dukej të kishin pikasur gjë nga qëllimi im i vërtetë, dhe pak të ngjarë kishte të ndodhte. Më merrnin për një nostalgjike të pashërueshme. Në të vërtet dëshiroja ta përdorja takimin me mikeshëzat e mia të dikurshme për të ringjallur të plotë dhe për ta përjetuar kujtimin e një kohe të fëmijërisë që ma kishin sjellë të gjymtuar mineralet e panjohura të guriçkave “white castle” në vaskën time. Dëshiroja të gjeja shtegun e strehës shpëtimtare.

U shpjegova se kisha ardhur të pushoja disa ditë në shtëpinë e gjyshërve të mi, ku nuk banonte njeri prej kohësh dhe se ato, shoqet e mia të dikurshme, ishin të vetmit njerëz që dëshiroja vërtet të takoja në atë qytet.

Duke mbllaçitur një copëz ëmbëlsirë, Moza nisi të fërkonte hundën.

-Ua! Po fërkon hundën tamam si në vogëli! – thirra unë me një gazmim të beftë.

-E mbake mend! – u çudit Moza që nuk e lëshonte hundën. Filluam të qeshnim të tria. Vendosa të bëj përpara.

-Posi nuk e mbaj mend! Më kujtohet edhe kukulla jote kineze me aromë të mrekullueshme, më kujtohen edhe bishtalecat e tu me kordele të verdha.

– Të blerta, Moza gjithmonë i vinte kordelkat të blerta, e mbaj mend mirë, – u hodh Lana.

-Të verdha, mua më kujtohen të verdha. Hë Moza, si i kishe kordelet?

-Nuk e mbaj mend. Më kujtohet vetëm një rreth i kuq plastik që vija në flokë.

-Rrethi i kuq është shumë vite më vonë, kur nuk i mbaje flokët me bishtaleca dhe kur ndërrove shkollën, – ia pati Lana.

-Ndërsa mua më kujtohen si sot këto ëmbëlsira që na bënte gjithmonë gjyshja jote, – tha Moza. – Më kujtohet mirë edhe gjyshja, jeton?

-Jooo, ka disa vjet që ka vdekur. Ej vajza, – u thirra unë si dikur me çapkënllëk, a ndërtojmë një kujtim fëmijërie? Një lojë?

Pa i lënë të hapnin gojën, i zura të dyja për dore, i tërhoqa gjer te shkallët e gurta të oborrit dhe vijova:

-Eshtë pasdite vere dhe jemi mbledhur të luajmë me pendalle. Moza, ti je ulur në krye të shkallëve, flokët i ke mbledhur dy bishtaleca me kordele…

-Të blerta, – tha shpejtazi Lana.

-Të blerta, mirë, mban në dorën e djathtë kukullën kineze, ndërsa me të majtën fërkon një më dy hundën. Ndërkohë, si pa dashje, Moza kishte zënë sërish të fërkonte hundën. Përtej shkallëve kish nisur të lulëzonte një bimë e madhe zambaku.

-Lana, ti qëndron ulur një shkallë poshtë Mozës; në dorë mban qesen me gurët e pendalleve, – flisja unë.

-Si gjithmonë, – ia pati Moza.

-Ke veshur fundin e kuq veref. Kur flet, rrotullon kokën si fugë dhe ngjan tamam…

-Me një bisht fshese? – qeshi Moza.

-Unë bisht fshese? Unë që peshoj shtatëdhjetë e ca kile? – gjegji Lana e ngazëllyer.

-Ndërsa Mira është ulur… ku është Mira, pse u vonua kaq shumë? – u kujtova une

-Mira?!!! – britën shoqet me një gojë.

-Ia dërgova letrën në adresën e shtëpisë së prindërve. Mendova të mblidheshim të katërta; të mos e ketë marrë vallë ftesën time? A keni ndonjë numër telefoni?

Nuk pata përgjigje. Heshtje e gjatë.

-Mira ka vdekur, Teuta, – e mori veten e para Lana. U bënë pothuaj dy vjet. Aksident me makinë në Greqi.

Ndjeva një të therur të fortë në ijen e majtë, por u mundova të mos e jepja veten, sepse përndryshe gjithçka do të prishej sa hap e mbyll sytë. Magjia e lojës do të shkrihej përgjithmonë dhe nuk do të mund ta ringjallja dot të plotë kujtimin tim. Kishte arritur në një pikë të mirë…

-Vajza, ta kemi dhe ta kujtojmë Mirën tonë me këtë lojë. Pra, Mira është ulur ngjitur me ty Lana, – vijova unë ngulmazi me zërin që më dridhej paksa.

