top of page

Milianov Kallupi – përsiatjet e një shpirti lirik


Milianov Kallupi

Milianov Kallupi – përsiatjet e një shpirti lirik


TIMO MERKURI

Nuk e di pse, i ndodhur nënortekun e botimeve të njëpasnjëshme të mbi njëzetë librave me “haiku” të poetit Milianov Kallupi, më qe krijuar ndjesia se ; Vate dhe ky, “harroi” të shkruajë shqip. “Harbimi i kuajve” të tij jo vetëm që nuk ma dobësoi këtë përshtypje por përkundrazi, ma përforcoi më tej, kur mendova;-Si mjaftuan “haiku” këtij Milianovit, që tani na lëshoi “tankat” e harbuara të kuajve, ardhur andej larg nga Japonia? Dhe hordhive të Çengiz Khanit mund t’u bënim ballë, por jo ortekëve milianiovianë. Dhe ca pëllumba të bardhë, si për të përforcuar mendimin e mësipërm, vajti dhe na i dërgoi nga Stambolli, thua se s’kishte pëllumba Elbasani. Shkurt fjala, më qe mbushur mendja që Mllianovi-,e ka harruar shqipen”. .Madje, besoja se dhe për të folur, kishte nisur te bëlbëlzonte .... japonisht. Prandaj, kur më ra në dorë vëllimi i tij me lirika “Bohem” ( Botimet Vllamasi, 2010), fillova ta shoh me vëmendje mbarë e prapsht, thua se qe gabim emri në ballinën e librit. As fotografia e tij në anën e pasme të kopertinës nuk ma mbushi mendjen. Le që atje kishte dalur tepër serioz, ndryshe nga sa e njoh unë. Por poezia e tij, “Porosi” poshtë fotografisë, me devizën milianoviane; -Si deng hidhmëni/në zbrazëtirën e varrit/ nëse s’jam përgjëruar/dhe për fijen e barit…, dukej sikur më thoshte;-Tungjatjeta mik.Unë jam. Se Milianovin gjithmone e kam parafytyruar si një djalosh “dendi” i rrethuar nga një tufë vajzash të bukura, tip gjimnaziste gazmore, të cilave u shpaloste bukurinë e shpirtit të tij dhe u përgjërohej që ta besonin. Ndoshta edhe për këtë përfytyrim timin e kanë fajin librat e tij me “haiku-n” e largët. Kështu fillova ta lexoj me vëmendje librin e tij te koheve te fundit me lirika , “Bohem”. Ndërsa po lexoja, s’di pse m’u kujtua një fjalë e Prof. Nasho Jorgaqit që thotë;-Në arealin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetshme. Duke e lexuar, krijoja përshtypjen se vërtet Milianovi vjen këtu i rrethuar nga një trumbë vajzash, në kulm të rinisë e të bukurisë, plot hire e hare, veshur e stolisur me tunikat antike, minifundet e dekoltetë europiane apo maksifundet aziatike të kohëve moderne. Në qoftë se dikush do më kërkonte të përkufizoja me një fjalë librin “Bohem” të Milianov Kallupit, unë do ta ballafaqoja me vargun e Rene Shar ;-”Aty bredh dashuria”. Në të gjithë lirikat e shtrira në 150 faqe libri ka vetëm dashuri. Ka dhimbje, por edhe ajo është dhimbja më e bukur në botë, dhimbja e dashurisë. Mos u përpiqni të gjeni vetmi apo dëshpërim. Milianovi nuk banon në këtë lagje. Dhe unë ja kam “zilinë”. Unë nuk e di nëse Milianovi beson te Zoti,apo falet në kishë, por te ky libër unë shoh se Milianovi beson te Poezia dhe i falet asaj, i rrëfehet dhe i ndez qirinj si besimtar i devotshëm, i beson asaj sekretet më të mëdha të shpirtit të tij, ëndrrat, dashuritë, dështimet e shpresat. Dhe për atë e poezinë e tij, mund të citojmë si aksiomë thënien;-Vërtet që shpresa vdes e fundit, por poeti dhe poezia nuk vdesin kurrë. E ndarë në katër cikle, libri ka vetëm dialogë për dashurinë. Që nga antikiteti thërret Dionisin për dashurinë;-Të pimë, të dehemi tapë/të vdesim, të ngjallemi prapë.,filozofon për kohën e Laokoontit;- Kohë pse dënon ti kaq rëndë/ kur themi një ditë të vërtetën… për të ariturr te deviza; sepse mbrojtja s’të bën mëkatar. Te vargjet e tij qahet Jasoni; Zeuz, baba,ç’faj bëra/që më dogje kur më re me rrufe/ dashuria në arë me Demetrën/më e mjalta,më e mira mbi dhe… E gjen kohën edhe Herakliu të tregojë dymbëdhjetë trimëritë e tij apo Eris të gjitha letrat e dashurisë i gris/ dhe dhimbja i sëmbon thellë në shpirt, apo Mikena ku, s’ka heshtje varri. Po ç’kërkon poeti në Akropol të Athinës dhe ç’thotë vallë?