top of page

MIKRO ESE ME ATOME LETRARE DHE KITARA SERENATASH


Thani Naqo

MIKRO ESE ME ATOME LETRARE DHE KITARA SERENATASH


Aha, miku im, kur ishim letrarë, me mustaqe të porsadirsura, çeç na dukej vetja... D.m. th. pandehnim se ishim ndryshe nga të tjerët, por edhe të tjerët ishin ndryshe nga njëri tjetri, paçka se duartrokisnim të njëjtat parulla...Por ja u shemb kloni, u hapën kufijtë, dikush ia krisi vrapit, ku sytë këmbët dhe dikush nuk pati dëshirë e as guxim të përballet me të panjohurën. Disa, nga ata që ikën e nga ata që mbetën, hoqën dorë nga barazitizmi sepse iu shkrep të bëheshin të pasur ose të vdekur. Të tjerë, nga armata e ëndërrimtarëve, zgjodhën rrugën qiellore, për të pushtuar një ngastër të kaltër, paçka se shpresonin për rrugën e zgjedhur, të shenjtën, letraren, dhe mbetën xhepshpuar. Mirëpo, këta të fundit, ku edhe unë fus veten në listën e tyre, në sajë të fitores për Fjalën e Lirë, e në sajë të germave prej ajri, u shtuam në Progresion Gjeometrik. Kush më shumë e kush më pak, ca me foto e ca me të shkruara, kemi çapëlyer zemrën dhe rrëfehemi para Altarit të Letërsisë dhe të Arteve. Rrëfehen pa drotje intimitetet e gjer në ëndrrat, asi lloj intimitetesh dhe ëndrrash që çlirojnë zemrën e ngjeshur paq me padrejtësira dhe dëshira të prangosura. Ama, miku im, pavarësisht nga sa rendita më lart, sikush ka krijuar orbitën e tij... Rrotullohemi rreth vetes!...Njëlloj dhe unë, njëlloj e ti, e mijra, në mos miliona të tjerë që shkruajnë. Bota Letrare miku im, nuk habitet pas neve, sido që të rrotullohemi; në daç edhe si fugë, apo, fundja edhe të digjemi, si meteorë, do ngushëllohemi se mjafton që lamë një vijë disa sekondëshe, vijë të zjarrtë, në orbitën tonë dhe pastaj le të digjemi e të kthehemi në pluhur kozmik. Prandaj Bota Letrare na duket sa e thjeshtë por dhe shumë nazike dhe e ndërlikuar. Dhe e tillë është, herë e thjeshtë e herë e ndërlikuar, dhe kjo e dyta, sidomos në koncepte, përjetime, pandehma, shije estetike, që sjellin entusiasiazëm por dhe ankime, e të dyja këto, në raport me të tjerët; nuk perceptojmë e as mendojmë njëlloj. Herë e përqafojmë dhe e puthim dhe e ledhatojmë Botën Letrare, si të dashurën, dhe herë me dhimbje poetike ankohemi e quravitemi e vajtojmë që na ka inat, e nuk na përqafon. Atëherë, ajo, Bota, por dhe ajo letrarja, na duken pengore, pengore nga ato që u venë mëzave për të mësuar revanin ...

Revani, thonë xhambazët, nuk trashëgohet, por veterinerët thonë se ka përjashtime...

Ose, po e them troç, siç e pohon troç Bernard Shou, irlandezi:

"Shpesh artistëve u bëhet se u kanë drejtuar grykën e topit, ndërsa në të vërtetë po i shohin me dylbi kureshtje."

Paranojat dhe pandehmat pesimiste janë thyesa të vështira, më të vështira se Binomi i Njutonit...Thonë dhe unë e besoj, miku im, se Bota Letrare e Përtejme ndodhet diku, në mes të PARAJSËS ku ka më shumë dritë se atje ku shkojnë shumica. Atje do jemi, ti e unë, së bashku me emërvegjlit e emërmëdhenjtë, të bardhë, të zinj e të verdhë. Mos mendo se Atomet Letrare janë me përmasa dhe veçori të njëjta...Ama, që të bëhesh Atom Letrar nuk është e kollajtë dhe as e pakët!...

Të uroj shëndet, miku im, uroj edhe muzë poetike! Nga pranvera që vjen, më paralajmëron Horoskopi i Serenatave, do mblidhem me miqtë e zemrës dhe do këpusim telat e kitarave!

7 Dhjetor, 2019


22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page