Kopertina: Irina Hysi
Parathënie Mevlan Shanaj.
Oponenca Pr Dr Përparim Kabo, Dr Josif Papagjoni.
Një prurje e re e autorit dhe një ndihmesë e vyer për proceset aktuale të artit shqiptar…”. Me 25 yjet e aktrimit. Përparim Kabo: ”Një studim i tillë pothuaj i munguar, do të ketë vlera historike, enciklopedike, estetike dhe metedologjike. Që do t’i shërbejnë kurrikulës universitare dhe leximit të gjërë…”
***
BREZI I DYTË I AKTRIMIT
Midis trashëgimisë dhe rrezatimit bashkëkohës
Një “brez i ri” aktrimi që erdhi pas “gurëvënësve” tanë, ai i shkolluari mori prej tyre “shpirtin shqiptar” të personazheve, ndërsa prej bashkëkohësve të huaj e me përvojë universale (teorike e praktike), si të thuash “kostumet e tyre elegante”, pra “veshjen”,diçka thelbësore dhe të interpretimit më të përsosur... Në koherencë edhe me shijet e përparuara të publikut... Në vazhdimësi me traditën realiste të interpretimit. Fenomen artistik që duhet përfillur e evidentuar.
Në vitet 60-të të shekullit të kaluar, oborri i Teatrit Popullor, ziente nga bisedat pambarim për “sistemin e Stanislavskit”. As që merrej me mendje më parë se aktori do të orientohej të interpretonte sipas një teorie të caktuar, të mbështetur në përvojat e hershme të njerëzimit, po edhe dukesistemuar edhe dijet e “Mjeshtërisë së Aktrimit” në teatër. Duke e parë tanimë artin skenik, jo më si një përvojë e “zanat”(?!), po edhe si shkencë e mirëfilltë...Të etur edhe për të mësuar e përvetësuar gjithçka të re e të mohuar kategorikisht më parë, përmes ideologjisë e politikës së kohës.
Me ardhjen aty të dy regjisorëve rus, si edhe me diplomimin e 8 regjisorëve të parë profesionistë shqiptarë në vendet e lindjes, aktorët,sapo vinin në oborrin e teatrit dhe hynin në studion e provave, pyesnin njëri-tjetrin: “Sa për qind e ndjeve rolin mbrëmë?” Se flitej e nuk i zinte gjumi, duke diskutuar për teorinë e Stanislavskit mbi “përjetimin e rolit”.
Dhe pyetjet do të merrnin një përgjigje, thuajse “ironike”. Ndërsa ne studentët do të heshtnim përpara tyre dhe do të mësonim me rigorozitet “Sistemin e Stanislavskit”, me “rrënjë e me degë”, duke e pasur “mbi krye”, Udhëheqësen Artistike të Shkollës, Nina Çefranovnën, pedagogetë “Institutit të Lartë Teatral të Moskës”. Shpjegimet e saj i shkruanim dhe bënim përpjekje t’i zbatonim rregullisht nëpër etyde, në fragmentet dramatike e në shfaqjet e diplomës.
Por, kur do të vihej në skenë “Arturo Ui” e dramaturgut të famshëm gjerman Bertold Breht, i cili kishte eksperimentuar një spektakël të jashtëzakonshëm rruge, vetëm me një karrocë e me një grua të fortë, si personazhin kryesor (nënën Kurajë) - këtë herë, si edhe më mbrapa dramëne famshme mbi “trustin e lulelakrës” që aludonte për Hitlerin që ishte dukei vënë “zjarrin botës”, me një regji të famshme nga Pirro Mani - “thyerësi”i të gjitha “rregullave strikte” të atëhershme, lindi debati, se paskësh edhe një teori tjetër interpretimi, ajo e “distancimit nga roli”, duke e interpretuar e drejtuar veten, pa e humbur as logjikën e as emocionin e brendshëm. Me debutimin e famshëm të një aktori si Kadri Roshi që edhe interpretonte me besnikëri rolin e Hitlerit, po edhe e vetëkontrollonte atë, figurën e “zjarrvënësit” rrëqethshëm...
