top of page

MIKE DHE ALEATE BESNIKE


SHPENDI TOPOLLAJ


SHQIPËRIA - MIKE DHE ALEATE BESNIKE, POR KURRË KOLONI


Shqipëria po kalon situata të vështira dhe vetë shqiptarët janë tulatur dhe thuajse nuk reagojnë fare. Nuk gaboj të them se stërnipat e një heroi si Gjergj Kastrioti që guxonte të luftonte dhe fitonte ndaj Perandorisë më të egër të kohës janë trembur. Paradoksalisht dhe për turpin e tyre, ata janë frikësuar nga kërcënimet e një gruaje timide, simpatike dhe me një buzëqeshje të padeshifrueshme. Kuptohet se për shqiptarët një grua, edhe Zhan d`Arka të qe ajo, nuk do përbënte ndonjë problem. Çështja është se ajo ka ardhur te ne si përfaqësuese e fuqisë më të madhe, të cilës ne i detyrohemi shumë, Sh.B.A. Në gati një gjysmë shekulli komunizëm, na edukuan dhe detyruan ta urrenim dhe ta shanim sa mundnim atë vend ku çdo dollar pikonte gjak proletari dhe që si xhandar ndërkombëtar kërkonte me zjarr dhe hekur, me avionë B - 52 dhe napalm të nënshtronte shtetet e tjera. Madje na thonin se Flota e gjashtë dhe pastaj ajo e shtata, në armatimin e të cilave kishte edhe bomba atomike, vërtiteshin si bisha të tërbuara pranë ujrave territoriale të vendit tonë. Ato prisnin Presidentin gjakësor të çelte një valixhe sekrete që s`e lëshonte nga dora edhe kur flinte, që të jepte urdhrin e sulmit. E keqja ishte se nga krahu tjetër nuk flinte ariu polar rus, i cili në fshehtësi paskej lidhur aleancë me ta, për të zhdukur nga faqja e dheut të vetmen kështjellë të socializmit mbi dhe e cila po u verbonte sytë. Mirëpo erdhi një ditë dhe u kuptua se na kishin gënjyer paq, dhe armiku më i madh qenë vetë udhëheqësit tanë që nuk pushonin së ngrëni kokat e njëri - tjetrit në luftën shpesh imagjinare, për pushtet. Të dalë nga një varfëri ekstreme, izolim me tela me gjemba dhe luftë e pashpirt klasash, populli sapo ju krijua mundësia e ktheu urrejtjen e imponuar në dashuri për Amerikën. Ju dhamë pa asnjë rezervë asaj, dhe shpresuam në ndihmën e sinqertë ndaj një populli të vogël në nevojë. Fati historik, gjatë luftës në Kosovë, e solli që në mendjet tona, pse jo edhe në zemrat tona të rrënjoset bindja se kemi një aleat të sigurtë e besnik. Ndër të tjera, këtë miqësi do ta çelnikosnin edhe ambasadorët e këtij vendi, tani kampion paqeje, lirie e demokracie. Ata e nisën punën e tyre fisnike brenda normave diplomatike, por duar - duar, atyre iu dha nga drejtuesit tanë shumë më tepër hapësirë nga sa u takonte. U fetishizuan, u vunë në krye të vendit, duke u ndierë zot në shtëpinë e tjetrit. Por kjo nuk u formësua si rezultat i barazisë në marrëdhëniet ndërshtetërore, por ato të supremacisë dhe paternalitetit. E gjithë kjo, gjoja në bazë të arsyes së të fortit, të cilit do t`i zbatoheshin pa asnjë diskutim të gjitha dëshirat, qofshin ato edhe jo të drejta apo fare, teka. Puna vajti deri aty sa po të fliste dikush për dinjitet e sovranitet, shpallej antikombëtar. Madje as për një çështje jetike të kombit si ajo e bashkimit të Kosovës dhe problemit Çam nuk duhej të pipëtinte kush. Burrat tanë të shtetit, baballarët e kombit, madje dhe inteligjencia jonë e qepën gojën, se në të kundërtën mund të humbisnin kolltukun. Dhe erdhi një ditë që ambasadore erdhi ajo gruaja timide, simpatike dhe e qeshur e cila në asgjë nuk të kujtonte Eridën mitologjike, motrën e perëndisë së luftës, Aresit që shkaktonte grindje pafund atje në Olimp, e cila hodhi atë “mollën e sherrit”, nga që e kishte një arsye; nuk e kishin thirrur në dasmën e Peleut dhe Tetidës. Kjo gruaja e nderuar, me zgjuarsi e nuhati se sido të sillej dhe sido të ndërhynte edhe atje ku nuk i takonte, nuk do të gjente asnjë kundërshtim. I hodhi pas krahëve deklaratat dykuptimëshe dhe doli haptazi në mbështetje të një force të vetme politike, gjë që u favorizua edhe nga administrata e re e SH.B.A. Drejtoi reformën në drejtësi, ku ky vend u la pa organe drejtësie, duke e nënshtruar atë me shpikje të çuditshme dhe mjaft fyese si vetingu i famshëm. Nuk ishte parë që drejtësinë në një vend do vinte ta drejtonte dikush nga m`at` anë oqeanit. E ku, në Shqipërinë në mes të Evropës, ku normat e Kanunit zbatoheshin rigorozisht e me drejtësi absolute nga Pleqësia e fshatit, qysh atëherë