– Flet sikur pëshpërin dhe pulit sytë me qerpikët e gjatë. Lana, çfarë e ke këtë shenjën në faqe, je vrarë?

Lana heshti një hop dhe u dëgjua zëri i Mozës sikur të vinte nga një tjetër kohë:

-U çor kur ra nga kumbulla përpara një jave.

Moza kishte lidhur gishtin tregues me atë të mesit dhe së bashku me gishtin e madh, kishte formuar një si urë e po mundohej të fuste brenda një pendalle, duke hedhur dhe duke pritur një tjetër gur me dorën e lirë.

Gjithçka po funksiononte mrekullisht.

-Babi më premtoi se do të na dhurojë pendalle prej briri, – thashë unë dhe ngrita një pendalle që i ra Mozës nga dora.

Njëlloj siç e mbaja atë çast të vendosur në kujtesë, bishti i syrit më rrëfeu se si Lana mosbesuese nxori majën e llapës. M’u ngritën ashtu kot nervat dhe bëra t’ia përplasja.. porse u përmbajta.

Kishte ardhur çasti i duhur. Do të bashkohej e shkuara e kujtimit dhe e tashmja e gjasmimit të kohës së fëmijërisë – do të mund të gjeja udhën e strehës sime. Shoqet e mia ishin zhytur gjer në majat e flokëve në fëmijëri, ndërsa ajri ish tejmbushur me aromë vere. E tashmja pothuaj nuk ekzistonte.

-Ku ndodhem unë? – iu drejtova të dyjave ëmbëlsisht.

Heshtje. Moza çliroi gishtërinjtë dhe uli përtokë gurin e pendalleve. Lana po më vështronte e çmeritur:

-Si ku ndodhesh ti? Nuk të kuptoj.

-Më tregoni, në ç’vend jam ulur unë këtu te shkallët, ç’kam veshur, ç’po bëj tamam, po flokët, flokët, si i kam? – flisja dhe më merrej goja nga nguti, Seç m’u krijua një parandjenjë e keqe. Ato të dyja më vështronin pa folur. Ngritën supet. Panë njëra-tjetrën në sy. Ngadalë ulën kokën. Unë prisja dhe vazhdoja të prisja duke u lutur në heshtje që të kujtonin diçka, nuk ishte e mundur që unë të isha zhdukur ashtu pa nam e pa nishan nga kujtesa e tyre. U rrokullisën prej kohës minuta të rënda si kokrra të mëdha breshëri, përpara se Moza të fliste:

-Nuk të mbajmë mend, Teuta, ndjesë.

-Mira ka vdekur, u bënë pothuaj dy vjet, – përsëriti Lana dhe unë, më në fund, kuptova. Kuptova se kujtimi im kish vdekur bashke me të se, për fat të keq, ajo, pikërisht ajo dhe askush tjetër, paskësh qenë ruajtësja e kujtimit tim. Nuk e ndala dot përftyrimin që po më punonte ethshëm: pashë si zhdukeshin copat e imazhit tim të fëmijërisë në agoninë e saj prej emigranteje shqiptare përmbi asfaltin e pakuptimtë të një qyteti të largët të Greqisë; pashë si zhdukeshin pa kthim një e nga një, fustani im me nusepashke të kuqe, apo topa të kaltër, kordelja rozë apo e kaltër, sandalet e bardha, flokët me onde … dhe unë nuk mund t’i ngulisja dot në kujtesën time prej të gjalli. Dhe në kujtesën e askujt.

E brishtë, verdhacuke, e mardhur prej një të ftohti të beftë, e tashmja mbretëronte.

25 views1 comment

1 Comment


Guest
Sep 20

Titulli i tregimit ka domethënie të thellë. Domosdo. Sepse shkrimtarja Mira Meksi të befason me mjeshtërinë e rrëfimtarisë artistike. Mira, nëse nuk e kam gabim, vjen për herë të parë në faqet e këtij Portali me auditor të gjerë. Le të shpresojmë që ky tregim "të ketë këmbën e mbarë".

Eshref Ymeri

Kaliforni, 20 shtator 2024

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page