Më mbrapa, kur do të hapeshin edhe “dyert e dritaret” e perëndimit, me ndryshimin edhe të sistemit tonë shoqëror, jo vetëm që disa prej regjisorëve më të rinj, po edhe aktorë me përvojë të skenës tonë do të mundësoheshin të shkonin e të shikonin “me syrin e tyre” edhe përvojën e “botës perëndimore” në teatrot e tyre, ku askush nuk i kishte penguar të kërkonin duke eksperimentuar “udhë të pafundme” të artit të shtatë. E kështu do të flitej dhe për Grotovskin, Antuanin, Adlerin, Le Strasbergun, Zhak Rushenë,Kopenë, Apianë e shumë të tjerë... “Odiseja e aktorit është një rrugëtim i pafund në vetvete, - thoshte regjisori i madh francez Zhan Vilari, - një botëe mbyllur, e maskuar, e errët, e mbushur me dyshime dhe çmenduri, me aventura vdekjeprurëse që hera-herës çojnë deri në zhdukjen fizike!”.
Do të vlente një përpjekje e madhe nga ana e regjisorit Esat Oktrova, për ta vënë Teatrin “Migjeni” të Shkodrës në interpretimin mbi baza realiste e që do ta vazhdonte edhe regjisori e aktori i ri (shoku i klasës time) SerafinFanku që “shkriu” gjithë energjitë e tij, me pasion, e vizione moderne,duke e sjellë aty interpretimin bashkëkohës, pa kantilenë e deklamimet e njëhershme, pa trajta retorike vokale të mjedisit etnografik verior, me një frymëmarrje të lirë, organike e moderne, në tingëllimin e bukur të gjuhës së njësuar shqipe. Me spektakle plotë fantazi, imazhe e vlera arti.
Do më mrekullonte vizioni modern e interpretimi i lirshëm e vodevilesk,me plotë atmosferë i komedisë “Karnavalet e Korçës” në Teatrin Shqip të Shkupit, nga regjisor-pedagogu ynë, Kujtim Spahivogli. Mandej edhe studenti im Gëzim Kame, i cili, pas një qëndrimi e vëzhgimi të gjatë nëpër Teatrot e Parisit, do të sillte në Teatrin Kombërar të Tiranës një spektakël të rrallë si “Fernando Krafti shkroi këtë letër”, ku rrjedha konceptuale dhe interpretuese do të ishin të vetvetishme, organike, ekspresive, të brendshme dhe në një mizanskenë të lirë, e të natyrshme, pa asnjë kufizim, midis jetës reale, gënjeshtrës dhe të jetë-vdekjes, si një “vorbull fatale” ku vërtitet realiteti i sotshëm.Një regjisore e brezit më të ri të kohës sonë: Driada Dervishi që ka vëzhguar nga afër teatrot pararojë të Italisë, me “neorealizmin e famshëmtë rrugës”, solli në skenën tonë: Gogolin e Çehovin rus, po edhe Pirandelon e Dario Fon, në trajtime regjisoriale krejtësisht të reja, me guxim e kurajo.
Një tjetër regjisore femër, si Elma Doresi inskenon e eksperimenton shkëlqyer komedinë e Çomorës (“Karnavalet e Korçës) dhe atë të Çajupit (“14 vjeç dhëndër”) në një version krejt të ri dhe në gjininë groteske, ku vërtetësia e naiviteti do të ishin përsëri po aq moderne, sa edhe “bërthama” e tyre e dikurshme. Duke shtuar këtu eksperimentimet e bëra me sukses prej regjisorëve të rinj: Adonis Filipi, Hervin Çuli, Spiro Duni, Altin Basha, Kiço Londo, Milto Kutali, Mario Ashiku, Ema Andrea, Xhelil Aliu,Haxhi Rama, Bernard Kokalari, Dhimitraq Orgocka, Jorgaq Tushe, Alfred Trebicka, Merita Smaja, Dhimitër Pecani, Klajd Marku e me radhë, për të mos bërë lista të mëtejshme. Sepse, disa “syresh” nuk kanë mbaruar ndonjë fakultet regjisure jashtë shtetit, ndërkohë që dega jonë e këtij profili u ngrit me vonesë dhe jo gjithherë me pedagogë regjisure permanent e jo pak herë edhe me aktorë-mësimdhënës, jo të diplomuar! Kështu që, me regjinë do të merreshin edhe aktorët...
Edhe shkruesi i këtyre radhëve e ka mbrojtur diplomën e regjisorit në Teatrin Profesionist të qytetit të Elbasanit, duke qenë njëherësh aktor e drejtor i këtij teatri, ku e kanë ushtruar detyrën e regjisë gjithashtu edhe Lec Shllaku, Xhelal Bilali, Tomorr Himçi, Tomor Shishmani e të tjerë. Vetëm se, duke ndjekur disa spektakle në trevat shqiptare, sidomos në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, kam parë edhe disa shfaqje të regjisorëve tanë të rinj, si nga Gëzim Kame, Altin Basha, Milto Kutali, Alfred Trebicka etj., po jam i informuar edhe për disa vepra skenike të vëna në skenë në Turqi, Rumani, bile edhe në Kinë, nga regjisori Adonis Filipi që rrëfejnë për rritje niveli të regjisurës sonë, pa asnjë dyshim edhe rritja e nivelit artistik të aktrimit.
