Vëllim poetik që tërhoqi vëmëndje në ambjentin kulturor të Tiranës. Autori, Mero Baze, vuri në dukje se poezitë në libër janë “përjetime reale”, përmes të cilave ka shprehur gjëra që nuk mund t'i shprehte në një formë tjetër arti të shkruar. Poetë dhe studjues të poezisë thonë se, një poezi është një deklaratë me fjalë për një përvojë njerëzore. Nëpërmjet informacionit shqisor nga këto përjetime, imagjinata e poetit të goditur emocionalisht eksploron temat komplekse si dashuria, humbja, bukuria, dilemat njerëzore, gjëndja degraduese njerëzore, etj, dhe krijon atë që quhet e vërteta subjektive e poetit e cila, si “deklaratë me fjalë e tij” përcillet te lexuesi përmes të vërtetave subjektive, si një metaforë ku një vëmëndje e veçantë i kushtohet ngarkesës emocionale të gjuhës. Struktura e vëllimit në katër “dosje përjetimesh të autorit” e ndihmon lexuesin për të kuptuar sesi është filtruar dhe transformuar përvoja reale, faktike, përmes këndvështrimit dhe thjerrëzës krijuese të poetit në të "vërtetën subjektive" të tij.
Duke lexuar poezinë “Atdheu” përjetimi imagjinativ më sillte në vëmëndje imazhe që i kisha të para diku, të përjetuara në formë tjetër, sikur të isha i familjarizuar me to. Besoj se duhet të jesh shumë i lidhur me atdheun për të arritur që, përjetime tronditëse ndjenjash t'i transformosh emocionalisht në krijesa artistike si poezi, por edhe si pikturë, skulpturë, muzikë, etj..
Nën efektin emocional të poezisë “Atdheu” imagjinata projektoi imazhin e gjallë të pikturës së Edison Gjergos “Epika e yjeve të mëngjesit”. Piktura po më fliste me të njëjtën atmosferë emocionale si në poezi. Kushedi sesa të vërteta të dhimbshme i kishin rënë mbi kurriz atdheut, që të përjetuara tronditshëm nga piktori, imagjinata ia kish transformuar në imazhe piktoreske në “fabrikën e tij të ngjyrave. Piktura më përcillte emocione të thella për gjëndjen njerëzore me dramat e luftës, dilemat, brengat, dyshimet, pendimet, humbjet, braktisjet, brerjet e ndërgjegjes të partizanëve përpara agimit dhe udhëkryqeve të perspektivës. Në historinë e poezisë shqipe ka shëmbuj të poetëve të njohur shqiptarë ku poezia, për shkak se shpesh përdor imazhe, simbole dhe gjuhë të pasur shqisore, është veçanërisht e përshtatshme për këtë marrëdhënie simbiotike me pikturën. E rilexova “Atdheun”, më goditi fuqishëm rileximi, gjuha figurative, simbolizmi, aliteracionet, metafora, më lëvizën imagjinatën përmes thjerzave të pikturës të cilën, një studjuese e kish quajtur “Ligjërata e së vërtetës”. Intuitivisht poezinë “Atdheu” e quajta “Poezia e imazheve të vërteta”. Imazhi ia shtoi thellësinë dhe pasuroi narrativën poetike, duke e bërë atë më interesante dhe të paharrueshme. Në këtë rast asociacioni poezi-pikturë si një dilemë ekzistenciale për piktorin në vitet e egra të diktaturës dhe për poetin pas përmbysjes së diktaturës në vitet e kaosit të shoqërisë, si lexues më lejoi të shoh, dëgjoj, shijoj, prek dhe nuhas historinë estetikisht. Atë që sa më shumë lexojmë, aq më shumë kuptojmë se nuk e njohim.
Mendova mos ndoshta asociacioni poezi-pikturë i këtij momenti ishte një përkim i rastit që nuk do përsëritej me poezitë e tjera të vëllimit. Për të mirën time isha i gabuar.
“Marsh nëntokë, Vdekja e minatorit, Somnabul, Nata e parë” etj, janë disa tituj poezish me vizatime portretesh bashkëpunëtorësh të inxhinjerit poet, ku vetmia, varfëria, hallet familjare, ftohtësia e nëtokës, jeta e izoluar thellë brënda pyjeve e maleve, fytyrat e tyre të markuara nga dilemat e konflikteve të brendëshme, të palumtura, jeta që bëjnë, me shumë pak shpresa për të ardhmen e fëmijve, të ngjallin ndjenjë trishtimi, portrete që sfidojnë perceptimin sentimental të realitetit, edhe pse janë këta individë që i japin shoqërisë vlera të çmuara financiare, fatkeqësisht përkundër nje jete tepër të mundimshme e plot privacione. Emocionalisht tronditës solidariteti me këta shpirtëra të pastër, keqardhje për luftën e tyre të përditëshme me nëntokën. Mënyra sesi poeti Baze e inxhinjeron makinën e fjalës dhe shpreh botën e ndjenjave të minatorëve tregon se është njohës i mirë i natyrës e psikologjisë njerëzore. Gjatë leximit të këtij “cikli i minierës” më qëndronte në vëmëndje imazhi vizual i pikturës “Patatengrënsit” e Van Gogh. Ndoshta nga koha kur e kisha parë, më kish mbetur në kujtesë imazhi i jetës së paidealizuar të fshatarve të varfër që mblidhen në mbrëmje në një dhomë të errët ku i vetmi burim drite vjen nga feneri me naftë në qëndër të saj, varur në trarët e tavanit bën që atmosfera të dominohet nga ngjyra të errëta dhe të zymta, të dhimbsen me shprehjet e fytyrës që mbeten në një thellësi të tyren, pandryshueshmërisht mosbesuese, ku i pazakonshëm detaji me duart dhe fytyrat në ngjyrë dhe modelim si patatet me të cilat ushqehen. Piktori duhet t'a ketë përjetuar emocionalisht shumë keq gjëndjen e vështirë, dëshpërueshëm pesimiste, të fshatarëve në kohën kur zhvilloheshin tratativava të lodhëshme, pafundësisht të zgjatura, për çmimet në shitjet e patateve Europë-Amerikë, që në betejën për mbijetesë bëheshin tepër të komplikuara nga prania e të tretëve. Sikur të mos kesh njohuri mbi autorin e pikturës, dhoma e errët mbi tokë e “patatengrënësve” dhe ata vet, ngjajnë identikë me një moment ngrënieje vakti të minatorëve në një galeri të errët miniere thellë nëntokë. E kritikuar shumë fillimisht “Patatengrënësit” sot mbahet si një nga më të mirat e Van Gogh.