kur në Amerikë lëkurëkuqtë pa brekë i gënjente me copa pasqyrash xhenovezi Kristofor Kolombi (Cristoforo Colombo) dhe italiani Amerigo Vespuçi (A. Vespuci). Dhe këtu, pas pesë shekujsh na u premtua një drejtësi shembullore, të cilës do t`i jepeshin rroga të majme dhe do t`i krijoheshin mjaft favore të tjera, duke shmangur kështu korrupsionin. Pra, dashje pa dashje i bëhej jehonë mendimit se nëpunësit e tjerë që nuk i kishin ato privilegje, ishin në të drejtën e tyre të merrnin rushfete nga hallexhinjtë. Edhe Platoni i mençur që kishte thënë se drejtësia në një shtet “është harmonia e virtyteve të maturisë, guximit dhe vërtetësisë”, nuk e kishte menduar se rrogat e larta do ndreqnin drejtësinë. Dolën ca emra të rinj institucionesh që qartazi merrnin urdhra dhe orientime nga zonja ambasadore. Pra, tani e tutje lëkurëkuqtë do ishim ne shqiptarët që nuk ditkemi të ngremë institucione si qytetarë të kohëve moderne. Por këtu nuk ka faj ajo, por ata që gjoja drejtojnë këtë vend dhe se kanë për gjë t`i quajnë të pa aftë. Ata që ranë më pas në kurthin e saj ose të administratës prej nga varet, dhe nisën përleshjet mes tyre nga togfjalëshi “Non grata”. Populli ynë ka një shprehje që thotë “Dy fjalë çajnë dhenë”. Ja pra, shihni se ç`po ndodh me ato dy fjalë. Kushdo e njeh historinë e Akilit dhe pikën e tij të dobët, thembrën, ku e mbajti e ëma Tetida që kur e lindi, teksa e zhyste në ujrat e lumit Stiks, për ta bërë të paprekshëm. Mjaftoi një shigjetë dhe te ne u pështjellua dhe shpartallua një opozitë e tërë e cila nuk kish sesi të mos sillte turbullira në gjithë vendin. Nisën sharjet, fyerje, akuzat deri mes aleatëve. Deklaratat e papërgjegjëshme nuk çudisnin njeri; sot hero, nesër tradhtar dhe pasuan sulmet ndaj Bastijës si në 14 korrikun e 1789 në Francë. Dhe hajde e gjeje se ku do përfundojë kjo zallamahi. Por e gjetur është se ajo që fërkon duart nga këto rrjedhoja është zonja ambasadore e cila pa pikën e gajles vazhdon të kërcënojë me FBI e CIA, pra me agjentë e spiunë. Dhe në vazhdën e këtyre kërcënimeve, dalin disa kompetentë “të pagabueshëm”, inatçorë dhe qejfmbetur dhe që i dinë mirë këto punë, të cilët duan të na trembin me praninë e mijra marinsave amerikanë apo vendosjen e një Komande të përparuar që veç atyre në kuadrin e NATO - s, paskan dhe ca detyra të tjera. Qartazi ndihen të lumtur se ai që ata urrejnë po goditet nga jashtë, pa parë përtej saj, dhe pa e vrarë mendjen se atdheu po trajtohet si i pushtuar. Dhe nuk e mbajnë ngazëllimin kur shfaqet një farë Eskobari, me fytyrë dhe emër Kryeëngjëlli, thua se ishte Njeriu i fortë i Zotit, sipas Testamentit të Ri i cili lajmëroi Virgjëreshën Mari se me anën e shpirtit të shenjtë do lindte Jezu Krishtin, por që nuk e di sesi i ka shpëtuar kineastëve amerikanë të Hollivudit për filmat e tyre, pasi po t`i besojmë teorive të Çezare Lombrozos, do qe i përshtatshëm për rolin e mafiozit që ka kapur majat e politikës. Edhe ai paraqitet tepër i shqetësuar për dhunën e këtyre ditëve, thua se e zgjidhi atë të përleshjes së përgjakur të Capitol Hillit në Amerikë. Erdhi këtu sa për të hedhur një grusht me miza. Dhe fill pas tij zonja ambasadore përparon duke dhënë intervista ku nuk thotë asgjë edhe pse deklaron se “Më pëlqen të jetoj në një botë bazuar në fakte”. Ama, të mos ja hamë hakun; me gjithë ato që thotë, duam apo s`duam na sjell ndër mend sofizmat e para 2.500 vjetëve të Protagorës, Gorgias e Trasimakut me shokë. Përse po veprohet kështu me ne nuk ka mendje ta kuptojë. Ajo që është e qartë si drita e diellit është se jo për ndërhyrje brutale në punët tona të brendshme, por vetëm pse po dëmton imazhin e popullit për miqësinë me SH.B.A. ajo, po të kishim një shtet të vërtetë dhe sado pak dinjitoz, duhej shpallur “Non grata”. Se fundja ajo nuk është Amerika që ne duam, që kemi njohur dhe që i mbetemi përjetë mirënjohës.

22 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Jan 30, 2022

Pershendetje Shpendi! Shkrim me shume te verteta qe bejme sikur nuk i dime apo nuk i kuptojme. Nuk e di ç'ujra nentokesore i trazojne apo i ndyjne fatet e kombit tone, duke perdorur kolltukofaget tane. Urime!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page