-Nuk ka hark triumfi në këtë brinjë/as dhe përmendore, jo nuk ka/pranë më kalon një gjeraqinë… …apo kur flet për nimfat;-Ç’duhen nimfat e ujit e ç’duhen/Në u dashtë të mbytesh diku /më mirë të mbytesh në sytë e vajzave/që ecin shpenguar rrugëve këtu... Ndërsa shpall se;në shtëpinë e shpirtit/çdokush e ka një Itakë… shpërthen te Uliksi; Det.Det.U mbytsha në det/Dhe i vdekur do të vij se ti më prêt. Prisni dhe ju vajza, cilës prej jush do ja hedhë poeti mollën e dashurisë duke u bërë një farë Paridi, por pa sjellur djegie Trojash të reja. Mjafton djegia e zemrave djaloshare. Pse udhëtoi poeti gjer në antikitet vallë? Dikur më pat thënë, privatisht;-Unë udhëtoj shumë. Dhe nga ky udhëtim nëpër shekuj, ndonëse shaloi kuajt e erës, poeti harroi të na sillte trima e trimëri. Mbarti në vargje për ne e për kohën tonë, vetëm dashuri.Poeti gjen kudo dashuri; Vetëm ne të dy ngjisim dhjetra male/ dhe zbresim në liqenin e çdo fjale.,gjen dashuri kurdoherë; Nga ky spital do shkoj një ditë/ti në Stamboll do humbësh krejt/Po pas do mar një Afërditë/me shpirt të kaltër porsi det…dhe shpall devizën e tij të përjetëshme;-Mos më ler të vdes/Në më do, ta dish/do të dal nga varri/ do ngjallem sërish. Ky shpirt lirik sheh të bukurën kudo; E ç’m’u desh që rashë/E ç’m’u desh që fjeta/ Hëna lart shpërndante/lakrorin me peta. Ose..Një çajkë diellin/e mban në sqep/..Një puthje e lehtë/mbi valë zbret/tërbon një zemër/trazon një det. Lirikat e Milianov Kallupit u ngjajnë sorkadheve të një pylli të dendur, befasisht të dalin përpara dhe po befasisht të largohen nga shikimi, sepse cepi i syrit befasisht kapi një hije tjetër sorkadheje që po afrohej, me vrap e plot hir. Duhet të kthehesh përsëri te këto sorkadhe që ikin turravrap nëpër pyll, për të kuptuar e shijuar bukurinë e lirikës. Dhe të duket se ato sorkadhe janë të tuat e do t’i rrëmbesh. Citimet për poezinë e Milianov Kallupit mund të jenë të shumta, mandje mund të themi se gati gjithë poezitë e vëllimit janë të citueshme në një shkrim analize, po qe se hapësira e publikimit do jetë e madhe, por duhet të citoj diçka,që më feksi në mendje,ndërsa lexoja këtë libër. Kohët e fundit kemi një numër të madh botimesh me “vargëzime” me vargje të rregullta, me rimë e kadencë ritmike, me pretendimin se vargje të tilla janë automatikisht …poezi. Në tërësinë e këtyre botimeve, cilësisht problemore, ku ka çdo gjë, veç jo poezi, shpesh herë vargëzime adoloshentësh apo pensionistësh, të krijohet ndjenja e gabuar se me vargje të tilla nuk mund të shkruhet poezi serioze dhe cilësore. Kjo ka çuar në atë, që shumë autorë, gabimisht dhe fatkeqësisht të distancohen nga këto vargje, në një kohë që …këtu e kanë shtëpinë… Te vargjet e lira shpesh ata ndodhen ..jashtë…poezisë, ndonëse kanë talent dhe shije. Kjo “aradhë” shkruesish e sipërcituar, këto “male” librash të kësaj “aradhe” kanë bërë vetëm një gjë;-T’ja zverdhin lexuesit poezinë e shkruar në vargje të rregullta, duke e parë dhe trajtuar atë si diçka të së kaluarës,si një mausoleum i poetëve të Rilindjes, vërtet me vlera, por gjithsesi i një kohe të shkuar. Se sa e gabuar është kjo, mjafton të shohim e të lexojmë vargjet mjeshtërore të Milianov Kallupit, këtij bohemi të dashurisë. Atëherë do kuptojmë se poezia nuk e ka vlerën te lloji i vargut, por te shpirti i poetit. Por dhe shpirti i poetit është i trazuar. Ja, shikoni Milianovin. Gjithë vëmendjen e ka drejtuar te “haiku”dhe “tankat” e famshme . Jo më kot është dhe President i Klub-Haikut Shqiptar. Por unë i kujtoj se ky është meraku i zakonshëm i çdo prindi.Ç’do prind flë e gdhihet me mëndjen te vajza e tij e …rritur, por ama djemtë e lagjes i vijnë rotull vajzës së tij të vogël, të bukur e të freskët. Keshtu eshte jeta dhe poezia.


28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page