top of page

Mihal Gjergji: VITI I FERRIKUT



 

Ndodh rrallë të dalin mes nesh njerëz të shquar e të krijojnë kohë të vetën, ndërsa të tjerët munden që në rrjedhën e saj të lenë gjurmë. Unë do flas për një njeri krejt të zakonshëm që s’di si mbiu mes nesh në një kohë të rëndë varfërie. Mëgjithëse isha fëmijë, në kujtesën time kam ruajtur mbresat e atij viti të trishtë që më vonë do quhej ‘Viti i Ferrikut’. Ishte Kryetari i Koperativës bujqësore. Jetonte në Tiranë dhe kishte një punë të mirë në uzinën që mbante emërin e diktatorit sundimtar. Nuk di pse e kthyen në fshat, ndoshta si ndëshkim, ose për ti shërbyer politikës së partisë për të lidhur kuadrot me masën. Ferriku ishte nga një fis me emër të mirë. Gjithë ç’kam njohur nga llagapi i tij më kujtonin fiset gjermanike. Fliste pak dhe tregonte kujdes të tepruar. Ndoshta ishte djegur nga qulli dhe i frynte kosit. Tokën e maste me stremë, fjalën me kut. Thënë ndryshe, ishte qejf pa prishur dhe punë pa bitisur. Ishte qejfli pijesh dhe gjërash...Llogaritar mori Zenelin, me trup të bëshëm, kokën si litroshe rakie dhe barkun si hambar. U bënë një pendë e mirë. Kot thonë se dy shpata s’mund të qendrojnë brenda një këllëfi. Ata ishin bërë për njëri-tjetrin, e po të flasim me zhargonin popullor, do thoja se shkonin si Marua dhe Karua. Të dy bashkë rastisi të qëndronin disa ditë në qytetin e Sarandës, te turizmi i atëhershëm. Mirëpo s’kishin lek të paguanin qejfin që bënë. Punonjësit i kërcënuan se do njoftonin Degën e Brendshme. Frika ua largoi gjumin nga syri. Ferriku u detyrua të dërgonte një pusullë Bexhetit, përgjegjësit të tufës së dhenve që dimëronte në Zhubdenë. E shkroi në kapak të paketës “Ardian” dhe i lutej të shiste 3-4 desh, të lante borxhet dhe të largohej nga qyteti bregdetar pa e marrë vesh njerëzia. Ashtu u bë. Në fund të vitit llogaritari do bënte bilancin e punëve. Fshatarët prisnin të merrnin ndonjë lek për Vitin e Ri. Koperativa kishte lindur e vdekur, mirëpo askush s’kishte sy për ta parë. U bë mbledhja e koperativistëve. Ferriku me dorë në zemër u kërkoi kryefamiljarëve të jepnin nga 1000 lek seicili për të mbyllur defiçitin. Lotët ia fshinte Zeneli...Ai kujtim i hidhur më ka ndjekur mbrapa gjithë jetën. Varfëria durohet, uria-jo! Të piqesh me racionin e bukës si me të vdekurin, është nga më të hidhurat drama të njeriut. Dhe ne i kemi provuar, atëherë kur na përzuri greku me urët e zjarrit. Nënat ngarkuan foshnjat në djepe dhe zbritën Shurin e Kuçit për të mbritur në Ullishtet e Vlorës. Sipër atij shkretimi e filluam jetën nga e para. Burrat e thinjur, tymosnin të menduar çibukët e shqopes dhe i jepnin kurajo njëri-tjetrit: durim dhe shpresë! Kaq i mjaftojnë njeriut në kushte mbijetese. Kohë më vonë, pas ikjes së Ferrikut sollën një tjetër djalë nga fshati, kishte studiuar për agronomi. Edhe ai s’mund të vepronte ndryshe nga të tjerët, sepse çdo gjë kontrollohej nga lart. Gratë kishin një mashkull që u tregonte frontin e punës dhe i kontrollonte, ishte brigadieri. Atë e pyesnin çdo mëngjes; xhaxha filani, ku do vemi sot? Të shkretat gra! (Burra s’kam njohur në rininë time. Shumë prej tyre ishin vrarë në luftë, ndërsa ç’kishin mbetur përfunduan në burgje dhe kampe interrnimi). Fëmijët kishin një strehë të përbashkët, kopshtin ose çerdhen dhe modeloheshin si parafabrikate, më vonë do të quheshin “Pionierë të Enverit”. Kooperativa ishte e kryetarit; brigadier ishte kunati ose i afërmi i tij, bekshiu i fshatit, zotekniku, shoferi, ndihmësi, mekaniku, ishin vëllezërit dhe kushërinjtë e afërt të kryetarit. U erdhi dora mbi vesh atyre që flinin me gjithë opinga, e prisnin bukën me sëpatë dhe e ndanin me taimë, mblidheshin të gjithë rreth vedrës me qumësht dhe muzika e vetme që dëgjonin ishte ajo e lugëve të drurit. Çeta e kusarëve grabiste mundin dhe djersën e një fshati të tërë. Mos harroni dhe sekretarin e partisë, ai që drejtonte “organizatën bazë” dhe vendoste se cilët shokë dhe shoqe do emëroheshin në punë të zgjedhura, cilët fëmijë do lejoheshin të studionin në shkollat e larta, cilët do pengoheshin për arsye të biografisë, cilët fshatarë do demaskoheshin në mbledhjen e popullit që rëndom quhej “Fronti demokratik”. Lufta e klasave kishte krijuar mure ndarëse dhe hone të frikshme. Çdo gjë ishte planifikuar me detaje; shkatërrimi i familjes shqiptare, krijimi i njeriut të ri proletar, rrënimi i moralit dhe traditës shekullore. Propaganda ishte e frikshme dhe e pandërprerë. Ishin vitet e rënda të kolkozëve të kopjuar nga stepat e largëta të Rusisë. Nuk di pse mu kujtuan ato vite. Ndoshta ngaqë shikoj të njëtat fytyra edhe pas tri dekadash, të njëtën sjellje, të njëjtën ideologji vrastare që vazhdon të na sundojë si popull. Kam menduar se ajo kohë urie s’do të kthehej më. Buka e gojës t’a humbet kthjelltësinë e mendimit. Ne s’kemi me vete as hënën, as yjet, prandaj s’e gjejmë dot rrugën. Eh! S’qënka e thënë të na mbijë gëzimi në buzë. Çdo Vit i Ri që na troket te pragu, qoftë ndryshe, jo si viti i Ferrikut. Ja, këtë dëshiroj për ju dhe për vete.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page