Më sjell në mënd atë që shkroi Horaci në shekullin e parë para Krishtit:"Siç është piktura, po ashtu është poezia”. Njëra flet me heshtje, tjetra me fjalë. Në historinë e arteve poezisë i detyrohen të gjithë të tjerat, sepse në qindra vjet poezia ka ndikuar në artet e tjera dhe anasjelltas. Që nga antikiteti poetët kanë formësuar jetën e njeriut. Thonë se fuqia e poezisë qëndron në aftësinë që ka për të hedhur një dritë mbi botën, në vizionin që na zbulon të vërtetat mbi jetën. Veçova një tjetër poezi nga vëllimi. Në poezinë “Nëna dhe zogjtë” poeti i ka ngritur një monument shpirtëror dashurisë së nënës për fëmijën, për djalin që e pret të kthehet nga shkolla në shtëpi për pushimet e dimrit. Të gjithë i duan zogjtë, këtë krijesë të egër që e adhurojnë sytë dhe veshët tanë, simbol i lirisë në fluturim. Edhe pse zogjtë i adhuron, i dhimbsen, i ushqen, verigen e zgjedhur të rrushit në oboor nëna e poetit nuk ua lejon që t'a trazojnë. E ruan për djalin, me sytë nga rruga, e pret të vij nga shkolla, rri, rri dhe del, ngre duart lart me fshesën e oborrit në dorë, mërmërin e u kërkon këtë të mos ia prekin, e kam të djalit u thotë. Këtë ndjenjë dhe emocion të fuqishëm i ka dhënë poetit dashuria e nënës, goditje shpirtërore që me forcën e fjalës krijon imazh të gjallë që e përcjell drejt lexuesit. Ka pafundësi formash të shprehjes së dashurisë nënë-bir, por kjo e ruajtjes së veriges së rrushit për djalin, është ndjesia e fortë përjetuese në trurin e poetit. Nuk do çuditem nëse një ditë piktori që do e lexojë këtë poezi, do e hedhë në kanavacë si përjetimin e fuqishëm emocional vetjak. Në krye theksova se poezitë e vëllimit “Shi me baltë” janë poezi imazhesh të gjalla. Ka një poezi në kujtim të dy miqve të vet të larguar nga kjo botë, Olldashi dhe Runa, i vajton me ndjenjë dhe mungesën e vuan thellë. Bashkëbisedon në heshtje me ta, herë butë e herë më ashpër, u shpreh dhimbjen, brerjet dhe pendimet, bukur, në mënyrë figurative, me fjalë krenarie për miqësinë me ta. Nuk mund të të lërë indiferent,
Të gërrvyen në shtresat e “arkivit të nënvetëdijes” dhe të nxit imagjinatën drejt imazheve pamore apo dëgjimore të përjetuara kohë më parë.
Më krijon asociacion me një imazh tjetër dhimbjeje që shpreh piktori Vilson Kilica për mikun e tij Jakup Kerraj në pikturën e titulluar “Në varrimin e piktorit”. Kaq tronditëse ka qënë humbja, nuk ka mundur të durojë më tej por i kthyer në shtëpi mbas varrimit të këtij piktori ka derdhur në kanavacë emocione të fuqishme, gjithë çka i vuante zemra për kolegun e talentuar.
Më bën të përjetoj paralelisht të dyja përvojat shprehëse të ndjenjave, të piktorit dhe të poetit.Kur ndodh që imagjinata krijuese e poetit “pikturon” me fjalë, injekton mendim imagjinativ drejt imazheve vizuale dhe dëgjimore brenda lexuesit, e influencon atë drejt një rritjeje iluminuese. Prandaj e vërteta e një poezie mund të ndryshojë në varësi të përvojave kuptuese të vetë lexuesit, duke i shtuar një shtresë tjetër pasurie përvojës poetike. Është thënë dhe vazhdon të thuhet se: “Syri i njeriut shikon vetëm atë që mëndja është e përgatitur që të kuptojë, shikon mendja, jo syri. Nëse them që kjo është mënyra ime e përjetimit emocional të vëllimit “Shi me baltë”, do të thotë se ky është perceptimi im subjektiv, padyshim i ndryshëm ose jo, nga ai i një lexuesi tjetër dhe anasjelltas.
Në fund bëj pyetjen: a mund të rilexohet “Shi me baltë” njëlloj si rilexohet një prozë triller interesante? Mendoj “Po” mbasi brenda tij ekziston në një marrëdhënie simbiotike poezia e ndjenjës me imazhet, kujtimet, trillet letrare, fotografitë dhe ëndrrat e arteve të tjera.
Comentarios