Duke ardhur tashmë te “brezi i artë” i aktorëve të famshëm që bënë atë lidhje të mrekullueshme me artin modern të aktrimit, në teatër e në filmat tanë, të cilët mund të barabiten me krijimet bashkëkohëse... Të dukshëm që me të parin, Bexhet Nelkun, i cili nuk arriti dot ta kurorëzonte talentin e vet, por që kaq shkurt sa jetoi vërtetoi “udhë të pashkelura” te ne, me monologun e Mark Antonit, në stilin interpretues të Lorenc Oliverit, ku qetësia e jashtme fshihte “llavën e brendshme vullkanike”, kur ajo avitet e kërkon të dalë dhe që kur del në sipërfaqe, bëhet e papërballueshme e që duket sikur nuk e mban dot “korniza e ekranit”! Me Robert Ndrenikën, po kaq i madh në dramë e ë komedi, si të ishte zotërues i gjithë hapësirave skenike e të filmit.
Me Vangjush Furxhiun e thellë e plastikë të të gjitha roleve që i janë besuar. Me Ndriçim Xhepën brilant, të zhbirimeve psikologjike e të erositë skenës e të ekranit. Me Agim Qirjaqin -aristokratin e gjithëpushtetshëm të hapësirave teatrore e të shesheve të xhirimit. Me Bujar Lakon e përkorë, magjistarin e depërtimit në shpirtin njerëzor të çdo roli. Me Timo Fllokon, Mevlan Shanajn, Niko Kanxherrin e Llazi Serbon, katër studentat e mi virtuoz, që nuk i kanë turpëruar asnjëherë profesorët e regjisorët e tyre të
teatrit e të kinemasë, si edhe të dy Zonjave te Arta të Aktrimit, Yllka Mujon dhe Luiza Xhuvanin që kanë ditur ta shtojnë hijeshinë e tyre ndër role edhe me bukurinë e freskinë e moshës, pa e ndjerë aspak edhe “thyerjen e viteve”. Me “Njeriun e dëborës” - Rikard Ljarja që ngriu në dëborë, majë një shtylle elektrike, në pragun e Vitit të Ri, për t’u dhënë dritë e dashuri njerëzve. Me një ngrohtësi të pashoqe në mesin e reshjeve të dëborës e të ngricave veriore, madje duke interpretuar nëpër shtylla të larta, midis tokës e qiellit. Me atë gazetashitësin e Mevlanit kaq të vërtetë, që vërtitet e mbetet rrugicave të një qyteti të pushtuar. Kishte lindur një “brez i artë”
dhe i mrekullueshëm që shtohet vazhdimisht ndër brezat që vijnë pa reshtur. Me Fatos Selajn, Viktor Zhustin, Guljelm Radojën, Edi Luarasin e Aishe Starin, me Kastriot Çaushin e Roland Trebickën e famshëm që e ngriti veten gjer në “majat” e interpretimit, madje pa e kryer Fakultetin e Aktrimit. Por edhe me të tjerë interpretues që lista jonë bëhet e tejmbushur dhe e papërballueshme, se gjer te këta arritëm. Jeta vazhdon, edhe pasi shfaqjet vdesin që në atë natë të lindjes së tyre. Por që mbeten të paharrueshme e “futen” në memorien e kujtdo edhe nëpër libra. Se “breza” të tjerë edhe më të ndritshëm po vijnë e do të vijë pa reshtur. Po edhe me vazhdimësinë e studiuesve të ardhshëm të kritikës e të Shkencës Teatrore që në vendin tonë asnjëherë nuk ka pasur vëmendjen e duhur, madje edhe përkrahjen minimale.
Le t’i radhisim portretet e jetës dhe të krijimtarisë së tyre, me sa mundëm të bëjmë, në këtë “pasion çmendurie” që lind e vdes, bashkë me ne të paktët, sikundër e tha bukur edhe Zhan Vilari, që i ndrittë shpirti!
(Vazhdon)
Nga libri BREZI I ARTË I AKTRIMIT "TOENA" 2024
Comments